James Smith (1802-1862)
“Rikthe tek unë gëzimin e shpëtimit tënd!” — Psalmi 51:12
Të largohesh nga Zoti jo vetëm që e çnderon Perëndinë, por gjithashtu e zhvesh besimtarin nga gëzimi i tij dhe e lë atë të pikëlluar dhe të dëshpëruar. Kjo ishte gjendja e Davidit; ai kishte vuajtur shumë, dhe kishte frikë se do të vuante edhe më shumë; dhe duke parë prapa te përvoja e tij e kaluar, ai u lut për rikthimin e gëzimit të tij. Ai kishte qënë i lumtur, sepse kishte njohur dhe kishte ecur në dritën e fytyrës së Zotit.
Ka lumturi në fenë e vërtetë. Ungjilli është një lajm i mirë me gëzim të madh. Njohja e shpëtimit me të gjitha privilegjet dhe bekimet e tij, na bën që të gëzohemi në Perëndinë; dhe zbatimi i tij nga fuqia e Frymës së Shenjtë prodhon efektet më të mrekullueshme:
faji pastrohet nga ndërgjegjja,
paqja derdhet në zemër,
pranimi para Perëndisë bëhet realitet,
hyrja te Perëndia me guxim përjetohet,
dhe qielli duket sikur hapet para syve tanë.
Por mëkati e vjedh shpirtin nga të gjitha ngushëllimet. I larguari nga Perëndia nuk mund të jetë i lumtur. Mund të ketë një ndjenjë nevoje, por nuk ka ushqyerje nga buka e jetës; mund të ketë njohuri të qarta, por nuk ka përvetësim të ngrohtë në zemër; mund të mbahet forma e perëndishmërisë, por mungon fuqia e saj në përvojë. Ai mund të lutet, por nuk ka bashkësi me Perëndinë. Krishti është i nderuar në gjykimin e tij, por jo i çmuar në mënyrë të ndjeshme për zemrën e tij. Jeta dhe aroma e perëndishmërisë janë zhdukur; sepse këto mund të ekzistojnë vetëm bashkë me . . .
një sy të kthjellët,
një ndërgjegje të butë,
një zemër të ndershme,
dhe një ecje të shenjtë; sepse nëse nuk ecim me Perëndinë, ne nuk mund të kemi shijen e Tij.
Në një gjendje të tillë rënieje, një i larguar mund të lihet të qëndrojë për ca kohë; por Zoti do ta shikojë përsëri, dhe kjo do të prodhojë . . .
bindje të dhimbshme,
pendesa therëse,
keqardhje të hidhur,
dhe përulje të thellë të shpirtit përpara Perëndisë.
Atëherë njeriu . . .
sheh marrëzinë e vet,
ndien fajin e tij,
dënon sjelljen e vet,
qan për gjendjen e vet,
dhe dëshiron me etje një ringjallje të perëndishmërisë në shpirtin e tij.
Tani i larguari lutet, lutet me hidhërim të shpirtit, lutet për restaurim. Ai nuk mund ta ngushëllojë veten, refuzon të ngushëllohet nga të tjerët dhe pranon të ngushëllohet vetëm nga Perëndia. Tani ai ndien se me mëkat mund t’i humbasë ngushëllimet e tij, dhe asnjë përvec Perëndisë nuk mund t’ia rikthejë ato. Kjo . . .
na tregon dobësinë tonë,
na mëson varësinë tonë,
na zbulon marrëzinë tonë,
dhe na korrigjon për largimin tonë nga Perëndia.
Gëzimi i shpëtimit është një dhuratë nga Perëndia, ashtu si edhe vetë shpëtimi; dhe ndonëse ne shpëtohemi me hir, ne nuk mund ta gëzojmë shpëtimin nëse Perëndia nuk na vajos me “vajin e gëzimit”. Të ndiesh se je i shpëtuar, të kesh Frymën që dëshmon me frymën tënde për këtë fakt, është gëzim i pa përshkrueshëm. Për këtë u lut psalmisti, dhe për këtë lutet çdo rrëshqitës.
Por ai kërkon jo vetëm rikthimin e gëzimit, por edhe mbështetjen e Frymës së birësimit; sjellja e tij e kaluar dhe përvoja e tij e tanishme e mësuan për nevojën për praninë dhe fuqinë e përhershme të Frymës. Lutja e tij tani është: “Mbamë lart, dhe do të jem i sigurt!” Ai kupton se . . .
rruga e tij është e rrëshqitshme,
zemra e tij është mashtruese,
prirjet e tij janë të forta,
armiqtë e tij janë vigjilentë,
dhe tundimet e tij janë të fuqishme —
prandaj ai thërret: Le të më ruajë Fryma jote e lirë, të më udhëheqë, të më ndikojë dhe të më mbrojë nga mëkati dhe marrëzia!
Zoti, që e njeh nevojën tonë, ka premtuar Frymën e Tij të Shenjtë, dhe na paralajmëron kundër vetë-besimit. Por rrallëherë ndodh që diçka tjetër, përveç përvojës së hidhur, të na bindë për nevojën që kemi për furnizimet e Tij të përditshme.
Lexues, a je ti një që është larguar? A e ke lënë dashurinë e parë dhe ke humbur gëzimet e ëmbla? A je i bindur për marrëzinë dhe mëkatin tënd? Mos u dëshpëro, por lutu. Mos u dorëzo ndaj frikës, por vajto për marrëzinë tënde. Shko te froni i hirit, qëndro përpara Shpëtimtarit që e ke fyer, dhe ushqe atë pikëllim që të çon në pendim. Rrëfe hapur mëkatin tënd, mos e justifiko dhe mos kërko ta arsyetosh, sepse ai është i pajustifikueshëm. Bëji thirrje mëshirës së Perëndisë tënd,
kujtoi Atij premtimet e Tij për të penduarit,
shpreso në Fjalën e Tij,
prit kohën e Tij,
dhe Ai “do të të rikthejë ngushëllimin.”
Mos u dëshpëro, sado e mprehtë të jetë ndjenja e fajit; Ashtu si Jona, “shiko përsëri”; si Efraimi, “vajto për veten”; dhe si Davidi lutu: “Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të Shenjtë. Kthemë gëzimin e shpëtimit tënd!”
Ruaju nga rënia shpirtërore në të ardhmen; mbaj një sy xheloz mbi veten; dhe ki kujdes të veçantë për dhomën tënde të lutjes, sepse zakonisht aty fillon largimi; por ndonëse fillon aty, nuk përfundon kurrë aty.












