Takimet e Njohjes për Lavdinë e Perëndisë

Takimet e Njohjes per Lavdine e Perendise

Takimet e Njohjes për Lavdinë e Perëndisë (Pjesa 1)

Përkthyer nga The Standart Bearer

A thotë Bibla ndonjë gjë për takimet e njohjes? Kjo është një pyetje e mirë për të rinjtë që janë duke takuar apo që dëshirojnë të takojnë dikë. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është ajo për të cilën prindërit duhet të bisedojnë me të rinjtë e tyre.

Ka dy përgjigje për këtë pyetje. Përgjigjja e parë është: “Jo.” Nëse kërkoni në aplikacionin e Biblës ose në një konkordancë, ju nuk do të gjeni fjalët “takim”, “i dashur” apo “e dashur”. Pali nuk ka shkruar për atë që duhet bërë në takimin e parë. Ai nuk na tregon sa kohë duhet të zgjasin takimet e njohjes përpara martesës. Takimet romantike është një praktikë relativisht e re që burrat dhe gratë në kulturën tonë përdorin për të gjetur një bashkëshort. Në kultura të tjera dhe në kohë të tjera, bashkëshorti gjendej përmes rregullimeve të prindërve. Abrahami gjeti një grua për Isakun duke dërguar shërbëtorin e tij, i cili u lut që gruaja që do t’i jepte ujë atij dhe deveve të tij të ishte ajo që Perëndia kishte zgjedhur për Isakun. Kjo nuk do të thotë se Perëndia kërkon që ne ta gjejmë bashkëshortin në të njëjtën mënyrë (gjë për të cilën, shumë prej jush, ndoshta janë të lehtësuar ta dëgjojnë).

Por ka edhe një përgjigje të dytë për pyetjen tonë: “A thotë Bibla ndonjë gjë për takimet e njohjes?” Po, thotë. Edhe pse Bibla nuk jep një listë rregullash për takimet, Fjala e Perëndisë jep parime të rëndësishme që zbatohen drejtpërdrejt në to. Bibla e bën të qartë se prindërit duhet të mbikëqyrin takimet e njohjes. Meqenëse martesa duhet të jetë në Zotin, edhe takimet e njohjes duhet të jenë në Zotin.

Ajo që duhet të drejtojë praktikën e takimeve të njohjes më shumë se çdo gjë tjetër është e vërteta e martesës, sepse takimet e njohjes janë për martesë. Nëse do që të takohesh në mënyrën e duhur, ne duhet të dimë se ku po shkojmë. Qëllimi është që të jemi të perëndishëm dhe të dashur në takimet e njohjes, në mënyrë që njëra prej këtyre marrëdhënieve në këto takime të zhvillohet dhe të çojë në një martesë të perëndishme dhe të dashur.

Në këtë artikull dhe në të tjerët që do të pasojnë, ne do të shqyrtojmë se si e vërteta biblike e martesës zbatohet në takimet e njohjes. Për të kuptuar se çfarë është një takim njohje i perëndishëm dhe i shëndetshëm, ne duhet të kuptojmë se çfarë është një martesë e perëndishme dhe e shëndetshme. Kur ne ta kuptojmë se çfarë është një martesë e perëndishme dhe e shëndetshme, atëhere ne do të përpiqemi të vendosim modele dhe themele të perëndishme në një marrëdhënie takimesh për njohje. Nëse ne nuk kemi si qëllim martesën, kjo do të çojë në themele të dobëta dhe modele të paperëndishme.

Fjala e Perëndisë u mëson të rinjve dhe të rejave se kërkimi i një marrëdhënieje që do të çojë në martesë është një gjë e mirë. Për shembull, te Zanafilla 2:18 ne lexojmë se nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Edhe pse shumë prej jush të rinjve nuk jeni ende gati për martesë tani, ju ndoshta e imagjinoni veten të martuar një ditë. Kjo është një dëshirë e mirë për t’u patur. Perëndia i zbuloi Adamit nevojën e tij për një grua duke i sjellë përpara tij kafshët dy nga dy, që ai t’u vinte emra. Adami pa se ishte vetëm, dhe kjo nuk ishte e mirë. Edhe sot, kjo Fjalë e Perëndisë mëson se, zakonisht, nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Kultura jonë jep një mesazh shumë të ndryshëm, veçanërisht për djemtë e rinj, por edhe për vajzat e reja. Bota thotë se nëse martohesh herët, do të humbasësh kënaqësitë e jetës. Por rreziku i vërtetë është që djemtë e rinj dhe vazjat e reja zhvillojnë qëndrime dhe sjellje mëkatare dhe egoiste që e bëjnë martesën të vështirë. Përveç kësaj, ekziston rreziku i dëshirave seksuale ku djemtë dhe vazjat e reja mund të zhyten gjatë kohës që janë beqarë.

Meqenëse takimi i njohjes është për martesë, ne përballemi me këtë pyetje themelore: pse e ka urdhëruar Perëndia martesën? Perëndia e ka vendosur martesën jo për lumturinë tonë personale, por për lavdinë e Tij, ndërsa Ai e përdor martesën për të na mësuar për besëlidhjen e Tij të vendosur me popullin e Tij në Jezu Krishtin. Duke qenë kështu, fokusi i takimeve të njohjes duhet të jetë lavdia e Perëndisë, ndërsa ne kërkojmë një marrëdhënie që pasqyron dhe na mëson më shumë për besëlidhjen e Perëndisë në Jezu Krishtin. Për ju që jeni duke kryer takime njohjeje: a është ky fokusi i zemrës suaj? Për ju që dëshironi të keni takime njohjeje: a doni ta bëni këtë për lavdinë e Perëndisë në Krishtin?

Qëllimi i Perëndisë për martesën nuk është lumturia, përmbushja apo domethënia jonë personale. Të presësh këtë nga martesa është si të presësh që një makinë e vjetër të konsumojë shumë pak karburant në një udhëtim të gjatë. Ajo nuk është krijuar për këtë. Nëse ne presim që martesa të jetë vetëm romancë dhe lumturi, ne do të zhgënjehemi shumë, sepse realiteti është që një mëkatar martohet me një mëkatar. Për shkak se ka mëkat në martesë, do të ketë kohë trishtimi, përpjekjeje, konflikt dhe zhgënjim. Kjo është arsyeja se pse Formulari jonë i Martesës fillon jo në një mënyrë pesimiste, por realiste: “Meqenëse të martuarit, si pasojë e mëkatit, përgjithësisht u nënshtrohen shumë mundimeve dhe pikëllimeve…”

Perëndia e ka caktuar martesën që të jetë një besëlidhje për të na mësuar për besëlidhjen e Tij me ne në Jezu Krishtin. Ne e dimë këtë nga shumë pjesë të Shkrimit që përdorin gjuhën e martesës për të përshkruar marrëdhënien tonë me Perëndinë. Te Osea 2:19,20, Perëndia thotë: “Do të të fejohesh me mua përjetë… në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri. Do të fejohesh me mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin.” Kjo ide e njëjtë gjendet edhe në pasazhin e shquar të Dhiatës së Re mbi martesën (Efesianëve 5). Në vargun 32, Pali thotë: «Ky mister është i madh; por unë e them në lidhje me Krishtin dhe me kishën.» Misteri i zbuluar këtu është se Perëndia e ka caktuar martesën për të na mësuar rreth marrëdhënies sonë me Krishtin.

Martesa është një besëlidhje përmes së cilës ne mësojmë për marrëdhënien më të lartë dhe më të mirë që kemi, në këtë jetë dhe në tjetrën. Kjo nuk është një marrëdhënie me një burrë apo me një grua, por marrëdhënia jonë me Perëndinë. Aq e ngushtë dhe e mrekullueshme sa është martesa, apo aq e ftohtë dhe e vështirë sa mund të jenë disa martesa, ne kemi një marrëdhënie më të mirë, më të afërt dhe më jetëgjatë me Perëndinë. Në këtë marrëdhënie, Perëndia kënaqet me ne dhe na afron pranë Vetes, ndonëse ne mëkatojmë dhe kryejmë kurorëshkelje shpirtërore ndaj Tij. Në këtë marrëdhënie, ne jemi të thirrur të jetojmë për ta përlëvduar dhe për t’i pëlqyer Atij.

Kjo i mëson të rinjtë që t’i qasen takimeve të njohjes dhe martesës nga një perspektivë e qendërzuar tek Perëndia, në vend të një perspektive të qendërzuar tek njeriu. Cili është ndryshimi?

Meqenëse Perëndia nuk e ka caktuar martesën për lumturinë tonë personale, as takimi i njohjes nuk duhet të jetë për këtë. Do të doja ta kisha kuptuar këtë kur isha në shkollë të mesme. Do të kishte ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si i shihja takimet e njohjes. Një perspektivë e qendërzuar te njeriu për takimet e njohjes dhe martesën do ta bëjë dikë që t’i qaset takimit nga këndvështrimi i lumturisë personale. Ky është qëndrimi: “për sa kohë që ky person më bën të lumtur, unë do të jem me të.” Nëse jo, atëherë marrëdhënia duhet të përfundojë. Ndoshta ajo duhet të përfundojë, sepse personi tjetër nuk është i perëndishëm ose është egoist. Por takimet tona të njohjes (dhe martesat tona) duhet të kenë një perspektivë që është shumë më të lartë se lumturia personale.

Sa shumë na ka ndikuar ky theksim i kulturës sonë? Bota thotë: Bëj atë që të duket mirë dhe që të bën të lumtur. Nëse takimi i njohjes të bën të lumtur dhe të duket mirë, atëherë bëje. Takohu për argëtim. Shijoje romancën e një të riu që përpiqet të të fitojë me dhurata, dukje, mirësi dhe që të bën të ndihesh e veçantë. Shijoje lumturinë që kjo sjell. Përqafo, thotë bota, përkëdheljet sensuale, puthjet dhe madje edhe intimitetin seksual në takimet. Por kuptoni se çfarë thotë Bibla për këtë. Nëse ne takohemi për këto arsye, ne nuk po takohemi për lavdinë e Perëndisë, por për atë që ne marrim prej saj. Ne takohemi sepse na bën të ndihemi mirë dhe të lumtur.

Për të ruajtur zemrat tona nga ky lloj takimi që ndihet kaq mirë dhe kaq e drejtë, ne duhet të kuptojmë qëllimin e Perëndisë për martesën. Një perspektivë e qendërzuar te Perëndia për takimet sheh lavdinë e Perëndisë në besëlidhjen e Tij si qëllimin përfundimtar. Qëllimi përfundimtar i çdo gjëje është t’i shërbejë dhe të përlëvdojë Perëndinë. Martesa është për të na ndihmuar të rritemi në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Çfarë do të thotë kjo për takimet e njohjes? Ajo do të thotë se një çift që takohet me qëllimin e lavdisë së Perëndisë kërkon të përgatitet për martesë me të gjithë seriozitetin për atë lidhje të shenjtë. Përmes një marrëdhënieje takimesh, ne duhet të dëshirojmë të kënaqim Perëndinë dhe të rritemi në njohjen tonë për Të. Marrëdhënia duhet të ndihmojë rritjen time në shenjtërim. Kjo është forca shtytëse e një takimi të mirë njohjeje. Nëse marrëdhënia nuk është e përqendruar në këtë, ajo nuk është një marrëdhënie e mirë.

Përmes martesës ne mësojmë për dashurinë e Perëndisë dhe mësojmë ta duam Perëndinë. Perëndia e përdor martesën si një mjet për të na çliruar nga egoizmi ynë. Martesa është një instrument i Perëndisë për shenjtërimin tonë. Perëndia përdor edhe shumë mjete të tjera për shenjtërimin tonë—jetën beqare, miqësitë, Fjalën e Tij dhe lutjen—por Ai gjithashtu përdor edhe martesën. Nevoja jonë më e madhe është të çlirohemi nga egoizmi ynë. Ai na bashkon me një bashkëshort që është i ndryshëm nga ne dhe që do të mëkatojë kundër nesh. Ndërsa luftojmë për të dashur për shkak të mëkatit tonë dhe të mëkatit të bashkëshortit që Perëndia na ka dhënë, ne mësojmë për mrekullinë e dashurisë së përsosur të Perëndisë për mëkatarët. Ky është qëllimi i martesës.

Martesa është një marrëdhënie miqësie dhe dashurie që na mëson për dashurinë e pakushtëzuar dhe të pamerituar të Perëndisë në Jezu Krishtin. Dashuria nuk është thjesht një ndjenjë. Ajo është një veprim vetëflijues që dëshiron të mirën e tjetrit, edhe kur ai nuk e meriton. Kjo është dashuria e Perëndisë për ne në Jezu Krishtin (Gjoni 3:16). Perëndia dha Birin e Tij të vetëm për të na shpëtuar nga mëkatet tona. Kjo dashuri e mrekullueshme e Perëndisë nuk bazohet mbi asnjë gjë që ne bëjmë. Kështu duhet të duket dashuria në martesë. Ajo duhet të pasqyrojë dashurinë e Perëndisë për ne. Kjo dashuri duhet të jetë e përqendruar së pari te Perëndia dhe pastaj te bashkëshorti.

Kjo është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar në takimet e njohjes. Unë kam frikë se shumë çifte shprehin ndjenjat e tyre duke i thënë njëri-tjetrit: “Të dua,” pa e kuptuar se çfarë do të thotë vërtet kjo. A ka ndonjë gjë që ndihet më mirë sesa të dëgjosh: “Të dua”? Por a i kuptojmë këto dy fjalë? Ne duhet të sigurohemi që i kuptojmë ato përpara se t’i themi. Takimi i njohjes me synim martesën është një kohë për të mësuar se çfarë është dashuria, dhe nëse do të marrësh apo jo angazhimin për ta dashur këtë person deri në vdekje me dashurinë e Krishtit. Dashuria në martesë është një përkushtim për gjithë jetën. Para se këto fjalë të thuhen në një marrëdhënie takimesh, kjo duhet të kuptohet. Sa çifte i thonë këto fjalë ndaj njëri-tjetrit në mënyrë të paditur dhe më pas ndahen dhe nuk martohen? Kjo tregon se ata nuk e kanë kuptuar plotësisht peshën e këtyre fjalëve. Unë do t’i këshilloja çiftet në fazën e takimeve që të mos i thonë këto dy fjalë intime derisa të jenë gati për të bërë një përkushtim ndaj njëri-tjetrit.

Një mënyrë tjetër se si një çift përqendrohet në lavdinë e Perëndisë është duke u takuar brenda kufijve të pastërtisë seksuale. Fjala e Perëndisë e bën të qartë se marrëdhënia seksuale është e mirë dhe e drejtë vetëm brenda martesës. Perëndia ju thotë në takimet e njohjes: “Arratisjuni kurvërisë dhe jini të pastër!” (1 Korintasve 6:18). Pjesë e takimeve të njohjes në përgatitje për martesë përfshin të mos praktikoni intimitet fizik. Perëndia na thërret në pastërti. Një çift që e do Perëndinë dhe po mëson ta dojë njëri-tjetrin do të vendosë kufij të qartë dhe të prerë fizikë në marrëdhënie. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për djemtë e rinj, pasi statistikat tregojnë se djemtë e rinj mendojnë për seksin cdo dhjetë sekonda! Aq më shumë arsye për të vendosur kufij.

Unë do t’i inkurajoja çiftet që të mendojnë për këtë dhe të flasin për këtë nën drejtimin dhe llogaridhënien e prindërve. Ja disa kufij të sugjeruar: Vendosni kufirin që të mos jeni vetëm në vende ku mëkati seksual do të ishte një tundim. Për shembull, vetëm në një dhomë të mbyllur. Vendosni kufirin që të mos ketë puthje sensuale apo përkëdhelje, sepse këto çojnë drejt marrëdhënieve seksuale. Takimet e njohjes nuk duhet të jetë kohë për të zgjuar dëshira sensuale, por për të mësuar të dashuroni me synimin për të kuptuar nëse ky është personi që duhet ta doni për gjithë jetën.

Bibla ka shumë për të thënë për takimet e njohjes. Takohuni për lavdinë e Perëndisë duke e pasur syrin tek martesa!

 

Të Takohesh për Lavdinë e Perëndisë (Pjesa 2): Dashuria

Përkthyer nga The Standat Bearer

Ndoshta disa prej jush, vajza të reja, po prisni me padurim momentin kur një djalë i ri do t’ju shikojë në sy dhe me përzemërsi do të shpallë dashurinë e tij për ju. Ndoshta disa prej jush, djem të rinj, mezi prisni ta bëni këtë shpallje dhe të dëgjoni përgjigjen e përshpëritur: “Edhe unë të dua.” Ndihet mirë të dëgjosh: “Të dua.” Disa prej jush mund ta kenë përjetuar këtë tashmë në një marrëdhënie takimesh.

Por çfarë do të thonë këto fjalë? Kur ua kam bërë këtë pyetje të rinjve, çifteve të fejuara, madje edhe disa çifteve të martuara, shumë prej tyre kanë pasur vështirësi të përgjigjen. Disa madje kanë thënë se dashuria është e pashpjegueshme, por një ditë ata do ta kuptojnë më mirë. Ka pak të vërtetë këtu. Ne të gjithë rritemi në të kuptuarin tonë të dashurisë. Por nëse një çift nuk e kupton dashurinë e vërtetë biblike gjatë takimeve të njohjes, ai nuk do të ketë një “zbulim magjik” të saj vetëm sepse martohet. Madje ata mund të detyrohen ta mësojnë çfarë është dashuria e vërtetë brenda një martese të vështirë, sepse ata e injoruan të kuptuarin e saj gjatë takimeve. Dashuria duhet të kuptohet përpara takimeve dhe martesës. Po sikur një djalë i ri t’i pëshpërisë dashurinë një vajze në rrugën përpara shtëpisë së saj, dhe ajo që në të vërtetë ai po thotë është: “Unë kam epsh për ty”? Atëherë marrëdhënia do të përqendrohet tek aspekti fizik.

Po sikur një vajzë e re sheh në sytë e një djali të ri dhe thotë: “Po bie në dashuri me ty”, por gjithcka që ajo nënkupton është thjesht se kjo marrëdhënie e bën atë të ndihet mirë sepse i riu është treguar shumë romantik dhe i sjellshëm? Çfarë ndodh kur i riu nuk është më aq romantik dhe i sjellshëm? Ti ke një “dashuri” të bazuar në ndjenja që mund të ndryshojnë drejtim si era. Marrëdhënie të tilla shpërbëhen sepse aty nuk kishte një kuptim të vërtetë të dashurisë. Përpara se të rinjtë të nisin takimet dhe të martohen, ata duhet të kenë një të kuptuar bazik të dashurisë biblike, që përlëvdon Perëndinë. Një përkufizim dhe e kuptuar biblike e dashurisë është jetike në një marrëdhënie takimesh që ka si qëllim të vetëm lavdinë e Perëndisë me syrin drejt martesës.

Në gjuhën greke ne mund të identifikojmë tri fjalë për dashurinë. Fjala e parë është “eros”, nga e cila rrjedh fjala jonë shqipe “erotike”. Unë po e nis me këtë fjalë sepse një mënyrë se si bota e përkufizon dashurinë është epshi seksual. Ndonjëherë, kur një burrë i thotë një gruaje se e do, ajo që ai vërtet nënkupton është: “Kam epsh për ty”. Duke u dorëzuar para hormoneve të tij të tërbuara, ai ka vetëm një gjë në mendje. Kjo lloj “dashurie” përshkruhet te 1 Thesalonikasve 4:5 si “pasioni i epshit”, i cili karakterizon ata që nuk e njohin Perëndinë. Në kulturën tonë të çmendur pas seksit, shumë njerëz e përkufizojnë dashurinë përmes këtij epshi për afërsi fizike. Brenda martesës, afërsia fizike është një mënyrë se si burri dhe gruaja i tregojnë dashuri njëri-tjetrit, por kjo nuk është zanafilla apo ideja kryesore e dashurisë.

Fjala e dytë në gjuhën greke që duhet të identifikojmë është “fileo”, që do të thotë “dashuri vëllazërore”. Kjo fjalë identifikon ndjenjat dhe emocionet që janë pjesë e dashurisë. Në botën e sotme, ndjenjat sundojnë. Ndjenjat e dashurisë janë emocionet e fuqishme që dikush ka për një person tjetër; ndjenja që ngjasojnë me rrymën e shpejtë dhe të tërbuar të lumit Kolorado në pranverë, që mbart me shpejtësi varkat e rafting-ut. Të tilla mund të jenë ndjenjat e një vajze të re për një djalë të ri që i hap derën, e dëgjon dhe i blen gjëra të bukura.

Fjala e tretë për dashurinë që duhet të kuptojmë është “agape”. Kjo është fjala më e fortë për dashurinë në Shkrimet e Shenjta dhe e vetmja fjalë e përdorur për dashurinë e Perëndisë.

Përpara se të përkufizojmë dashurinë e vërtetë biblike, ashtu siç zbulohet në faqet e Shkrimeve, kuptoni pse i prezantova këto fjalë në këtë renditje. Kjo nuk është renditja e Shkrimit. Kjo është renditja e botës. Dashuria në takimet mes të rinjve dhe në martesë shihet fillimisht si epsh dhe tërheqje e bazuar në faktin se sa “i nxehtë” (tërheqës) është tjetri. Në botë, takimet shihen si një mënyrë që një djalë dhe një vajzë të lidhen seksualisht. Nëse kjo funksionon, ndjenjat që kanë për njëri-tjetrin do të rriten. Hapi i fundit është një marrëdhënie më intime që mund të çojë në martesë.

Satani e shndërron një dëshirë të mirë që ne e kemi të gjithë, dëshirën për seks, në gjënë më të rëndësishme. Ky është mentaliteti i botës në të cilën jetojmë. Ky mendim i prapambetur dhe i marrë i kësaj bote duhet të ekspozohet, në mënyrë që ne të mos mendojmë për dashurinë në këtë formë. Rruga e një djali dhe një vajze të re nuk duhet të jetë që ata të kenë një tërheqje fizike, të veprojnë mbi të duke dalë bashkë për të parë nëse kanë ndjenja për njëri-tjetrin, gjë që më pas çon në martesë. Kjo nuk është mënyra se si kisha duhet t’i shohë takimet mes të rinjve. Gjëja më e keqe që një çift mund të bëjë është t’i vërë këto epshe që ata kanë në plan të parë. Jini të përkushtuar për të mos pasur seks në marrëdhëniet tuaja përpara martesës!

Dashuria biblike e përmbys këtë pikëpamje të botës. Çfarë është dashuria? Përpara se të lexoni më tej, i kushtoni pak kohë leximit të Gjonit 3:16, Gjonit 15:13, Filipianëve 2:5-8 dhe 1 Gjonit 4:8-10 dhe formuloni një përkufizim biblik të dashurisë. Përkufizimi i dashurisë nuk është aq i vështirë sa ne mendojmë, sepse Bibla e bën këtë për ne.

Dashuria është një veprimtari e vetëflijimit që kërkon të mirën e tjetrit, edhe pse personi që po duhet nuk e meriton atë. Kjo dashuri është një vendim, një angazhim, dhe një veprim.

 

Vetëm ata që njohin Perëndinë mund të duan në këtë mënyrë. Kjo dashuri e ka zanafillën te Perëndia, sepse Perëndia është dashuri (1 Gjoni 4:8-10). Kjo dashuri është pjesë e qenies së Perëndisë. Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë e duan njëri-tjetrin me këtë dashuri. Brenda qenies së Perëndisë, dashuria është një lidhje intime, e gjallë dhe e përsosmërisë (Kolosianëve 3:14). Të tre Personat e Trinisë së Shenjtë jetojnë në një bashkim më intim dhe më të ngushtë se ai i një burri dhe një gruaje. Duke u shtrirë nga e gjithë përjetësia në të gjithë përjetësinë, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë e duan njëri-tjetrin pa mosmarrëveshje, grindje apo konflikt. Ata e duan njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur!

Perëndia e tregon në mënyrë aktive këtë dashuri të pastër ndaj popullit të Tij në Jezu Krishtin. Mbani mend se dashuria është një vendim, angazhim dhe një veprimtari. Që nga përjetësia, Perëndia vendosi të dojë një popull të pamerituar për dashurinë e Tij. Ai është i përkushtuar ndaj popullit të Tij, duke u premtuar atyre se dashuria e Tij nuk do të zbehet apo ndryshojë kurrë (Romakëve 8:31-39). Imagjinojeni! Perëndia kurrë nuk ndalon së dashuri ndaj nesh. Veprimi i dashurisë së Perëndisë është shpëtimi ynë nga mëkatet tona në Jezu Krishtin. Ai dha Birin e Tij të vetëmlindur për të na shpëtuar. Kjo dhënie është veprimtaria supreme e dashurisë, përmes së cilës Perëndia kërkon të mirën tonë duke na bekuar me të gjitha bekimet e shpëtimit në Jezu Krishtin. Nuk është çudi që ne këndojmë për dashurinë e mahnitshme të Perëndisë! Sa e mrekullueshme dhe mahnitëse është dashuria e Tij! Një dashuri përtej çdo mase! Ju nuk mund ta masni dashurinë e Perëndisë me centimetra, metra apo kilometra; me litra, me gramë, kilogramë apo tonelata. E kuptoni mesazhin.

Ne jemi të thirrur ta vëmë këtë dashuri në veprim në martesë. Brenda martesës, është themelore që burri dhe gruaja të duan Perëndinë të parin. Një martesë nuk do të jetë e bekuar nëse burri dhe gruaja nuk e duan Perëndinë me gjithë zemër, mendje, shpirt dhe forcë. Kjo na mëson se dashuria është çështje adhurimi. Burri dhe gruaja e krishterë e duan Perëndinë duke iu bindur urdhërimeve të Tij. Konkretisht, ata e duan Perëndinë duke dashur bashkëshortin/en që Perëndia u jep me këtë dashuri sakrifikuese dhe të pakushtëzuar. Dashuria në martesë nuk ka të bëjë në radhë të parë me seksin. Ajo nuk është në radhë të parë një ndjenjë, ndonëse burri dhe gruaja duhet të kenë ndjenja dashurie për njëri-tjetrin. Dashuria është një vendim, angazhim dhe veprim edhe atëherë kur personi tjetër nuk e meriton. Në martesë, dashuria është një vendim i vetëdijshëm dhe i qëllimshëm për të dashur bashkëshortin që Perëndia ka dhënë. Në martesë, dashuria është një angazhim jetësor në të cilin burri dhe gruaja premtojnë para Perëndisë, familjes dhe miqve se do ta duan njëri-tjetrin. Kjo dashuri duhet të vihet në veprim, duke kërkuar të mirën e personit tjetër edhe kur ai nuk e meriton. Një grua jeton për burrin e saj. Një burrë jep jetën për gruan e tij. Do të kemi më shumë për të thënë rreth kësaj në artikullin e ardhshëm.

Ajo që na intereson është se çfarë do të thotë kjo për takimet e njohjes. Kur një i ri dhe një e re e krishterë njohin dashurinë e Perëndisë për ta, Perëndia do të jetë i pari në zemrat e tyre. Për shkak se ne jemi të shpëtuar nga dashuria e Perëndisë në Jezu Krishtin, ne jemi ndjekës të Krishtit që i binden Fjalës së Tij. Kjo do të thotë se dëshirat për seks, romancë dhe përmbushje në një marrëdhënie nuk do të sundojnë jetën time.

Bërja e vullnetit të Krishtit duke jetuar në bindje ndaj Tij ka implikime të gjera për takimet e njohjes. Të rinjtë dhe të rejat e krishterë nuk janë të interesuar të dalin me jobesimtarë, pavarësisht se sa të sjellshëm, bujarë apo të bukur mund të jenë ata. Duke qenë të përkushtuar për të dashur dhe nderuar Jezu Krishtin në çdo aspekt të jetës, ata nuk do të kërkojnë miqësi me ata që nuk e duan apo nuk e nderojnë Atë.

Duke qenë se ne e njohim ngushëllimin dhe plotësinë e dashurisë së Perëndisë në Jezu Krishtin, që na çliron nga të gjitha mëkatet tona dhe na fut në një marrëdhënie dashurie dhe miqësie me Perëndinë përgjithmonë, ne nuk do të dalim me dikë për veten tonë. Ne nuk do të dalim për t’u ndjerë më mirë me veten. Ne nuk do të dalim për t’u ndjerë të plotësuar apo për të mposhtur pasiguritë apo frikën e të qenit vetëm. Kur ne e bëjmë këtë, ne po kërkojmë përmbushje te një person në vend të Perëndisë.

Për shkak se ne e njohim dashurinë e Perëndisë, ne nuk do të dalim për romancë, tërheqje apo epsh. Nëse dalim për këto arsye, ne nuk po dalim për lavdinë e Perëndisë, por për tonën.

Për shkak se ne e njohim dashurinë e Perëndisë, ne do të kërkojmë atë që është më e mira për personin me të cilin po dalim. Ne nuk do të bëjmë presion për të kaluar kufijtë seksualë që Perëndia ka vendosur. Dashuria e vërtetë kontrollohet nga mendja (Filipianëve 1:9, 10). Një vajzë e re nuk do të vishet në mënyrë joshëse për të nxitur një djalë të ri, dhe një djalë i ri nuk do të ushtrojë presion mbi një vajzë të re, duke shpërfillur kufijtë që vendos Perëndia. Përkundrazi, të dy do të dëshirojnë të mësojnë të shërbejnë ndërkohë që njihen me personin tjetër.

Një marrëdhënie takimesh që formësohet nga dashuria e Perëndisë do të jetë një marrëdhënie në të cilën një djalë i ri dhe një vajzë e re përpiqen të njohin tjetrin për të përcaktuar nëse ky është personi që Perëndia dëshiron që unë ta dua për pjesën tjetër të jetës sime brenda lidhjes së martesës. Në këtë lloj marrëdhënieje, i riu dhe e reja shqetësohen për të mësuar se çfarë do të thotë të sakrifikosh dhe të shërbesh për të mirën e njëri-tjetrit. Takimet nuk duhet të jenë një përpjekje për ta bërë veten të dukemi si diçka që nuk jemi. Këtë mund të bëjë një shitës makinash me një makinë të vjetër e të shkatërruar. Ai e lan dhe e lyen me dyll, duke u përpjekur të mbulojë të gjitha defektet për ta shitur. Takimet nuk kanë të bëjnë me këtë. Përkundrazi, ato kanë të bëjnë me lënien e personit tjetër të njohë se si jam unë në të vërtetë për të zbuluar nëse ata mund të vazhdojnë të më duan në martesë.

Dhe tani, le të kthehemi te domethënia e fjalëve “Të dua”. Çfarë mendoni për vendin e kësaj shprehjeje në një marrëdhënie takimesh? A merr ajo një kuptim dhe seriozitet të ri tani? Të thuash këtë është një angazhim. A jeni gati për këtë angazhim?

Mendoni për këtë nga kjo perspektivë. Po dilni me dikë që ende nuk e dini nëse do të martoheni. Ndoshta një ditë ndaheni dhe dilni me dikë tjetër me të cilin martoheni. Ai/ajo me të cilin keni dalë më parë, gjithashtu del me dikë tjetër dhe martohet. Ndoshta ato martesa ju sjellin në të njëjtën kishë. Si do të ndiheshit po të uleshit në të njëjtën rresht me një burrë apo grua tjetër të cilit i keni thënë “Të dua”? Siç thoni edhe ju: “E sikletshme!” Po, ashtu është. Dashuria e vërtetë është e bukur dhe e përlëvdon Perëndinë. Le ta formësojë kjo dashuri e Perëndisë mënyrën tonë të takimeve, në mënyrë që të përlëvdojmë Perëndinë ndërsa kërkojmë bashkëshortin/en me të cilin një ditë do të martohemi, sipas vullnetit të Perëndisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes