Udhëzime për Zbavitjet dhe Argetimet – Nga Richard Baxter

Argetime

Richard Baxter, 1673

Pastor, teolog dhe shkrues puritan anglez gjatë shekullit të 17-të.

Nëse dëshiron që të shmangësh mëkatin dhe rrezikun e zbavitjeve jobiblike që maskohen si argëtim i lejueshëm, duhet të kuptosh se çfarë është argëtimi i drejtë dhe i ligjshëm dhe cili është qëllimi i tij i ligjshëm. Nuk është për t’u habitur që të krishterët mëkatojnë nëse ata nuk dinë se çfarë është e drejtë!

Pa dyshim që disa zbavitje dhe argëtime janë të ligjshme, madje, të nevojshme për disa njerëz. Argëtimi i ligjshëm është shijimi i diçkaje natyrore ose pjesëmarrja në ndonjë veprimtari që nuk është e ndaluar, për të gjallëruar shpirtin dhe forcat natyrore. Ai mund të jetë përdorimi i mendjes ose ushtrimi i trupit. Ai është ndonjë veprimtari e këndshme, e menduar për ta bërë trupin dhe mendjen më të gatshme për detyrat e tyre të zakonshme ndaj Perëndisë.

Fjalët “zbavitje”, “sport” dhe “argëtim” kanë kuptime të veçanta. Ne nuk e quajmë punën e lodhshme me këto emra, megjithëse ajo mund të jetë më e dobishme dhe më e domosdoshme për ne. As nuk e quajmë çdo kënaqësi me këto terma, sepse të ngrënit dhe të pirët mund të jenë të këndshme, dhe gjërat e shenjta dhe detyrat e shenjta mund të jenë të gëzueshme. E megjithatë, ato kurrë nuk quhen “sport” apo “argëtim”. Është imagjinata, ajo që mbi të gjitha, kënaqet nga zbavitjet.

TESTET PËR LIGJSHMËRINË BIBLIKE

Të gjithë faktorët e mëposhtëm janë të nevojshëm që një zbavitje, sport apo argëtim, të jetë i ligjshëm. Mungesa e qoftë edhe njërit prej tyre i bën të paligjshme.

1) Qëllimi i vërtetë që qëndron mbrapa argëtimit dhe zbavitjes duhet të jetë për t’u përgatitur më mirë për shërbesën tënde ndaj Perëndisë. Ai duhet të të ndihmojë të funksionosh më mirë, qoftë në punën tënde, qoftë në adhurimin e Tij, ose në ndonjë vepër bindjeje me të cilën mund ta kënaqësh dhe ta lavdërosh Atë. Siç thotë 1 Korintasve 10:31: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.”

Një argëtim i ligjshëm duhet të jetë një mjet i zgjedhur dhe i përdorur drejt për këtë qëllim. Nëse ai nuk ka asnjë aftësi për të na përmirësuar në shërbimin e Perëndisë në thirrjet dhe detyrat e zakonshme, atëherë ai nuk mund të jetë për ne një argëtim i ligjshëm (edhe pse mund të jetë për ndonjë tjetër dhe është ndihmë reale).

2) Të gjitha argëtimet janë të paligjshme, kur, për shkak të tyre, lihen pas dore thirrjet dhe detyrat tona.

3) Të gjitha argëtimet janë të paligjshme, kur, përdoren vetëm për të kënaqur imagjinatën mishore, dhe nuk kanë një qëllim më të lartë se kënaqja e një mendjeje të sëmurë që i do ato.

4) Të gjitha argëtimet janë të paligjshme, nëse, ato na pengojnë dhe na bëjnë të papërshtatshëm për detyrat tona dhe për shërbesën ndaj Perëndisë. Ose që, duke vënë në peshore përfitimin dhe dëmin, na pengojnë po aq, ose më shumë, se sa na ndihmojnë.

5) Të gjitha argëtimet janë të paligjshme, kur, ato marrin kohën që duhet përdorur për vepra më të mëdha.

6) Të gjitha argëtimet që marrin më shumë kohë sesa është e arsyeshme për një pushim, janë po njësoj të paligjshme.

7) Nëse një veprimtari është profane, siç është argëtimi me gjërat e shenjta, ajo është përqeshje ndaj Perëndisë. Është ligësi që kërkon ndëshkimin më të rëndë nga Perëndia dhe nuk mund të jetë e ligjshme.

8) Të gjitha argëtimet që dëmtojnë të tjerët janë të paligjshme (përfshirë aktivitetet e aktorëve ose komedianëve që tallin të tjerët duke i lënduar).

9) Është mëkat të tallesh me mënyrat mëkatare të të tjerëve, ose t’i imitosh ato vetë, gjë që është e zakonshme me komedianët dhe shakatë profane.

10) Shfaqjet e pamoralshme dhe të turpshme janë të paligjshme. Shfaqje të cilat paraqesin ndyrësi pa një shprehje të qartë të neverisë së tyre, ose që përdorin fjalë apo veprime të pahijshme. Për të krishterët vlen Efesianëve 5:3-4: “Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.”

11) Janë të paligjshme ato argëtime që përfshijnë shumimin e fjalëve të kota dhe i zhysin njerëzit në fjalë të kota, të panevojshme dhe të padobishme.

12) Janë mëkatare ato argëtime që nxisin epshin në ne ose te të tjerët, betimin, mallkimin, grindjet apo përleshjet.

13) Janë mëkatare ato argëtime dhe zbavitje që përfshijnë lakminë, për të fituar para nga të tjerët; ose që nxisin lakmi tek ata me të cilët luan.

14) Edhe zbavitjet mizore janë të paligjshme: si p.sh. të paturit kënaqësi në shikimin e dueleve, luftëtarëve, apo këdo tjetër që abuzon me tjetrin. Ose të kafshëve që detyrohen të luftojnë me njëra-tjetrën.

15) Një argëtim është i paligjshëm nëse është shumë i kushtueshëm, sepse, ne jemi administratorë të Perëndisë dhe duhet t’i japim llogari Atij për gjithçka që kemi. Është mëkat të shpenzosh në mënyrë të panevojshme për zbavitje.

16) Së fundi, nëse ke përpara zgjedhjen mes disa zbavitjeve, ti duhet të zgjedhësh më të përshtatshmen. Nëse zgjedh një më pak të dobishme, kur mund të zgjidhje një më të përshtatshme, ky është mëkat; edhe pse ajo që zgjodhe do të ishte e ligjshme nëse nuk kishte dicka tjetër.

Përmes këtyre parimeve është e lehtë, për shembull, të gjykohet nëse shfaqjet e zakonshme teatrale janë të lejueshme apo jo.

Çfarë është një argëtim i përshtatshëm?

Është ose trupi, ose mendja, ajo që ka më shumë nevojë për argëtim. Ti ose je një person sedentar që rri ulur ose një person që punon me punë fizike. Nëse është e para, atëherë trupi yt ka më shumë nevojë për argëtim. Në këtë rast, të rrish ulur në zbavitje dhe argëtime, në vend që të ushtrosh trupin, është ta shtosh nevojën për ushtrime të tij. Të bën më shumë dëm sesa dobi. Por nëse ti je një punëtor me punë të madhe fizike, dhe ke nevojë për pushim të trupit dhe për freskim të mendjes, ose je i sëmurë dhe nuk mund të ushtrohesh fizikisht, atëherë ke me qindra “ushtrime” të dobishme në rastin tënd: Ti ke libra për të lexuar (përfshirë Fjalën e Perëndisë), që mund të të rrisin dijen në histori, gjeografi, arte e shkenca.

Këto janë disa pyetje për t’ja bërë vetes herë pas here në lidhje me argëtimet:

1) A mendon se Krishti apo apostujt e Tij ndoqën ndonjëherë shfaqje apo argëtime të ngjashme, ose i inkurajuan të tjerët të vareshin pas tyre?

2) A nuk të tregon ndërgjegjja jote se kënaqësia jote është më e madhe në zbavitje se sa në Perëndinë? Këto argëtime (që i duam më shumë se gjërat e Perëndisë) nuk e shtojnë aspak gëzimin tonë në Të, por e heqin atë.

A nuk e ndien se çfarë murtaje janë disa kënaqësi për dashurinë tënde, si ato të magjepsin, të mashtrojnë dhe të të nxjerrin nga dashuria për shenjtërinë, duke të bërë të papërshtatshëm për çdo gjë që është e mirë?

3) A kalon po aq kohë në lutje, në lexim të Fjalës së Perëndisë dhe meditimin për të sa në lojëra dhe argëtime? A e njeh vlerën e atyre orëve të çmuara që i kalon kot?

4) A do doje që të ishe në një teatër apo zbavitje të kotë kur vdekja të të vinte? A nuk do doje që ajo të të gjente në një punë të shenjtë dhe të dobishme?

5) A do të jetë ngushëlluese për ty kur të jesh duke vdekur, të mendosh për kohën që ke kaluar në lojëra dhe kotësi?

6) A guxon të lutesh që Perëndia të bekojë sportet dhe argëtimet e tua për të mirën e shpirtit ose trupit? A nuk do të të thoshte ndërgjegjja se kjo do ta përqeshte Perëndinë?

7) Nëse je i sigurt që ti nuk mëkaton në lojërat dhe argëtimet e tua, nga teprimi, varësia, ose neglizhimi i detyrave shpirtërore, a je i sigurt që shokët e tu nuk mëkatojnë? Nëse ti thua, “unë nuk jam i detyruar t’i mbaj të tjerët nga mëkati,” unë të përgjigjem: Ti je i detyruar të bësh më të mirën për ta, dhe ti je i detyruar të mos kontribuosh vullnetarisht në mëkatin e tyre. Nëse Pali mund të rrinte pa ngrënë mish për të mos rrëzuar një të dobët, a nuk duhet edhe sportet e tua t’i nënshtrohen të njëjtit parim dashurie?

Nëse ti e di se çfarë është mëkati dhe çfarë është të shpëtosh ose të humbësh një shpirt, ti nuk do të ndihmoje kurrë dikë tjetër që të mëkatojë. Siç thotë Shkrimi: “Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e të dobtëve [që do të thotë, t’i ndihmojmë ata, sic bëjmë me fëmijët në dobësitë e tyre] dhe të mos kënaqim veten tonë [në dëm të tyre]. Çdo njeri le ta kënaqë të afërmin për të mirën e tij dhe për ndërtim shpirtëror [që do të thotë, të preferosh ndërtimin e një shpirti tjetër, përpara kënaqësisë sonë]. Sepse edhe Krishti nuk e kënaqi veten e vet.” Nëse Krishti e humbi jetën për t’i shpëtuar njerëzit nga mëkati, a nuk duhet edhe ti të heqësh dorë nga zbavitjet e tua për këtë?

8) Çfarë njerëzish janë ata që janë më të dhënë pas lojërave e shfaqjeve, dhe çfarë njerëzish janë ata që i shmangen atyre? Gjyko me mençuri!

Këto janë disa këshilla të dobishme për zgjedhjen e një argëtimi:

1) Pasi të kuptosh natyrën dhe qëllimin e argëtimit të ligjshëm, përcakto saktësisht se sa dhe çfarë lloj argëtimi të nevojitet ty në veçanti. Këtë duhet ta lidhësh me (a) fuqinë tënde trupore, (b) gjendjen mendore, (c) natyrën e punës tënde. Dhe kur ta kesh përcaktuar sa është e nevojshme dhe e përshtatshme për të të ndihmuar në detyrat e tua, jepi kohën dhe vendin e duhur, ashtu si bën me ushqimin, duke pasur kujdes të mos cenojë detyrat e tua.

2) Normalisht përpiqu të bashkosh dobinë me kënaqësinë, që të mos humbasësh kohë. Është mëkat të harxhosh kot ndonjë orë që mund të përdoret më mirë.

3) Ruaje veten nga kënaqësia e tepruar, edhe në aktivitetet më të ligjshme. Tepria në kënaqësi në këto “gjëra të vogla” e korrupton mendjen. E ftoh nga gjërat shpirtërore dhe e largon nga Perëndia, Qielli dhe detyra. Për shkak të kësaj, rri roje e mendimeve dhe dëshirave të tua, që mendja të mos endet pas sporteve dhe zbavitjeve, përndryshe do të jesh si fëmijët që mendojnë për lojën e tyre, dhe dëshirojnë të luajnë, kur ata duhet të jenë në libra ose në ndonjë punë.

4) Shmang shoqërinë e qejflinjve, dashamirëve të kënaqësive dhe humbësve të kohës. Mos shko mes tyre që të mos kapesh në grackë. Zakonisht, për njerëzit seriozë, zbavitjet janë marrëzi, dhe siç thotë Solomoni: “Për të qeshurit kam thënë: “Éshtë një marrëzi,” (Predikuesi 2:2).

5) Ji i zellshëm në thirrjen tënde dhe në shërbesën shpirtërore. Përtacia lind dashurinë për argëtim. Kur njeriu kërkon rehatinë e mishit, ai shpejt kërkon edhe zbavitje të kota.

6) Të sëmurët dhe melankolikët (që zakonisht janë më pak të prirur për sporte) kanë më shumë nevojë për argëtim se të tjerët, dhe për këtë arsye mund të lejojnë më shumë kohë për të se ata që kanë shëndet dhe forcë të plotë.

7) Ji shumë më i rreptë me veten në rregullimin e argëtimeve të tua sesa në gjykimin e të tjerëve që bëjnë ndonjë argëtim që ty nuk të pëlqen. Sepse ti ndoshta mund të mos njohësh rastin, arsyet apo tundimet e tyre. Një njeri përtac, që humb kohën në kënaqësi mishore, është për t’u parë me mëshirë, si një i mjerë fatkeq.

Nëse je një person sedentar që punon ulur, ecja ose ndonjë ushtrim i ndershëm trupor që bashkon dobinë dhe kënaqësinë, është më i përshtatshmi për ty. Nëse je një punëtor fizik, dhe ke nevojë vetëm për kënaqësi për mendjen, mund të gjesh kënaqësi te Shkrimet, te bisedat e shenjta, ose te librat e mirë. Ne kemi lule, pemë, kafshë e zogj për të parë. Ne kemi fusha e kopshte për të ecur në to. Ne kemi të afërm, gratë ose fëmijët tanë, dhe miq për t’u gëzuar me ta. Ne mund të flasim me njerëz të perëndishëm, të urtë dhe të gëzueshëm për gjëra që janë njëkohësisht të këndshme dhe ndërtuese për ne.

Perëndia na ka dhënë një botë plot kënaqësi të ligjshme. Por shfaqjet teatrale janë, në rastin më të mirë, shumë të dyshimta, dhe shumica për t’u dënuar si të paligjshme. A do të zgjidhte ai që ka frikë nga Perëndia një zbavitje kaq të dyshimtë përpara shumë të tjerave të sigurta? Dhe duhet ta dish çfarë mëkati humbës është harxhimi i tepërt i kohës. Edhe nëse një veprimtari është e ligjshme, a është e drejtë t’i japësh aq shumë orë sikur të mos kishe shpirt, familje, apo shërbesë për të bërë?

Për sa më përket mua, kur mendja ime ka nevojë për pushim, kam libra, miq dhe punë që e bëjnë këtë. Dhe kur trupi im ka nevojë për pushim, puna më e rëndë që mund të bëj është argëtimi më i mirë për mua. Ecja, në vend të sporteve, është e dobishme për trupin dhe më shumë për mendjen. Kur jam vetëm, mund ta përdor kohën për meditim. Kur jam me të tjerët, në biseda të dobishme dhe të gëzueshme.

Unë nuk i dënoj të gjitha lojërat apo sportet te të tjerët, por për veten time nuk gjej asnjërën si më të përshtatshme. Dhe kur shoh sa larg është temperamenti dhe jeta e Krishtit dhe shërbëtorëve të Tij më të mirë, nga këto argëtime, i shmang me më shumë dyshim. Përveç kësaj, unë vërej se shumica e njerëzve, në mënyrë të natyrshme, ndjejnë neveri kur shohin ndonjë shërbëtor të Zotit që merret me zbavitje boshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes