Detyra e Veçantë e një Burri Ndaj Gruas së Tij!
Richard Steele (1672–1729)
DASHURIA
Dashuria është themeli i të gjitha detyrave të tjera ndaj gruas. Gjithçka buron prej saj. Pa dashuri, çdo kryerje detyre ndaj saj duket e rëndë. Butësia, nderimi, kujdesi dhe mirësia janë vetëm rrezet që burojnë nga dielli i dashurisë.
1. PËRMASAT e Dashurisë së një Burri të Perëndishëm
Dashuria e një burri ndaj gruas së tij është e veçantë për këtë marrëdhënie. Ajo është e ndryshme nga dashuria prindërore dhe nga epshi trupor.
A. Themelimi i saj
Ti je martuar me të dhe Perëndia i urdhëron burrat që të duan gratë e tyre. Kjo arsye e vetme do të qëndrojë përgjithmonë, meqënëse, ajo mund të bëhet më pak tërheqëse në shumë mënyra.
B. Shtrirja e saj
Ti duhet ta duash trupin dhe shpirtin e saj. Prandaj, duhet të zgjedhësh një grua që fizikisht dhe shpirtërisht është tërheqaëse për ty, përndryshe ti i bën padrejtësi asaj.
C. Shkalla e saj
Dashuria ndaj saj duhet të jetë mbi dashurinë ndaj të gjithë të tjerëve, përfshirë prindërit dhe fëmijët, dhe sigurisht mbi çdo person jashtë familjes. “Qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.” (Fjalët e Urta 5:19).
D. Kohëzgjatja e saj
“Gjithmonë” (Fjalët e Urta 5:19), jo vetëm në publik, por edhe në privat; jo për një javë, muaj apo vit, por deri në vdekje. Dashuria jote duhet të rritet çdo ditë me kalimin e moshës. Ti ke pasur rininë dhe forcën e saj, pse të mos duash edhe rrudhat dhe sëmundjet e saj? Bukuria e brendshme zakonisht shtohet ndërsa ajo e jashtme zbehet. Ka shumë arsye biblike për dashurinë e përhershme të burrit.
—
2. SHEMBULLI i Dashurisë së një Burri të Perëndishëm
A. Dashuria e Jezu Krishtit për Kishën e Tij
1) “Burra, duani gratë tuaja, ashtu si Krishti e deshi kishën” (Efesianëve 5:25). “E ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,” (5:29). Edhe pse nuk mund ta arrijmë barazinë me Krishtin, cilësia e dashurisë duhet të jetë e njëjtë me të. Si e deshi Krishti kishën e Tij?
2) E sinqertë, pa hipokrizi. Dashuria e Tij ishte aq reale dhe e thellë saqë Ai dha jetën për kishën.
3) E lirë, pa kushte përpara dhe pa pritshmëri pas. Ai e dha Veten për të pastruar Kishën e Tij, duke nënkuptuar që ajo nuk kishte bukuri përpara. Po kështu, burri duhet të nxjerrë dashuri nga ajo nga dashuria e vet. Dashuria e vërtetë ka më shumë të bëjë me përmirësimin e atij që dashurohet, sesa me pasurimin e atij që dashuron.
4) E shenjtë, pa papastërti. Krishti e deshi Kishën “që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,” (Ef. 5:26). Kjo mëson që burri duhet të punojë për shenjtërimin e gruas së tij.
5) E madhe, pa krahasim. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.” (Gjoni 15:13). Kjo është ajo që Krishti bëri për kishën e Tij (5:25).
6) E qëndrueshme, pa ndryshim. Derisa ta paraqesë përpara vetes një kishë të lavdishme, që të mos ketë njollë dhe as rrudhë. (Efesianëve 5:27). Shumë herë Krishti është fyer prej tyre, e megjithatë Ai vazhdon t’i dojë. Burrat duhet të ndjekin shembullin e Tij. Asnjë sjellje e keqe nga ana e saj nuk është arsye për të ndaluar që ta duash atë.
7) E veprueshme, pa neglizhencë. Ai “e ushqen dhe e kujdeset për të” (Ef. 5:29). Burri duhet të përpiqet t’i plotësojë të gjitha nevojat e saj, qofshin ato për mbështetje, shoqëri, ose kujdesje në sëmundje.
B. Dashuria e burrit për veten
“Burrat duhet të duan gratë e tyre si trupat e vet” (Ef. 5:28). “Secili prej jush le ta dojë gruan e vet si veten” (Ef. 5:33). Edhe pse ky shembull është më i ulët se dashuria e Krishtit, ajo është më e kuptueshme.
1) E butë. Ne i trajtojmë plagët tona me më shumë kujdes se kushdo tjetër. “Askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të.” (Ef. 5:29). Gratë janë si gotat prej kristali, që mund të thyhen lehtë nuk trajtohen me butësi. Gratë janë më të prirura ndaj frikërave, pasioneve dhe pikëllimeve.
2) E gëzueshme. Asnjë njeri nuk është aq i gatshëm të ndihmojë dikë tjetër sa veten e vet. Miqtë më të mirë ndonjëherë të zhgënjejnë, por ti ndihmon veten tënde. Prandaj, ji i gatshëm për të ndihmuar gruan tënde me gëzim. Nëse një re lind mes jush, shpërndaje me dashuri. Ti nuk do rrish gjatë i zemëruar me veten. Nuk duhet të nevojitet asnjë ndërmjetës.
—
3. SHFAQJA e Dashurisë së një Burri të Perëndishëm
A. Me fjalë
1) Ai e mëson atë. “Jetoni me gratë tuaja me urtësi,” (1 Pjetrit 3:7). Ajo duhet të “pyesë burrin e saj në shtëpi” nëse dëshiron që të mësojë diçka, dhe të mos flasë në kishë (1 Korintasve 14:35). Mjerë burrit që i mungon dëshira apo aftësia për të mësuar gruan e tij! Ai duhet ta fitojë këtë aftësi në çdo rast. Përndryshe, ajo do ta mallkojë përjetë atë në ferr!
2) Ai e qorton atë. “Dashuria mbulon shumë mëkate” (1 Pjetri 4:8), prandaj ai duhet të mos vërë re shumë gabime. Ashtu si një shpatë zbehet me përdorim të vazhdueshëm, po kështu ndodh edhe me qortimin. Megjithatë, dashuria e vërtetë ndonjëherë kërkon qortim, por duhet dhënë me urtësi dhe butësi të jashtëzakonshme. Jo përpara të huajve, rrallë përpara familjes, kryesisht për mëkate dhe rrallë për gjëra të tjera. Fillimisht jep lavdërim dhe më pas shpjegim. Qortimi duhet të jetë i shkurtër, si një shuplakë e shpejtë dhe e lehtë (sigurisht kjo është vetëm një krahasim; një burrë nuk duhet kurrë ta godasë gruan e tij). Nëse është tepër i fortë, kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi. Ndiq shembullin e Jobit, i cili tha thjesht: “Ti flet si një grua pa mend.” (Jobi 2:10). Qortimi i butë ka më shumë mundësi që të nxisë pendimin e saj të sinqertë (Fjalët e Urta 25:15).
3) Ai e inkurajon atë. Lavdëroje kur bën mirë. Kjo është e rëndësishme sepse e ndihmon të kuptojë sinqeritetin e dashurisë tënde kur duhet ta qortosh, dhe e bën qortimin më bindës.
4) Ai e ngushëllon atë. Veçanërisht kur ajo është e pikëlluar emocionalisht ose fizikisht. Arsyetimi i butë i Elkanahut me Hanën e solli atë në darkë (1 Samuel 1:8-9). Fjala e dashur e burrit është si ilaç për gruan e tij. Mos e nënvlerëso atë.
B. Me vepra
1) Ai siguron për të. Kryesisht është detyra e burrit të sigurojë për gruan e tij (Eksodi 21:10). Ajo duhet të ndihmojë sipas mundësive të saj. “Nderi” që një burrë i jep gruas si enë më e dobët mund të lidhet me mbajtjen e saj (1 Pjetrit 3:7; krahaso Mat. 15:6; 1 Tim. 5:3). Ai duhet të sigurojë për të jo vetëm gjatë jetës së tij, por edhe pas vdekjes, si Krishti për Kishën. Nëse mundet, ai duhet t’i japë edhe “pakëz në dispozicionin e saj” që ajo të ushrojë bamirësi dhe të inkurajojë shërbëtorët dhe fëmijët në detyrat e tyre.
2) Ai tregon butësi të madhe ndaj saj. Kjo shihet veçanërisht në mbrojtjen e saj nga rreziqet, tundimet, dëmtimet, përçmimi, dhe në mëshirën e tij për problemet e saj.
3) Ai është shembull i mirë për të. Gratë zakonisht ndjekin burrat e tyre drejt ferrit ose qiellit. Shembulli i tij ka ndikim më të madh sesa ai mund ta kuptojë. Salomoni e quan “udhëheqësi i rinisë së saj” (Fjalët e Urta 2:17). Prandaj, vendos ritmin në shenjtëri, seriozitet, bamirësi, urtësi dhe mirësi. Ajo do të mësojë të lutet nga lutjet e tua. Jeta jote do të jetë një rregull ose ligj për të.
4) Ai i plotëson kërkesat e arsyeshme. Kujto Davidin që i plotësoi Bathshebës kërkesën për fronin për djalin e saj (1 Mbretërve 1:15-31), Isakun që i plotësoi Rebekës kërkesën për një grua të perëndishme për Jakobin (Zanafilla 27:46; krahaso 28:1), dhe Jezu Krishtin që i plotëson kërkesat e arsyeshme të Kishës së Tij. Një burrë duhet të parashikojë kërkesat e gruas dhe t’i japë ato përpara se ajo të kërkojë. Ai duhet të kërkojë këshillën e saj, siç bënë Elkanahu dhe Abrahami (1 Sam. 1:23; Zanafilla 21:12), dhe të pajtohet me të kur ajo ka të drejtë.
5) Ai i beson në çështjet e shtëpisë. “Zemra e burrit të saj i beson asaj” (Fjalët e Urta 31:11), veçanërisht nëse ajo ka mençuri për të udhëhequr punët e shtëpisë. Një burrë ka gjëra më të rëndësishme për të bërë sesa të drejtojë shërbëtorët. Ajo mund ta konsultojë herë pas here që të shmangë fajin nëse diçka shkon keq. Por zakonisht, ai duhet të veprojë në sferën e tij jashtë shtëpisë, dhe ajo në sferën e saj brenda saj. Ai mbledh mjaltin dhe ajo e përpunon në kosheren e saj.
6) Ai ushtron autoritet ndaj saj. Perëndia i gjithëdijshëm i dha burrit të parë autoritet (Zanafilla 2:23), dhe ky nuk u hoq me rënien e tij (Zanafilla 3:16). Drita e natyrës dhe Ungjilli e kërkojnë këtë (Est. 1:22; 1 Kor. 11:3). Vetëm gratë krenare dhe të paditura e kundërshtojnë. Por një burrë duhet ta përdorë:
Me mençuri — Ai mund ta ruajë autoritetin vetëm me sjellje të vërtetë shpirtërore, serioze dhe burrërore. Do të jetë e vështirë për të që ta respektojë nëse ai nuk e respekton Perëndinë. Nëse është i lehtë ose femëror, ai do ta humbasë autoritetin.
Me butësi — Kujto që, edhe pse pozicioni i tij është më i lartë, shpirtërat e tyre janë të barabartë. Ajo është shoqja jote; prandaj nuk mund ta sundosh si një mbret bën me popullin e vet, por si koka trupin e vet. Eva nuk u mor nga koka apo këmba e Adamit, por nga krahu i tij, pranë zemrës së tij. Qëndrimi i tij duhet të jetë miqësor, gjuha e tij e ëmbël, urdhërat e tij të rrallë dhe respektues, dhe qortimet e tij të buta (Kol. 3:16). Mos mendo se mënyra për ta mbajtur gruan nën autoritet është me frikësim. Nëse butësia dhe urtësia nuk funksionon me të, atëherë ti je i humbur në këtë botë, dhe ajo në botën që vjen.












