Vendimi i të Larguarit nga Perëndia
James Smith
“Do të shkoj dhe do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani!” – Osea 2:7
Asgjë nuk është më e zakonshme sesa largimi nga Perëndia, dhe megjithatë, asgjë tjetër nuk është më e fajshme se kjo. Ai që largohet në këtë mënyrë trazon zemrën dhe mendjen e vet.
Nëpërmjet ungjillit ne jemi bashkuar me Jezusin; me anë të hirit jemi bërë një me Të. Dhe kur rrëfejmë fenë, ne themi:
“Unë do të jem i yti dhe i askujt tjetër. Lumturinë do ta kërkoj në dashurinë tënde, nevojat në plotësinë tënde, dhe drejtimin në Fjalën tënde. Do të synoj lavdinë tënde, do t’i kushtohem çështjes tënde, dhe do t’i dorëzohem plotësisht udhëheqjes dhe drejtimit tënd!”
Për një kohë pas kthimit tonë, dashuria e Jezusit na mahnit, urdhërimet e Tij na kënaqin, dhe autoriteti i Tij na lidh. Ne ecim me Të në paqe dhe shenjtëri. Por duke dëgjuar Satanin, duke i’u nënshtruar mosbesimit që punon në zemrat tona, ose duke u përshtatur me botën e ligë të tanishme, ne gradualisht largohemi prej Tij:
bashkësia jonë e fshehtë me Të bëhet më e rrallë dhe më e ftohtë,
mendimet tona për Të bëhen më pak të ëmbla e tërheqëse,
kujdesi ynë për lavdinë e Tij venitet,
egoizmi shtohet dhe ushqehet,
dhe ne e lëmë dashurinë tonë të parë.
Mëkati është i paarsyeshëm,
marrëzia është e madhe,
dhe pasojat janë gjithnjë të dhimbshme, e nganjëherë të frikshme.
Por ja, këtu është dikush që është . . .
i bindur për marrëzinë e vet,
i penduar për mëkatin e vet,
dhe i vendosur të kthehet.
“Do të shkoj,” dhe do të përulem përpara këmbëve të Tij, duke rrëfyer fajin tim. Do të kërkoj të rikthehem në hirin e Tij dhe në gëzimin e dashurisë së Tij. Do të kërkoj të më lejojë sërish të punoj në shërbimin e Tij. Do të lutem të pranohem sërish në shtëpinë e Tij. Jam i gatshëm të jem një shërbëtor, të bëj punën më të ulët, të përulem deri në pluhur, vetëm që të më lejohet të shoh fytyrën e Tij, të dëgjoj zërin e Tij, dhe të shijoj përsëri buzëqeshjen e Tij.
Vetëm Ai mund të më kënaqë.
Vetëm mëshira e Tij falëse mund ta shërojë rastin tim, dhe vetëm prania e Tij e hirshme mund të më ngushëllojë.
Unë jam i mjerë pa Të.
Zbrazëti dhe kotësi janë të shkruara mbi gjithçka që më rrethon!
Unë meritoj të përjashtohem nga prania e Tij. Ai do të ishte i drejtë nëse do të më dërgonte në ferr. Por unë duhet të vij përpara Tij, duhet të lutem, duhet të pranohem sërish në hirin e Tij, ose unë vdes!
“Do të shkoj,”
edhe pse ndërgjegjja më akuzon,
edhe pse Fjala e Tij më dënon,
edhe pse Satani më kundërshton,
edhe pse zemra ime dyshon,
edhe pse shenjtorët më shpërfillin e më dekurajojnë.
“Do të shkoj dhe do të kthehem” — sepse Ai ishte burri im, gëzimi im, kënaqësia ime, gjithçka ime. Unë nuk mund të jetoj pa Të; Unë mund të vdes para Tij; por jo, asnjë mëkatar, madje as një mëkatar i larguar, nuk ka humbur ndonjëherë te këmbët e Tij.
“Do të shkoj dhe do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani!” Më kujtohen ditët e dikurshme, koha e dashurisë sime të parë, sa e ëmbël, sa e këndshme ishte përvoja ime atëherë! Atëherë prania e Zotit më ngrinte mbi sprovat, dhe më mbushte me gëzim të papërshkrueshëm. Atëherë kisha fuqi mbi mëkatin, dhe mund ta kryqëzoja mishin me dëshirat e tij. Atëherë gëzoja liri nga ankthi, duke ia hedhur Atij çdo shqetësim, i sigurt se Ai kujdesej për mua. Atëherë shijoja zbulimet e dashurisë së Tij, që e bënin pothuajse të pamundur të dyshoja. Atëherë gjeja dobi dhe kënaqësi në të gjitha mjetet e hirit dhe urdhërimet e Tij. Atëherë kisha gëzim dhe paqe në besim.
Por, oh! Sa ndryshe kanë qenë gjërat që atëherë! Në vend të “rrugës së shenjtërisë” dhe “shtigjeve të kënaqësisë e paqes”, rruga ime është mbuluar me ferra! Në vend të kënaqësisë së shenjtë dhe kënaqësisë së brendshme, kam pasur shqetësim dhe zhgënjim të pandërprerë. Vërtet, dikur isha më mirë se tani!
Por Zoti im i fyer, Shpëtimtari im i duruar, Perëndia im i hirshëm, po thotë:
“Kthehuni, o bij të pabesë, dhe Unë do t’i shëroj largimet tuaja!” Dhe zemra ime thotë:
“Ja, unë vij tek Ti, sepse Ti je Zoti, Perëndia im.” “O Zot, Perëndia ynë, zota të tjerë përveç Teje kanë sunduar mbi ne, por vetëm emrin Tënd ne nderojmë.” Kështu thotë Zoti: “Do t’i shëroj largimet tuaja, do t’ju dua lirshëm, sepse zemërimi Im është larguar nga ju. Do t’ju jap përsëri ngushëllim juve dhe vajtuesve tuaj.”
Zot, përulem me pendim të thellë
Para fronit tënd të hirit,
Më shëro në dhembshurinë tënde të mirë,
Ndërsa kërkoj fytyrën tënde që buzëqesh.
Ku tjetër veç te Shpëtimtari i gjakosur,
Mund të vij për jetë dhe paqe?
Asgjë veç hirit Tënd të pafund
S’mund ta çlirojë shpirtin tim të rënduar!
Ti ke parë shkeljet e mia,
E njeh barrën time të fajit;
Dëgjo tani rrëfimin tim të thellë,
Ti, që gjakun e çmuar derdhe për mëkatarë.
Oh, ky mëkat i thyerjes së besëlidhjes!
A mundesh, Zot, të më falësh?
A do të dëgjoj mëshirën tënde të flasë?
A do të më thuash: “Shiko dhe jeto”?
Falje, paqe, dhe ngushëllim,
I shoh te kryqi yt i përgjakur;
Aty marr vendin tim të përulur,
Aty shpirtin tim ia dorëzoj Tëndit.












