Argumente Kundër Përdorimit të Instrumenteve Muzikore në Adhurimin Publik të Kishës
Bazuar në veprën e R.L. Dabney, “Against Musical Instruments in Public Worship” (1849)[1]
Përkthyer nga Wabashbible
Gjatë mesit dhe fundit të viteve 1800, kishat Presbiteriane dhe Baptiste në Amerikë po fillonin të fusnin organot dhe instrumente të tjera muzikore në adhurimin publik të Perëndisë. Këto instrumente ishin përdorur në adhurimin e Kishës Katolike Romane në shekujt përpara Reformacioni Protestant, dhe shumë nga kishat që dolën nga Reformacioni e kishin braktisur prej kohësh përdorimin e tyre në adhurim publik të kishës.
Duke shkruar në vitin 1849, teologu presbiterian R.L. Dabney e mbrojti këtë ndalim të instrumenteve muzikore në adhurimin publik të Perëndisë. Dabney u kujtoi presbiterianëve të kohës së tij se historikisht vetëm pakica të vogla të të krishterëve të deklaruar kanë qëndruar besnike ndaj të vërtetave që rrëfenin se i mbanin të shenjta, ndërsa shumica arrogante tallej ndaj tyre. Kështu ndodhi në ditët e Reformatorëve Protestantë, në ditët e Athanasit, të Apostujve dhe të vetë Jezusit.
Ata që kërkonin të fusnin instrumentet muzikore në kisha në vitet 1800 akuzonin pastorët e perëndishëm të brezave të kaluar se ishin “të vjetruar” dhe pa rafinim kulturor, ndërkohë që ata e shihnin veten si më inteligjentë, më të ditur dhe më të rafinuar. Por një mendim i tillë jo vetëm që ishte arrogant dhe krenar, por tregonte thjesht padijen e tyre për të kaluarën. Udhëheqësit e Reformacionit Protestant dhe pasardhësit e tyre i tejkaluan të gjithë ata që erdhën më pas në diturinë klasike, në aftësinë logjike dhe në mësimin teologjik. Epoka e Reformacionit erdhi në kohën e Rilindjes së Madhe, një epokë që pa artin kishtar në kulmin e tij, siç shihet në arkitekturë, pikturë dhe muzikë. Udhëheqësit e Reformacionit ishin të diplomuar në universitetet e para të Evropës, shumica prej tyre të lindur në shtresat e larta, shumë prej tyre fisnikë, të rritur në oborre mbretërore, me sjellje dhe përgatitje të rafinuara, disa prej tyre poetë dhe muzikantë të mrekullueshëm. Por pavarësisht gjithë kësaj, ata unanimisht refuzuan muzikën e Kishës Katolike Romane. Jo sepse ata ishin burra të vjetruar e mendjengushtë pa shije, por sepse një shije e rafinuar, së bashku me dijen dhe logjikën e tyre, i çonte ata ta dënonin atë.
Në zemër të presbiterianizmit qëndron një e vërtetë jetike, të cilën asnjë presbiterian nuk mund ta hedhë poshtë pa braktisur drejtpërdrejt parimet historike të presbiterianizmit. Ai që kundërshton këtë rregull të parë të presbiterianizmit, mund po aq mirë të nisë menjëherë udhëtimin drejt Romës. Ky parim i parë i presbiterianizmit është ajo që quhet Parimi Rregullues i Adhurimit: Perëndia duhet të adhurohet vetëm në mënyrat që Ai i ka caktuar në Fjalën e Tij. Çdo akt adhurimi publik që nuk është urdhëruar qartësisht nga Perëndia, është i ndaluar.
Krishti dhe apostujt e Tij rregulluan adhurimin muzikor të besëlidhjes së re pa asnjë lloj instrumenti muzikor, duke urdhëruar vetëm këndimin me zë të psalmeve, himneve dhe këngëve shpirtërore (shënim i përkthyesit: Këto tre kategori të urdhëruara në Shkrim, u referohen tre grupeve të Psalmeve të frymëzuara, sic edhe e kemi trajtuar në artikull tjetër). Prandaj instrumentet e tilla janë të përjashtuara nga adhurimi i krishterë. Kështu ka qenë besimi i të gjitha kishave në të gjitha epokat, përveç asaj të Kishës Katolike Romane pasi ajo arriti kulmin e korruptimit të saj në fund të shekullit të trembëdhjetë dhe të imituesve të saj prelatikë (episkopalë—të udhëhequr nga peshkopë).
Shumë pretendojnë se muzika instrumentale është e lejueshme në adhurim sot sepse ajo ishte e autorizuar nga Shkrimi në Dhjatën e Vjetër. Por, të tillë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë se ai lloj adhurimi u shfuqizua me ardhjen e Krishtit.
Adhurimi me instrumente, ashtu si priftërinjtë njerëzorë dhe rrobet e tyre [veshjet priftërore], buka e paraqitjes, temjani dhe flijimi me gjak, ishin të gjitha të kufizuara për adhurimin lokal dhe të përkohshëm të tabernakullit dhe më vonë të tempullit. Kur ka ardhur Antitipi [Jezusi], tipet duhet të shfuqizohen. Ashtu si priftërinjtë e tempullit dhe flijimet e kafshëve ishin tip i Krishtit dhe i flijimit të Tij në Kalvar, po ashtu instrumentet muzikore të Davidit në shërbesën e tempullit vetëm sa para-shëmbëllenin gëzimin e Frymës së Shenjtë të derdhur në Pentakost.
Kur mbrojtësit e përdorimit të instrumenteve muzikore në adhurim citojnë pasazhe nga psalmet për të mbrojtur praktikën e tyre, këta arsyetues të cekët duhet të kujtojnë se i njëjti lloj argumenti do të sillte përsëri priftërinj njerëzorë dhe flijime me gjak në kishat tona të krishtera. Sepse këto Psalme shpallin me të njëjtën forcë: “Lidhni flijimin me litarë pranë brirëve të altarit” (Psa. 118:27). Pse të krishterët nuk ndërtojnë altarë para foltoreve të tyre dhe të tërheqin drejt tyre qengjat që përpëliten përgjatë koridoreve të shtruara me qilim të bukur, për t’u prerë fytin atje për ndërtimin shpirtëror të audiencës së rafinuar? Ata përgjigjen se flijimet, duke qenë tipe dhe të veçanta për shërbesën e tempullit, u shfuqizuan medomosdo me ardhjen e Krishtit. Shumë mirë. Po kështu ishin edhe brirët, cimbalet, harpat dhe organot vetëm të veçanta për shërbimin e tempullit, pjesë e tipeve të tij, dhe kështu u shfuqizuan medomosdo kur tempulli u hoq.
Të krishterët modernë janë thellësisht të hutuar rreth asaj që përbën adhurim të vërtetë. Nuk mjafton të tregosh se një praktikë e caktuar nuk është në thelb mëkatare ose e ndaluar nga Shkrimi. Barra e provës bie mbi mbrojtësit e instrumenteve muzikore që të vërtetojnë se Perëndia e ka urdhëruar pozitivisht për epokën tonë në besëlidhjen e re. Ata duhet të vërtetojnë në mënyrë pohuese se Perëndia e ka caktuar dhe e ka kërkuar përdorimin e tyre në adhurimin e Tij të Dhjatës së Re, ose përndryshe ata janë shkelës të adhurimit të vërtetë të Perëndisë.
Pa dyshim që, kundërshtimi që ekziston në mendjen e çdo kundërshtari është se kjo është thjesht një çështje “e parëndësishme dhe jo thelbësore”. Unë nuk habitem të dëgjoj këtë pretendim të bëhet nga shumica e njerëzve në ditët tona, pasi e di që epoka jonë e edukimit publik është në të vërtetë një epokë shumë e paditur. Por është e dhimbshme të shoh pastorë kaq të pavetëdijshëm për mësimet e para të historisë presbiteriane dhe protestante të historisë së kishës. Fakti historik është se çdo korruptim i mallkuar që ka dëmtuar kishën e Jezu Krishtit që nga fillimi i saj është parë nga masat si një çështje “e parëndësishme dhe jo thelbësore”.
Gjatë epokave të ndryshme, kishat kanë shtuar mjete dhe tradita njerëzore në mënyrat e adhurimit të caktuara nga Krishti për epokën e besëlidhjes së re. Këto pajisje dhe tradita njerëzore, të cilat dukeshin aq të bukura dhe të përshtatshme, u shpikën nga njerëzit dhe shërbëtorët më të mirë me qëllimet më të mira, dhe shumë prej tyre u huazuan nga adhurimi i tempullit të judenjve. Në këtë mënyrë lindi gjithë aparati i adhurimit sipas vullnetit njerëzor (adhurim i shpikur nga njeriu) dhe i besëtytnisë, i cili lulëzoi në Katolicizëm Roman dhe idhujtaria zuri vend, duke sjellë veshje priftërore, piktura nëpër kisha, temjan, përkujtimin e ditëve të martirëve, ditët e shenjta — të gjitha këto ishin shtesa ndaj adhurimit të pastër dhe të thjeshtë të mësuar në Dhjatën e Re.
Disa mund të kundërshtojnë: “Po mirë, të gjitha këto shpikje të bukura ishin të pafajshme. Njerëzit më të mirë i përdorën ato. Ishin kaq të përshtatshme, kaq artistike! Ku mund të ishte dëmi?” Historia përgjigjet: Ata kundërshtuan Perëndinë dhe futën papizmin (katolicizmin roman), një rezultat krejt i paparashikuar nga shpirtrat e mirë që filluan këtë ligësi! Po, por ata që kanë filluar ligësinë paralele në Kishën tonë Presbiteriane nuk mund të mbrohen me të njëjtën justifikim, sepse ata janë të paralajmëruar nga një histori e jashtëzakonshme.
Që një denominacion si Kisha Presbiteriane, e cila pretendon të jetë kundër prelaticizmit [kundër qeverisjes episkopale hierarkike] dhe kundër ritualizmit [kundër ritualeve dhe ceremonive të jashtme], të hedhë poshtë fortesat e argumentit të saj kundër këtyre gabimeve, përmes kësaj risie të fundit, duket afër çmendurisë. Prelaticistët [episkopalianët] përdorin po të njëjtat hapa të argumentit që këta presbiterianë përdorin për të justifikuar organot dhe instrumentet e tyre muzikore, duke i përparuar këto argumente në mënyrë paralele për të mbrojtur rikthimin e Pashkës, të Pentekostit, të priftërinjve njerëzorë dhe të veshjeve priftërore, dhe të vajit të shenjtë, në kishën e ungjillit. Ata pretendojnë se caktimi i tyre nga Perëndia në besëlidhjen e vjetër i bën ato të pafajshme. Ata pretendojnë se të krishterët kanë të drejtë të shtojnë në adhurimin e Dhjatës së Re çfarëdo që ata mendojnë se është e përshtatshme, me kusht që të jetë e pafajshme, dhe veçanërisht që, këto shtesa janë të lejueshme nëse huazohen nga Dhjata e Vjetër. Episkopalianët i justifikojnë këto shtesa të tjera në adhurimin e Perëndisë duke përdorur të njëjtën logjikë që presbiterianët e sotëm përdorin për të justifikuar përdorimin e instrumenteve muzikore në adhurimin publik të Perëndisë. Nëse kisha e Dhjatës së Re ka priftërinj, këta priftërinj duhet të kenë flijim. Këta presbiterianë, që ndjekin këtë linjë argumentimi, nëse janë konsistentë në të, do t’i çojë në fund, drejt pranisë së vërtetë trupore dhe drejt Meshës.
Ka disa argumente shtesë që mund të paraqiten kundër përdorimit të organeve dhe instrumenteve të tjera muzikore në adhurimin publik të Perëndisë:
Së pari, maturia dhe kujdesi i shëndoshë argumentojnë kundër përdorimit të instrumenteve muzikore në kishat e krishtera. Kostoja financiare e këtyre instrumenteve, së bashku me borxhet e dëmshme që merren për t’i blerë ato, është një kundërshtim i mjaftueshëm. Paratë që kushtojnë, po të përdoreshin në punë misionare, do të sillnin të mira të pafundme për shpirtrat dhe nder për Perëndinë. Unë pyes solemnisht: a është e drejtë që të shpenzohet kaq shumë nga paraja e Perëndisë, e cila nevojitet për shpëtimin e shpirtrave të humbur, për një objekt krejtësisht jo thelbësor dhe në rastin më të mirë vetëm një luks? Si mund ndërgjegjja e krishterë, kur mat vlerën e shpirtrave dhe lavdinë e Perëndisë, të shpenzojë dhjetëra mijëra apo edhe shumë më tepër dollarë për instrumente muzikore dhe muzikantë të paguar, në vend që paratë të përdoren për përhapjen e Ungjillit të Jezus Krishtit dhe për predikimin e mësimin e tërë këshillës së Perëndisë?
Së dyti, instrumentet në kisha janë pjesë përbërëse e një sistemi që ka çuar në shumë grindje kishtare dhe luftëra adhurimi. Sa marrëdhënie baritore ato kanë ndihmuar për t’i prishur? Kongregacione, kore, dhe breza të ndryshëm të të krishterëve të deklaruar, luftojnë dhe madje ndahen për muzikë tradicionale kundrejt muzikës bashkëkohore. Kisha shpenzon orë të panumërta dhe miliona dollarë për të zhvilluar stile të ndryshme të adhurimit për t’iu përshtatur çdo shijeje—klasik, xhaz, të vjetra, high church, low church, rock i lehtë, hard rock, heavy metal, punk rock, ska, country, psalme metrike, himne të vjetra, himne të reja, këngë lavdërimi—mundësitë janë thuajse të pafundme.
Instrumentet muzikore, sidomos organot dhe daullet, priren të mbytin këndimin e bashkësisë dhe kështu i rrëmbejnë trupit të popullit të Perëndisë të drejtën që Perëndia u ka dhënë për ta lavdëruar Atë në shenjtëroren e Tij. Ne nuk shohim kurrë këndim të gjallë kongregacional në kishat ku ka organe. Përdorimi i instrumenteve muzikore pothuajse gjithmonë ndihmon në zhvillimin e stileve anti-shkrimore të muzikës kishtare, shthurëse për shijen, dhe penguese, në vend që të ndihmojnë, për ndjenjat e vërteta devocionale. Muzika e kishës kështu degradohet nga ajo elokuencë didaktike [mësimore] dhe lirike, që është konceptimi biblik i saj, në ato tinguj të pakuptimtë që apostulli Pal i dënon shprehimisht te 1 Korintasve 12–14.
Bota artistike tregon se instrumentet me tela (pianot, kitaret, violinat, harpat) janë shumë më të përshtatshme për këndimin. Ndërsa organoja është instrumenti më i keq i mundshëm për të ndihmuar në këndim me kuptim. Organoja është fatalisht e papërshtatshme për qëllimet e vërteta të adhurimit muzikor dhe të shprehjes lirike. Prandaj ajo i përshtatet qëllimeve idhujtare të Katolicizmit Roman. Duke zgjedhur kaq rregullisht instrumentin e vecantë të idhujtarisë së Romës, protestantët dhe presbiterianët e shekullit të 20-të ose shfaqën kthimin e tyre drejt Romës, ose treguan një padituri artistike vulgare. Me futjen e organeve dhe instrumenteve të tjera muzikore në adhurimin e krishterë, presbiterianët e fundit të shekullit të 19-të dhe të hershëm të shekullit të 20-të, praktikisht, i shndërruan vendet e shenjta të Perëndisë në teatro e së dielës të dorës së pestë.
Një e keqe e tretë, e lidhur me përdorimin e organeve dhe instrumenteve të ngjashme në adhurimin e krishterë, është se shpesh një individ i papërvojë duhet të punësohet si organist, ose duhet të punësohet një mësues muzike ose një muzikant teatror. Dhe kështu, një nga pjesët më solemne të adhurimit të një Perëndie shpirtëror i besohet kryesisht udhëheqjes së një të punësuari profesionist, i cili zakonisht është një njeri i lig!
Cilat janë dallimet midis adhurimit dhe muzikës së Kishës Katolike Romane dhe adhurimit Protestant historik?
Adhurimi Katolik Roman u drejtohet shqisave dhe imagjinatës përmes shqisave. Sipas teorisë së vetë papistëve [ndjekësve të Papës] për adhurimin e Perëndisë, mesha është një Veprim i madh. Ajo zhvillohet e tëra në një gjuhë të panjohur; por kjo nuk ka rëndësi. Ai pohon se edhe po të mos shqiptohej asnjë fjalë e artikuluar në asnjë gjuhë, drama solemne do t’i përcillte mësimet e saj në zemër përmes përkuljes, pantomimës, adhurimit të priftërinjve dhe harmonive të ndryshme të muzikës. Teoria e tyre për muzikën kishtare është e njëjtë. Himnet janë në një gjuhë të panjohur: edhe sikur adhuruesi të dëgjonte çdo rrokje të artikuluar, nuk do t’i kuptonte idetë që këndohen, dhe as nuk ka rëndësi që t’i kuptonte. Kështu, adhurimi Katolik Roman i drejtohet shqisave mishore [prekja, shija, të parit, të dëgjuarit, ndjesitë], imagjinatës, dhe përdor dramë, pantomimë dhe teknika të tjera të ngjashme.
Muzika instrumentale nuk ka vend në një kishë të krishterë. Ç’përdorim ose ndjenjë fetare ka ajo pjesë e muzikës e cila nuk shoqërohet me fjalë? Asnjë. Ajo s’ka punë në kishë. Po aq me arsye mundet predikuesi të parathoshte çdo paragraf mbresëlënës të predikimit të tij me një apo dy minuta gjeste pantomimike.
Muzika fetare protestante është, ose duhet të jetë, thelbësisht e ndryshme. Ne i drejtohemi arsyes dhe atyre emocioneve inteligjente, që prodhohen nga kuptimi i zemrës. Ne këndojmë fjalë të artikuluara, të kuptueshme, në një gjuhë të njohur, duke përcjellë tek çdo dëgjues ide udhëzuese dhe ndjenja lartësuese. Artikulimi i fjalëve të kënduara është vetë esenca dhe shpirti i adhurimit tonë muzikor.
Bibla e paraqet muzikën fetare si mjet të mësimdhënies fetare dhe nënkupton nevojshmërinë e artikulimit të qartë të saj. “Do të këndoj me frymën, dhe do të këndoj edhe me mendjen …” (1 Kor. 14:15–16). “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!” (Kol. 3:16). Këto vargje mbështesin plotësisht pohimin se muzika fetare, që të jetë biblike, duhet të përmbajë fjalë të artikuluara dhe të kuptueshme, që përcjellin ndonjë mësim ose ndjenjë të devotshme.
Adhurimi duhet të jetë një akt nderimi personal ndaj Perëndisë, ose përndryshe është një hipokrizi dhe fyerje. Rregulli është që duhet ta “Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.” (1 Kor. 6:20). I gjithë personi i njeriut, me të gjitha aftësitë e tij, duhet të marrë pjesë në adhurimin e Tij, sepse ato të gjitha janë shpenguar prej Tij dhe i janë kushtuar Atij. Për këtë arsye, në kohërat e përshtatshme, zërat tanë duhet të shoqërojnë mendjen dhe zemrën tonë.
Çdo adhurim i vërtetë është racional. E vërteta e njohur në mënyrë inteligjente dhe e shprehur në mënyrë të kuptueshme është i vetmi instrument dhe gjuha e adhurimit të vërtetë.
Njerëzit mëkatarë, të rënë dhe të verbuar, janë gjithmonë të predispozuar t’i ngatërrojnë përshtypjet shqisore dhe t’i turbullojnë ato me ndjenjat shpirtërore. Njerëzit e verbër kanë prirjen të imagjinojnë se kanë ndjenja fetare, sepse ata kanë ndjenja shqisore, trupore, të cilat mund të lindin në lidhje me vende fetare, fjalë, pamje ose tinguj. Ky gabim i dëmshëm ka vulosur miliona shpirtra të vetë-mashtruar për ferr.
Protestantët e vërtetë nuk njohin asnjë instrument tjetër të shenjtërimit përveç atij që caktoi Krishti, që është E VËRTETA, Fjala e gjithë-mjaftueshme e Perëndisë. Fatkeqësisht, kishat protestante që përdorin organe dhe instrumente të tjera muzikore po ndihmojnë dhe po inkurajojnë miliona nga anëtarët e tyre të adoptojnë këtë gabim pagan. Ashtu si papistët e marrë [ndjekësit e Papës], ata mashtrohen duke imagjinuar se zemrat e tyre janë bërë më të mira vetëm sepse emocione të caktuara shqisore, trupore, zgjohen nga një organo, daulle ose një kitarë, në një vend të quajtur kishë dhe në një veprim të quajtur adhurim.
Këtu, pra, është arsyetimi i rregullës së Perëndisë në kufizimin e adhurimit të Tij muzikor vetëm tek meloditë e zërit njerëzor. Këngët e kënduara nga zëri njerëzor mund të përcjellin të vërteta mësimdhënëse me fuqinë e artikulimit dhe theksimit të saktë, dhe kështu kënduesit e devotshëm mund të bëjnë atë që Perëndia urdhëron, duke mësuar njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë shpirtërore.
Si duket këndimi i vërtetë? Këndimi i vërtetë i krishterë në adhurimin publik duket kështu: i gjithë kongregacioni këndon me zemër, duke bashkuar zërat e tyre në lavdërimin e Perëndisë. Të gjithë ngrihen së bashku, “duke bërë melodi në zemrat e tyre për Perëndinë” dhe duke bashkuar zërat e tyre në një valë të vetme të melodisë shprehëse, të gjallë dhe shpërthyese, që ngjit gjakun në zemër. Harmonia valëzuese ngre shpirtin e magjepsur drejt qiellit. Këto ishin tingujt me të cilët Kisha Presbiteriane në vendin tonë nderonte Perëndinë në ditët e mëparshme. Këto ishin këngët që pushtonte mbi erërat vajtuese, mbi tokat e Skocisë, kur njerëzit më të pastër të Perëndisë me guxim shijonin vdekjen për ta adhuruar Atë. Këto ishin këngët me të cilat Republikanët e Anglisë tronditën zemrat e armiqve të tyre, kur u afruan për në betejë, “me lavdërime të larta të Perëndisë në gojët e tyre dhe një shpatë me dy tehe në duar,” për të ekzekutuar hakmarrje mbi paganët dhe gjykime mbi popullin”. Besojmë se, Këto ishin këngët e lavdërimit që ngriheshin për Perëndinë nga ajo dhomë e sipërme, ku kisha primitive mblidhej për të adhuruar. —Dhe kudo ku ato do të dëgjohen, ato do të ngrenë të devotshmit, do të bindin mëkatarët dhe do t’i bëjnë të pakujdesshmit solemnë, më me efekt se çdo metodë e huazuar nga një kishë si bota.
Gjithmonë thuhet: “Ne duhet të kemi një organo për të qëndruar në hap me kishat e tjera në tërheqjen e një kongregacioni dhe për të mbajtur të rinjtë dhe të pavëmendshmit.” (Sigurisht, sot, pak kush do të argumentonte se na duhet një organo, përndryshe do të humbisnim të rinjtë nga kishat tona. Por ata mund të argumentonin se duhet të kemi një grup adhurimi me kitare dhe daulle.) A ka arritur kjo deri aty, sa nusja e pastër e Krishtit është e detyruar të marrë hua zbukurimin kurorëshkelës të “kurvës të purpurt,” për të marrë admirimin e shenjtë e të paperëndishmëve? Apostujt kurrë nuk shpikën metoda të tilla për t’i sjellë mëkatarët në kishën e Jezu Krishtit. Atyre i’u mësua që të shkonin pas tyre, në rrugët dhe shtigjet, me tërheqjen e mëshirës dhe dashurisë; për t’i tërhequr me bukurinë e shenjtërisë; për t’i shtyrë ata me tmerrin e ligjit të Perëndisë.
Nëse jemi të lejuar që t’i shtojmë adhurimit të Perëndisë forma krejtësisht njerëzore për ta bërë më të pëlqyeshme për mëkatarët, çfarë korruptimesh nuk do të përvetësohen? Kisha Papiste [Katolike Romane] e Amerikës së Jugut tërheq mijëra adhurues përmes përfaqësimeve teatrale dhe dramatike. Sipas kësaj mënyre veprimi, e cila ka futur organot në kishat tona, një Kishë Presbiteriane në Amerikën e Jugut mund të mendojë se duhet të imitojë Papistët idhujtarë [Katolikët Romanë] dhe ta shndërrojë shtëpinë e Perëndisë në një shtëpi loje, një teatër. Ne besojmë se të gjitha këto mjete njerëzore dhe vegla të shpikura nga njeriu, të cilat synojnë ta bëjnë kishën popullore në sytë e botës, janë të papajtueshme me shpirtin e Kishës Presbiteriane, poshtëruese për nderin e saj dhe shkatërruese për interesat e saj. Lavdia dhe fuqia e Presbiterianizmit historik ishte se ajo kërkonte të vlerësohej përmes përkushtimit të fortë të saj ndaj së vërtetës, përmes pastërtisë së disiplinës së saj, epërsisë së shërbimit të saj dhe drejtësisë së qeverisjes së saj kishtare. Nëse ajo do të mbajë këto karakteristika dhe do të bazohet mbi to, me besim të përulur te Kreu i saj hyjnor, ajo do të lulëzojë. Por kur ajo zbret nga standarti i lartë intelektual, teologjik dhe moral, për ta shkëmbyer atë për popullaritet duke përdorur mjete njerëzore dhe artet e dyshimta të përdorura nga Katolikët Romanë dhe Arminianët e tjerë, prestigji i saj do të shkatërrohet. Kishat e tjera janë më të përshtatshme për të fituar në atë garë, dhe sigurisht që ato do ta tejkalojnë. Kisha Presbiteriane do të ketë humbur identitetin e saj dallues dhe do të bjerë në rrënim.
Për kishën e krishterë të Perëndisë, mos-caktimi i shoqëruesve muzikorë ishte ndalimi i saj. Kemi frikë se koha do të tregojë, përmes një korruptimi të dytë të fesë ungjillore dhe shkatërrimit të miliona shpirtrave të krisherëve nominalë, sa më të urta janë mësimet e Biblës sesa ato të burrave dhe grave që kërkojnë futjen e instrumenteve muzikore në kishat Presbiteriane dhe Protestante. Ky inovacion është thjesht rezultat i një vale përparuese të botës dhe ritualizmit në kishat ungjillore. Këta të krishterë nuk janë më të urtë, por thjesht më kënaqës të mishit dhe më modernë. Nuk nevojitet asgjë tjetër përveçëse kalimit të disa viteve që, kjo prirje, pjesë e së cilës është kjo muzikë, të kthejë masa të mëdha të popullit tonë në gjirin e Romës dhe kishave të saj motra.
__
1. Marrë elektronikisht më 18 prill 2009 në www.spurgeon.org/~phil/dabney/organs.htm. Nga Watchman and Observer, Richmond, VA, 22 shkurt 1849, Vëllimi 4, Nr. 28. Teologu i Princetonit, A.A. Hodge, e quajti Robert L. Dabney “mësuesi më i mirë i teologjisë në Shtetet e Bashkuara, nëse jo në botë.” Teologu i Princetonit, B.B. Warfield, tha se Dabney ishte “figura më e dukshme dhe udhëheqësi kryesor teologjik i Kishës Presbiteriane Jugore, shkruesi më i madh teologjik që kjo Kishë ka prodhuar deri tani, dhe për një periudhë më shumë se dyzet vjet një nga mësuesit më të dalluar dhe ndoshta më të fuqishëm të kandidatëve të saj për shërbesë.” R.L. Dabney, Systematic Theology (Carlisle, PA: Banner of Truth, 1985).