J.R. Miller (1840–1912)
Pastor Presbiterian i Reformuar dhe një nga autorët më të lexuar të shkrimeve devocionale të krishtera në fund të shek. të 19-të dhe fillim të shek. të 20-të. Ai është i njohur për shkrimet e tij të ngrohta dhe baritore, të cilat përqendrohen në jetën praktike të krishterë, rritjen shpirtërore dhe jetën familjare.
“Cdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë… ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!” Gjoni 2:10
Bota jep më të mirën e saj në fillim, dhe më e keqja vjen më vonë!
Kështu ndodh me të gjitha kënaqësitë mëkatarë: fillimisht gëzim, dhe pastaj keqardhje e hidhur.
Kështu ndodh edhe në ndjekjen e pasurisë, pushtetit dhe famës: kënaqësi në fillim dhe pastaj zhgënjim i dhimbshëm. Paraja në fillim sjell gëzim, një lloj kënaqësie. Por me kalimin e kohës dhe shtimin e pasurisë, shqetësimet shumëfishohen, ankthet shtohen, barrët bëhen më të rënda, dhe në fund njeriu i pasur zbulon se në gjithë pasurinë e tij ka më pak kënaqësi se në ditët kur ishte vetëm një djalë i varfër!
Kështu ndodh edhe me të gjitha ambiciet e botës. Kupat e para të famës janë të ëmbla, por shpejt ato e humbasin shijen.
Kjo e vërtetë është veçanërisht e dukshme në jetën mëkatarë. Ne nuk kemi nevojë të mohojmë se në fillim, mëkati është i ëmbël, por hidhësia gjendet në fund të kupës!
Por në hir, kjo është e kundërt. Vera e mirë ruhet deri në fund! Vetë Krishti fillimisht përjetoi poshtërim, errësirë dhe turpin e kryqit, dhe pastaj ngritje, fuqi, lavdi!
Në jetën e krishterë, vlen i njëjti ligj:
Së pari vjen hidhësia, por nga hidhësia rrjedh ëmbëlsia.
Së pari vjen trishtimi i thellë i pendimit, por ky lë vend për gëzimin e bekuar të faljes.
Së pari vjen mohimi i vetes dhe mbajtja e kryqit, por nga këto përvoja lind paqja e shenjtë që mbush gjithë zemrën.
Dhimbjet duhet të durohen, por vera e mirë e ngushëllimit derdhet në kupën e zbrazur.
Ka gjithashtu një përparim të vazhdueshëm në bekimet e jetës hyjnore. Ne kurrë nuk arrijmë fundin e tyre! Madje, kurrë nuk arrijmë më të mirën! Gjithmonë ka diçka më të mirë që vjen. Krishti mban verën më të mirë deri në fund, në Qiell! Pavarësisht sa e ëmbël është paqja e Krishtit tani për krishterin, ai kurrë nuk do ta njohë plotësinë e dashurisë së Perëndisë derisa të arrijë në shtëpinë e Atit!












