A është Izraeli Vend i Shenjtë?

Izraeli

A është Izraeli Vend i Shenjtë?

Përkthyer nga WabashBible

Nën Besëlidhjen e Vjetër, Perëndia veçoi një komb në tokë si populli i Tij i veçantë, “kombin e Tij të shenjtë” (Eksodi 19:6). Izraeli ishte vend i shenjtë, sepse Perëndia ishte i pranishëm me ta në një mënyrë të veçantë përmes tabernakullit dhe më vonë përmes tempullit në Jerusalem. Jerusalemi dhe Mali i Sionit ishin qyteti i Perëndisë (Psa. 46:4; 87:3).

Sot shumica e kishave mësojnë se Izraeli ose toka e Palestinës në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë Vend i Shenjtë. Por një mësim i tillë bie ndesh me mësimet e Shkrimit dhe të Dhiatës së Re.

Është e vërtetë se Dhiata e Vjetër, profetizoi një të ardhme për Jerusalemin dhe Izraelin. Kjo është arsyeja pse shumë kisha sot pretendojnë se rindërtimi i Izraelit si komb në vitin 1948, shënoi përmbushjen e pjesshme të kësaj profecie biblike. Por një ide e tillë bie ndesh me mësimin e Dhiatës së Re mbi këtë temë.

Ky artikull synon të shpjegojë pse kombi tokësor i Izraelit nuk është më Vend i Shenjtë.

Le të fillojmë duke shqyrtuar mësimin e Dhiatës së Vjetër mbi këtë temë. Historia e Dhiatës së Vjetër tregon apostazinë, tradhtinë shpirtërore dhe rebelimin e Izraelit kundër Perëndisë. Pasi tregoi durim të madh me popullin e Tij të larguar, Perëndia dorëzoi mbretërinë veriore të Izraelit në shkatërrim tek Asirianët në vitet 722-721 para Krishtit, dhe më vonë, mbretëria jugore e Judës u shkatërrua gjithashtu dhe u dërgua në mërgim nga Babilonasit në vitet 587-586 para Krishtit.

Gjatë ditëve të Perandorisë Romake, Jerusalemi u shkatërrua përsëri, ashtu sic parashikoi Jezusi, në vitin 70 pas Krishtit. Ushtria Romake, e udhëhequr nga  Perandori i ardhshëm Titusi, shkatërroi qytetin e Jerusalemit dhe Tempullin e Dytë.

Edhe para se populli i Izraelit ta dërgonte Jezusin në kryq, me njerëzit që brohorisnin te Ponc Pilati: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!”, duke kërkuar lirinë e vrasësit Barabas — edhe para kësaj kohe, toka e Izraelit ishte bërë një vend profan. Jezusi vajtoi: “O Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët dhe vret me gurë ata që të dërgohen!” (Luka 13:34; krahaso Mat. 23:37). Jezusi u tha Farisenjve të kohës së Tij se ata ishin “bijtë e atyre që vranë profetët” (Mat. 23:29-32).

Nëse shqyrtojmë Dhiatën e Vjetër, ne mund të shohim në vende si Jeremia 5, Ezekieli 10 dhe Ezekieli 14 se vendi dikur i shenjtë ndaloi së qeni i shenjtë, sepse Perëndia u largua nga toka e tyre. Perëndia kishte premtuar të banonte në tempullin e Jerusalemit me kusht që populli ta adhuronte Atë me besnikëri aty. Por, përmes adhurimit të tyre të korruptuar dhe të rremë, populli e kishte përdhosur tempullin e Perëndisë.

Kur Jerusalemi u bë një vatër hajdutësh, Perëndia në mënyrë të drejtë, u largua prej tij, siç përshkruhet te Ezekieli kapitulli 10, ku lavdia e ZOTIT u largua nga tempulli në Jerusalem. Përmes një vizioni, Perëndia i tregoi shërbëtorit të Tij Ezekiel se e kishte lënë tempullin për shkak se shenjtëria e Tij, nuk mund të bashkëjetonte me paperëndishmërinë e një populli imoral dhe idhujtar. Populli ishte i angazhuar në besëtytni dhe merrej me adhurime të rreme.

Pra, nëse Perëndia e la tokën dikur të shenjtë, shkatërroi mbretëritë veriore dhe jugore dhe përsëri e shkatërroi qytetin e shenjtë në vitin 70 pas Krishtit, pse duhet të mendojmë se toka mbetet ende e shenjtë?

Edhe pse kisha e popullit të Perëndisë ishte mbjellë në Judë deri në kohën e Krishtit, Bibla na mëson se Kisha e Perëndisë tani është përhapur “deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8). Krishti i bëri hebrenjtë dhe johebrenjtë një, dhe “ka shembur murin e ndarjes” që dikur i ndante ata (Efes. 2:14). Ai i bëri johebrenjtë qytetarë të “bashkësisë së Izraelit” dhe anëtarë të “besëlidhjeve të premtimit” (Efes. 2:11-12). Krishti “prishi armiqësinë në mishin e Tij” që ekzistonte për shumë kohë midis hebrenjve dhe johebrenjve, duke krijuar “në Vetvete nga dy një njeri të ri” (Efes. 2:15). Ai pajtoi “si hebrenjtë ashtu edhe johebrenjtë me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit” (Efes. 2:16). Pra, “Izraeli i Perëndisë” tani përbëhet nga hebrenj etnikë dhe johebrenj (Gal. 6:16). Në Krishtin Jezus, “nuk ka hebre e as grek” (Gal. 3:28).

Dhiata e Re mëson se të jesh jude në sytë e Perëndisë nuk është një identitet etnik, por shpirtëror: “Sepse jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por jude është ai që është përbrenda; dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; lavdërimi i atij nuk është nga njerëzit, por nga Perëndia” (Rom. 2:28-29).

Apostulli Pjetër mëson se të gjithë të krishterët janë “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, populli i fituar nga Perëndia, … populli i Perëdisë” (1 Pjet. 2:9-10). Këtu shohim një nga shprehjet më të qarta të realitetit të ri që ishte i fshehur në Dhiatën e Vjetër, por që Dhiata e Re e bëri të qartë: Kisha e Jezusit është “një komb i shenjtë.” Ajo është Vendi i ri i Shenjtë, Izraeli i ri.

Si të krishterë, Perëndia na bën të gjithëve qytetarë të vendit të shenjtë, që është qielli (Fil. 3:20), kur Ai na sharton në trupin e Krishtit. Kur ne shartohemi në Krishtin, ne në njëfarë mënyre zotërojmë jetën e përjetshme dhe bëhemi qytetarë të qiellit.

Perëndia është i shenjtë. Shenjtëria është një nga përsosmëritë ose atributet e Perëndisë (Eks. 15:11; Lev. 20:26; Jos. 24:19; Ps. 99:9; Rom. 1:4; Efes. 4:24; Heb. 12:10). Duke qenë se Perëndia është vetë shenjtëria, çdo shenjtëri që ekziston në botë, çdo shenjtëri që ndonjë krijesë e vdekshme zotëron, ose çdo tokë apo objekt që e ka, është rrjedhëse. Vetëm Perëndia ka fuqinë të shpallë një person, vend ose objekt të shenjtë.

Të krishterët e vërtetë janë të shenjtë; ne jemi të shenjtorë (Rom. 1:7; 1 Kor. 1:2; 2 Kor. 1:1; Efes. 1:1; Fil. 1:1; Kol. 1:2; 1 Thes. 3:13; 2 Thes. 1:10; Heb. 12:14). Kisha (Greq. ekklesia) do të thotë “të thirrurit”—ata që janë thirrur nga skllavërimi i botës mëkatare, mishit dhe djallit, për t’i shërbyer Perëndisë. Të krishterët janë të shenjtë për shkak të bashkimit të tyre me Krishtin. Ne jemi të banuar prej Frymës së Shenjtë dhe kështu, ne bëhemi tempulli i shenjtë i Perëndisë (1 Kor. 3:16, 17, 19; 2 Kor. 6:16). Perëndia na veçon nga bota dhe na shenjtëron për Veten. Përmes drejtësimit, Perëndia na sheh si të shenjtë (të shenjtëruar) për shkak të shenjtërisë dhe drejtësisë së përsosur të Krishtit, e cila na është atribuar (transferuar) dhe pranuar vetëm me anë të besimit. Ndërsa ne rritemi në ngjashmëri me Krishtin, përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, ne në mënyrë progresive, bëhemi më të shenjtë, heqim mëkatin, ripërtërijmë mendjet tona me anë të fjalës së Perëndisë, dhe veshim drejtësinë dhe shenjtërinë e përsosur të Krishtit. Në përlëvdimin tonë, një ditë do të bëhemi të shenjtë plotësisht në qiell.

Vetëm Perëndia mund ta shpallë diçka të shenjtë ose të pashenjtë; Ai e bën këtë përmes vullnetit të Tij të zbuluar, Biblës (Eksod. 3:5; 12:16; 20:8; Isa. 44:8; 45:6, 21; Veprat 10:28; 1 Kor. 7:14). Bibla vetëm është e mjaftueshme për doktrinën e kishës dhe asgjë nuk mund t’i shtohet ose t’i hiqet asaj (2 Pjet. 1:3; 2 Kor. 3:5, 9; Zb. 22:18-19; Dhet. 4:2; 12:32-13:5).

Kishat, përveç Fjalës së Perëndisë, nuk kanë autoritetin për ta shpallur diçka të shenjtë. Është mëkat të shpallësh diçka të zakonshme (d.m.th., jo të shenjtë), nëse Perëndia thotë se është e shenjtë. Po ashtu, është mëkat të quash diçka të shenjtë, të cilën Perëndia nuk e quan të shenjtë.

Perëndia kurrë nuk e shpalli kombin modern të Izraelit të shenjtë ose tokë të shenjtë. Për këtë arsye, është mëkat dhe arrogancë që ne të themi se ai është i tillë. Në fakt, një pretendim i tillë bie ndesh me dëshminë e qartë të Dhiatës së Re për përmbushjen e profecive të Dhiatës së Vjetër për Jerusalemin dhe Izraelin.

Dhiata e Re na tregon se qielli, të cilën apostulli Gjon e quan “qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri,” përmbush profecitë e Dhiatës së Vjetër për madhështinë e ardhshme të Jerusalemit (Zb. 3:12; 21:1-4, 9-27). Perëndia do të rindërtojë tempullin e Tij, jo në Jerusalemin e vjetër në Lindjen e Mesme, por në Jerusalemin e Ri, ku “Zoti Perëndi i Gjithëpushtetshmi është tempulli i tij dhe Qengji” (Zb. 21:22).

Jerusalemi i Ri përmban të gjithë të zgjedhurit e Perëndisë nga të gjitha kohërat, hebrenj dhe johebrenj. Ai përfshin ata që Zoti i shpëtoi dhe do t’i shpëtojë nën besëlidhjet e vjetra dhe të reja. Kjo e vërtetë shihet në faktin se Jerusalemi i Ri ka dymbëdhjetë porta “dhe emrat e shkruar mbi to, që janë emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.” Dhe “muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe në ta emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit” (Zb. 21:12-14).

Libri i Dhiatës së Re, Hebrenjve, na jep të njëjtin mësim, duke iu referuar atje “Jerusalemit qiellor”: “Por ju iu afruat Malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, edhe morisë së engjëjve, kuvendit të përgjithshëm dhe kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej, dhe Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur, dhe Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit” (Heb. 12:22-24).

Por ndoshta, më qartë se gjithçka, ne mund të shohim se pse Izraeli nuk është më vend i shenjtë përmes kontrastit simbolik që Perëndia na dha në letrën e Palit tek Galatasve (4:21-31). Aty Pali vë në kontrast dy bijtë e Abrahamit, Isakun dhe Ismailin, dhe nënat e tyre, Sarën dhe Hagarën. Sara ishte grua e lirë, por Hagara ishte shërbëtore. Perëndia thotë se të dy gratë përfaqësojnë “dy besëlidhje” (Gal. 4:24). Hagara përfaqëson besëlidhjen “nga Mali i Sinait, që lind fëmijë që do të jenë skllavë” (Gal. 4:24). Sara përfaqëson besëlidhjen e Abrahamit, që përmbushet në besëlidhjen e re, besëlidhjen e Krishtit. Hagara “përfaqëson Malin e Sinait në Arabi dhe i korrespondon qytetit aktual të Jerusalemit, sepse ajo është në skllavëri me fëmijët e saj” (Gal. 4:25). “Por Jerusalemi që është lart është i lirë, dhe ajo është nëna jonë” (Gal. 4:26).

Apostulli Pali vazhdon te Galatasve 4:28-31: “Kurse ne, o vëllezër, jemi sikundër Isakut, bij të premtimit. Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë, që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani. Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe birin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me të birin e së lirës.” Kështu, pra, vëllezër, nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës”.

Ndër të tjera, Pali këtu na mëson se qyteti aktual i Jerusalemit në të ashtu-quajturin “Vendi i Shenjtë” është toka e Hagarës, gruas shërbëtore. Në kontrast, të krishterët, që si Isaku janë fëmijë të premtimit, janë qytetarë të një “toke më të mirë,” “një toke qiellore” (Heb. 11:16). “Sepse nuk kemi këtu qytet të qëndrueshëm, por kërkojmë atë qytet që do të vijë” (Heb. 13:14). Të krishterët janë qytetarë të Vendit të ri të Shenjtë të Perëndisë, që është Jerusalemi lart, Jerusalemi qiellor (Heb. 12:22), Jerusalemi i ri (Zb. 21:2); ajo është nëna e të gjithëve.

Duke u lutur për paqen e Jerusalemit (Psa. 122:6), ne lutemi për paqen e Kishës së Krishtit. Kisha është vendi i shenjtë i Perëndisë, sepse aty banon Fryma e Tij e Shenjtë. Ne jemi tempulli i Perëndisë. Perëndia nuk është më i lidhur me ndonjë vend apo komb të caktuar. Që njeriu të shpallë ndonjë komb, qytet apo vend si të shenjtë është vecëse bestytni. Perëndia ka shpallur se ne jemi Jerusalemi i ri.

Pra, si përmbledhje, nën besëlidhjen e vjetër, kombi i Izraelit ishte komb i shenjtë vetëm për aq kohë sa lavdia e Perëndisë banonte aty. Lavdia e Perëndisë u largua prej tyre si pasojë e rebelimit të tyre (Ezek. 10:18). Nën besëlidhjen e re, i gjithë populli i Perëndisë—hebrenj dhe johebrenj—janë veçuar si të shenjtë dhe janë qytetarë të vendit të shenjtë që quhet Jerusalemi qiellor, vetë qielli (Fil. 3:20; Heb. 12:22). Kudo që shenjtorët e Perëndisë mblidhen së bashku, ai vend është i shenjtë vetëm për aq sa ata janë tempulli i shenjtë i Perëndisë (1 Kor. 3:16–17; 6:19), dhe jo sepse ndërtesa apo toka ku ndodhen është e shenjtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes