Thirrjet Solemne të 4 Burrave për Mënyrën se si po e Shpenzojmë Kohën Tonë!

Kohen

Ne i shpërdorojmë ditët, javët, muajt!
J. R. Miller, (1840–1912). Pastor presbiterian amerikan dhe shkrues i njohur në fund të shek. të 19-të dhe fillim të 20-të.

Shkëputur nga “Shenjtëria e Mundësisë”

“Duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.” – Efesianëve 5:16
“’Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë.” – Gjoni 6:12
“Koha është e shkurtër!” – 1 Korintasve 7:29

Koha përbëhet nga minuta të arta. Asnjë prej tyre nuk duhet lejuar të humbasë! Zoti tha se njeriu do të japë llogari për çdo fjalë të kotë. Por si mund të jetë ndryshe për minutat ose orët e kota?

Shumica prej nesh jetojmë sikur do të qëndrojmë në këtë botë për një mijë vite! Ne i humbasim kot orët e arta të ditëve tona të pakta, sikur ato ditë të mos kishin kurrë fund! Ne nuk shohim se sa shpejt dielli po vrapon drejt perëndimit, ndërkohë që puna jonë është e bërë vetëm përgjysmë, ose ndoshta s’ka filluar ende!

Ne i shpërdorojmë ditët, javët, muajt, duke mos vënë re se si mundësia jonë e vogël për të jetuar në këtë botë po venitet ngadalë, ashtu si deti që gërryen bregun derisa edhe copa e fundit zhduket! Ne i japim pak vlerë kohës, duke harruar se kemi vetëm një pëllëmbë prej saj dhe pastaj vjen përjetësia!

Shumë prej nesh nuk e çmojnë vlerën e “secilës ditë”. Ne themi: “Një ditë është shumë e shkurtër.” “Nuk përbën ndonjë ndryshim nëse vetëm një, një e vetme humbet, ose shpenzohet në zbavitje!” Por ditët janë hallka të një zinxhiri, dhe nëse një hallkë thyhet, zinxhiri është i thyer. Në planin e Perëndisë për jetën tonë, çdo ditë e vogël ka barrën e vet të detyrës.

Sa shumë na turpërojnë këto ditë të humbura, ndërsa na shikojnë me sy qortues nga e kaluara e pakthyeshme!

Shumë njerëz janë shpërdorues të kohës. Ata nuk e kuptojnë vlerën e saj. Atyre u duket sikur e kanë atë me bollëk saqë ëndërrojnë sikur ajo nuk do të mbarojë kurrë. Ata nuk e dinë se një ditë e humbur mund të nënkuptojë fatkeqësi ose dështim për ta në të ardhmen. Ata nuk e kuptojnë se orët e shpërdoruara, minutat e kaluara në përtaci, mund t’u kushtojnë suksesin e vërtetë të jetës, duke sjellë humbje ose shkatërrim!

Ata nuk duhet të bëjnë gabimin të mendojnë se kanë aq shumë kohë saqë mund të përballojnë të lënë ditë, orë, apo edhe minuta të humbasin. Ata nuk mund të përballojnë të humbasin as edhe një minutë të artë të cdo dite. Ne nuk e dimë çfarë çështjesh madhore, që prekin gjithë të ardhmen tonë, mund të varen nga orët më të qeta të një dite të zakonshme. Ka “një kohë për çdo gjë”, por koha është e shkurtër, dhe kur ajo shkon, dhe gjëja nuk është bërë, ajo kurrë më nuk mund të bëhet!

Ajo që do të bësh me jetën tënde, ti duhet ta bësh brenda pak vitesh në më të shumtën; sepse jeta njerëzore është e shkurtër dhe çdo ditë mund të jetë dita jote e fundit! Çdo ditë që kalon, e zvogëlon pak nga pak hapësirën e jetës për secilin prej nesh. Pjesa jonë e caktuar e kohës po shkurtohet vazhdimisht!

Ka shumë gjëra që nuk ia vlen t’i bëjmë. Disa prej nesh i kalojmë ditët në vogëlsira të kota, që nuk bekojnë askënd dhe që nuk do t’i shtojnë asnjë lustër kurorës sonë.

Prandaj, mos shpërdoro asnjë mundësi! Mos humb asnjë çast! Ka mjaft kohë që ta jetosh jetën mirë, nëse e shpenzon çdo moment të saj me përkushtim dhe besnikëri. Një orë e humbur do të lërë një mangësi. Një jetë e jetuar me përkushtim të pandërprerë dhe besnikëri, nuk do të ketë asnjë keqardhje kur të vijë fundi.

___

O, ju vrasës të kohës!
Octavius Winslow, (1808–1878). Predikues, shkrues dhe misionar anglez i shekullit të 19-të.
Efesianëve 5:16

Koha është parathënia e përjetësisë. Dhe ashtu si parathënia, ajo tregon karakterin e librit. Kështu që, mënyra se si e përdorim kohën tani është një parathënie e historisë sonë të ardhshme të përjetshme.

Ne mund ta vjedhim Zotin duke e keqpërdorur kohën. Koha është një dhuratë e shenjtë dhe e paçmuar, që sjell me vete përgjegjësi dhe llogari të një peshe tepër të madhe.

Çfarë mëkati dhe çfarë marrëzie është të abuzosh me një privilegj kaq solemn, të keqpërdorësh një bekim kaq të çmuar! Ta përdorësh kohën në kënaqësi të kota dhe ndjekje të padobishme; ta shpenzosh në pakujdesira të pakuptimta dhe angazhime mëkatare; t’ia kushtosh me kaq përkushtim madje edhe gjërave të larta e fisnike si studimet letrare, hulumtimet historike, artin apo shkencën; mund të të bëjnë fajtor për krimin e vjedhjes së një prej huave më të çmueshme të Perëndisë! Të gjitha këto përpjekje, sado të pasura në vetvete, janë të kufizuara në këtë jetë të tanishme dhe nuk kanë lidhje thelbësore me të ardhmen e sigurt dhe të shenjtë të shpirtit.

O, ju vrasës të kohës! Si do t’ju përndjekin dhe qortojnë hijet e orëve tuaja të vrara përgjatë shekujve të pafund të përjetësisë! Oh, çfarë nuk do të jepnit atëherë për vetëm një orë të asaj periudhe të çmuar të ekzistencës suaj, të cilën tani e shpërdoroni dhe e prishni në kotësi, në ëndrra dhe hije mëkatare!

Mos harroni, ju e vidhni Perëndinë kur koha juaj nuk është e shenjtëruar për lavdinë e Tij. Mendoni mirë për urdhërimin e frymëzuar: “Duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.” (Efesianëve 5:16) Dhe për këshillën apostolike: “Vëllezër, koha është e shkurtër!” (1 Korintasve 7:29)

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. ” (Psalm 90:12)

___

U zhduk kaq shpejt, pa lënë gjurmë!
Thomas Watson, (1608–1680). Një nga predikuesit dhe shkruesit më të njohur puritanë anglezë të shekullit të 17-të.

Shkëputur nga “Portreti i Njeriut të Perëndishëm i Vizatuar me Lapsin e Shkrimit”

Ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.” (Jobi 8:9)

“Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.” (Psalm 102:11)

“Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. ” (Efesianëve 5:15,16)

Mënyra se si ti e shpenzon kohën është një çështje me rëndësi të madhe. Shumë njerëz e shpërdorojnë kohën. Disa në vizita të kota, dhe të tjerë në argëtime e kënaqësi që fshehurazi magjepsin zemrën dhe e largojnë nga gjërat e shenjta. Për çfarë janë orët tona të arta, nëse jo për t’u kujdesur për shpirtin tonë?

Koha e keqpërdorur nuk është kohë e jetuar, por kohë e humbur!

Koha është një mall i çmuar. Për shkak se shpëtimi ndodh në kohë, dhe një vend në Qiell varet nga ajo, koha është e një rëndësie të pafund!

Mendo për qëndrimin tënd të shkurtër në këtë botë: Sepse ne jemi të huaj dhe shtegtarë përpara teje ashtu si qenë etërit tanë. Ditët tona mbi tokë janë si një hije dhe nuk ka shpresë.” (1 Kronikave 29:15)

Ka vetëm një hap mes djepit dhe varrit! Solomoni thotë se ka “një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur”, por nuk përmend një “kohë për të jetuar”, sikur ajo të ishte aq e shkurtër sa nuk vlente as të përmendej!

Koha, pasi të ketë kaluar, nuk mund të rikthehet kurrë. “Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë. Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.” (Jobi 9:25-26)

Shkrimi e krahason kohën me një shqiponjë fluturuese. E megjithatë, koha ndryshon nga shqiponja në këtë: Shqiponja fluturon përpara dhe mund të kthehet përsëri, por koha ka krahë vetëm për të fluturuar përpara. Ajo nuk kthehet kurrë! Koha fluturon dhe nuk rikthehet më!

Mendimet serioze për qëndrimin tonë kaq të shkurtër në këtë botë do të ishin një mjet i fuqishëm për të nxitur perëndishmërinë. Ai që mendon me kujdes se sa fluturake dhe kalimtare është jeta e tij, do të nxitojë drejt pendesës së tij.

“Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.” (Jakobi 4:14)

“O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.” (Psalm 39:4)

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.” (Psalm 90:12)

___

Nëse e kalojmë kohën tonë me gazeta, ose ulemi orë pas ore duke lexuar romane të pavlera!
Charles Spurgeon, (1834–1892). Predikuesi më i njohur baptist i shekullit të 19-të, shpesh quajtur “Princi i Predikuesve.”

Shkëputur nga “Lule nga Kopshti i një Puritani”, 1883

“Merr një pasqyrë dhe ktheje drejt Qiellit. Aty do të shohësh pasqyrimin e Qiellit, reve dhe gjërave lart. Ktheje atë poshtë drejt tokës, dhe do të shohësh pasqyrimin e tokës, pemët, livadhet, njerëzit. Po kështu edhe shpirti merr reflektimin nga gjërat në të cilat është drejtuar. Nëse zemra është kthyer drejt Qiellit, ajo të vë në një gjendje qiellore. Nëse e vendos zemrën tënde në gjërat tokësore, atëhere ti je njeri tokësor!”

A janë mendimet dhe dashuritë tona plot me botën? Le ta përdorim mirë këtë figurë dhe ta kthejmë pasqyrën në anën tjetër. Mendja jonë do të pasqyrojë me lehtësi gjërat hyjnore, nëse e kthejmë atë në atë drejtim. Le të shohim nëse nuk është kështu. Lexo me lutje Biblën tënde, ose ndonjë libër të gjallë frymëror, dhe do të shohësh që zemra mbushet menjëherë me ndjenja të shenjta dhe qiellore.

Në çdo rast, nëse e kalojmë kohën tonë me gazeta, ose ulemi për orë të tëra duke lexuar romane të pavlera, nuk kemi pse të habitemi që mendja dhe zemra shkojnë pas kotësisë! Kthimi i mendjes lart është gjysma e betejës. Ne nuk mund të presim që ajo të pasqyrojë diçka drejt së cilës nuk është kthyer.

Ata që mendojnë për gjërat tokësore, janë tokësorë.
Ata që vendosin dashurinë e tyre mbi gjërat qiellore, janë qiellorë.

Pali tregon sa e dobishme është praktikisht ta kthejmë mendjen drejt Perëndisë, kur thotë se, “duke mohuar paudhësinë dhe dëshirat mishore, do të jetojmë me urtësi, drejtësi dhe perëndishmëri në këtë botë të tanishme, “duke pritur shpresën e bekuar dhe shfaqjen e lavdishme të Perëndisë së madh dhe Shpëtimtarit tonë, Jezus Krisht.”

Ne mund të thërrasim me të drejtë për këtë çështje: Na kthe o Zot, dhe ne do të kthehemi!Nëse ne nuk mund të shohim të vërtetat hyjnore për kënaqësinë tonë, le të shikojmë në atë drejtim prapësëprapë; sepse i bekuar është ai sy që shikon në drejtim të dritës.

Ai që dëshiron të shohë diellin në lindje, duhet të shikojë drejt lindjes.
Po kështu, ai që dëshiron ta shohë Perëndinë si gëzimin e tij, duhet të shikojë drejt Perëndisë.

Nëse pasqyra e shpirtit është e vendosur fort drejt Zotit, ne do të shohim, me fytyrë të zbuluar, si në një pasqyrë, lavdinë e Zotit, dhe do të shndërrohemi në të njëjtën shëmbëlltyrë, nga lavdia në lavdi!

Oh, Mjeshtri im i bekuar, ndihmomë, të lutem, të mbaj pasqyrën e mendjes sime në pozicionin e duhur, që gjithmonë të mund të shoh Ty! E vërtetë, do të jetë vetëm si në një pasqyrë të errët, por edhe kjo do të jetë një përgatitje e mrekullueshme për të të parë Ty, ballë për ballë, në lavdi!

“Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.” (Romanëve 8:5)

“Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë.” (Kolosianëve 3:1-2)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes