Të Perëndishëm në Dukje, Por…

Te Perëndishëm ne Dukje

Të Perëndishëm në Dukje, Por…

Përkthyer nga The Standart Bearer

Ne jetojmë në një kohë kur ka shumë gjëra që paraqiten si frika e Zotit, e megjithatë, për shkak se mohojnë fuqinë e saj, ato në të vërtetë janë në shërbim të Antikrishtit.

Sot është bërë modë të jesh “i krishterë”.

Të paktë janë ata që, në vendin tonë, nuk do të ofendoheshin nëse do t’u thuhej se ata nuk janë të krishterë. Të paktë janë ata që nuk do ta konsideronin këtë si fyerje!

Por megjithatë, le të mos harrojmë kurrë se të anashkaluarit, të cilët janë shumë më të shumtë se bijtë e Perëndisë, nuk janë të krishterë në asgjë tjetër veçse në emër. Ata kanë vetëm dukjen e perëndishmërisë. Asgjë më shumë.

Sipas përgjigjes shumë të saktë të Katekizmit të Hajdelbergut në Ditën e Zotit 12, një i krishterë është ai që është pjestar i Krishtit dhe, për këtë arsye, merr pjesë në vajosjen e Tij. Ai është objekt i hirit të Perëndisë.

Të krishterët kanë më shumë se dukjen e perëndishmërisë. Ata jetojnë me fuqinë e saj.

Ka gjithashtu shumë gjëra që paraqiten si krishtërim dhe e quajnë veten krishtërim, por në të vërtetë janë Antikrishterë dhe Antikrishtërim.

Siç i shkruan Pali Timoteut, duke e paralajmëruar te 2 Timoteu 3:5: “Të perëndishëm në dukje, por mohues së fuqisë së saj; dhe nga këta largohu.”

Fjala “perëndishmëri” do të thotë nderim, devotshmëri, adhurim dhe, për rrjedhojë, frika e Zotit.

Një dukje e të qenit “në frikën e Tij”, por duke mohuar fuqinë e saj, është mosnderim, mungesë devotshmërie dhe, për rrjedhojë, mëkat.

Dhe vetë përpjekja për të mbrojtur dukje të tilla të zbrazëta të perëndishmërisë, nderimit dhe frikës, është në vetvete vetëm një dukje perëndishmërie që mohon fuqinë e saj. Le të jemi vigjilentë në këtë kohë kur njerëzit duan të na bëjnë të besojmë se krishterimi, po pushton botën dhe “ungjilltarët” modernë duket sikur e bëjnë Krishtin dhe apostujt, të turpërohen me “sukseset” e tyre të dukshme. Sa më shumë që Krishti predikonte të vërtetën, aq më i vogël bëhej numri i dëgjuesve të Tij. Nga ata mijëra që erdhën në fillim për ta dëgjuar (në vend të “vendimeve për Krishtin” masive) mbetën vetëm njëqind e njëzet që ende e ndiqnin pas vdekjes dhe varrimit të Tij. Jo gjithçka që paraqitet si “në frikën e Tij” është e tillë. Nuk është e gjitha perëndishmëri dhe nderim ajo që i shfaqet syrit të thjeshtë njerëzor në atë dukje.

Ndodh jo rrallë që dikush të ketë zili zellin e të tjerëve. Shpesh dëgjon njerëz që thonë me psherëtimë: “O, sikur të isha aq shpirtëror, aq i mbushur me zell të shenjtë për mbretërinë e Perëndisë sa vëllai filan apo motra filane”! Dhe pastaj, pothuajse brenda natës, ajo dukje zhduket dhe nderimi e devotshmëria që dikur lakmoheshin kaq shumë, nuk shihen më! Pa fuqinë e saj, ajo u tha.

Çfarë zelli shfaqet shpesh edhe në Modernizëm!

Njerëz energjikë! Njerëz plot ambicie, të gatshëm të japin ndihmë dhe të shpenzojnë para të fituara me mund për të përmirësuar jetën e të tjerëve ose për të ndihmuar familje në nevojë.

Ah, ne psherëtijmë dhe themi: “Ja një i krishterë i vërtetë! Ja një njeri i mbushur me frikën e Zotit!”

E megjithatë, ajo është vetëm një dukje perëndishmërie. Vetëm një dukje. Vetëm guaska e jashtme që duket e bukur për syrin e lirë. Por ju nuk duhet të gërmoni më thellë nëse nuk doni që të zhgënjeheni nga realiteti.

Dhe më e keqja: kjo nuk është thjesht një mashtrim që për një kohë e gënjen njeriun. Ajo është një neveri në sytë e Zotit! “Sakrifica (gjithashtu dhuntitë e tij dhe koha që ai sakrifikon, përpjeket e tij bamirëse, etj.) e të pabesëve është një neveri për Zotin; por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.” (Fjalët e Urta 15:8).

E përsërisim: ta mohosh këtë, të përpiqesh të mbrosh të pabesin në dukjen e tij të perëndishmërisë, është vetë vetëm një dukje perëndishmërie dhe nuk është nderim, devotshmëri dhe frikë e vërtetë përpara Perëndisë!

Akoma më shumë.

“Shumë do të më thonë në atë ditë: Zot, Zot, a nuk profetizuam në emrin Tënd, dhe i dëbuam demonët në emrin Tënd, dhe kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin Tënd?” Dhe atëherë do t’u rrëfej atyre: “S’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju, që keni bërë paudhësi”. (Mateu 7:22–23).

Çfarë akuze!

“S’ju kam njohur kurrë!”—dhe ne i kishim zili! Ne ndoshta filluam të vëmë në dyshim besimin tonë të reformuar dhe të pyesnim se çfarë nuk shkon me të, që ka kaq shumë “në frikën e Tij” në këto rryma moderne dhe kaq pak në tonat. Ne u dashuruam me dukjen. Dhe duke bërë kështu, ne mohuam fuqinë e saj!

Oh, ata dëbojnë demonë në emrin e Jezusit. “Demonët” modernë që ju shtypnin në punishtet e dikurshme. Ata përmirësuan kushtet e punës në emrin e Krishtit, në emrin e krishterimit. Ata bënë shumë “vepra të fuqishme” për hir të Tij (?).

Por ato nuk ishin aq të fuqishme. Dukja dukej e bukur. Ajo dukej si gjëja e vërtetë. Por ajo mohonte fuqinë dhe pa fuqinë ajo është më keq se e pavlerë. Ajo është një neveri në sytë e Perëndisë. Sepse është Antikrishterë. Çdo gjë që nuk i shërben mbretërisë së Krishtit, lufton kundër saj. Çdo gjë që nuk është e krishterë është antikrishterë. “Ai që nuk është me mua është kundër meje,” tha Jezusi. Nëse ka dukjen e të qenit për Të apo jo, nuk përbën ndonjë ndryshim. Nëse fuqia që është për Të nuk qëndron pas asaj dukje, ajo është fuqia e lëvizjes Antikrishterë. Pse ndodh që me Pesë Pikat e Kalvinizmit, ne nuk mund të mbushim një auditor shumë të madh me dëgjues?

Pse ndodh që në rrethet tona nuk ka “vendime për Krishtin” masive? Të tjerët, me një ungjill që premton dhe ofron shpëtim për të gjithë ata që dëgjojnë; që paraqesin një Jezus që i do të gjithë; që duket sikur janë të mbushur me mëshirën dhe dhembshurinë e Perëndisë për të shpëtuar shpirtin tënd të dashur nga buza e ferrit; që në emrin e Krishtit kanë “bërë shumë vepra të fuqishme”—këtyre u duhet që të largojnë turmat që vijnë për të dëgjuar.

A duhet ta rishikojmë qëndrimin tonë doktrinar?

A duhet të mendojmë për një ndryshim të taktikave që të jemi më të suksesshëm në “fitimin e shpirtrave të çmuar për Krishtin”?

Një fjalë paralajmëruese nga Perëndia përmes apostullit Pal: Mos e mohoni fuqinë e perëndishmërisë!

Dhe ajo fuqi nuk qëndron tek harmonitë e pasura dhe melodinë tërheqëse të këngës që lartëson dashurinë e Perëndisë për të gjithë njerëzit.

Fuqia nuk është në një mesazh të zjarrtë që lartëson kryqin e Krishtit dhe pastaj të kërkon e të lutet që ti të “ndezësh fuqinë” dhe ta pranosh këtë Jezus, i cili, edhe pse ka bërë kaq shumë, ende qëndron jashtë derës dhe është i pafuqishëm ta zbatojë këtë shpëtim te ti derisa ti t’i japësh të drejtën.

Fuqia nuk është në një doktrinë të zgjedhjes që predikon një zgjedhje që është vendosur në kohë nga “vendimi yt për Krishtin”.

Fuqia e perëndishmërisë është në Perëndinë!

Fuqia në Krishtërim është në Krishtin!

Fuqia në perëndishmëri që është më shumë se një dukje është fuqia e Frymës së Perëndisë së Plotfuqishëm.

Prandaj fuqia është në Fjalën e Perëndisë si Fjala e Tij.

Fuqia e perëndishmërisë është në të vërtetën.

Gënjeshtra, doktrina e rreme, çdo përzierje e filozofive njerëzore mund të prodhojë dukjen e perëndishmërisë. Ajo mund të mashtrojë njerëzit dhe t’u pëlqejë njerëzve. Ajo mund të bëjë gjëra që njerëzit do t’i quajnë: “Në emrin Tënd kemi bërë shumë vepra të fuqishme.” Në gjykimin e njeriut ato janë vepra të fuqishme, sepse njeriu përfiton prej tyre dhe njeriu merr lavdi në kurriz të lavdisë së Perëndisë.

Por Perëndia thotë: “Largohuni nga unë, ju, që keni bërë paudhësi!”

Ai sheh përtej dukjes së perëndishmërisë. Ai sheh fuqinë antikrishterë pas këtyre veprave të paudhësisë.

Kjo është edhe arsyeja se pse është kaq e neveritshme kur bijtë e Sionit këndojnë këngë që kanë një dukje perëndishmërie, por mohojnë fuqinë e saj. Shumë, shumë nga këngët e sotme shfaqin këtë dukje perëndishmërie. A nuk quhen ato këngë? A nuk paraqiten ato si këngë ungjillore? A nuk këndohen ato në foltoret e kishave si muzikë kishtare dhe si pjesë frymëzuese e ndërtuese përpara popullit të Perëndisë?

“Rrotullohu, Jordan, rrotullohu!” “Unë dua të shkoj në qiell kur të vdes për të parë Jordanin e vjetër duke rrjedhur!” Çfarë “pasurie zelli shpirtëror” në një këngë të tillë!? Perëndishmëri ajo nuk është. Ajo ka vetëm dukjen. Perëndia, Krishti, kryqi, shpëtimi—nuk janë në të. Pa fuqi, pa kuptim, sipërfaqësore, ANTIKRISHTERE! Ajo e vendos Krishtin jashtë qiellit! Jordani bëhet gjëja më e rëndësishme aty!

Ajo ka një dukje perëndishmërie sepse flet gjuhën e Shkrimit. Ajo flet për Jordanin siç flet Shkrimi. Ajo flet për qiellin dhe për të shkuar atje kur ne vdesim.

Dukja e perëndishmërisë është aty; por mjerisht fuqia mungon.

Dhe kështu ndodh me një numër të panumërt këngësh që madje gjejnë vend në programet tona. Ato përmbajnë disa shprehje që mund të gjenden në Shkrimin e Shenjtë dhe për këtë arsye etiketohen si “muzikë e shenjtë”, “këngë ungjillore”, etj.

Le të jemi të sinqertë për këtë cështje. Ne i këndojmë dhe i përdorim ato sepse muzika na tërheq. Arsyeja se pse ne i këndojmë ato është kënaqësia tokësore që marrim prej tyre dhe jo fuqia e perëndishmërisë.

Dhe kështu ne vetëm theksojmë fjalët e apostullit në vargun që e paraprin këtë paralajmërim kundër asaj që ka vetëm një dukje perëndishmërie. Pali thotë: “… dëfrimdashës më shumë se perëndidashës; të perëndishëm në dukje (që duket si dashuri për Perëndinë, pastaj), por mohues të fuqisë së saj.”

“Edhe nga këta largohu.”

Të gjitha këto gjëra janë antikrishterë.

Kjo nuk është një shprehje e tepruar. A na paralajmëron Perëndia përmes Palit të largohemi nga këto gjëra për ndonjë arsye tjetër përveçse se ato janë të rrënjosura në urrejtje ndaj Tij? Vepra që kryhen sepse njerëzit janë dëfrimdashës dhe jo perëndidashës?

Dhe nuk ka asnjë neutralitet. Në masën që ne duam kënaqësinë më shumë se Perëndinë, në atë masë ne e urrejmë Perëndinë dhe i kundërvihemi Atij dhe Krishtit të Tij. Dhe me siguri ka diçka që nuk shkon kur të pabesët, të parilindurit, tërhiqen nga “perëndishmëria” jonë. Këto gjëra ti mund t’i realizosh duke mohuar fuqinë e perëndishmërisë. Ti mund ta bësh krishterimin të duket i mirë për të dhe “t’ja shesësh” atij duke hequr fuqinë e Krishtit prej tij. Jepi pak vend—dhe sa më shumë vend t’i japësh, aq më tërheqëse do të bëhet ajo dukje për të—jepi shumë vend dhe shpjere Perëndinë e gjallë dhe të plotfuqishëm në cep, ose thekso vetëm dashurinë dhe hirin e Tij për të gjithë të shtypurit, duke mohuar drejtësinë, drejtësinë e Tij gjykuese dhe sovranitetin. Ti do ta bësh atë dukje tërheqëse për njeriun. Ata do të shohin diçka të mirë në Krishtërim. Ata do ta mbrojnë atë si zgjidhje për vështirësitë dhe problemet e rrëmujës e padrejtësisë sonë shoqërore dhe ekonomike.

Por: “nga këta largohu.”

Mos e promovoni kurrsesi këtë dukje perëndishmërie para fëmijëve tuaj.

Ky i njëjti apostull Pal, i udhëhequr nga i njëjti Frymë i së vërtetës, u kishte shkruar Thesalonikasve: “Askush të mos ju mashtrojë… që ai njeri i mëkatit të zbulohet (Antikrishti)… kundërshtari, ai që ngre veten lart mbi gjithcka që quhet Perëndi ose objekt adhurimi (thelbësisht e njëjta fjalë si ‘perëndishmëri’ te 2 Tim. 3:5); aq sa të ulet në tempullin e Perëndisë, si perëndi, duke e paraqitur veten se është perëndi.”

Antikrishti ka një dukje perëndishmërie.

Por ai kundërshton gjithçka që është e Perëndisë.

Nga të tillë largohuni!

 

J.A.H.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes