Është “Shabat” ose “Dita e Zotit” – jo “E dielë”!

Shabati

Është “Shabat” ose “Dita e Zotit” – jo “E dielë”!

Përkthyer nga FPchurch

Për ditën e parë të javës, një pjesë e madhe e kishës së dukshme, madje edhe në Skoci, praktikisht ka braktisur përdorimin e termave Shabat ose Dita e Zotit, duke parapëlqyer më shumë termin laik “e dielë”. Ne shohim të shfaqur “Shërbesat e së dielës” në tabelat njoftuese madje edhe në kisha, të cilat deri para pak vitesh, konsideroheshin ende konservatore në doktrinë, adhurim dhe praktikë. Me fjalë jo të frymëzuara (të njohura gjërësisht si “himne”) dhe me vegla muzikore tashmë të lejuara në Kishën e Lirë të Skocisë, ne shohim gjithashtu një kalim përkatës drejt përdorimit të fjalës “e dielë”, si dhe një braktisje të përgjithshme të formave nderuese ti, ty, tënd (thou, thee, thine) në favor të formës së thjeshtë ti (you) kur i drejtohemi në lutje Më të Lartit. Së bashku me një largim të përgjithshëm nga përdorimi ekskluziv i versionit të Autorizuar (përkthimi i Mbretit Xhejms) të Biblës së Shenjtë, të gjitha këto tipare mund të kuptohen si shenja të një shekullarizimi të përgjithshëm, i cili, pak nga pak, vazhdon të depërtojë në kishën e dukshme.

Te Eksodi 20:8 ne udhëzohemi në urdhërimin e katërt që të “mbajmë mend ditën e Shabatit për ta shenjtëruar”. Tani, Ligji i shenjtë i Perëndisë, i përmbledhur në Dhjetë Urdhërimet, qëndron ende në fuqi. Që nga ringjallja e Krishtit e deri në fundin e botës, dita e parë e javës është Shabati i krishterë në vend të ditës së shtatë (Katekizmi i Shkurtër, Pyetja 59). Kjo dëshmohet te Veprat 20:7: ishte “ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën” dhe “Pali u predikoi atyre”. Po ashtu, apostulli Gjon dëshmon se “ishte në Frymë në ditën e Zotit” (Zbu. 1:10). Në këtë mënyrë, ne kemi një bazë të qartë nga Shkrimi për të përdorur ose Shabat ose Ditë e Zotit për ditën e pushimit të Besëlidhjes së Re, por askund në Bibël nuk gjendet fjala “e dielë” për ditën e shenjtë të Perëndisë.

Nga të dyja emërtimet, fjala Shabat shfaqet shumë më shpesh në Shkrim sesa Dita e Zotit (e cila gjendet vetëm një herë). Kjo na ndihmon të mbajmë mend atë ungjill të vetëm të lavdishëm nën dy administrimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re, që përkojnë me “Shabatin e Krijimit” dhe “Shabatin e Ringjalljes”. Përdorimi i fjalës Shabat, krahas Ditës së Zotit, na ndihmon gjithashtu të ruhemi nga gabimi i dispensacionalizmit dhe përputhet me doktrinën e shëndoshë të Teologjisë së Besëlidhjes. Meqenëse është fjala ekuivalente e Shabatit ajo që përdoret si në hebraishten e Besëlidhjes së Vjetër ashtu edhe në greqishten e Besëlidhjes së Re, ne duhet që të qëndrojmë sa më pranë kuptimit të fjalës origjinale. Në asnjë mënyrë “e diela” nuk mund të shihet se ka të njëjtin kuptim me Shabatin, i cili në mënyrë të natyrshme flet për një ditë pushimi nga veprimtaritë shekullare. Prej këtej vjen edhe fjala e lidhur sabatike, që nënkupton “kohë pushimi” ose “ndërprerje nga puna”.

Ata që e quajnë ditën e Shabatit “e dielë”, në fakt po ndihmojnë t’i grabitet ditës së shenjtë të Perëndisë shenjtëria e saj dhe po e shekullarizojnë atë, duke i dhënë një vlerë jo më të lartë se çdo ditë tjetër e javës. Ata po e ulin atë në nivelin e një dite të zakonshme, ku vazhdon “biznesi dhe puna si zakonisht”. Si mund të presim që bota ta kujtojë ditën e Shabatit dhe ta shenjtërojë atë, kur kaq shumë në kishën e dukshme nuk e bëjnë më këtë? Në anglisht, ditët e javës janë emërtuar sipas trupave qiellorë dhe hyjnive të rreme nga kohët pagane. Prandaj zëvendësimi i Shabatit (ose Ditës së Zotit) me “të dielën”, sidomos brenda kufijve të kishës së dukshme, mund të kuptohet vetëm si një tjetër armë e arsenalit të Satanit, e përdorur në përpjekje për të rrëzuar kishën e vërtetë të Zotit Jezu Krisht.

Fjala “e dielë” rreshtohet gjithashtu me të gjitha termat e tjerë jobiblikë që lidhen kaq shpesh me kishën e sotme moderne të dukshme, si “Krishtlindje”, “Advent”, “Epifani” dhe “Kreshmë”, të cilat janë rikthyer në përdorim madje edhe në Skoci, pasi ato qenë hequr në kohën e Reformacionit. Sa për gjashtë ditët e tjera të javës, Shkrimi mbetet i heshtur se si duhet të quhen ato.

Në ruajtjen e Parimit Rregullues, ne të gjithë duhet të përdorim termat Shabat ose Dita e Zotit dhe të përmbahemi nga përdorimi i fjalës “e dielë”. Siç na kujtohet te Jeremia 6:16: “Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni, pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të; kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. Shikofshim një kthim në këto shtigje të vjetra, në kishën e dukshme dhe në kombin tonë.

Alan Boyd, për Komitetin e Mbajtjes së Shabatit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes