Një Shpjegim i Thjeshtë Biblik i Pagëzimit të Foshnjave
Pagëzimi i foshnjave është Urdhëruar nga Perëndia në Shkrimet e Shenjta.
Ai është pjesë e traditës apostolike, jo një traditë njerëzore.
Prandaj të Reformuarit dhe Presbiterianët praktikojnë pagëzimin e foshnjave.
Përkthyer nga Wabashbible
Pse Kalvini, Knox-i, Zwingli, Bullingeri, Beza, William Perkins, John Owen dhe shumica e Puritanëve, Matthew Henry, John Cotton, Jonathan Edwards, Bavinck, Kuyper, Hodge, Warfield, Vos, John Murray, G.I. Williamson dhe R.C. Sproul kanë përqafuar pagëzimin e foshnjave? Pse Joel Beeke, Robert Godfrey, Sinclair Ferguson, Augustus Nicodemus dhe shumë teologë e pastorë të nderuar e mbështesin pagëzimin e foshnjave?
Këtu ne japim një shpjegim të thjeshtë dhe biblik të pagëzimit të foshnjave.
1. Perëndia e themeloi sakramentin e rrethprerjes si një shenjë të “besëlidhjes së Tij të përjetshme” me popullin e Tij të zgjedhur, të njohur si besëlidhja e hirit.
Në besëlidhjen me Abrahamin, dhe në vazhdim në besëlidhjen Moisianike (besëlidhja e vjetër), rrethprerja iu aplikua të rriturve si Abrahami, të kthyerve johebrenj, si edhe të gjithë foshnjave meshkuj të Izraelit.
Zanafilla 17:12-13: “Në moshën tetë ditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është një pasardhës i yt. Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para; besëlidhja ime në mishin tuaj do të jetë një besëlidhje e përjetshme. ”
Eksodi 12:48: “Dhe kur një i huaj do të banojë me ty do të dojë të kremtojë Pashkët për nder të Zotit, tërë meshkujt e familjes së tij duhet të rrethpriten më parë dhe pastaj ai le të afrohet për të kremtuar këtë ditë, ai do të konsiderohet si i lindur në vend; por asnjë i parrethprerë s’ka për të ngrënë.”
2. Kisha është vazhdimi i Izraelit në besëlidhjen e re, një popull i vetëm i Perëndisë (Romakëve 11). Dhjata e Re mëson vazhdimësinë e popullit të vetëm të Perëndisë, Kishën, Izraelin e Perëndisë (Gal. 6:16).
Veprat 7:38 (KJV): “Ky është ai që në kishë [gr. ekklesia], në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.”
3. Rrethprerja në besëlidhjen e vjetër dhe pagëzimi me ujë në besëlidhjen e re janë shenja dhe vula të pendesës dhe besimit.
Romakëve 4:11-12: “Edhe mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte pasur kur ishte ende i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t’u llogaritet drejtësia, dhe të ishte atë i të rrethprerëve, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë.”
Veprat 2:38: “Atëherë Pjetri u tha atyre: ”Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.”
4. Pagëzimi i besëlidhjes së re është “rrethprerja e Krishtit”. Kështu, ajo është vazhdim i shenjës së përjetshme të rrethprerjes që shënoi besëlidhjen e përjetshme të hirit, që Perëndia bëri me Abrahamin te Zanafilla 17.
Kolosianëve 2:11-12: “në të cilin ju edhe u rrethpretë me rrethprerjen që nuk u bë me dorë, nëpërmjet zhveshjes së trupit mëkatar të mishit, me anë të rrethprerjes së Krishtit: të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë me të, përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.”
5. Dhiata e Re mëson se të krishterët janë “fëmijë të premtimit” ashtu sic ishte “Isaku”.
Fëmijët e premtimit, si Isaku, u rrethprenë që foshnje. Dhiata e Re nuk e shfuqizon askund praktikën e vendosjes së shenjës së besëlidhjes së Perëndisë te fëmijët e besimtarëve. Përfundimi logjik është që fëmijët e besimtarëve duhet gjithashtu të marrin shenjën e besëlidhjes së hirit, rrethprerjen e Krishtit, që është pagëzimi me ujë, që foshnje.
Galatasve 3:29: “Dhe në qoftë se jeni të Krishtit, atëherë jeni fara e Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit.”
Galatasve 4:28: “Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.”
6. Dhiata e Re mëson se fëmijët e besimtarëve janë ceremoniallisht “të pastër” dhe “të shenjtë,” duke përdorur terminologjinë e Dhiatës së Vjetër. Marrëdhënia e besëlidhjes midis popullit të Perëndisë dhe farës të tyre (fëmijët) nuk ka ndryshuar. Perëndia është i njëjti, dje, sot dhe përgjithmonë (Hebrenjve 13:8). Perëndia ende punon përmes familjeve.
1 Korintasve 7:14: “Sepse burri jobesimtar është shenjtëruar nëpërmjet gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar nëpërmjet burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.”
Të jesh fëmijë i një besimtari, “fëmijë i besëlidhjes,” nuk garanton që një fëmijë është i rilindur ose një nga të zgjedhurit e Perëndisë. Ajo do të thotë që fëmija është marrës i bekimeve të besëlidhjes për ata që pendohen dhe besojnë. Pagëzimi me ujë nuk mund të rilindë asnjëherë; ai është vetëm një shenjë dhe vulë e besimit dhe e premtimit të Perëndisë.
7. Fëmijët e besimtarëve nuk hidhen jashtë besëlidhjes. Vetëm besimtarët e rremë, farisenjtë, ata që kërkojnë drejtësi me vepra, fetarët e rremë dhe pasardhësit e tyre janë ata që hidhen jashtë:
Galatasve 4:30-31: “Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.” Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.”
8. Në Dhiatën e Re nuk ka asnjë shembull të fëmijës së një prindi besimtar që pagëzohet si fëmijë ose si i rritur. Prandaj, argumenti pro ose kundër pagëzimit të foshnjave është një argument nga heshtja, i bazuar në interpretimin që i jep dikush Biblës. Megjithatë, dëshmitë favorizojnë qartë vazhdimin e besëlidhjes së përjetshme të hirit të Perëndisë, e cila i trajton fëmijët e besimtarëve si “të pastër” dhe “të shenjtë” vec nëse ata bëhen apostatë (bien nga besimi) ose këmbëngulin në mosbesim. Gjithësesi, fëmijët e besimtarëve duhet të bëjnë rrëfimin e tyre të Jezusit si Zot dhe të tregojnë prova të besimit dhe pendimit në mënyrë që të marrin me denjësi Darkën e Zotit (1 Kor. 11:27-30; Rom. 10:9-10).
Si prindërit ashtu edhe kisha kanë detyrimin që t’i ungjillizojnë dhe t’i dishepullizojnë fëmijët, t’u mësojnë atyre Ungjillin dhe bindjen ndaj gjithë Shkrimit, të ushqejnë adhurimin personal, familjar dhe atë të përbashkët në kishë, dhe t’i drejtojnë drejt veprave të mira për të cilat të krishterët u krijuan.
Në Dhiatën e Re ne gjejmë pagëzime të “shtëpive,” ashtu siç gjejmë “rrethprerje të shtëpive” në Dhiatën e Vjetër. Të Reformuarit besojnë se është shumë e mundshme që fëmijët e besimtarëve të kenë qenë të pranishëm dhe të jenë pagëzuar.
Korneli: “Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik; ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij… Kështu ai [Pjetri] urdhëroi që ata të pagëzoheshin në emër të Zotit Jezus. Ata pastaj iu lutën të qëndronte disa ditë me ta.” (Veprat 10:1-2, 48).
Lidia: “Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj…” (Veprat 16:15).
Roja i burgut në Filipi: “Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.” (Veprat 16:33).
Krispi, kryetari i sinagogës: “Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.” (Veprat 18:8).
Stefana: “Unë pagëzova edhe familjen e Stefanës; përveç tyre nuk di të kem pagëzuar ndonjë tjetër.” (1 Korintasve 1:16).
9. Porosia e Madhe e thërret kishën e Krishtit të pagëzojë dishepujt e Krishtit. Bazuar në Dhiatën e Re, ne kuptojmë që ky pagëzim përfshin besimtarët dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bindemi ndaj gjithçkaje që Perëndia ka urdhëruar në Fjalën e Tij, gjë që përfshin zbatimin e shenjës dhe vulës së përjetshme të besimit, shenjën dhe vulën e besëlidhjes së përjetshme të hirit, shenjën e rrethprerjes së Krishtit, mbi fëmijët e besimtarëve:
“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen. ” (Mateu 28:19-20).
“I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t’i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan. Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: ”I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje’.” (Luka 18:15-17; Mateu 19:13-15; Marku 10:13-16).
10. Bibla mëson që ekziston një Kishë e vetme, e cila filloi në kopshtin e Edenit me besëlidhjen e Perëndisë me Adamin. Ekziston një pemë ulliri (Romakëve 11), në të cilën janë shartuar johebrenjtë. Perëndia tha se besëlidhja e Tij me Abrahamin ishte e përjetshme. Dhe shenja e besëlidhjes, rrethprerja, ishte gjithashtu e përjetshme. Dhiata e Re na mëson se besëlidhja me Abrahamin gjen përmbushjen në Krishtin, i cili është Fara e premtuar. Dhiata e Re na mëson se riti i rrethprerjes së besëlidhjes së vjetër është shfuqizuar. Pagëzimi është “rrethprerja e Krishtit” (Kol. 2:11-12) dhe për këtë arsye, pagëzimi me ujë i besëlidhjes së re zëvendëson ritin e rrethprerjes së besëlidhjes së vjetër. Meqenëse fëmijët morën shenjën e besëlidhjes në besëlidhjen e vjetër dhe kjo praktikë nuk shfuqizohet askund në Dhiatën e Re, merret si e mirëqenë që fëmijët e besimtarëve duhet gjithashtu të marrin pagëzimin me ujë, i cili përfaqëson rrethprerjen e Krishtit, që foshnje. Të rriturit që kthehen në krishterim, qofshin hebrenj apo paganë, duhet të pendohen për mëkatet e tyre dhe gjithashtu të pagëzohen.
Pavarësisht nëse ti je i rritur apo fëmijë i një të krishteri, ti duhet të pendohesh për mëkatet dhe të besosh vetëm tek Jezu Krishti për shpëtimin. Perëndia i thërret të gjithë—burra, gra, djem dhe vajza— që të pendohen dhe të besojnë, që të kthehen nga mëkatet e tyre dhe që të përqafojnë Ungjillin, të binden ndaj Ungjillit dhe pastaj të sjellin fryte pendimi. Perëndia dëshiron që besimtarët dhe fëmijët e tyre të dëgjojnë Ungjillin, të pagëzohen dhe të bëhen dishepuj besnikë të Krishtit, të cilët binden ndaj gjithçkaje që Ai ka urdhëruar në Fjalën e Tij.
Veprat 2:39: “Sepse premtimi është për ju dhe për fëmijët tuaj, dhe për të gjithë ata që janë larg, për të gjithë ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.”
__
Shtesë: Pjesë nga Rrëfimet dhe Katekizmat Historike të Reformuara në lidhje me Pagëzimin e Foshnjave
Katekizmi i Hajdelbergut
Pyetja #74: A duhet të pagëzohen edhe foshnjat?
Përgjigjja: Po, përderisa ata, si dhe të rriturit, përfshihen në besëlidhjen dhe kishën e Perëndisë, dhe përderisa shpengimi nga mëkati nëpërmjet gjakut të Krishtit dhe Frymës së shenjtë, Autorit të besimit, u premtohet atyre jo më pak sesa të rriturve; prandaj dhe këta duhen pranuar në kishën e krishterë nëpërmjet Pagëzimit, si shenjë e besëlidhjes; dhe të dallohen nga fëmijët e jobesimtarëve, siç bëhej në Besëlidhjen e Vjetër, me anë të rrethprerjes, në vend të së cilës është themeluar Pagëzimi në Besëlidhjen e Re.
Zan. 17:7; Mat. 19:14 Isa. 44:1–3; Vep. 2:38–39; 16:31 Vep. 10:47; 1 Kor. 7:14 Zanaf. 17:9–14 Kol. 2:11–13
Katekizmi i Shkurtër i Uestminsterit
Pyetja #95: Kujt i duhet administruar pagëzimi?
Përgjigjja: Pagëzimi nuk duhet t’u administrohet atyre që janë jashtë kishës së dukshme, derisa ata të rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin dhe bindjen ndaj Tij; por foshnjat e atyre që janë anëtarë të kishës së dukshme duhet të pagëzohen.
Vep. 8:36–37; Vep. 2:38 Vep. 2:38–39; Zanaf. 17:10 krahasuar me Kol. 2:11–12; 1 Kor. 7:14
Katekizmi i Madh i Uestminsterit
Pyetja #166: Kujt duhet t’i administrohet pagëzimi?
Përgjigjja: Pagëzimi nuk duhet t’u administrohet atyre që janë jashtë kishës së dukshme, dhe kështu të huaj nga besëlidhja e premtimit, derisa ata të rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin dhe bindjen ndaj Tij; por foshnjat e ardhura nga prindër—qoftë të dy, qoftë vetëm një prej tyre—që rrëfejnë besimin në Krishtin dhe bindjen ndaj Tij, janë, në këtë aspekt, brenda besëlidhjes, dhe duhet të pagëzohen.
Vep. 8:36–37; Vep. 2:38 Zanaf. 17:7, 9 krahasuar me Gal. 3:9, 14 dhe Kol. 2:11, 12 dhe Vep. 2:38–39 dhe Rom. 4:11, 12; 1 Kor. 7:14; Mat. 28:19; Luka 18:15–16; Rom. 11:16
Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit
Kreu 28, paragrafët 4–6
P4. Jo vetëm ata që në mënyrë të dukshme rrëfejnë besimin dhe bindjen ndaj Krishtit, por edhe foshnjat e një ose të dy prindërve besimtarë, duhet të pagëzohen. (2)
Marku 16:15–16; Vep. 8:37–38 Zanaf. 17:7, 9 me Gal. 3:9, 14 dhe Kol. 2:11–12; dhe Vep. 2:38–39; dhe Rom. 4:11–12; 1 Kor. 7:14; Mat. 28:19; Marku 10:13–16; Luka 18:15
P5. Megjithëse është një mëkat i madh për të nënçmuar ose neglizhuar këtë urdhëresë, gjithsesi, hiri dhe shpëtimi nuk lidhen aq ngushtë me të, saqë askush nuk mund të rilindet ose të shpëtohet pa të; as nuk është e vërtetë se të gjithë ata që pagëzohen janë patjetër të rilindur. (3)
Luka 7:30 me Eks. 4:24–26 Rom. 4:11; Vep. 10:2, 4, 22, 31, 45, 47 Vep. 8:13, 23
P6. Efikasiteti i Pagëzimit nuk është i lidhur me atë çast në të cilin administrohet;
por, megjithatë, me përdorimin e drejtë të kësaj urdhërese, hiri i premtuar jo vetëm ofrohet, por vërtet shfaqet dhe dhurohet nga Fryma e Shenjtë, atyre (qoftë të rritur apo foshnja) të cilëve u përket ai hir, sipas këshillës së vullnetit të Perëndisë, në kohën e caktuar prej Tij.
Gjoni 3:5, 8 Gal. 3:27; Tit. 3:5; Efes. 5:25–26; Vep. 2:38, 41
Rrëfimi Belg i Besimit, Neni 34
“…Ne besojmë se duhen pagëzuar dhe duhen vulosur me shenjën e besëlidhjes,
ashtu siç rrethpriteshin dikur fëmijët e Izraelit për të njëjtat premtime që u bëhen dhe fëmijëve tanë. Dhe me të vërtetë, Krishti e derdhi gjakun e Vet, sa për pastrimin e besimtarëve të rritur, aq dhe për pastrimin e fëmijëve të besimtarëve; prandaj ata duhet të marrin shenjën dhe sakramentin e asaj që ka kryer Krishti për ta; siç urdhëroi Zoti edhe në ligj, që ata të bëheshin pjesëmarrës të sakramentit të vuajtjes dhe të vdekjes së Krishtit pak pasi lindeshin, duke ofruar për ta një qengj, i cili ishte sakrament i Jezu Krishtit. Për më tepër, ajo që ishte rrethprerja për judenjtë është dhe pagëzimi për fëmijët tanë. Dhe për këtë arsye apostulli Pali e quan pagëzimin rrethprerja e Krishtit.” (Kol. 2:11)”