Kryesimi i Burrit të Reformuar
Nga David Engelsma
Lëvizja feministe dhe gruaja e pabindur po marrin gjithë vëmendjen në rrethet konservatore sot. Ato fajësohen për trazimin e martesës dhe të familjes.
Kjo është e kuptueshme. Lëvizja feministe është e fuqishme në botë. Ajo ka bërë depërtime të dukshme edhe në kishat e Reformuara dhe ungjillore. Duke mohuar kryesimin e burrit në kishë, feminizmi, në mënyrë të pashmangshme, refuzon edhe kryesimin e burrit mbi gruan në shtëpi. Çdo lëvizje që “çliron” gruan dhe nënën nga nënshtrimi ndaj burrit të saj është vërtet, një armike e martesës dhe e familjes, si dhe një trazuese e paqes së shtëpisë.
Problemi është se një kërcënim tjetër për shtëpinë shpesh anashkalohet. Ky kërcënim nuk është aspak më pak shkatërrues për martesën dhe familjen se sa gruaja e pavarur apo e rebeluar. Ai është po aq i përhapur në kishat konservatore, përfshirë edhe Kishat Protestante të Reformuara, sa është edhe rreziku i gruas së panënshtruar. Ky kërcënim është ligësia e keqpërdorimit të kryesimit nga ana e burrit dhe babait.
Krishti, Zoti, e thërret burrin dhe babain e krishterë për kryesim: “Sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti kreu i kishës” (Efesianëve 5:23; krahaso me 1 Korintasve 11:3). Ky kryesim është autoriteti mbi gruan dhe, si rrjedhim, mbi familjen. Kjo provohet pa asnjë dyshim prej krahasimit te Efesianëve 5 midis kryesimit të burrit mbi gruan dhe kryesimit të Krishtit mbi Kishën e Tij. Të mohosh që kryesimi i burrit mbi gruan te Efesianëve 5:22-33 ka të bëjë me autoritetin në familjen njerëzore është të rrëzosh Krishtin nga funksioni në kishë. Që ky kryesim është autoritet, konfirmohet nga përgjigjja e duhur e gruas: nënshtrimi (v. 22, 24) dhe respekti (v. 33).
Krishti e autorizon burrin dhe babain e Reformuar të qeverisë gruan, fëmijët dhe shtëpinë e tij. Kjo është përgjegjësia e tij. Ai do t’i japë llogari Krishtit në Ditën e Gjykimit.
Kryesimi i burrit nuk është autoritet absolut. Nuk është e drejta për ta trajtuar gruan dhe fëmijët sipas dëshirës së tij. Ajo është e drejta dhe detyra për t’i trajtuar gruan dhe fëmijët sipas dëshirës së Krishtit. Krishti është Zoti i gruas, fëmijëve, shtëpisë dhe burrit. Vullneti i Krishtit përcakton natyrën e kryesimit të burrit, mënyrën se si kryhet ky kryesim, dhe qëllimin e kryesimit. Çdo burrë e njeh këtë vullnet të Krishtit, sepse Krishti e ka zbuluar qartë në Shkrimin e Shenjtë. Ai e ka zbuluar qartë vullnetin e Tij për kryesimin e burrit te Efesianëve 5:23: “sikurse Krishti kreu i kishës.”
Kryesimi i burrit është një kryesim i dashurisë. Është kryesim i dashurisë me të cilën Krishti do Kishën e Tij. Autoriteti i një burri është rreptësisht i kufizuar, i kontrolluar dhe i drejtuar nga dashuria, me të vërtetë, nga një dashuri e tillë.
Burri ka të drejtën që ta konsiderojë gruan e tij, të shtrenjtë dhe të çmuar për veten e tij. Ai ka të drejtën që të japë veten për gruan e tij, duke u sakrifikuar. Ai ka të drejtën që të jetojë jetën e tij, jo larg nga gruaja apo në kurriz të saj, por me të dhe përmes saj. Ai ka të drejtën që ta trajtojë atë me fjalë dhe vepra me butësi: “e ushqen dhe kujdeset me ngrohtësi për të” (Efesianëve 5:29). Ai ka të drejtën që të bëjë mirëqenien e saj qëllimin e jetës së tij martesore me të. Në këtë marrëdhënie dashurie, ai ka të drejtë të qeverisë jetën e saj.
Edhe pse kryesimi i tij mbi fëmijët ndryshon në disa aspekte nga ushtrimi i kryesimit mbi gruan, natyra dhe qëllimi i autoritetit të babait mbi fëmijët janë të njëjta. Është një autoritet i dashurisë që synon të mirën tokësore dhe shpirtërore të fëmijëve. Mësimi i mirë dhe disiplinimi do të jenë veçori të veçanta të sundimit të babait. Durimi ndaj dobësive të fëmijëve dhe mëshira ndaj tyre në vështirësitë e tyre do të karakterizojnë kryesimin e një burri të Reformuar mbi familjen. Në këtë dhe me anë të kësaj marrëdhënie dashurie, ai ka të drejtë të qeverisë jetën e tyre.
Gruaja duhet të jetë në gjendje të shohë Krishtin te burri i saj.
Fëmijët duhet të jenë në gjendje të shohin Atin e tyre qiellor te babai i tyre.
Ky është kryesimi i reformuar. Zoti Krisht e kërkon këtë nga çdo burrë që martohet. Çdo burrë i martuar është betuar përpara Perëndisë se ai do të jetë një burrë dhe baba i tillë, sepse kjo është një nga betimet e martesës. Aftësia për të ushtruar këtë kryesim është një hir i çmuar i Frymës së Shenjtë, për të cilin një djalë duhet të lutet me përkushtim përpara se të martohet dhe për të cilin të gjithë burrat dhe baballarët duhet të lutën gjatë gjithë jetës së tyre. Fryma e kryen këtë hir në linjat e besëlidhjes, në mënyrë që kryesimi i mirë të transmetohet nga babai tek djali. Djali rritet duke parë babanë e tij duke e trajtuar nënën dhe fëmijët në mënyrën e duhur. Nën bekimin e Frymës së besëlidhjes, djali mëson të bëhet vetë burrë dhe baba i krishterë.
Kryesimi keqpërdoret. Kryesimi keqpërdoret në rrethet konservatore. Nuk po flas tani për mangësitë e të gjithë burrave dhe baballarëve, ku edhe më të shenjtët, kanë mangësi të cilat janë një dhimbje për ta. As nuk po flas për veprimet mëkatare kundër gruas dhe fëmijëve që të gjithë burrat dhe baballarët herë pas here kryejnë, të cilat ata i pranojnë përpara Perëndisë dhe familjes së tyre. Po flas për një mënyrë të ligë jetese që vazhdon në martesë dhe familje, për një model të sjelljes nga “kryetari i shtëpisë” që nuk ndryshon kurrë sepse nuk pendohet kurrë.
Një formë e keqpërdorimit të kryesimit është dështimi i burrit për të jetuar me gruan dhe fëmijët e tij. Ai ha dhe fle në të njëjtin ndërtesë, por nuk ka përfshirje në familje, nuk ka kujdes për jetën e tyre, as interes për veprimet dhe problemet e tyre, as mbikëqyrje ditore. Puna dhe argëtimi janë dashuria e tij. Ky kre nuk duhet të habitet që ka mungesë përgjigjeje kur ai përpiqet të imponojë vullnetin e tij në shtëpi. Një trup nuk përgjigjet ndaj një kreu të largët dhe të painteresuar.
Një formë më e keqe e keqpërdorimit të kryesimit është sundimi i ashpër dhe i egër. Burri dhe babai sundon me kërcënim dhe forcë. Ai zemërohet. Ai tall dhe poshtëron. Ai është gjithmonë kritik, kurrë nuk lavdëron. Disiplina e tij fizike mbi fëmijët përbëhet nga goditjet në shpërthim zemërimi, në vend të goditjes së butë në dashurinë që synon shenjtërinë e tyre. Ai mund të guxojë madje të godasë dhe të vërë dorë mbi gruan e tij. Ka nënshtrim në familje. Është nënshtrimi i tmerrit. Gruaja dhe fëmijët dridhen përpara këtij kreu të urrejtshëm dhe dhunues.
Asnjë burrë nuk mund ta justifikojë këtë tirani duke dhënë si arsye kryesimin e tij. Krishti nuk jep këtë lloj autoriteti. Kjo është deformim djallëzor i kryesimit.
Një burrë i tillë është budalla. Duke keqtrajtuar gruan e tij – mishin e tij – ai në të vërtetë është duke urryer veten (Efesianëve 5:28,29). Nëse ai mendon të arrijë bindjen e gruas së tij me këtë mënyrë, ai vetëm mashtron veten. Një grua nuk mund të detyrohet të bindet me këtë mënyrë. Ajo duhet të fitohet me dashuri. Krishti tërheq gruan e Tij me litarë dashurie.
Babai i ftohtë ose i egër, në mënyrë të marrë, shkatërron mishin dhe gjakun e tij – fëmijët e vet. Ka gjasa që ai të vërë në lëvizje një keqpërdorim të kryesimit për brezat që vijnë, teksa djemtë e tij ndjekin shembullin e tij. Ka bekim në besëlidhje, që është e shëndetshme për familjen nga brezi në brez. Ka gjithashtu gjykim në besëlidhje, sepse mëkatet e baballarëve vizitohen mbi fëmijët deri në brezin e tretë dhe të katërt.
Kjo nuk do të thotë se një burrë i ri në kishë mund të justifikojë sjelljen e tij të mjerueshme ndaj familjes së vet me shembullin e keq të babait të tij. Asnjë nuk mund ta konsiderojë veten viktimë të pafuqishme. Fjala e Perëndisë e udhëzon qartë se si duhet të jetojë me gruan e tij, pavarësisht nga shembulli i babait të tij. Fjala e Perëndisë e thërret me forcë të marrë Krishtin si model, jo babanë e tij të pabindur. Ekziston një Frymë e Shenjtë që fuqizon çdo besimtar të jetë kreu i dashurisë që Fjala kërkon. Në Ditën e Gjykimit, Perëndia do të mbajë çdo burrë plotësisht përgjegjës për moskryerjen e kryesimit së gruas së tij në dashurinë e Krishtit. Gjykatësi nuk do të pranojë justifikime si “rrethana lehtësuese.”
Ka dhe duhet të ketë ndihmë për gratë dhe fëmijët në kishë që vuajnë nën burra që keqpërdorin kryesimin e tyre. Kjo ndihmë është njëkohësisht ndihmë edhe për burrat mëkatarë që, nëse vazhdojnë në ligësinë e tyre të rëndë, do të dënohen. Kjo ndihmë është kisha. Konkretisht, ndihma është predikimi i qartë dhe disiplinimi i fortë i kishës. Predikimi jep udhëzime të hollësishme për burrat mbi ushtrimin e duhur të kryesimit. Ai gjithashtu paralajmëron qartë kundër keqpërdorimit të kryesimit. Ky predikim sjell pendim dhe ndryshim të sjelljes së burrit të egër, ose kush sheh fëmijët duke u dëmtuar nga një baba i egër, duhet t’i tregojë kishës, domethënë pleqve. Pleqtë nuk duhet ta kthejnë gruan mbrapsht për shkak të problemeve që rasti tregon. Ata duhet ta marrin çështjen në dorë. Ata duhet të punojnë me burrin mëkatar.
Gruaja që vuan nga duart e tij duhet të kërkojë që ai të pendohet dhe të ndryshojë sjelljen e tij. Ata duhet të mbajnë një vëzhgim të afërt mbi familjen për një kohë të caktuar për të qenë të sigurt që burri nuk kthehet te zakonet e vjetra.
Kjo mbikëqyrje e jetës familjare është detyrë e kishës. Krishti e ka thirrur atë të mbrojë burrat dhe baballarët në bashkësinë e saj nga shkatërrimi i tyre shpirtëror dhe i përjetshëm. Krishti e ka thirrur gjithashtu të mbrojë gruan dhe fëmijët e pambrojtur nga shtypësi.
Në këto kohë të egra dhe të hutueshme në fund të epokave, kisha e Reformuar duhet të jetë mbrojtësja e martesës dhe familjes.
Ajo duhet të kundërshtojë feminizmin, duke shpallur nënshtrimin (si kisha) e gruas së krishterë.
Me të njëjtën vendosmëri, ajo duhet t’i kundërvihet dominimit egoist mashkullor, duke shpallur kryesimin (si Krishti) e burrit të krishterë.
Amen!