Tatuazhet dhe i Krishteri
Përkthyer nga Wabashbible
A duhet të bëj një tatuazh? Çfarë duhet të bëj nëse tashmë kam tatuazhe? Çfarë mëson Bibla për tatuazhet dhe të krishterin?
Tatuazhet janë bërë mjaft të përhapura në Perëndim vitet e fundit. Disa njerëz argumentojnë se Shkrimi është i paanshëm ndaj kësaj praktike. Por duke shqyrtuar me kujdes mësimet e Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re për këtë çështje, studenti i zellshëm i Shkrimit mund të formojë një qëndrim të informuar nga Bibla. Çdo i krishterë dhe çdo i ri që nuk ka vendosur akoma nëse duhet të bëjë apo jo një tatuazh, duhet t’i bëjë vetes pyetjen: “A i pëlqejnë këto tatuazhe Perëndisë? Çfarë ka Bibla për të më mësuar në lidhje me këtë?”
Në këtë artikull, ne paraqesim dhjetë arsye se pse të krishterët nuk duhet të bëjnë tatuazh dhe pse praktika e tatuimit është në kundërshtim me parimet e besimit të krishterë, siç është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë.
Përpara se të shqyrtojmë këto dhjetë pika, ne duam të themi një fjalë për ata që tashmë kanë tatuazhe.
Disa të krishterë kanë bindjen se duhet t’i heqin tatuazhet e tyre. Të tjerë mund të vendosin ndryshe për shkak të kostos dhe vështirësisë, ose mund të jenë të bindur se tatuazhet e tyre janë pjesë e dëshmisë së kthimit të tyre. Të tjerë mund të mos kenë ende bindje të qarta lidhur me mësimin biblik për këtë çështje. Pavarësisht nga bindjet e tua, ne duhet të kujtojmë se “Zoti nuk shikon si shikon njeriu; njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7). Perëndia është i hirshëm dhe vetëm Ai i njeh motivet e zemrave të njerëzve.
Nëse ke një tatuazh, ky nuk është një artikull gjykimi apo dënimi. Përkundrazi, është një mesazh i së vërtetës, dashurisë dhe lirisë. Është doktrinë, qortim, ndreqje dhe udhëzim në drejtësi (2 Tim. 3:16). Ne besojmë se Shkrimi ka diçka për të thënë për këtë çështje, sepse “fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së Atij që na thirri përmes lavdisë dhe virtytit.” (2 Pjetri 1:3); Shkrimi është i mjaftueshëm për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve.
Çdo i krishterë duhet të pyesë veten nëse praktika e tij i pëlqen Perëndisë apo jo. Apostulli Pal thotë te 2 Korintasve 5:9: “Prandaj edhe e kemi për nder ti pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke e lënë atë.”
Atëhere, cfarë është një tatuazh?
Fjalori e përkufizon një tatuazh si: “Një shenjë ose dizajn i përhershëm i bërë në lëkurë me anë të një procesi shpues dhe futjeje të pigmentit të paheqshëm…”
Le të shqyrtojmë tani dhjetë arsyet se pse të krishterët nuk duhet të bëjnë tatuazhe:
#1. Vargu i vetëm në Shkrim që i referohet tatuazheve, flet për to në mënyrë negative, si të papërshtatshme për shenjtërinë e popullit të Perëndisë dhe të ndaluara nga ligji ceremonial i besëlidhjes së vjetër.
Përkthimi i Mbretit Xhejms (KJV) — Levitiku 19:28: “Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për të vdekurit, as mos bëni shenja mbi ju: Unë jam ZOTI.”
Përkthimi i Ri i Mbretit Xhejms (KJV) — Levitiku 19:28:
“Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për të vdekurit, as mos bëni ndonjë shenjë tatuazhi mbi ju: Unë jam ZOTI.”
Përkthimi i Ri Ndërkombëtar (NIV) — Levitiku 19:28:
“Mos prisni trupat tuaj për të vdekurit dhe mos bëni shenja tatuazhi mbi veten tuaj. Unë jam ZOTI.”
Është e vërtetë që ligji ceremonial i besëlidhjes së vjetër u përmbush në Krishtin dhe për këtë arsye ligjet ceremoniale dhe civile të Levitikut nuk janë më të detyrueshme për të krishterin. Megjithatë, ligji moral mbetet ende i detyrueshëm për të krishterët, dhe kjo përfshin ndalimin e paganizmit, magjisë dhe shtrigërisë, si edhe të imazheve dhe idhujtarisë (tre urdhërimet e para). Urdhërimi i gjashtë kërkon që të mos i bësh dëm trupit njerëzor.
Është e zakonshme që të shohësh tatuazhe me emra ose data të miqve apo të afërmve të vdekur. Kjo është padyshim e ngjashme me praktikën e ndaluar te Levitiku 19:28.
Parimi i Levitikut 19:28 është në përputhje me mësimet e Dhiatës së Re që do të shqyrtojmë më poshtë. A ka ndonjë arsye që të besojmë se Perëndia do dëshironte që një i krishterë të sakatosë trupin e tij ose të vendosë shenja mbi lëkurën e tij për ndonjë arsye? A ka ndonjë arsye të besojmë se një praktikë e tillë në ndonjë mënyrë do t’i pëlqente Perëndisë? E kundërta ndodh, ka arsye për të besuar se Perëndia i ndalon praktika të tilla në popullin e Tij të shenjtë.
Gjatë historisë, tatuazhet janë lidhur me paganizmin, dhe historia tregon se ato janë shmangur nga krishterimi protestant dhe kultura perëndimore. Pse? Sepse ata e kuptonin që tatuazhi cenon shenjtërinë e trupit njerëzor.
#2. Tatuazhet janë të dëmshme për trupin, lëkurën dhe shëndetin e njeriut.
Praktika e tatuazheve është kundër natyrës. Ndërkohë që disa fëmijë lindin me njolla apo shenja lindjeje, asnjë fëmijë nuk lind me tatuazh. Kafshët, të cilat janë më të ulëta se njerëzit, nuk kanë tatuazhe. Mendo për një delfin, një flamingo rozë apo një gjirafë të mbuluar me tatuazhe. Është dicka e paimagjinueshme. Dhe Perëndia e krijoi njeriun më të lartë se çdo krijesë tjetër:
Moisu shkroi: “Pastaj Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, dhe në ngjasim me ne; dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët mbi gjithë tokën, mbi gjithë rrëshqanorët që zvarriteten mbi dhe. Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet; sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë e krijoi; Ai krijoi mashkullin e femrën.” (Zan. 1:26–27).
Qeniet njerëzore u krijuan në ngjashmërinë dhe shëmbëlltyrën e Perëndisë.
Ngjyrat, bojërat, pigmentet dhe gjilpërat e përdorura për tatuazhe, ose djegiet e tjera të lidhura me shenjat trupore e sakatimet, nuk sjellin kurrë ndonjë përfitim shëndetësor. Përkundrazi, ato dëmtojnë lëkurën dhe gjakun. Tatuazhet mund të shkaktojnë reaksione alergjike dhe infeksione. Nëse nuk plotësohen kushtet e duhura shëndetësore dhe higjienike, një tatuazh mund të çojë në infeksion, përhapjen e Hepatitit B dhe C, madje edhe HIV. Pigmentet dhe bojërat mund të kontribuojnë në zhvillimin e kancerit të lëkurës dhe të kancereve të tjera të mundshme.
#3. Tatuazhet janë të parikthyeshme.
Një tatuazh e ndryshon lëkurën e një njeriu në mënyrë të përhershme. Shumë njerëz, për arsye të ndryshme, më vonë në jetë, janë penduar për tatuazhet e tyre. Dhe heqja e një tatuazhi nuk është pa dhimbje, as e lehtë, as e lirë, dhe lëkura njerëzore nuk mund të rikthehet kurrë në gjendjen e saj të pastër fillestare. Do të ishte marrëzi të duroje me vetëdije dhimbjen, koston dhe kohën e kaluar për të bërë një tatuazh, nëse nuk ke ndërmend ta mbash për gjithë jetën.
#4. Tatuazhet e shëmtojnë tempullin e Frymës së Shenjtë.
1 Korintasve 6:15a: “A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit?”
1 Korintasve 6:19: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilën e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.”
Tatuazhet e shëmtojnë tempullin e Frymës së Shenjtë. Tatuazhet janë përshfytyruese. Ato e ndryshojnë përgjithmonë pamjen e një burri apo gruaje, djali apo vajze. Nëse Krishti do donte që trupi yt të dukej ndryshe, përse nuk të bëri Ai në atë mënyrë?
Perëndia nuk është i interesuar vetëm për mendjen, shpirtin dhe zemrën tënde; edhe trupi yt duhet të jetë një enë nderi për Krishtin. Meqenëse trupat tanë janë tempulli i Frymës së Shenjtë, ata duhen mbajtur të pastër, të kulluar dhe të shenjtë. Jezu Krishti nuk bëri tatuazhe me engjëj, vargje biblike apo gjëra të tjera në trupin e Tij. As dishepujt e Tij. Apostujt e Krishtit nuk inkurajuan askënd që të bënte tatuazh.
Historikisht, tatuazhet ose forma të ndryshme djegjeje-shenjimi përdoreshin mbi skllevërit, të burgosurit dhe kafshët, për t’i shënuar si pronë e një zotëruesi ose si simbol i dukshëm i skllavërisë. (Sot disa njerëz bëjnë tatuazhe me zinxhirë, shkronja, numra, që ngjajnë me tatuazhet që u vendoseshin skllevërve dhe të burgosurve në antikitet.) Nuk është e përshtatshme të hamendësojmë se Perëndia do të ishte i kënaqur nëse një i krishterë e shënon veten me numra, fjalë apo imazhe—even nëse ato kanë një pamje “të krishterë”.
Ndërsa të krishterët janë skllevër të Krishtit, a nuk do të binte një tatuazh “i krishterë” në kategorinë e mëkateve mendjemëdha? Mëkatet mendjemëdha janë ato të bëra me “qëllime të mira”, por që shkelin ligjin e Perëndisë dhe mësimet apo parimet biblike. Të krishterët kurrë nuk duhet të përshtatin dhe të konformojnë rrugët e tyre me ato të botës pagane:
Ligji i Përtërirë 12:30–31: “Ruaju që të mos biesh në kurthin e ngritur, duke ndjekur sembullin e tyre, pasi ata të jenë shkatërruar përpara teje; dhe të informohsh mbi perënditë e tyre, duke thënë: ‘Si u shërbenin këto kombeve perëndive të tyre? Edhe unë do të veproj kështu.’ Ti nuk do të veprosh kështu me Zotin, Perëndinë tënd, sepse ata me perënditë e tyre kanë bërë tërë ato gjëra të neveritshme për Zotin dhe që ai i urren…”
Romakëve 12:1–2: “Ju lutem, pra, o vëllezër, nëpërmjet mëshirave të Perëndisë, t’i paraqisni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, që është shërbesa juaj e mencur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.”
Jezusi tha: “Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë” (Gjoni 8:36). Nëse një njeri është i lirë, përse do të dëshironte të merrte pamjen e një të burgosuri, skllavi ose pagani?
#5. Perëndia është Artisti i Madh; ne jemi kryevepra e Tij e përsosur.
Siç u citua më parë nga Zanafilla, ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Perëndia e ka bërë çdo njeri të bukur në sytë e Tij. Ai është Krijuesi; ne jemi krijesa e Tij dhe kryevepra e Tij e përsosur.
Perëndia ka krijuar qenie njerëzore me shumëllojshmëri të madhe. Ndërsa ekziston unitet mes njerëzimit (të gjithë njerëzit janë të ngjashëm në shumicën e veçorive trupore; meshkujt kanë ngjashmëri trupore me njëri-tjetrin; dhe femrat kanë ngjashmëri trupore me njëra-tjetrën gjithashtu), ekziston edhe një diversitet i madh.
Perëndia krijoi njerëz me ngjyra të ndryshme të flokëve (të zinj, kafe, të kuq, biond), me nuanca të ndryshme dhe struktura të ndryshme (valëzuar, drejt, kaçurrel). Perëndia krijoi njerëz me ngjyra të ndryshme të lëkurës, me nuanca të ndryshme të së zezës, kafenjtës dhe bardhësisë (pa përmendur nishanet, gropëzat, rrudhat, shenjat e lindjes, gjurmët e gishtave). Qeniet njerëzore kanë një shumëllojshmëri ngjyrash të syve (nuanca të ndryshme kafe, blu, jeshile, lejla). Njerëzit ndryshojnë në gjatësi, peshë dhe shumë tipare të tjera.
Ne lexojmë se në Krijim, “Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Dhe u bë mbrëmje dhe u bë mëngjes, dita e gjashtë.” (Zanafilla 1:31).
Perëndia është Artisti i Madh. Ai krijoi universin, botën dhe gjithçka që është në të. Shiko format e reve, lindjen e diellit, perëndimin, dhe yjet gjatë natës. Shiko peizazhet e ndryshme të planetit. Shiko oqeanin dhe dallgët e tij. Shiko larmishmërinë e pemëve, bimëve, peshqve, kafshëve tokësore, frutave, perimeve, shpendëve dhe luleve.
Perëndia nuk është vetëm Artist; Ai është Krijuesi. Ne jemi krijesa e Tij. Jemi kryevepra e Tij.
Është e vërtetë se për shkak të mallkimit të mëkatit, disa lindin me të meta, probleme të lëkurës apo shqetësime shëndetësore. Nuk ka asgjë mëkatare në trajtimin ose korrigjimin e një gjendjeje shëndetësore (p.sh. drejtimi i dhëmbëve të shtrembër, korrigjimi i buzë-çarjes, trajtimi i akneve, etj.). Ajo që po diskutojmë këtu është ndryshimi i bukurisë natyrore, për shkak të bindjes së gabuar se njeriu mund të bëjë më mirë se Krijuesi.
Perëndia u dha burrave dhe grave ngjyra të bukura të flokëve. A nuk do të ishte rebelim të ndiqje rrugët e botës pagane, të lyesh flokët rozë, jeshil, vjollcë ose blu, gjë që është kundër natyrës? A nuk është një akt rebelimi të jesh i pakënaqur me trupin që Perëndia të ka dhënë? Çfarë është një tatuazh veçse një zëvendësim i trupit, lëkurës dhe pamjes që Zoti i qiellit ta ka dhënë? Një tatuazh e shpërfytyron kryeveprën e Artistit të Madh; është një refuzim i bukurisë së dhënë nga Perëndi, bukurisë natyrore.
#6. Imazhet dhe idhujtaria janë të ndaluara.
Në vende të tjera kemi diskutuar ndalimin biblik të imazheve dhe idhujtarisë. Shumë tatuazhe përfshijnë imazhe kafkash, dragojsh, engjëjsh, perëndish, perëndeshash, objekte fetare, njerëz të famshëm ose ekipe sportive. Nëse një njeri vendos një imazh të tillë mbi trupin e tij, a nuk duket kjo sikur e shndërron trupin e tij në një billboard publik për atë imazh, gjë që do të ishte një formë idhujtarie? Imazhe të tilla dhe idhujtaria në mënyrë të qartë shtrembërojnë dhe ndotin tempullin e shenjtë të Perëndisë, që është i krishteri.
#7. Krenaria është e ndaluar.
Fjalët e Urta 16:18: “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.”
Ezekieli 16:49-50: “Ja, kjo qe paudhia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në krenari, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar; por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfërit. Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje; prandaj i hoqa nga mesi, kur e pashë këtë”.
Të tatuosh fjalë, fraza, fjali apo imazhe mbi trupin tënd do të thotë të tërheqësh vëmendjen te vetja dhe të ftosh të tjerët të shikojnë, të sodisin, madje edhe të admirojnë trupin tënd. Të tërheqësh vëmendjen te vetja ushqen krenari dhe mendjemadhësi. Përulësia kërkon që të krishterët të jenë të përulur dhe të matur (Titi 2:5).
1 Timoteut 2:9-10 thotë: “Po ashtu edhe gratë, të stolisin veten e tyre me rroba të ndershme, me cipë dhe modesti, dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta, por përmes veprave të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmërisë.”
#8. Njeriu sheh të jashtmen; Perëndia sheh zemrën.
1 Samuelit 16:7: “Por Zoti i tha Samuelit: ‘Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon siç shikon njeriu; njeriu shikon pamjen, urse Zoti shikon zemrën.”
Luka 16:15: “Ai [Jezusi] u tha atyre [farisenjve]: ‘Ju jeni ata që e nxirrni veten të drejtë përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Sepse ajo që është e lartë ndër njerëzit, është e neveritshme para Perëndisë.”
Të krishterët janë thirrur të jenë administratorë të mirë të parave dhe burimeve që Ai u jep. Të shpenzosh para për tatuazhe është e panevojshme; është të përqendrohesh tek ndryshimi i së jashtmes, jo i së brendshmes. Dhe në ç’mënyrë një ndryshim i tillë është i mirë apo lavdëron Perëndinë?
Disa mund të argumentojnë që Perëndia na jep liri të krishterë për të krijuar vepra arti. Po, pa dyshim. Michelangelo dhe Claude Monet janë të famshëm për aftësitë e tyre artistike. Kush do t’i kujtonte ata nëse thjesht do t’u kishin bërë vetëm “art trupor” me tatuazhe trupave të njerëzve?
#9. Njeriu i botës e shpreh veten përmes trupit; njeriu i krishterë jeton me Frymën.
Filipianëve 4:8: “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.”
Perëndia nuk u thotë bijve të Tij të tatuojnë mbi trupet e tyre atë që është e vërtetë, fisnike, e drejtë, e pastër, e bukur, e mirë, virtuoze dhe e lavdërueshme. Përkundrazi, Ai thotë që të meditojmë mbi këto gjëra. Perëndia nuk u thotë bijve të Tij të tatuojnë një figurë të Biblës në krah ose në këmbë. Ai thotë të meditojmë mbi Shkrimin dhe ta fshehim në zemër (Psalmi 1; 119). Krishtërimi është një fe e mendjes, e intelektit dhe e zemrës.
Njeriu i botës, njeriu pagan, është mishor dhe i përqendruar në dëshirat e mishit, në pasionet mishore.
Romakëve 8:5-11: “Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë. Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij. Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë. Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju. ”
Paganin e konsumojnë dëshirat e liga të mishit – ushqimi (pangopësia), alkooli dhe drogërat (dehja dhe magjia), idhujtaria dhe imoraliteti seksual.
I krishteri është i thirrur të meditojë mbi atë që është e virtytshme, të ripërtërijë mendjen çdo ditë, të meditojë mbi ligjin e Perëndisë ditë e natë (Rom. 12:1-2; Psalmi 1).
Shumë mësues të rremë sot mburren se “nuk jemi më nën ligj, por nën hir,” duke shtrembëruar fjalët e Palit te Romakëve 6:14. Kjo deklaratë është e vërtetë në një kuptim – ne jemi të drejtësuar vetëm me anë të hirit, të shpëtuar pa veprat e ligjit. Megjithatë, ne tani jemi më shumë se kurrë nën ligjin moral të Perëndisë. Tani, nën dritën më të qartë të besëlidhjes së re, sic na është zbuluar në Dhiatën e Re, jemi edhe më shumë përgjegjës ndaj Perëndisë për t’ju bindur Perëndisë dhe ligjit të Tij.
Pali thotë te Romakëve 6:13-18: “As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë. Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir. Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë! A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi? Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar. Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.”
Pali nuk po justifikon tatuazhet, sakatimin e trupit apo ndonjë praktikë të tillë. Gjetiu, Pali paralajmëron: “Ruhuni nga punëtorët e mbrapshtë, ruhuni nga të prerët!” (Fil. 3:2).
Hiri nuk është licencë për të mëkatuar (Rom. 6:15). Përkundrazi, hiri na çliron nga doktrinat njerëzore dhe kërkesat e shpikura nga njeriu (Mat. 15:9; Marku 7:7; Kol. 2:22). Ne jemi të drejtësuar vetëm me anë të hirit, por ne jemi liruar që ti shërbejmë Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe shenjtëri. Ne jemi skllevër të Krishtit dhe skllevër të drejtësisë.
Pali i udhëzon Efesianët (Ef. 5:8-19):
“Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,
[Të krishterët nuk duhet të jetojnë në padituri, errësirë, magji, ose në një nënkulturë gotike, me kafka e kocka të kryqëzuara, apo në mesjetarizëm.]
sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë, duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë. Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni, sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.
[Të krishterët janë të huaj dhe shtegtarë në tokë, të veçuar nga bota pagane dhe veset e saj.]
Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë. Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty.” Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.
[Si do të ishte bërja e një tatuazhi një mënyrë e përshtatshme për “shfrytëzuar kohën,” këtë kohë të shkurtër që kemi në këtë jetë?]
Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.
[Perëndia na e zbulon vullnetin e Tij vetëm në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re; ato janë vullneti i zbuluar i gjithë-mjaftueshëm i Perëndisë.]
Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,
[Jobesimtarët gjejnë strehë në dehjen me alkool dhe me drogëra; të krishterët gjejnë lumturi në Krishtin dhe në Frymën e Tij, ndërsa i afrohen Atij përmes Fjalës së Tij.]
duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,
[Duke kënduar psalmet, duke medituar mbi Shkrimin dhe duke adhuruar Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë, të krishterët gjejnë kuptim të vërtetë dhe kënaqësi.]
#10. Të krishterët duhet të jenë të shenjtë, të veçuar nga bota, mishi dhe djalli, dhe të veçuar për Perëndinë.
Bota i do tatuazhet. Shumë yje të Hollywood-it, sportistë dhe muzikantë i duan tatuazhet. Njerëz nga shumë tradita fetare i duan tatuazhet. Shumë njerëz që e urrejnë Perëndinë i duan tatuazhet. Pse? Perëndia thotë: “Të gjithë ata që më urrejnë mua [Perëndinë, ose urtësinë e mishëruar] duan vdekjen” (Fjalët e Urta 8:36). Cilat janë disa nga tatuazhet më të zakonshme? Kafkat, imazhet e vdekjes ose dhunës, drogërat, dragojt, dhe referencat për vdekjen. Dhe njeriu mishor e vendos mendjen te gjërat e mishit.
Perëndia i thërret bijtë e Tij që të jenë të shenjtë, të veçuar nga bota dhe mënyrat e saj mishërore, nga mishi (dhe shpikjet e tij të mishit), dhe nga djalli dhe rrugët e tij të liga. Të krishterët nuk duhet të lidhen me errësirën e kësaj bote dhe me nënkulturat e saj të pandershme.
Perëndia është Artisti Mjeshtër. Artisti i tatuazheve vepron në vend të Perëndisë, ndërsa krijon kryeveprën e tij përmes imagjinatave të tij mishore dhe të shpikura nga njeriu. Kjo nuk është e pajtueshme me artin e krishterë. Artisti i krishterë mendon mendimet e Perëndisë pas Tij; ai vendos në kanavacë ose kap me fotografi bukurinë e Krijimit të Perëndisë. Artisti i tatuazheve kërkon të ndryshojë krijimin e Perëndisë, trupin njerëzor. Lëkura njerëzore nuk është për t’u ndryshuar si një letër fotografike, një mur apo një kanavacë e pajetë.
Perëndia na krijoi – trup, shpirt dhe frymë. Perëndia krijoi trupat tanë dhe lëkurën tonë. Ne nuk duhet të ndryshojmë kryeveprën e Tij (veçse për arsye shëndetësore për të shëruar një çrregullim). Ne jemi të thirrur të jemi të veçuar për Perëndinë, të veçuar në trup, në mendje dhe në shpirt.
Romakëve 12:1-2: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.”
Apostulli Pal u tha Athinasve: “Perëndia, pra, duke mos vënë re kohërat e padijes, tani i urdhëron të gjithë njerëzit kudo, që të pendohen” (Veprat 17:30). Të gjithë të krishterët janë të thirrur të lënë të gabuarën dhe të bëjnë atë që është e drejtë. Ne duhet të braktisim veset e botës dhe të përqafojmë virtytet e Krishtit. Ne duhet të vendosim të ndjekim Jezusin dhe të mos kthehemi mbrapa.
2 Korintasve 5:17: “Prandaj, nëse dikush është në Krisht, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan; ja, të gjitha u bënë të reja.”
Duke kuptuar drejt mësimet e Biblës, i krishteri besnik mund të jetojë një jetë pa keqardhje ndërsa ai jeton në përputhje me parimet e Shkrimit.