Një Thirrje e Sinqertë dhe e Përulur Drejtuar Pastorëve dhe Udhëheqësve Tanë Për Mbulesat e Kokës

Mbulesat e Kokes

Përkthyer nga theheavenlyhearth.

Të dashur Pastorë, Udhëheqës dhe Mësues në kishat tona të krishtera,

Emri im është Xhesika dhe unë jam një besimtare e thjeshtë në Jezu Krishtin si i vetmi Shteg për t’u shpëtuar nga ferri dhe mëkati. Kjo letër është një thirrje e sinqertë dhe e përulur nga ana ime, por ajo ndoshta pasqyron gjithashtu ndjenjat e shumë grave të tjera besimtare. Për këtë arsye, ndërsa shkruaj, do të përdor shumësin (“ne”). Ju lutemi, dëgjoni zemrat tona.

Ne jemi gratë që mbulojmë kokën në kishat tuaja. Ne jemi ato një apo dy gra të vetmuara që paraqitemi çdo të diel me një shall koke, kapele, vello ose një fashë të gjerë në kokë. Ju lutemi, kuptoni se ne nuk e bëjmë këtë për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes. Përkundrazi, kur ne filluam për herë të parë të mbulonim kokën, u ndjemë shumë në siklet dhe të çuditshme!

Ishte pak e sikletshme dhe tepër e parehatshme që ne të shfaqeshim me mbulesë koke kur askush tjetër nuk e bënte këtë! Ne imagjinonim që njerëzit po na shikonin dhe po na gjykonin në mendje, ndoshta duke menduar se ne ishim legaliste apo që ne ndiheshim se ishim më të mirë se ata. Por kjo ishte shumë larg së vërtetës.

Shumica prej nesh nuk janë rritur me mësimin që të mbulojnë kokën në kishë. Shumica prej nesh kanë ardhur në këtë përfundim përmes leximit personal të Shkrimeve. Teksa lexonim 1 Korintasve 11:2-16 (pjesa që flet për mbulimin e kokës), ne gjithmonë ndjenim një shqetësim të brendshëm. Dukej qartë që Pali po thoshte se gratë duhet të mbulojnë kokën me një mbulese pëlhure kur “luten ose profetizojnë”, por gjithçka që kishim dëgjuar më parë për të, nuk dukej se përputhej me leximin më të drejtpërdrejtë dhe fjalë për fjalë të pasazhit.

Duke u nisur nga ky lexim i drejtpërdrejtë i 1 Korintasve 11:2-16, ne filuam të bënim një studim më të thellë të historisë së mbulesave të kokës në krishterim, të kulturës së Korintit të shekullit të parë, dhe të kuptimeve të fjalëve greke. Argumentet për mbulimin e kokës na dukeshin më të forta sesa ato kundër.

Ne nuk mendonim që udhëheqësit tanë na kishin keqinformuar me qëllim. Kjo nuk përputhej me karakterin që njihnim prej tyre. Por ndoshta, ata po bënin një gabim duke u mbështetur kaq shumë në shpjegimin kulturor që është aq popullor në kohën tonë? Ne e dinim me siguri që ne nuk ishim më të mira apo më të mençura se ata! Por të gjithë jemi njerëz, apo jo? Dhe asnjëri prej nesh nuk është i përsosur, prandaj ishte e mundur që edhe udhëheqësit tanë të respektuar mund të gabonin.

Asgjë nga kjo nuk u mor lehtë. Ne nuk po përpiqeshim të ishim rebele. Ne nuk donim të dukeshim të çuditshme. Ne nuk donim të tërhiqnim vëmendje. Ne nuk donim të shkaktonim ndarje. Por, çfarë mund të bënim me bindjen tonë të brendshme që po rritej gjithnjë e më shumë, bazuar në studim të kujdesshëm, se mbulimi i kokës ishte në të vërtetë për kohën e sotme?

Së fundmi, ne arritëm në pikën kur duhej të zgjidhnim konfliktin e brendshëm dhe të zgjidhnim Fjalën e Perëndisë dhe interpretimin më të qartë të saj, mbi opinionet e njerëzve dhe shpjegimet e tyre ndonjëherë të ndërlikuara.

Edhe pse nga jashtë zakonisht, ne paraqitemi me një buzëqeshje të sigurt, brenda nesh ndonjëherë ndiejmë gjithçka përveç sigurisë! Ky ka qenë një udhëtim i vështirë për ne. Ka qenë një kohë rritjeje e madhe shpirtërore. Ne shpesh kemi derdhur lot dhe kemi rënë në gjunjë në pendesë për ashpërsinë e zemrës sonë, përpara se të pranonim mësimin e Perëndisë për mbulimin e kokës. Fjala e Tij na tregoi se kishim qenë në gabim dhe në rebelim ndaj rrugëve të Tij, që përfshinin jo vetëm simbolin e mbulesës së pëlhurës, por atë që ky simbol përfaqësonte: nënshtrimin tonë ndaj udhëheqjes së burrit tonë si “koka” në marrëdhënie (dhe respektin ndaj autoritetit mashkullor në përgjithësi).

Ne kuptuam se mbulesa e kokës ishte një kujtesë e dobishme, një mjet që Perëndia kishte dhënë për të gjitha gratë besimtare, për të mbuluar kokat tona në shenjë nënshtrimi ndaj këtij autoriteti. Burrat tanë e mbështetën vendimin tonë për t’u mbuluar. Në disa raste, ishin ata vetë që e sugjeruan këtë, duke arritur në përfundimin se ne duhej ta mbulonim kokën edhe përpara se ne ta bënim këtë praktikisht! Mbulimi i kokës, në vend që të bëhej një pengesë në martesë, është bërë një faktor bashkues. Sa mirënjohëse jemi për këtë simbol të bukur! Ne shqetësohemi kur njerëzit që nuk e dinë rrugëtimin tonë për mbulimin, keqkuptojnë motivet tona. Sa shumë do donim që ata të shihnin zemrat tona!

Kur ne zbuluam thjeshtësinë e kësaj të vërtete, ishte diçka shumë çliruese! Ne nuk ndjemë, dhe as tani nuk ndjejmë, se jemi nën ndonjë sistem rregullash legalist. Përkundrazi, ne ndiejmë se më në fund jemi çliruar në këtë fushë nga e vërteta e Fjalës së Perëndisë dhe nga udhëheqja e Frymës së Shenjtë, për të jetuar në bindje ndaj një pasazhi që besojmë se ka thënë gjatë gjithë kohës pikërisht atë që ne gjithmonë e kishim menduar në heshtje që po thoshte! Kjo ka çliruar ndërgjegjen tonë për t’iu bindur Perëndisë me gjithë zemër.

Po, ne jemi të gëzuara për mbulimin e kokës! Dhe ne do të donim që pastorët dhe mësuesit tanë ta studionin këtë pasazh me ndershmëri, me një zemër të butë dhe mendje të hapur. Ne do donim që ata të uleshin me dashuri dhe durim me ne për të diskutuar se pse mbulohemi. Ne do donim të na dëgjonin dhe të na kuptonin.

Ju lutemi, mos kini frikë të na afroheni me pyetjet dhe shqetësimet tuaja. Ne do preferonim që kjo do ndodhte përpara se dikush në kishë të predikojë kundër mbulimit të kokës. Dhe ju lutemi, kuptoni që është e vështirë të jesh e vetmja vajzë dhe grua që mbulohet. Ne shpresojmë thellë për mbështetjen tuaj në të ardhmen; por, ndërkohë, kërkojmë të paktën ndjeshmërinë dhe dhembshurinë tuaj ndaj besimeve dhe ndjenjave tona.

Nëse mund të jemi aq të guximshme për të bërë një sugjerim të përulur, ai do të ishte ky: Ju lutemi, mos lejoni që frika nga ajo që njerëzit mund të mendojnë për ju t’ju pengojë të ndiqni Fjalën e Perëndisë. E vërteta nganjëherë ndan. Kjo fatkeqësisht është e vërtetë, por ajo gjithashtu çliron. Nëse do të arrinit në përfundimin, siç ne kemi bërë, se mbulimi i kokës është për sot, dhe nëse do ta mësonit këtë me guxim, ndoshta shpërblimet do të tejkalonin rreziqet. Shumë njerëz ndoshta do të përfitonin nga një kuptim më i qartë i këtij mësimi të harruar. Po, disa do të rezistonin, por të tjerë do të gëzoheshin pa masë.

Dhe ndër ata që do të gëzoheshin, do të ishim ne. Ne po lutemi për ju, si për shërbesën tuaj në përgjithësi, ashtu edhe për kuptimin tuaj të pasazhit mbi mbulimin e kokës në veçanti.
Zoti ynë i dashur na udhëzoftë të gjithëve në urtësinë dhe të vërtetën e Tij.

Sinqerisht,

Xhesika Roldan

9 Mars, 2018

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes