Sytë tanë të zbehtë nuk mund t’i lexojnë faqet e errëta!
J. R. Miller (1840-1912). Pastor dhe autor presbiterian.
“Atë që po bëj unë, ti tani nuk e di, por do ta kuptosh mbas kësaj.”
(Gjoni 13:7)
Pjetri nuk mund ta kuptonte se pse Jezusi duhej të ulej aq shumë sa t’u lante këmbët atyre. Kjo e hutoi dhe e ngatërroi dhe ai nuk donte të pranonte. Jezusi tha: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e di, por do ta kuptosh mbas kësaj.” Dhe ashtu ndodhi. Erdhi një kohë më pas kur ai kuptoi gjithçka, një kohë kur ai e kuptoi se pse Mësuesi i tij e kishte bërë këtë dhe kur ai pa me të vërtetë bukuri, urtësi, dashuri, mësim të pasur dhe domosdoshmëri hyjnore në të.
Dhe i njëjti parim zbatohet në gjithë jetën tonë. Ka shumë gjëra në provaninë e Perëndisë që në atë kohë duken të errëta dhe të paqarta, por që e ardhmja i bën të qarta dhe të kuptueshme. Zoti na lë mënjanë në mes të dobishmërisë sonë, Ai shkreton shtëpitë tona, Ai na këput telat e harpës, Ai derdh hidhërim në kupat tona të ëmbëlsisë. Jetët tona janë plot me gjëra të çuditshme dhe të pakuptueshme dhe ne nuk e dimë çfarë kuptimi kanë ato.
Sytë tanë të zbehtë nuk mund t’i lexojnë faqet e errëta.
Veshët tanë të shurdhër nuk mund ta dëgjojnë zërin e dashurisë që na flet nga çdo rrethanë e vështirë.
Zemrat tona të rënda nuk mund ta dallojnë dashurinë që rreh me puls të plotë në çdo ngjarje të errët.
Por do të vijë një ditë kur çdo faqe e errët në historinë e jetës sonë do të shpjegohet, kur të gjitha nyjet dhe përshtjellimi do të zgjidhen, dhe pëlhura do të shtrihet para nesh e endur deri në fund, me përdredhje dhe thurje, me fije ari dhe argjendi.
Kjo fjalë e Krishtit është çelësi për të gjitha provanitë e errëta dhe të çuditshme në jetën e çdo besimtari: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e di, por do ta kuptosh mbas kësaj.”
Një arsye për errësirën e tanishme është padituria jonë, ose njohuria jonë e kufizuar. Ne tani dimë vetëm pjesërisht. Ne tani shohim si përmes një pasqyre të errët. Ne jemi të gjithë nxënës në shkollën e Perëndisë. Mësimet që na jepen na duken në fillim si faqet e një gjuhe të panjohur. Ne nuk mund t’i shqiptojmë fjalët. Ne nuk mund ta kuptojmë domethënien e tyre. Ato na ngatërrojnë dhe na hutojnë. Ne nuk shohim as urtësi, as bukuri, as dashuri në to.
Por vitet që kalojnë sjellin urtësi më të pjekur dhe njohuri më të plotë. Atëherë ne do të jemi në gjendje t’i lexojmë me lehtësi. Atëherë ne do të shohim se çdo rresht mbante një mësim të artë për zemrat tona; se çdo përkujdesje e errët në jetën tonë ishte një nga mendimet e çmuara të dashurisë së Perëndisë, e shkruar për ne; dhe e gjithë faqja do të shkëlqejë me bukuri hyjnore!
Vetëm njohuri më e plotë nevojitet për të na shpjeguar shumë nga misteri i jetës sonë. Në dritën e kthjellët dhe zbulesën e përsosur të Qiellit, çdo hije misteri do të zhduket, dhe provanitë më të çuditshme do të duken po aq të qarta dhe të lehta sa mësimet e para të fëmijërisë për njeriun e pjekur dhe të kultivuar.
Një arsye tjetër se pse shumë nga udhët e Zotit na duken kaq të çuditshme, është sepse ne i shohim ato vetëm në jopërfundimin e tyre. Ne duhet të presim derisa ato të përfundojnë, përpara se ne të kuptojmë plotësisht se çfarë po bën Perëndia.
Vepra e shenjtërimit është procesi i pikturimit të tipareve të bukurisë shpirtërore dhe hyjnore mbi shpirtrat njerëzorë. Dhe në këtë proces, Artisti Hyjnor shpesh përdor sprovat si mjetet e Tij. Ai në fillim duket sikur shkatërron, por vuajtja prodhon durim. Shumë njerëz mësojnë nënshtrimin, kur dora e Atit rëndon aq fort mbi ta, saqë ata nuk mund të ngrihen.
Shumë tipare bukurie në shpirt nxirren në dritë në errësirën e vuajtjes. Procesi duket shkatërrues, por më pas ai jep frytet paqësore të drejtësisë. Jo në atë kohë, por më pas. Kur Perëndia e përfundon veprën e Tij, atëherë ajo është e bukur dhe shumë e mirë.
Në hidhërimin e shpirtit të tij, Jakobi thirri: “Të gjitha këto janë kundër meje!” Por këto gjëra nuk ishin kundër tij; Perëndia ende nuk e kishte përfunduar veprën e Tij. Rezultati përfundimtar ende nuk ishte realizuar. Gjithçka dukej kundër tij, por ai jetoi për ta lavdëruar Zotin për të gjitha provanitë e çuditshme që në atë kohë dukeshin kaq mizore. Ato ishin vecëse blloqet e papërpunuara me të cilat Perëndia po ndërtonte një shtëpi të bukur për pleqërinë e tij, dhe me të cilat, Ai po vendoste themelet e madhështisë dhe lavdisë së ardhshme për familjen e tij. Ato ishin hallka në një zinxhir të artë bekimi.
Kështu është gjithmonë: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e di, por do ta kuptosh mbas kësaj.” Prit derisa Perëndia të përfundojë veprën e Tij dhe atëherë gjithçka do të jetë mirë. Ti mund ta shohësh madje edhe mbi tokë. Përpara se t’i mbyllësh sytë në vdekje, ti mund ta shohësh të mirën që del nga e keqja në dukje e jetës tënde. Por nëse jo, nëse vdes me misterin ende të pazgjidhur, atëherë një çast në Qiell do t’i shpjegojë të gjitha! Atëherë ti do t’i shohësh të gjitha gjërat të përfunduara. Ti do ta shohësh pëlhurën jashtë tezgjahut me të gjitha figurat e saj të bukura të përsosura, pa asnjë fije të humbur apo të ngatërruar. Ti do ta shohësh tempullin të përfunduar, çdo gur në vendin e vet, dhe të gjithë të stolisur me lavdi. Ti do ta shohësh pikturën kur artisti ka vendosur prekjet e fundit, dhe kur ajo nuk shfaqet më e dëmtuar dhe e prishur, siç mendoje se do të ishte nga kaq shumë sprova, por e përsosur dhe e bukur, duke mbajtur ngjashmërinë e Krishtit në çdo tipar.
Atëherë do t’i shohësh të gjitha provanitë e errëta të jetës tënde të çuara deri në rezultatin e tyre përfundimtar. Ti do të shohësh…
- si disiplinën, ashtu edhe bekimin e saj;
- si vuajtjen, ashtu edhe frytet e saj të pasura;
- si zjarret e furrës, ashtu edhe arin e shkëlqyeshëm!