Arminianizmi: Idhulli i Artë i Vullnetit të Lirë

Arminianizmi

Arminianizmi: Idhulli i Artë i Vullnetit të Lirë

Nga Augustus Toplady (1740-1778)

Përkthyer nga the-highway

“Jo neve, o ZOT, jo neve, por Emrit Tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.” (Psalmi 115:1).

Disa komentues kanë menduar se ky Psalm është shkruar nga profeti Daniel, me rastin e çlirimit të mrekullueshëm të Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, kur ata dolën të padëmtuar nga furra e zjarrtë, në të cilën ishin hedhur me urdhër të mbretit Nebukadnetsar.

Dhe, në të vërtetë, duket që, nuk mungojnë pjesë në këtë Psalm që e mbështesin këtë hamendësim. Si aty ku lexojmë, në vargun e katërt (duke folur për idhujt e paganëve dhe, ndoshta, me një referencë të veçantë ndaj asaj figurës së artë që Nebukadnetsari urdhëroi që të adhurohej): “Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut; kanë gojë, por nuk flasin; kanë sy, por nuk shohin.”

Unë guxoj të them se, në një auditor si ky, mjaft arminianë ndodhen të pranishëm. Unë kam frikë se të gjitha mbledhjet tona publike kanë tepër prej tyre. Megjithatë, ndoshta edhe këta njerëz, idhujtarë siç janë, mund të jenë të prirur të dënojnë, dhe me të drejtë, marrëzinë e atyre që adhurojnë idhuj prej argjendi e ari, vepër e duarve të njeriut. Por më lejoni të pyes: nëse është kaq absurde të adhurosh veprën e duarve të njerëzve të tjerë, çfarë duhet të jetë të adhurosh veprën e duarve të tua? Ndoshta ju do të thoni: “Larg qoftë që ta bëj këtë.” Megjithatë, më lejoni t’ju them se besimi, mbështetja dhe varësia për shpëtimin janë të gjitha akte, madje akte shumë solemne, të adhurimit hyjnor; dhe mbi çfarëdo që ju mbështeteni, qoftë plotësisht apo pjesërisht, për pranimin tuaj para Perëndisë dhe për drejtësimin tuaj përpara Tij, mbi çfarëdo që mbështeteni dhe i besoni për arritjen e hirit ose të lavdisë, nëse është ndonjë gjë më pak se Perëndia në Krishtin, ju jeni një idhujtar në çdo kuptim.

Krejt ndryshe është ideja që na jep Shkrimi për Perëndinë e përjetshëm e të bekuar, nga ajo e perëndive të rreme të adhuruara nga paganët; dhe nga ajo paraqitje poshtëruese e Perëndisë së vërtetë, të cilën arminianizmi kërkon t’ia imponojë njerëzimit. “Perëndia ynë,” thotë ky Psalm në vargun e tretë, “është në qiejt; dhe bën tërë atë që i pëlqen.” Kjo nuk është ideja arminiane për Perëndinë; sepse vullnet-lirët tanë na thonë se Perëndia nuk bën gjithçka që i pëlqen; se ka shumë gjëra që Perëndia dëshiron t’i bëjë, përpiqet e lufton t’i bëjë, por nuk arrin t’i kryejë. Ata na thonë, siç e shpreh dikush me zgjuarsi:

Se gjithë njerëzimin Ai do të donte ta shpëtonte,
Por dëshiron atë që s’mund ta zotërojë;
Kështu përhapin me zell ndër botë
Një Perëndi të zhgënjyer, që ndryshon çdo mot.

Si përputhet kjo me atë përshkrim madhështor: “Perëndia ynë është në qiej”? Ai ulet mbi fron, duke peshuar dhe shpërndarë fatet e njerëzve; duke mbajtur të gjitha ngjarjet në dorën e Tij; dhe duke drejtuar çdo hallkë të çdo zinxhiri shkaqesh dytësore, nga fillimi deri në fund të kohës. Perëndia ynë është në qiell, i zotëruar me çdo fuqi; dhe (që është pasojë e natyrshme e kësaj) Ai ka bërë gjithçka që i ka pëlqyer; ose siç e shpreh Apostulli (fjalët janë të ndryshme, por kuptimi është i njëjtë): “Ai vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të Tij.” (Efesianëve 1:11).

Prandaj ne edhe mundohemi, edhe durojmë përçmim; pikërisht sepse themi (dhe më e shumta që mund të themi për këtë çështje nuk shkon më tej se kjo): se Perëndia ynë është në qiell dhe ka bërë gjithçka që i ka pëlqyer. Dhe sipas kënaqësisë së Tij sovrane Ai do të veprojë deri në fund; edhe sikur të gjithë arminianët mbi tokë të përpiqeshin ta pengonin synimin hyjnor dhe të bllokonin rrotat e qeverisjes hyjnore. Ai që ulet në qiell, qesh me ta dhe i përçmon; dhe i realizon qëllimet e Tij, ndonjëherë madje, pikërisht nëpërmjet atyre ngjarjeve që njerëzit e ligj përpiqen t’ja vënë përpara, me shpresën e çmendur për ta penguar nga qëllimet e Tij. “Të gjitha gjërat,” thotë psalmisti, “të shërbejnë Ty” (Psalmi 119:91). Të gjitha kanë një prirje të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë vepruese, qoftë lejuese, për të çuar përpara qëllimet e Tij të pandryshueshme të providencës dhe të hirit. Vini re: vepruese ose lejuese. Sepse ne kurrë nuk themi, as nuk duam të themi, se Perëndia është vepruesi i së keqes; ne vetëm pohojmë se, për arsye të panjohura për ne, por të njohura mirë për Perëndinë, Ai është lejuesi i fuqishëm (jo autori, por lejuesi) i gjithçkaje që ndodh. Por kur ne flasim për të mirën, atëherë ne e zgjerojmë shprehjen dhe pohojmë, me psalmistin, se gjithë ndihma që bëhet mbi tokë, Perëndia e bën Vetë.

Më kujtohet një thënie e të madhit Monsieur Du Moulin, në librin e tij të admirueshëm me titull Anatome Arminianismi. Vëzhgimi i tij është se të ligjtë, po aq sa të zgjedhurit, përmbushin dekretet e mençura, të shenjta dhe të drejta të Perëndisë; por, – thotë ai, me këtë ndryshim: vetë njerëzit e Perëndisë, pasi kthehen në besim, përpiqen të bëjnë vullnetin e Tij nga një parim dashurie; ndërsa ata që lihen në prishjen e zemrave të tyre (që është i gjithë anashkalimi për të cilën ne flasim), që nuk duan t’ja dinë për Perëndinë dhe në mendimet e të cilëve Perëndia nuk është, këta njerëz ngjajnë me ata që vozisin në një barkë dhe lëvizin drejt pikës së cilës i kanë kthyer shpinën. Ata i kthejnë shpinën dekretit të Perëndisë, dhe megjithatë shkojnë pikërisht drejt tij, pa e ditur.

Një nga përplasjet e mëdha midis fesë së Arminiusit dhe fesë së Jezu Krishtit është kjo: kujt i takon lavdia dhe nderi i shpëtimit të mëkatarit? Kthimi në besim e vendos këtë pikë menjëherë; sepse mendoj se, pa asnjë akuzë për mungesë dashurie, mund të them se çdo njeri vërtet i zgjuar shpirtërisht, të paktën kur ai është nën shkëlqimin e fytyrës së Perëndisë mbi shpirtin e tij, do të bjerë në gjunjë me këtë himn lavdërimi që ngrihet nga zemra e tij: “Jo mua, o Zot, jo mua, por Emrit Tënd jepi lavdinë: unë jam i shpëtuar jo për drejtësinë time, por për mirësinë tënde dhe besnikërinë tënde.”

Dhe kjo vlen edhe për bekimet e jetës së tanishme. Është Perëndia që ngre njërin dhe ul tjetrin (Psalmi 75:7). Fitorja, për shembull, kur princat bëjnë luftë, është e gjitha prej Perëndisë. “Vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë, as beteja nga të fortët” (Predikuesi 9:11), si të tillë. Është dekreti, vullneti, fuqia dhe provania e Perëndisë që, në mënyrë të efektshme, megjithëse ndonjëherë në mënyrë të padukshme, rregullojnë dhe vendosin çdo ngjarje.

Në betejën e famshme të Azinkurit në Francë, ku, nëse nuk gaboj, 80.000 francezë u mundën plotësisht nga rreth 9.000 anglezë nën komandën e mbretit tonë të pavdekshëm Henri V, pasi mbaroi puna e madhe e ditës dhe Perëndia i dha fitoren atij princi të lavdishëm, ai urdhëroi që Psalmi i mëparshëm (dmth. Psalmi 114) dhe një pjesë e këtij Psalmi prej të cilit kam marrë fjalët në shqyrtim, të këndoheshin në fushën e betejës, si një mënyrë për të pranuar se çdo sukses dhe çdo bekim, i çfarëdo lloji qoftë, zbresin nga Ati i dritave. Disa historianë na tregojnë se, kur anglezët fitimtarë arritën te fjalët që po i trajtoj në këtë pasazh, e gjithë ushtria fitimtare ra në gjunjë si një trup i vetëm në fushën e pushtimit; dhe thirri me një zemër e me një zë: “Jo neve, o Zot, jo neve, por Emrit Tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për bensikërinë tënde.”

Dhe kështu do të jetë kur Perëndia të ketë plotësuar numrin e të zgjedhurve të Tij dhe të ketë mbledhur plotësisht mbretërinë e Tij të shpenguar. Çfarë mendoni se do të jetë kënga juaj kur të hyni në qiell? “Bekuar qoftë Perëndia që më dha vullnet të lirë; dhe bekuar qoftë vetja ime e dashur që e përdori mirë atë”? Oh jo, jo. Një këngë e tillë nuk është dëgjuar kurrë në qiell dhe kurrë nuk do të dëgjohet, sa kohë Perëndia është Perëndi dhe qielli është qiell. Shikoni në Librin e Zbulesës dhe atje do të gjeni punën e të bekuarve dhe meloditë që ata këndojnë. Ata hedhin kurorat e tyre para fronit, duke thënë:

“I denjë je… sepse ti u there dhe nëpërmjet gjakut Tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi” (Zbulesa 5:9–10).

Ja ku është hiri dallues për ju! “Ti na bleve… prej çdo fisi,” etj., domethënë, nga mesi i pjesës tjetër të njerëzimit. A nuk është kjo zgjedhje e veçantë dhe shpengim i kufizuar?

Kisha këtu poshtë mund të jetë e prirur për të gabuar; dhe nëse ndonjë kishë e dukshme mbi tokë pretendon të jetë e pagabueshme, vetë ky pretendim e provon se ajo nuk është e tillë. Por ka një Kishë të cilën guxoj ta shpall të pagabueshme. Dhe cila është ajo Kishë? Eshtë kisha e të përlëvduarve, të cilët shkëlqejnë si yjet në të djathtën e Perëndisë. Dhe mbi dëshminë e pagabueshme të asaj Kishe të pagabueshme, dëshmi e shënuar në faqet e pagabueshme të frymëzimit, unë guxoj të pohoj se asnjë grimcë arminianizmi nuk e ka shoqëruar ndonjë shenjtor në qiell. Nëse ata prej popullit të Perëndisë që janë të lidhur me atë paudhësi nuk kthehen qartë prej saj ndërsa jetojnë e bisedojnë mes njerëzve, prapëseprapë, ata do e lënë të gjithën pas në Jordan (domethënë, në lumin e vdekjes) kur të kalojnë përmes tij. Ata mund të krahasohen me Palin kur shkoi nga Jerusalemi në Damask dhe hiri i Perëndisë e rrëzoi përtokë: ai ra si njeri i vullnetit të lirë, por u ngrit si njeri i hirit të lirë. Kështu, sado që ndryshku i krenarisë vetë-drejtësuese (dhe një ndryshk i mallkuar është ai, Fryma e Perëndisë e pastroftë nga të gjithë shpirtrat tanë) sado që ky ndryshk mund të qëndrojë në ne tani, kur të vijmë të qëndrojmë përpara fronit dhe përpara Qengjit, ai do të hiqet plotësisht dhe ne do të këndojmë, në një kor të vetëm, të plotë e të përjetshëm, me engjëj të zgjedhur dhe me njerëz të zgjedhur: “Jo neve, o Zot, jo neve.”

Dhe përse të mos e këndojmë këtë këngë që tani? Përse të mos përpiqemi, nën ndikimin e Frymës, të paraprijmë gjuhën e qiellit dhe të jemi sa më qiellorë përpara se të arrijmë në qiell? Përse ta dënojmë mbi tokë atë këngë që shpresojmë ta këndojmë përjetë përpara fronit të Perëndisë lart?…

 

Vazhdon…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes