Parimi Rregullues i Adhurimit

Adhurimi

Nga G. I. Williamson (1925 – 2023)

Teolog, pastor dhe autor presbiterian amerikan, i njohur për shkrimet e tij të qarta dhe për mësimdhënien e tij të përkushtuar ndaj besimit të reformuar klasik.

Si duhet ta adhurojmë Perëndinë? Kjo është pyetja. Dhe përgjigjja tashmë nënkuptohet në përkushtimin tonë të palëkundur ndaj Biblës si Fjala e frymëzuar e Perëndisë, që është e vetmja rregull e pagabueshme e besimit dhe e praktikës. Prandaj, pjesa tjetër e shkrimit tim do të jetë një përpjekje për të dëshmuar dy gjëra nga Shkrimet: [1] I pari është fakti që ekziston një parim rregullues i mësuar në Bibël, dhe [2] e dyta është se cfarë nënkupton ky parim dhe se si ai duhet të zbatohet sot në kishat tona…

A. Dhjata e Vjetër

Le të fillojmë duke marrë në shqyrtim disa shembuj nga mësimi i Dhjatës së Vjetër.

[1] Shembulli i parë gjendet te Zanafilla 4, ku ne lexojmë për adhurimin e Kainit dhe Abelit.

Pasazhi na tregon se adhurimi i Kainit u refuzua nga Perëndia, por ai i Abelit u pranua. Ai gjithashtu na tregon se arsyeja e Perëndisë për refuzimin e Kainit dhe pranimin e Abelit nuk ishte vetëm një dallim midis dy vëllezërve. Nuk ishte vetëm fakti që diçka nuk shkonte me qëndrimin e Kainit, i krahasuar me qëndrimin e Abelit. Aty gjithashtu kishte edhe një dallim thelbësor në përmbajtjen e adhurimit të tyre. Kjo është arsyeja se pse Perëndia pati respekt jo vetëm për Abelin, por edhe për ofertën e tij.(3) Abeli ofroi atë që Perëndia u kënaq që ta pranonte, ndërsa Kaini jo. Sipas mendimit tim, arsyeja për këtë është sepse Abeli e konsideroi me seriozitet zbulesën që Perëndia kishte dhënë deri në atë kohë në histori, ndërsa Kaini e trajtoi me lehtësi. Sigurisht, është e mundur që Perëndia t’i ketë dhënë Abelit një zbulesë të drejtpërdrejtë. Por unë mendoj se më e mundshme është që ai veproi në bazë të të njëjtës zbulesë që kemi edhe ne vetë në tre kapitujt e parë të Zanafillës. Kur Perëndia mbuloi lakuriqësinë e Adamit dhe Evës me lëkurë kafshësh, është e vetëkuptueshme që ato kafshë duhej të ishin therur për këtë qëllim (Zan. 3:21). Nga kjo, Abeli mund të kishte nxjerrë përfundimin(4) se shpresa e tij e vetme për t’u pranuar nga Perëndia ishte përmes flijimit të një zëvendësuesi që vdes. Por edhe nëse marrim pikëpamjen që Abeli, thjesht me intuitë, “ra në gjurmën e duhur të adhurimit”, ajo përsëri con në të njëjtin përfundim. Sepse, sapo Perëndia pranoi Abelin dhe flijimin e tij, por refuzoi Kainin dhe ofertën e tij, me vetë këtë fakt, Ai e bëri krejtësisht të qartë se mënyra e pranueshme e adhurimit ishte mënyra e Abelit. Por megjithëse Kaini e dinte këtë, ai nuk ishte i gatshëm që ta adhuronte Perëndinë në atë mënyrë të pranueshme. Pra, nuk është aspak një ekzagjerim të thuhet që ky ishte rrëzimi i Kainit. Ai nuk ishte i gatshëm të përmbahej në një adhurim që kishte miratimin e Perëndisë.(5) Prandaj ne shohim një parim të qartë: Adhurimi që nuk është i miratuar nga Perëndia, është i ndaluar.

[2] Shembulli i dytë është që të konsideroni Urdhërimin e Dytë.

Ky urdhërim thotë: “Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.” Në urdhërimin e parë, Perëndia e shpall veten si Perëndia i vetëm i vërtetë që duhet adhuruar. Në urdhërimin e dytë, Ai na mëson llojin e adhurimit me të cilin duhet të nderohet, që të mos guxojmë të formojmë koncepte mishërore për Të.(6) Siç ka thënë Kalvini: “Edhe pse Moisiu flet vetëm për idhujtari [këtu], nuk ka dyshim se, si në të gjithë pjesën tjetër të ligjit, me anë të figurës ai dënon të gjitha mënyrat e trillura të shërbesës që njerëzit shpikin me mendjen e tyre.” (7)

[3] Shembulli i tretë është ndërtimi i Tabernakullit në kohën e Moisiut.

Këtu më lejoni të them se, do të ishte e vështirë të mendohej një mënyrë më e fortë, për t’i dhënë peshë më të madhe parimit rregullues të adhurimit, sesa ajo që gjejmë në këtë rrëfim. Çdo student i pesë librave të Moisiut e di që kjo zbulesë ishte tejet e hollësishme. Nuk është aspak ekzagjerim të thuhet se çdo aspekt i ndërtimit të Tabernakullit ishte i urdhëruar nga Perëndia, dhe se asgjë nuk i’u la imagjinatës së njeriut. A nuk i tha Perëndia Moisiut: “Shiko të bësh çdo gjë simbas modelit që t’u tregua në mal.” (Eksodi 25:40)? Sigurisht që është e vërtetë që Perëndia përdori njerëz për ndërtimin e Tabernakullit. Por nuk është e vërtetë ajo që hamendësohet shpesh që Tabernakulli ishte një produkt thjesht i impulsit natyror krijues dhe artistik të njerëzve që Perëndia përdori për ta ndërtuar. Nuk ka dyshim që këta burra kishin dhunti natyrore krijuese. Por ajo nuk ishte e mjaftueshme. Bibla është shumë e qartë për këtë. Gjërat që hynë në Tabernakull u prodhuan (ashtu si edhe vetë Bibla) nga një frymëzim i veçantë hyjnor: “Shiko, unë e thirra me emër Betsaleelin, birin e Urit, birin e Hurit, nga fisi i Judës; dhe e mbusha me Frymën e Perëndisë, me dituri, me zgjuarësi, me njohuri dhe çdo shkathtësi, . . . i dhashë për shok Oholiabin, të birin e Ahisamakut, nga fisi i Danve; dhe shtiva dituri në mendjen e të gjithë njerëzve të shkathët, me qëllim që të mund të bëjnë të gjitha ato që të kam urdhëruar. . . Ata do të veprojnë simbas të gjithë urdhrave që të kam dhënë ty.” (Eksodi 31:2-11) Sa larg është kjo nga argumenti që dëgjohet shpesh sot, se puna artistike e njerëzve në Kishë është e justifikuar (dhe e shenjtëruar!) nga “puna artistike” në Tabernakullin e Moisiut! E vërteta është se nuk pati “punë artistike” në Tabernakull, veç nëse me “punë artistike” ne kuptojmë një lloj arti unikisht të frymëzuar dhe të pagabueshëm; dhe një lloj i tillë arti nuk jepet më.

Ajo që thamë për Tabernakullin është po aq e vërtetë edhe për Tempullin më të madh dhe më të ndërlikuar. Asgjë nuk i’u la inovacionit njerëzor. Kur “Davidi i dha birit të tij Salomonit projektin e portikut të tempullit, të godinave të tij, të dhomave të tij, të thesareve të tij, të dhomave të sipërme, të dhomave të brendshme dhe të vendit të pajtuesit, si dhe projektin e të gjitha gjërave që kishte në mendje për Frymën” (1 Kronikave 28:11), nuk kishte asgjë në të që të ishte sajuar prej tij vetë. Përkundrazi: “Tërë kjo”, tha Davidi, “m’u dha e shkruar nga dora e Zotit, që më bëri të kuptoj tërë punimet e këtij projekti.” (v. 19)

Tani, pse ishte kaq e rëndësishme kjo? Pse gjithçka duhej të përputhej me një model të zbuluar (fillimisht Moisiut dhe më vonë Davidit)? Ne besojmë se arsyeja është e vetëkuptueshme: Perëndia nuk mund të adhurohet në asnjë mënyrë që Ai nuk e ka urdhëruar. Siç tha Kalvini: “Unë nuk jam i pavetëdijshëm se sa e vështirë është që të bindësh botën se Perëndia e refuzon dhe madje e neverit gjithçka që lidhet me adhurimin e Tij dhe që është sajuar nga arsyeja njerëzore.”(8) Por e vërteta është se: “Nuk ka asgjë më të rrezikshme për shpëtimin tonë sesa një adhurim i shtrembër dhe i çoroditur i Perëndisë.”(9)

[4] Ne gjejmë një tjetër shembull mësimdhënës te Levitiku 10, në historinë e Nadabit dhe Abihut, bijve të Aaronit.

Ne lexojmë se ata vdiqën kur “zjarri doli nga Zoti dhe i përpiu” (Lev. 10:2). Por pse ndodhi kjo gjë e tmerrshme? Bibla thotë se kjo ndodhi sepse ata “ofruan zjarr të palejueshëm përpara Zotit, të cilin Ai nuk e kishte urdhëruar” (v. 1).(10) Vini re se aty nuk thuhet se kjo ndodhi për shkak se ata nuk ishin të sinqertë, apo sepse atyre u mungonin “qëllime të mira”. Madje nuk thuhet as që ndodhi sepse ata bënë diçka që Zoti e kishte ndaluar në një mënyrë të shprehur. Jo, ajo që thuhet është se ata e bënë këtë pa u siguruar më parë se kishin një mandat për ta bërë. Kështu, ne shohim përsëri që Adhurimi që nuk është urdhëruar nga vetë Perëndia, është i ndaluar.

[5] Po çfarë të themi për Rebelimin e Koreut?

Moisiu dhe Aaroni ishin të caktuar nga Zoti për të ndërmjetësuar midis Perëndisë dhe popullit të Tij. Por Koreu, dhe ata që e ndoqën, e urryen këtë caktim ekskluziv.(11) Ata donin të çliroheshin nga kjo ide “e ngushtë” se ka vetëm një mënyrë të drejtë, mënyra që Perëndia ka caktuar. Prandaj ata u rebeluan kundër këtij kufizimi. Por, përsëri, rezultati tragjik tregoi se sa e neveritshme ishte kjo përpara Jehovas.

Këto janë vetëm disa shembuj nga shumë të tjerë që gjenden në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër. Por mendoj se tani mund ta shihni qartë se ekziston, me të vërtetë, një parim rregullues për adhurimin e Perëndisë. Sa herë që njerëzit nuk ishin të kënaqur ta adhuronin Perëndinë në mënyrën që Ai kishte caktuar, dhe sa herë që ata sollën shpikjet e tyre, Ai gjithmonë e bëri krejtësisht të qartë se nuk e pranonte një adhurim të tillë.

[6] Merrni, për shembull, Mbretin Saul.

Sauli nuk kishte asnjë autoritet nga Perëndia për të ushtruar detyrën priftërore (1 Samuelit 13:11 e më tej). Megjithatë, për shkak të presionit të rrethanave, ai pretendoi se “u ndie i detyruar të ofronte olokaustin” në Gilgal (v. 12). Me aq sa kuptojmë, mund të jetë që ai veproi me atë që, shumë sot do ta quanin “qëllimet më të mira”. Por ne na thuhet qartë se Zoti u fye. Samueli i tha Saulit se kishte vepruar në mënyrë të marrë, sepse ai nuk e përmbajti veten në atë që Perëndia kishte urdhëruar (v. 13). Për shkak të kësaj, Perëndia i’a mori mbretërinë për t’ia dhënë Davidit (v. 14). A nuk tregon kjo përsëri se, ky parim zë një vend të rëndësishëm dhe të lartë me Perëndinë e Biblës?

[7] Dhe mendoni se çfarë ndodhi me Uzahun.

Kur Davidi u përpoq që ta sillte arkën e besëlidhjes përsëri në Jerusalem, qetë papritur u penguan. Në atë çast, Uzahu shtriu dorën për ta mbajtur arkën që të mos binte. Ne mund të themi se sa e natyrshme dhe sa veprim i pafajshëm që ishte! Por Bibla thotë: “Perëndia e goditi për fajin e tij” (2 Samuelit 6:7). Arsyeja mund të mos na bindë, por ajo është e deklaruar qartë në Shkrim. Uzahu vdiq sepse, siç e shpjegoi Davidi më vonë, “nuk e kishim kërkuar [Perëndinë] sipas rregullave të caktuara.” (1 Kronikave 15:13). Me fjalë të tjera, kjo ndodhi sepse ata nuk e përmbajtën veten e tyre në atë që Perëndia kishte urdhëruar shprehimisht.(12) Por sa ndryshe ishte kur “Levitët e mbartën arkën e Perëndisë… ashtu siç Moisiu kishte urdhëruar në përputhje me fjalën e Perëndisë.” (1 Kronikave 15:14). Edhe këtu shohim të njëjtin parim të zbuluar qartë: E vetmja gjë që e kënaq Perëndinë është ajo që Ai ka urdhëruar.(13)

[8] Dhe mendoni për Mbretin Jeroboam.

Kur ai u bë mbret, kujdesi i tij i parë ishte të forconte pushtetin e tij mbi dhjetë fiset që ishin rebeluar kundër shtëpisë së Davidit. Për ta arritur këtë, Shkrimi thotë se ai “caktoi” ose “themeloi” adhurim “sipas dëshirës së tij” (1 Mbretërve 12:32-33). Për këtë arsye, një njeri i Perëndisë nga Juda u dërgua për të dënuar këtë adhurim të paautorizuar. Por kjo nuk ishte e gjitha. Pas asaj kohe, Jeroboami u përmend gjithmonë si ai që “bëri që Izraeli të mëkatonte” (si një trup i vetëm kombëtar) (1 Mbretërve 15:30). Nuk është aspak ekzagjerim të thuhet se ky ishte një burim kryesor i rënies përfundimtare të Izraelit. Adhurimi që ishte caktuar nga Perëndia u zëvendësua nga një formë e re adhurimi. Por, meqë ky adhurim nuk ishte urdhëruar nga Perëndia, ai u refuzua.

[9] Dhe kujtoni mëkatin e Mbretit Uziah.

Shkrimi thotë se ai “hyri në tempullin e Zotit për të djegur temjan mbi altar” (2 Kronikave 26:16). Azariahu, kryeprifti, ndërhyri me guxim për të kundërshtuar këtë akt të adhurimit të shpikur nga vetë mbreti. Dhe ndërhyrja e tij u vërtetua nga ndërhyrja e vetë Perëndisë, sepse mbreti u godit menjëherë me lebër, si një shenjë e gjykimit të Perëndisë. Sërish është e qartë se: ajo që nuk është urdhëruar nga Perëndia, është e neveritshme për Të.

[10] Dhe pastaj kemi Mbretin Ahaz.

Bibla thotë se Ahazi “dogji flijime në Luginën e Ben-Hinomit dhe dogji bijtë e tij në zjarr, duke ndjekur rrugët e neveritshme të kombeve” (2 Kronikave 28:3). Ajo që ndoshta na tmerron më shumë në këtë histori është fakti që ata vrisnin fëmijë të pafajshëm. Por kjo nuk ishte arsyeja kryesore pse kjo praktikë u dënua nga Perëndia përmes profetit Jeremia. Jo, arsyeja kryesore, shumë më e rëndësishme, u shpreh kështu nga profeti: “Kanë ndërtuar vende të larta të Tofetit, që është në luginën e birit të Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e tyre dhe bijat e tyre, gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.” (Jeremia 7:31)(14) Si mund ta bënte Perëndia më të qartë se kaq? Adhurimi që nuk është urdhëruar nga Perëndia, është i ndaluar.

Këtu, pra, kemi parimin e pandryshueshëm që mësohet në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër, përmbledhur në këto fjalë të Moisiut: Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis.” (Ligji i Përtërirë 4:2)

___

B. Dhiata e Re

Por pyetja që duhet të shqyrtojmë tani është kjo: A është ky gjithashtu mësim i Dhiatës së Re?

[1] Po filloj me fjalët e vetë Zotit tonë lidhur me traditën hebraike.

Ai i qortoi skribët dhe farisenjtë, sepse, siç edhe u tha, “ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.” (Marku 7:9) Dhe për shkak të kësaj, Zoti ynë tha më tej për adhurimin e tyre: “Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje. Por kot më nderojnë, duke mësuar doktrina, të cilat janë urdhërime njerëzish.” (Marku 7:6–7, cituar nga Jeremia 29:13) Nuk ka dyshim se ata u ofenduan nga kjo, por kjo nuk është ajo që ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se Perëndia ishte ofenduar, dhe, sipas Jezusit, kishte dy arsye: Ata kishin lënë mënjanë atë që Perëndia kishte urdhëruar, dhe së dyti, ata zbatonin me zell gjëra që Perëndia nuk i kishte urdhëruar fare, por që vinin vetëm nga traditat njerëzore. Prandaj, edhe traditat, sado të nderuara qofshin ndër njerëz, janë të ofenduese për Perëndinë, veç nëse janë ato që Ai ka urdhëruar.(15)

[2] Shembulli i dytë që dua të konsiderojmë është Krishti dhe gruaja Samaritane

Askush nuk e ka shprehur ndonjëherë parimin rregullues të adhurimit me më shumë forcë dhe qartësi sesa vetë Jezusi në takimin e Tij me gruan Samaritane (Gjoni 4:22–26). Siç vëren Kalvini, këtu Zoti ynë “e ndan çështjen në dy pjesë”: Së pari, Ai dënon format e adhurimit të Perëndisë që samaritanët përdornin si dicka supersticioze dhe të rreme, dhe shpall se forma e pranueshme dhe e ligjshme ishte ajo e hebrenjve. Ai jep arsyen e këtij dallimi. Hebrenjtë morën siguri nga Fjala e Perëndisë për mënyrën e adhurimit të Tij, ndërsa samaritanët nuk kishin asnjë siguri nga buzët e Perëndisë. Së dyti, Jezusi deklaron se ceremonitë që hebrenjtë kishin ndjekur deri atëherë së shpejti do të merrnin fund. Lidhur me pikën e parë ku Zoti ynë tha: “Ju samaritanët adhuroni atë që nuk e njihni”, Kalvini del në këtë përfundim të fuqishëm: “Të gjitha të ashtuquajturat qëllime të mira goditen nga kjo rrufe, që na tregon se njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë tjetër veçse të gabojnë, kur ata udhëhiqen nga mendimi i tyre, pa Fjalën ose urdhërimin e Perëndisë.” Pastaj ai vijon me pikën e dytë duke thënë: “Ne ndryshojmë nga etërit vetëm në formën e jashtme [të adhurimit], sepse në adhurimin e Perëndisë [në kohët e Dhiatës së Vjetër] ata ishin të lidhur me ceremoni që u shfuqizuan me ardhjen e Krishtit.” Pra, nëse pyesim: Çfarë do të thotë të adhurosh Perëndinë “në frymë dhe në të vërtetë”?, Kalvini përgjigjet kështu: “Do të thotë që të heqim mbulesat e ceremonive të lashta dhe të ruajmë vetëm atë që është shpirtërore në adhurim…” Problemi është se “meqënëse njerëzit janë mish… ata priren të kënaqen me gjëra që u përshtaten natyrave të tyre. Kjo është arsyeja pse ata shpikin shumë gjëra në adhurimin e Perëndisë… [kur] ata duhet të konsiderojnë se po merren me Perëndinë, i Cili nuk pajtohet me mishin njësoj si zjarri me ujin.” Me fjalë të tjera, të adhurosh Perëndinë në frymë dhe në të vërtetë, do të thotë ta adhurosh Perëndinë ashtu siç Ai tani na urdhëron. Dhe “është thjesht e padurueshme” – thotë Kalvini “që rregulli i vendosur nga Krishti të shkelet.”(16) Ata që duan ta adhurojnë Perëndinë e vërtetë në mënyrë të pranueshme, duhet ta bëjnë këtë në frymë dhe në të vërtetë, sepse kjo, dhe vetëm kjo, është ajo që Ai ka urdhëruar.(17)

[3] Konsideroni Porosinë e Madhe.

Parimi rregullues është qartësisht i nënkuptuar në këto fjalë të Jezusit: “Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ”Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj… duke i pagëzuar… duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.” (Mateu 28:18-20).(18) Sipas nesh, kjo është pikërisht ajo që bënë Apostujt. Ata mësuan atë që Krishti u kishte urdhëruar, jo atë që Ai kishte urdhëruar plus shpikjet e tyre. Duke ditur se i gjithë autoriteti i përkiste Atij, ata e dinin se nuk kishte vend për shpikjet e tyre. Siç thotë Kalvini, “Ai i dërgon Apostujt me këtë rezervë, që të mos cojnë përpara shpikjet e tyre, por të dorëzojnë pastër dhe me besnikëri, nga dorë në dorë, atë që Ai u kishte besuar.”(19) Sigurisht që mund të argumentohet se këto fjalë vlejnë për gjithë jetën e krishterë (dhe ne nuk kundërshtojmë këtë). Por gjithsesi, asgjë nuk ka më shumë rëndësi për Perëndinë sesa adhurimi që Ai ka urdhëruar.

[4] Pikëpamja e Palit për Shkrimet.

Ky parim është gjithashtu i nënkuptuar qartë në fjalët e Palit: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” (2 Timoteu 3:16-17). Ne nuk pretendojmë se kur Pali po shkruante këto fjalë ai po mendonte në mënyrë të veçantë për adhurimin. Por është e vetëkuptueshme që deklarata e tij nuk do të ishte e vërtetë nëse ndonjë aspekt i adhurimit nuk do të ishte zbuluar qartë e plotësisht në Bibël.

[5] Qortimi i Palit për Galatasit.

Në letrën e tij drejtuar Galatasve, Pali përmend qartësisht një formë adhurimi të paautorizuar: “kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni? Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite. Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.” (Galatasve 4:9-11). Këta njerëz ndoshta po mbanin ditët e shenjta që Perëndia kishte urdhëruar dikur në sistemin ceremonial të Dhiatës së Vjetër. (Eks. 23:14-17, 34:18, etj). Nëse është kështu, kjo vetëm sa e bën qortimin e Palit edhe më të fortë për ditë që Perëndia nuk i ka urdhëruar kurrë. Kur Krishti erdhi, sistemi i adhurimit të Dhiatës së Vjetër u përmbush dhe u hoq. Të përfshirë në këtë, ishin ditët e shenjta vjetore, dhe madje edhe Shabatet judaike. Që Galatasit, të vazhdonin të festonin ato ditë ishte sikur ata ende ishin duke pritur ardhjen e Mesisë. E kupton menjëherë zbatimin praktik të kësaj. Nëse Apostulli e pa të nevojshme t’ua thoshte këtë njerëzve që vazhdonin të mbanin ditë të shenjta që dikur ishin urdhëruar por ishin bërë tani të pavlefshme, çfarë do t’u thoshte ai sot njerëzve që mbajnë ditë të shenjta të veçanta të cilat Perëndia nuk i ka urdhëruar kurrë?(20)

Për të shmangur keqkuptimet, në këtë pikë duhet të vëmë re gjithashtu mësimin e Palit te Romakëve 14. Këtu Apostulli u mëson të fortëve të jenë të duruar me të dobëtit, sepse të dobëtit nuk e kishin kuptuar ende lirinë që kanë në Jezusin. Në fakt, ata nuk ishin më nën detyrimin për të mbajtur madje edhe ato ditë të veçanta që Perëndia kishte urdhëruar dikur përmes Moisiut. Por problemi ishte se disa nga anëtarët e kishës në Romë ende nuk e kuptonin këtë. Dhe për sa kohë që kjo ishte vetëm një çështje që prekte një anëtar të caktuar të kishës, i cili vuante nga dobësia e ndërgjegjes së tij të keqinformuar, Pali ishte i gatshëm ta duronte me durim. Me fjalë të tjera, ai ishte i gatshëm të toleronte anëtarësinë në kishë për një person që ndihej i detyruar, nga ndërgjegjja e tij e gabuar, t’i mbante këto ditë. Por te Galatasve 4, Apostulli kishte një çështje tjetër përpara. Në këtë rast, e gjithë kisha i ishte nënshtruar një zgjedhe skllavërie. Kisha në Galati, si një trup i bashkuar, i ishte nënshtruar kërkesave të “të dobëtëve” duke mbajtur këto ditë. Dhe kur ndodhi kjo, Apostulli u tregua plotësisht pa kompromis në kundërshtimin e tij. Arsyeja është e qartë: është e gabuar që, në adhurimin e saj të përbashkët, Kisha të përfshijë diçka që Krishti nuk e ka urdhëruar. Me fjalë të tjera, është një gjë të tolerosh dobësinë në anëtarë të veçantë, por është diçka krejt tjetër kur ky mendim i gabuar i imponohet gjithë bashkësisë. E megjithatë, kjo është pikërisht ajo që shohim sot në shumicën e Kishave të Reformuara.

[6] Paralajmërimi i Palit për Kolosianët

Konsideroni gjithashtu kishën e Koloseut. Kësaj kishe Apostulli i shkruan: “Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o shabate;” (Kolosianëve 2:16). Ai i paralajmëron të mos mashtrohen nga ata që përpiqeshin t’i nxisnin të kënaqeshin “me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve” (v. 18). Dhe më pas shton: “Këto gjëra” – thotë Pali, “kanë një dukje urtësie në fetarizëm të zgjedhur vetë.” Por reliteti është se këto gjëra “nuk kanë asnjë vlerë.” (v. 23). Përsëri edhe këtu, ne kemi një aplikim të parimit që thotë: “Ajo që nuk është e urdhëruar, është e ndaluar.”

[7] Libri i Hebrenjve

I tërë Libri i Hebrenjve, ndër të tjera, është një zbatim i gjerë i parimit rregullues të adhurimit. Ai argumenton se i gjithë sistemi i adhurimit të urdhëruar nga Perëndia nën administrimin Moisianik tani është i vjetruar (Heb. 8:13). Dhe çfarë kemi në vend të tij? Përgjigjja është që ne kemi “vetë realitetin”, jo më “kopje të gjërave qiellore”, por “gjërat qiellore vetë” (9:23). Ndërsa populli i Perëndisë në kohën e Moisiut erdhi tek një mal tokësor (12:18), ne tani “i afrohemi Malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jeruzalemit qiellor” (12:22). Kjo do të thotë se kisha sot është thirrur të jetojë në realitetet qiellore, jo më në hijet e simboleve tokësore. Çfarë do të mendonim për një nënë që do të linte foshnjën e saj të vërtetë për të luajtur me kukullat e fëmijërisë së saj?” E megjithatë, pikërisht këtë po shohim në shumë prej denominacioneve të Reformuara dikur të mëdha, të cilat po kthehen te elementet e dobëta dhe të varfra të adhurimit ceremonial dhe simbolik. Si besimtarë të Besëlidhjes së Re, ne jemi thirrur të adhurojmë në frymë dhe në të vërtetë, jo në botën materiale dhe përfaqësuese, siç bënë vëllezërit tanë në Besëlidhjen e Vjetër.

Shumë kisha sot, që e quajnë veten “të Reformuara”, po kërkojnë rikthim te adhurimi ceremonial. Ata e quajnë këtë “rilindje liturgjike”. Nëse këto kisha janë me të vërtetë të përkushtuara ndaj Biblës, atëherë ato do të ishin mjaftueshëm konsistente deri në fund, duke përvetësuar të gjithë sistemin e Dhiatës së Vjetër. Ato do të kishin një kor vetëm nga fisi i Levit, të kishin orkestrën e plotë të tempujve të lashtë, madje edhe të rindërtonin Tempullin e Jeruzalemit. Vetëm atëherë unë mund t’i respektoja të paktën për konsistencën e tyre. Por e vërteta është se këto “elemente të dobëta dhe të varfra” nuk kanë vend të ligjshëm në adhurimin e Besëlidhjes së Re. Ne nuk kemi nevojë për kore, orkestër, rroba, qirinj, temjan, vallëzime apo shfaqje dramatike. Pse? Sepse të gjitha këto përfaqësime hije vetëm sa errësojnë realitetin e privilegjit të Dhiatës së Re; privilegjin e të shkuarit çdo Ditë të Zotit, në mbajtjen besnike e praktikave të urdhëruara të adhurimit të Perëndisë, mu në vendet qiellore dhe në praninë e Jezusit. Zoti e ringjalltë dhe e reformoftë sërish Kishën e Tij, në mënyrë që ajo të heqë dorë nga elementet e dobëta dhe të vjetra të adhurimit të Dhiatës së Vjetër dhe të rikuperojë përsëri thjeshtësinë dhe bukurinë e adhurimit shpirtëror.”

Cili duhet të jetë, pra, qëndrimi ynë përballë këtij privilegji të mahnitshëm? A jemi të lirë të bëjmë si të duam, të shpikim “stilin tonë” të adhurimit, ndërkohë që populli i Perëndisë në Besëlidhjen e Vjetër duhej të ishte i kujdesshëm të adhuronte Perëndinë vetëm ashtu siç Ai kishte urdhëruar? Jo, e vërteta është e kundërta e kësaj. Ne, më shumë se kushdo tjetër, duhet të kemi frikë dhe neveri ndaj çdo shpikjeje të tillë njerëzore në adhurim. A nuk është ky kuptimi i këtij paralajmërimi solemn? “Kujdes se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste kumtimin hyjnor mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po t’i kthejmë kurrizin atij që flet nga qielli… Prandaj, duke marrë një mbretëri të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë, sepse Perëndia ynë është një zjarr gllabërues.” (Hebrenjve 12:25, 28–29) Nëse ne guxojmë të shpikim mënyra të reja adhurimi, kur Perëndia na ka folur nga qielli se cfarë Ai kërkon, atëherë mëkati ynë do të jetë më i madh se ai i izraelitëve nën Besëlidhjen e Vjetër. Mënyra e adhurimit nën Besëlidhjen e Re është tashmë e vendosur nga vetë Zoti Jezus. Ndryshe nga adhurimi hije i lashtë, ky adhurim nuk do të zëvendësohet kurrë deri në ardhjen e Tij të dytë. Sa e pacipë dhe e krisur është që ndonjëri prej nesh guxon të ndryshojë atë që Ai ka urdhëruar!

Ne e mbështesim çështjen tonë kryesisht në të dhënat biblike që u përpoqëm të përmbledhim shkurtimisht më sipër. Por vlen të vihet re se parimi rregullues i adhurimit pajtohet gjithashtu edhe me parime të tjera thelbësore të besimit të Reformuar. Prandaj, në këtë pikë, ne përfshijmë një deklaratë të shkurtër të këtyre parimeve, ashtu sic ato lidhen me këto cështje.

___

C. Parime të Tjera Biblike

[1] Parimi “Sola Scriptura”

Mësimi i Rrëfimeve të Reformuara është se Shkrimet e Shenjta të Dhiatës së Vjetër dhe të Re janë Fjala e frymëzuar e Perëndisë, “rregulla e vetme e pagabueshme e besimit dhe praktikës,” dhe se Bibla, vetëm ajo, është e mjaftueshme. Kjo nënkupton qartë se çdo gjë që bëjmë në adhurimin e Perëndisë duhet të jetë e autorizuar në Shkrimet.

[2] Doktrina e Kryesisë së Krishtit

Krishti është i vetmi Mbret dhe Kreu i Kishës, dhe për rrjedhojë i vetmi ligjvënës. Kjo nënkupton qartë se vetëm Ai ka të drejtën të përcaktojë përmbajtjen e adhurimit. Parimi rregullues është zbatimi i parimit të kryesisë së vetme të Krishtit në sferën e adhurimit.

[3] Doktrina e Lirisë

Bibla, dhe Rrëfimet e Reformuara, mësojnë se “vetëm Perëndia është Zoti i ndërgjegjes, dhe se Ai e ka lënë atë të lirë nga doktrinat dhe urdhërimet e njerëzve, të cilat, në çfarëdo gjëje, janë kundër Fjalës së Tij, ose përtej saj, në çështjet e besimit apo të adhurimit.” (22) Sa herë që një Kishë e Reformuar imponon ndonjë praktikë që nuk është urdhëruar nga Perëndia, vendoset një tirani mbi popullin e Perëndisë.

[4] Doktrina e Mëkatshmërisë së Plotë të Njeriut

Njeriu, nga natyra (dhe si pasojë e rënies), është i korruptuar (ose i prishur) në çdo aspekt të qenies së tij. Edhe tek njeriu i rilindur, lëvizjet e mëkatit mbeten në gjymtyrët e tij. Prandaj, asgjë që njeriu shpik për veten e tij nuk mund të jetë e pastër nga ndotja, apo e denjë për t’ju ofruar Zotit në adhurim. Edhe Apostujt (të cilët ishin të frymëzuar hyjnisht) nuk guxuan të shpiknin vetë ndonjë gjë në adhurimin e Perëndisë, por na përcollën saktësisht atë që u qe dhënë. (23) Si mundemi, pra, të jemi aq mendjemëdhenj sa të mendojmë se ne mund të përmirësojmë atë që ata na kanë përcjellë?

Ne jemi të bindur se këto doktrina janë të vërteta dhe se ato janë qendrore për dëshminë biblike të besnikërisë së Kishës. Është gjithashtu e vetëkuptueshme se ato nënkuptojnë parimin rregullues të adhurimit. Nëse ne i përmbahemi parimit rregullues të adhurimit, ne mund t’u bëjmë drejtësi këtyre mësimeve biblike. Pa këtë parim rregullues, nuk fillojmë as të bëjmë drejtësi ndaj këtyre doktrinave të Shkrimit.

Shtojca A: Si u Zbatua Fillimisht Ky Parim në Kishat e Reformuara

Nga Rrëfimet dhe Katekizmat e mëdha të Reformuara është e qartë se Kishat e Reformuara, në zjarrin shpirtëror që i karakterizonte në fillim, ishin të vendosura ta adhuronin Perëndinë në mënyrën që Ai kishte urdhëruar, pa shtesa të shpikura nga njerëzit dhe pa asnjë heqje. Atëhere cilat ishin disa nga mënyrat në të cilat ky parim u shpreh? Cilat ishin disa nga shtrembërimet në adhurimin e kishës mesjetare që tani u përjashtuan?

[1] Mbajtja e ditëve të tjera përveç Ditës së Zotit

“Gjatë ditëve të hershme të Reformacionit, disa zona të Reformuara kremtonin vetëm të dielën. Të gjitha ditët e veçanta të sanksionuara dhe të nderuara nga Roma u lanë mënjanë. Zwingli dhe Kalvini të dy inkurajuan hedhjen poshtë të të gjitha festave kishtare. Në Gjenevë të gjitha ditët e veçanta u ndërprenë sapo Reformacioni mori hov në atë qytet. Madje edhe përpara ardhjes së Kalvinit në Gjenevë, kjo ishte arritur nën udhëheqjen e Farel-it dhe Viret-it. Por Kalvini u pajtua plotësisht.” (24) Në dritën e qëndrimit të Reformatorëve, “nuk është për t’u habitur që Sinodi i Dortit, në vitin 1574, vendosi që vetëm Shabati javor duhej të mbahej.” (25) Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe Gjon Knox dhe Kisha e Reformuar e Skocisë. Megjithatë, në Hollandë, “Sinodet e hershme të Reformuara i’u dorëzuan gjithnjë e më shumë presionit nga jashtë përsa i përket kremtimit të ‘festave të krishtera’. Qeveria e Hollandës i ktheu këto festa në diçka si ditë pushimi ligjore, dhe kështu Kishat, megjithëse nuk e favorizonin mbajtjen e tyre, për arsye praktike vendosën siç bënë. Për të parandaluar njerëzit që t’i kalonin këto ditë në botë, ato futën shërbesa kishtare për këto raste festive.” (26)

Me fjalë të tjera, qëllimi dhe dëshira e Kishave të Reformuara në fillim ishte t’i përmbaheshin me besnikëri parimit rregullues në këtë çështje. Por pastaj, për shkak të presionit të jashtëm, parimi u komprometua për arsye “të përshtatshme.”

[2] Përdorimi i Psalterit

Nuk mund të argumentohet se përdorimi ekskluziv i Psalmeve në adhurim ka qenë ndonjëherë plotësisht universal në Kishat e Reformuara. Disa, përfshirë kishën e Kalvinit në Gjenevë, këndonin të paktën disa këngë të tjera (si versioni i Dhjetë Urdhërimeve dhe Lutja e Zotit). Por megjithatë, adhurimi i Reformuar ishte aq i lidhur me psalmet e frymëzuara, sa ato morën theksin mbizotërues. Dhe deri më sot, në disa kisha të familjes së Reformuar, është ende Psalteri i frymëzuar ai që këndohet ekskluzivisht, me arsyetimin se vetëm këto janë të urdhëruara.

Kjo është një cështje që kam filluar ta studioj shumë vite më parë, dhe nga kërkimet e mia më kanë bërë përshtypje dy gjëra. Së pari, nuk kam parë kurrë ndonjë provë ekzegjetike që Perëndia dëshiron që ne të prodhojmë himnet tona për t’i kënduar në adhurim, në vend të psalmeve të frymëzuara që Ai na ka dhënë. Në fakt, argumentet që kam parë në mbrojtje të praktikës së zakonshme sot, gjithmonë më janë dukur se mbështeten mbi një themel luteran. Në vend që të përpiqen të dëshmojnë se praktika e sotme është e urdhëruar nga Perëndia, zakonisht ka një zhvendosje drejt argumentit se “nuk është e ndaluar.” Por unë besoj se kjo dështon plotësisht për të përmbushur kriterin që përcakton Shkrimi. Së dyti, është fakt historik që ndryshimi i madh, nga zëvendësimi i psalmeve të frymëzuara me himne të pa frymëzuara, nuk ishte rezultat i ndonjë zbulimi të ri në përmbajtjen e Shkrimit. Nuk ishte një ndryshim i detyruar nga ekzegjeza e kujdesshme. Të paktën kjo është e vërtetë në disa nga rastet e këtij inovacioni në historinë e Kishave të Reformuara që autori njeh. Jo, ndryshimi erdhi si pasojë e dorëzimit ndaj kërkesës popullore në rritje; ajo ishte një ndryshim për të kënaqur njerëzit. Një herë pata rast të bisedoja me një pastor të moshuar të denominacionit të vjetër “Presbiterianët e Bashkuar (United Presbyterian)”. Unë e pyeta se çfarë e bëri atë kishë të ndryshonte qëndrimin e saj mbi përdorimin ekskluziv të psalmeve në adhurim, siç ndodhi në rishikimin doktrinar të vitit 1925. Përgjigjja e tij ishte interesante dhe zbuluese. Ai tha se kisha kishte filluar disa vite më parë të kremtonte ditë si Krishtlindjet. Pasi këto u rrënjosën mirë, filloi të rritej presioni për të sjellë edhe muzikë “të përshtatshme”.

[3] Imazhet dhe simbolet pamore

Duhet përmendur gjithashtu përdorimi i statujave, pikturave dhe simboleve fetare. Këto u refuzuan fuqimisht nga Reformatorë si Knox, Zwingli dhe Kalvini. Katekizmi i Hajdelbergut thotë: “Perëndia as nuk mund, as nuk duhet të përfaqësohet në mënyrë të dukshme,” dhe se “nuk duhet të jemi më të mençur se Perëndia, i cili nuk dëshiron që populli i Tij të mësohet nga imazhe memece, por nga predikimi i gjallë i Fjalës së Tij.” (Pyetja dhe Përgjigjja 97 dhe 98) Edhe në kohët më të fundit, njëqind vite më parë, njerëzit e Reformuar e kuptonin ende parimin rregullues mjaftueshëm sa të qëndronin kundër këtyre paraqitjeve. Megjithatë, në një fjalim të titulluar “Antiteza midis Simbolizmit dhe Zbulesës”, paraqitur Shoqatës Historike Presbiteriane, Abraham Kuyper paralajmëroi për një prirje të fshehtë që ishte në veprim që atëherë, dhe që po e dobësonte këtë vetëdije. Kuyper foli për “valën simbolike… që po minon në mënyrën më të rrezikshme vetë themelin e të gjitha Kishave Kalviniste.” Ai e shprehu kështu: “Parimi i simbolizmit dhe ai i kalvinizmit janë pikërisht të kundërt njëri me tjetrin.” Ne do të shtonim vetëm këtë koment: parimi rregullues, i mësuar në Fjalën e Perëndisë, është e vetmja mbrojtje kundër kësaj.

Shtojca B: Mbrojtja e Praktikës së Sotme në Kishat e Reformuara

Unë e ndjeva peshën e të dhënave biblike, rrëfimeve dhe historike që mbështesin parimin rregullues, menjëherë pas diplomimit tim në seminar në vitin 1952. Por, për shumë vite, ishte pothuajse e pamundur të gjeje dikë që të kishte interes për një diskutim serioz mbi parimin rregullues të adhurimit hyjnor. Unë besoj se arsyeja kryesore për këtë ka qenë, thjesht, plogështia shpirtërore. Kur njerëzit janë të kënaqur me gjërat ashtu siç janë, është e vështirë t’i bësh që të rikonsiderojnë. Në fund të fundit, pse të krijosh probleme? Prandaj, për shumëkënd, argumenti më i fortë në këtë çështje është një deklaratë emocionale që pohon gjendjen ekzistuese (status quo). Përballë këtij lloji argumenti, u detyrova të arrija në përfundimin e hidhur se parimi rregullues ishte mjaft i “vdekur” në shumicën e denominacioneve të Reformuara. Kishat me buzë i bënin jehonë këtij parimi, por ajo që më bindi se parimi nuk “jetonte” më në shumicën e Kishave të Reformuara ishte lloji i arsyeve, ose argumenteve, që paraqiteshin për të mbrojtur praktikën e sotme. Disa as që nuk pretenduan që të mbështeteshin në të dhëna biblike. Të tjerë i referoheshin, në mënyrë më të përgjithshme, “mësimit të gjerë” të Shkrimit.

Së pari, ne mund të konsiderojmë argumentin nga analogjia. Një shembull i këtij lloji argumenti është: meqënëse nuk na jepen lutje të caktuara në Bibël, as ne nuk duhet të ndjejmë se jemi të kufizuar vetëm te psalmet e frymëzuara. Problemi që kam me këtë argument është se nuk gjej asnjë bazë për të në Shkrim. Përkundrazi, ajo që unë gjej është se Perëndia ka dhënë një urdhërim të ndryshëm për secilin element të adhurimit të autorizuar. Zoti ynë nuk na la pa udhëzime të veçanta për sa i përket lutjes, ashtu siç nuk na la pa udhëzime të tilla për të kënduarin tonë. Ajo që Ai bëri ishte të mësonte atë që zakonisht quhet “Lutja e Zotit,” duke thënë se duhet të lutemi “në këtë mënyrë” (Mat. 6:9). Me fjalë të tjera, lutja është një model për ne, të cilin jemi të urdhëruar ta ndjekim. Dhe kjo nuk është e gjitha. Apostulli Pal na kujton: “Ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.” (Romakëve 8:26–27) Pra, jo vetëm që kemi një model të përgjithshëm që jemi të urdhëruar ta ndjekim, por kemi edhe një premtim të veçantë për ndihmën e Frymës, në vend, nëse mund ta themi kështu, ndërsa ndjekim atë model. Por nuk ka asnjë sigurim të tillë për “ndihmë të menjëhershme” në hartimin e këngëve tona për adhurim. Përkundrazi, i njëjti Apostull i urdhëroi besimtarët e Efesit dhe të Kolosit, jo që të hartonin psalmet, himnet dhe këngët e tyre shpirtërore, por të këndonin ato që tashmë i kishin në Bibël.(27)

Argumenti nga analogjia nuk është i vlefshëm. Për shembull, ne nuk mund të argumentojmë se të gjithë mund të predikojnë sepse të gjithë mund të këndojnë në adhurim. Po ashtu, nuk mund të argumentohet se vetëm disa duhet të këndojnë, sepse vetëm disa janë të lejuar të predikojnë Fjalën e Perëndisë. Disa pretendojnë se, meqë predikuesi nuk kufizohet vetëm në fjalët e sakta të Shkrimit gjatë predikimit, kjo nuk ka nevojë të bëhet as në këndim. Por kjo lë pa vënë re faktin se shërbyesit janë të urdhëruar të shpjegojnë dhe të zbatojnë tekstin e Shkrimit në predikim. Por askund nuk jepet një urdhërim i ngjashëm për sa i përket këndimit.

Ndoshta argumenti më tërheqës kundër përdorimit ekskluziv të psalmeve në adhurim, dhe në favor të prodhimit e përdorimit të himneve moderne, është argumenti nga historia e shpëtimit. Thuhet se në të kaluarën, sa herë që kishte një epokë të re të madhe të zbulesës hyjnore, ajo nxiste edhe një derdhje të re këngësh. Prandaj, thuhet se sot ka nevojë për këngë të reja, përtej atyre të Psalterit, për të kremtuar përmbajtjen e zbulesës më të madhe të të gjitha kohërave, që erdhi në mishërimin e Krishtit. Problemi im me këtë argument është se, nëse do të ishte i vërtetë, vetë Dhiata e Re do të kishte një libër të ri lavdërimesh. Nëse do të kishte nevojë për të, padyshim që apostujt do ta kishin kuptuar të parët. Dhe, si njerëz të frymëzuar nga Hyji, ata do të kishin qenë më të aftët për ta plotësuar këtë nevojë. Megjithatë, fakti i pamohueshëm është se ne nuk kemi një libër psalmesh në Dhiatën e Re. Në vend të kësaj, kemi udhëzimin e Palit për të kënduar psalmet, himnet dhe këngët shpirtërore që ata tashmë i kishin, në versionin e Septuagintës të Biblës që përdornin kishat apostolike.

Ky argument nga historia e shpëtimit është i gabuar. Ai hamendëson atë që duhet të provohet. Ai hamendëson se Psalteri i Dhiatës së Vjetër është i papërshtatshëm për popullin e Perëndisë në Besëlidhjen e Re. Ai hamendëson nevojën për diçka më të mirë. Dhe më tej, hamendëson aftësinë e njerëzve të pafrymëzuar sot për të ofruar atë që mendohet se mungon. Unë nuk shoh se ndonjë nga këto hamendësime të jetë e vlefshme.

Përfundim

A tingëllon e gjitha kjo dekurajuese? Me të vërtetë do të ishte, nëse nuk do të kishte asnjë përmirësim në horizont. Por ka. Të paktën nga përvoja ime, në vitet e fundit, jo pak të rinj të krishterë duket se e ndiejnë se diçka është shumë gabim. Të përballur me “kaosin e praktikave moderne të adhurimit”, ata kanë filluar të shohin nevojën për një parim të vlefshëm dallimi, me anë të të cilit të ndajnë gjërat që janë të shenjta dhe të mira nga ato që janë të pavlera dhe të këqija. Çfarë është vërtet e kënaqshme për Perëndinë, dhe çfarë duhet refuzuar? Kur njerëzit duan të shpikin këtë apo atë element të ri në adhurimin e Perëndisë, si mund t’u japim një përgjigje bindëse? Pika ime është që situata e sotme po i shtyn shumë, me dëshirë ose pa dëshirë, të rishqyrtojnë qëndrimin e etërve tanë shpirtërorë. A mund të jetë që ata kishin të drejtë kur e theksonin aq fuqishëm këtë parim? Gjëja inkurajuese është se ka jo pak njerëz të rinj që po e shikojnë këtë çështje me seriozitet të ri. Zoti bëftë që shumë të kthehen përsëri te ky standard biblik.

Gjëra që nuk janë urdhëruar nga Perëndia tani janë thellësisht të rrënjosura në shumicën e Kishave të Reformuara. Do të duhet një reformacion i ri për ta ndryshuar këtë. Por ajo ditë nuk do të vijë, nëse ne, pastorët e Reformuar, të paktën nuk fillojmë ta ngremë këtë çështje.

___

Shënime

(1) Doktrina Biblike e Adhurimit (Pittsburgh: Reformed Presbyterian Church of North America, 1974), f. 50.
(2) Sa shumë presbiterianë sot janë të vetëdijshëm për faktin se Rrëfimi i Besimit të Uestministerit (XXI.iv) përcakton “këndimin e psalmeve” në adhurimin publik?
(3) “Dhe Zoti e pa me pëlqim Abelin dhe flinë e tij.” (Zan. 4:4) “Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim më të mirë se Kaini…” (Heb. 11:4)
(4) Rrëfimi i Besimit të Uestministerit flet për ato të vërteta që “mund të nxirren nga Shkrimi me përfundim të mirë dhe të domosdoshëm” (I.vi). Nuk shohim asnjë arsye pse i njëjti parim të mos ketë qenë i vlefshëm edhe në kohën e Abelit, mbi bazën e zbulesës që ishte dhënë nga Perëndia.
(5) “Meqë Apostulli e lidh lavdinë e flijimit të pranuar të Abelit me besimin, rrjedhimisht, së pari, ai nuk e kishte ofruar atë pa urdhrin e Perëndisë (Heb. 11:4). Së dyti, ka qenë e vërtetë që nga fillimi i botës, se bindja është më e mirë se flijimet (1 Sam. 15:22), dhe është nëna e çdo virtyti. Prandaj rrjedh se njeriu është mësuar nga Perëndia se çfarë i është e pëlqyeshme Atij.” — Zhan Kalvin, Komentet e Kalvinit, (Grand Rapids: Baker Book House, 1984), 1:192–93.
(6) Zhan Kalvin, Institutat e Fesë së Krishterë, II.viii.
(7) Zhan Kalvin, Komentet mbi Katër Librat e Fundit të Moisiut, 2:107.
(8) Zhan Kalvin, Vepra të Përzgjedhura, 1:34.
(9) Po aty, f. 115.
(10) Kalvini: “Krimi i tyre përmendet, domethënë që ata ofruan temjan në një mënyrë të ndryshme nga ajo që Perëndia kishte urdhëruar; dhe rrjedhimisht, edhe pse mund të kenë gabuar nga padituria, u shpallën fajtorë nga urdhri i Perëndisë për neglizhencë në një çështje që kërkonte më shumë kujdes… Le të mësojmë, pra, që t’i përmbahemi urdhërave të Perëndisë, në mënyrë që të mos e korruptojmë adhurimin e Tij me ndonjë shpikje të huaj.” — Komentet e Kalvinit, 2:431–32.
(11) “Katër burra të pavlerë përpiqen me ligësi të përmbysin Moisiun dhe Aaronin; dhe menjëherë dyqind e pesëdhjetë veta janë gati t’i ndjekin… prandaj duhet të jemi aq më të kujdesshëm, që ndonjë vegim mashtrues (larvae) të mos na mashtrojë për të bërë risi të pamenduara.” — Komentet e Kalvinit, 3:100.
(12) “Levitët, ose më saktë Kohatitët, ishin urdhëruar shprehimisht të mbartnin arkën. Mënyra e bartjes ishte gjithashtu e urdhëruar… Atyre u ishte ndaluar ta preknin arkën nën dënimin me vdekje… Dhe vlen të përmendet se ata paganë nuk ishin vrarë për ta prekur arkën, ndërsa për të njëjtin veprim populli i Perëndisë, që duhej ta dinte më mirë, u mësua me një mësim të tmerrshëm.” — John Girardeau, Instrumental Music in the Public Worship of the Church, f. 18.
(13) “Qëllimi i Davidit ishte i drejtë, nuk mund të gjendet faj në të; por gjërat e drejta duhet të bëhen në mënyrën e drejtë… Gjatë gjithë këtij episodi, shohim se nuk iu kushtua kujdes urdhërave të Perëndisë dhe rregullave që Ai kishte vendosur. Populli solli adhurim sipas vullnetit të vet, në vend të atij që Ai kishte urdhëruar. Çfarë dua të them me adhurim sipas vullnetit? Dua të them çdo lloj adhurimi që nuk është përcaktuar në Fjalën e Perëndisë… Si do të doja që të gjitha denominacionet fetare t’i sillnin urdhëresat dhe format e tyre të adhurimit në provën e lartë të Dhiatës së Re… Por, për fat të keq! Ata e dinë se shumë gjëra që tani janë të këndshme për mishin do të duhej të hiqeshin, dhe për këtë arsye, kam frikë se do të kalojë shumë kohë para se t’i sjellim të gjithë të adhurojmë Perëndinë sipas rendit të Tij.” — C. H. Spurgeon, predikim mbi “Mësimin e Uzahut.”
(14) Duke komentuar këtë deklaratë, Kalvini thotë: “Nuk ka nevojë për argument tjetër për të dënuar supersticionet, përveç faktit që ato nuk janë urdhëruar nga Perëndia; sepse kur njerëzit e lejojnë veten të adhurojnë Perëndinë sipas mendjeve të tyre dhe nuk i kushtojnë vëmendje urdhërave të Tij, ata e shtrembërojnë fenë e vërtetë.” — Komentet e Kalvinit, 9:414.
(15) “Me këto fjalë [‘kot më adhurojnë,’ etj.], çdo lloj adhurimi sipas vullnetit (ethelothreskeia), siç e quan Pali (Kol. 2:23), dënohet qartë. Sepse, siç kemi thënë, meqë Perëndia dëshiron të adhurohet në asnjë mënyrë tjetër përveç asaj që Ai vetë ka caktuar, Ai nuk mund të durojë mënyra të reja adhurimi të shpikura.” — Komentet e Kalvinit, 16:253.
(16) Komentet e Kalvinit, 17:150–164.
(17) “Nëse adhurimi duhet të jetë në përputhje me natyrën e Perëndisë, ai duhet të jetë në harmoni me atë që Perëndia ka zbuluar për veten dhe të rregullohet për nga përmbajtja dhe mënyra nga zbulesa që Ai ka dhënë në Shkrimin e Shenjtë. Sanksioni i shpallur (‘në frymë dhe në të vërtetë’) përjashton çdo shpikje dhe imagjinatë njerëzore dhe na paralajmëron kundër fyerjes dhe rrezikut të ofrimit të ‘zjarrit të palejueshëm’ për Zotin.” — John Murray, “The Worship of God in the Four Gospels,” në The Biblical Doctrine of Worship, f. 93.
(18) “Jezusi nuk sugjeron me këto fjalë… që ne lejohemi të mësojmë atë që Ai nuk e ka ndaluar, por nënkupton se ne as nuk do të shtojmë, as nuk do të heqim nga ajo që Ai ka urdhëruar.” — Norman Shepherd, “The Biblical Basis for the Regulative Principle of Worship,” në The Biblical Doctrine of Worship, f. 44.
(19) Kalvini, po aty, f. 390.
(20) “A habitemi që Pali kishte frikë se kishte punuar kot, se ungjilli nuk do të kishte më dobi? Dhe meqë ky përshkrim i paudhësisë tani mbështetet nga Papat, çfarë lloj Krishti apo çfarë ungjilli ruajnë ata? Sa i përket lidhjes së ndërgjegjeve, ata e zbatojnë vëzhgimin e ditëve me jo më pak rreptësi se sa bëhej nga Moisiu. Ata i konsiderojnë festat, jo më pak se profetët e rremë, si pjesë të adhurimit të Perëndisë… Prandaj, papistët duhet të mbahen po aq fajtorë sa dhe apostujt e rremë; dhe me këtë rëndim shtesë, se ndërsa të parët donin të mbanin ditët e caktuara nga ligji i Perëndisë, këta të fundit shpikin ditë të vulosura me vulën e tyre, për t’u mbajtur si më të shenjta.” — Komentet e Kalvinit, 21:125.
(21) “Vini re,” thotë Kalvini, “nga çfarë ngjyrash përbëhet kjo shfaqje, sipas Palit. Ai përmend tre — adhurim të shpikur, përulësi dhe mospërfillje të trupit… Pali, megjithatë, i lë mënjanë këto maska, sepse ajo që është e lartë në sytë e njerëzve shpesh është neveri në sytë e Perëndisë (Luka 16:15)… Sepse duhet të jetë një pikë e qëndrueshme për të gjithë të perëndishmit, që adhurimi i Perëndisë nuk duhet të matet sipas mendimeve tona; dhe se… çdo lloj shërbimi nuk është i ligjshëm, vetëm sepse është i këndshëm për ne.” — Komentet e Kalvinit, 21:201–02.
(22) Rrëfimi i Besimit të Uestministerit, XX.ii.
(23) Vëreni, për shembull, deklaratën e Palit në 1 Kor. 11:23: “Sepse unë e mora nga Zoti atë që edhe juve ju përcolla…”
(24) Monsma dhe Van Dellen, The Church Order Commentary (Grand Rapids: Zondervan Publishing Company, 1941), f. 273.
(25) Po aty.
(26) Po aty, f. 274.
(27) Është fakt domethënës që këto tre terma (psalmos, hymnois dhe odais) janë përdorur në titujt e Psalmeve në versionin Septuagint të Dhiatës së Vjetër, që ishte Bibla e përdorur nga Kishat Apostolike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes