Arti i Dashur i Disiplinimit me Thupër

Disiplinimit

Arti i Dashur i Disiplinimit me Thupër

Nga Philip Lancaster

Një nga historitë më të trishta në Bibël është ajo e Elit dhe e bijve të tij (1 Samueli 2–4). Eli ishte kryeprifti i Izraelit në brezin para mbretit Saul. Pikërisht atij iu besua djaloshi Samuel nga nëna e tij, Ana, që të rritej në familjen priftërore. Bijtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, shërbenin si priftërinj nën drejtimin e të atit gjatë kohës kur Samueli po rritej.

Në mënyrë tronditëse, Shkrimi thotë se “bijtë e Elit ishin njerëz të këqij; nuk e njihnin Zotin” (2:12). Si ka mundësi? Bijtë e Elit, njeriut që me butësi mësoi Samuelin të dallonte zërin e Zotit (3:1 e në vazhdim), nuk e njihnin Zotin? Priftërinjtë e Izraelit ishin të korruptuar?!

Po, dhe korruptimi i tyre nuk ishte i një lloji të vogël. Ne na thuhet se ata i shpërfillnin plotësisht udhëzimet e Zotit për mënyrën se si duheshin administruar flijimet e popullit. Perëndia, në ligjin e Tij, kishte përcaktuar me kujdes se si duhej therur kafsha e flijimit, cilat pjesë duheshin djegur dhe cila pjesë u takonte priftërinjve si pjesë e tyre. Por bijtë e Elit e shpërfillën krejtësisht ligjin e Perëndisë për hir të oreksit të tyre personal. Ata kërkonin për vete pjesët më të mira të mishit të flijimit dhe, nëse ai që sillte ofertën kundërshtonte, ata thjesht e kërcënonin se do ta merrnin mishin me forcë. “Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit” (2:17). Sikur kjo të mos mjaftonte, bijtë e Elit “binin në shtrat me gratë që kryenin shërbimin në hyrje të çadrës së mbledhjes” (2:22). Mëkati i këtyre priftërinjve ishte bërë famëkeq. Në vend që ta shtynin popullin drejt shenjtërisë, ata ishin duke e korruptuar atë në mënyrë aktive.

Po cili ishte reagimi i Elit kur “dëgjoi të gjitha ato që bijtë e tij i bënin gjithë Izraelit” (2:22)? Ja çfarë thuhet: “Ai u tha atyre: ‘Pse bëni gjëra të tilla? Mos, bijtë e mi! Sepse zërat që dëgjoj për ju nuk janë aspak të mira. Ju e shtyni popullin e Zotit të mëkatojë. Në rast se një njeri mëkaton kundër një njeriu tjetër, Perëndia e gjykon; por në rast se një njeri mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërhyjë për të?’” (2:23–25). Kjo tingëllon si një përgjigje e drejtë. Ai i qortoi bijtë e tij në një mënyrë që tregonte seriozitetin e shkeljeve të tyre. Por kjo nuk mjaftonte. “Por ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të vdisnin.” (2:25).

Disa vargje më vonë ne dëgjojmë fjalët e një profeti që Zoti kishte dërguar për t’iu drejtuar Elit. Ai foli fjalët e Zotit: “‘Pse pra i përcmoni flijimet dhe blatimet e mia që kam urdhëruar të bëhen në banesën Time, dhe pse nderoni më tepër fëmijët tuaj se Mua, duke u trashur me pjesën më të mirë të blatimeve të Izraelit, të popullit tim?’” Është e qartë se Perëndia nuk ishte i kënaqur! Ai fajësoi Elin për sjelljen e bijve të tij dhe e akuzoi atë se kishte nderuar bijtë e tij më shumë se Perëndinë. Si mund të ishte kjo? Eli i kishte qortuar mëkatet e tyre pa asnjë mëdyshje. Çfarë tjetër mund të kishte bërë ai?

Përgjigjen ne e mësojmë kur lexojmë përmbajtjen e profecisë së parë të Samuelit, e cila ishte një profeci gjykimi mbi Elin dhe shtëpinë e tij: “Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij përgjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar.” (3:13). Me sa duket, Perëndia e konsideroi qortimin verbal të Elit si të pamjaftueshëm. Kërkohej diçka më shumë sesa vetëm fjalë. Zoti priste që ky baba t’i “frenonte” realisht bijtë e tij dhe t’u jepte fund shkeljeve të tyre. Ai ishte në pozitë autoriteti. Bijtë e tij ishin nën drejtimin e tij. Dështimi i tij për të kaluar përtej qortimit dhe për të kërkuar e për të arritur një ndryshim real në sjellje ishte një mëkat aq i madh sa solli gjykimin më të rëndë: “Prandaj unë i betohem shtëpisë së Elit që paudhësia e shtëpisë së Elit nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe blatime.” (3:14).

Perëndia e merr shumë seriozisht detyrën e një babai për të kërkuar dhe për të arritur sjellje të drejtë prej fëmijëve të tij.

Por çfarë mund të kishte bërë Eli? Bijtë e tij e shpërfillën qortimin. Ata ishin të rritur. A mund t’i kishte marrë ai ata mbi gju dhe t’i kishte ndëshkuar me thupër? A do të kishte bërë kjo ndonjë të mirë? Sigurisht që ishte tepër vonë për këtë. Por pikërisht ky është mësimi që duhet të nxjerrim nga kjo histori: një baba duhet t’i trajnojë fëmijët të binden kur janë të vegjël, sepse është tepër vonë kur ata rriten. Është e qartë se Eli kishte qenë një baba lejues dhe nuk kishte vënë kërkesa mbi bijtë e tij. Me sa duket, ai i qortonte ata kur bënin gabim, por ata kishin mësuar se kjo nuk do të sillte asnjë pasojë. Ata mund të vazhdonin të bënin çfarë të donin pa u ndëshkuar.

Eli duhej ta kishte frenuar sjelljen e bijtë e tij kur ata po rriteshin. Nëse ai do e kishte bërë këtë, atij nuk do t’i duhej të merrej me shkeljet e tyre të turpshme kur ata u bënë më të mëdhenj. Madje edhe në atë fazë, ai duhej t’i kishte shkarkuar bijtë e tij dhe, nëse ishte e nevojshme, të kishte thirrur levitët që ndihmonin në shërbimin e tempullit për t’i larguar ata nga detyra priftërore. Ai e kishte pushtetin për ta bërë këtë dhe pikërisht këtë priste Zoti prej tij. Por ai nuk ishte mësuar që t’i frenonte djemtë e vet dhe mbeti në modelet që me sa duket i kishte vendosur shumë kohë më parë: qorto mëkatin, por mos vendos kurrë një kufizim real e fizik mbi sjelljen.

THUPRA: NJË MJET I HIRIT

Nëse ne nuk duam të përsërisim mëkatin e Elit, ne duhet të mësojmë si t’i edukojmë dhe trajnojmë fëmijët tanë kur janë të vegjël, dhe në mënyrë të veçantë duhet të mësojmë se si t’i stërvitim ata në një mënyrë që shkon përtej qortimit verbal drejt implementimit praktik të standardeve të Perëndisë për të drejtën dhe të gabuarën. Por si bëhet kjo? Cila është metoda e Perëndisë për të implementuar sjelljen e duhur te fëmijët tanë? Si t’i “frenojmë” veprimet e tyre, madje deri në atë masë sa të përdorim masa fizike për të siguruar rezultate?

Zgjidhja që ofron Shkrimi është thupra. “Mos ia kurse korrigjimin fëmijës, edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë. Do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli” (Fjalët e Urta 23:13–14). Baballarëve u është dhënë mjeti i ndëshkimit trupor për të formuar sjelljen e fëmijëve të tyre. Thupra përfaqëson autoritetin e babait (dhe rrjedhimisht edhe të nënës, pasi ajo e ndan autoritetin e tij si ndihmësja e tij). Ai është mjeti me të cilin prindërit frenojnë fizikisht sjelljen e keqe të fëmijëve dhe i sjellin ata në përputhje me standardet e Perëndisë.

Rrahja me thupër nuk pranohet nga psikologët modernë që mendojnë se dinë më mirë se sa Perëndia. Këta mësues të rremë e shohin thuprën si një formë dhune, si abuzim ndaj fëmijës. Në të vërtetë, ajo është një përdorim i butë dhe i përmbajtur i forcës dhe i dhimbjes (jo dhunë); por nuk është abuzim ndaj fëmijës. Ajo është një dozë e administruar me kujdes e një lëndimi sipërfaqësor që synon të sjellë pendim dhe ndryshim sjelljeje. Ne e dimë se është e përmbajtur, sepse Fjala e Urtë thotë se fëmija i rrahur me thupër “nuk do të vdesë”. Qëllimi nuk është dëmtimi serioz. Qëllimi është dhimbja që çon në ndryshim zemre dhe veprimesh. Nga këndvështrimi biblik, “abuzim ndaj fëmijës” do të përkufizohej si dështimi për të përdorur thuprën. Ata që e përbuzin përdorimin e saj nuk i duan mjaftueshëm fëmijët e tyre për të shpëtuar shpirtrat e tyre nga ferri! Ashtu si bijtë e padisiplinuar të Elit u rritën në rebelë të pandreqshëm të destinuar për gjykimin më të ashpër, po kështu çdo fëmijë të cilit i kursehet thupra është në rrezik të ferrit. Prandaj një tjetër Fjalë e Urtë në Bibël del në përfundimin: “Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë” (13:24).

Fjalët e urta i vënë prindërit përpara një zgjedhje: t’u japin fëmijëve të tyre një çast dhimbjeje fizike ose një përjetësi dhimbjeje që mundon shpirtin. Thupra është mjeti që Perëndia ka caktuar për t’i shndërruar fëmijët nga reblë në të bindur. “Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës; por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj” (Fjalët e Urta 22:15). Te Fjalët e Urta, budallai nuk është thjesht një njeri i paditur apo naiv; ai është një rebel. Kështu, kur vargu thotë se marrëzia lidhet me zemrën e fëmijëve, po thotë se ata kanë një prirje të rrënjosur thellë drejt rebelimit. Ajo është aq e thellë sa vetëm qortimi nuk mjafton për ta nxjerrë nga zemra. Nevojiten masa më të forta. Dhe Perëndia premton se ndëshkimi trupor me shkop do të ketë efekt të dobishëm: ai do ta nxjerrë rebelimin nga zemra. Po ta kishte bërë Eli këtë me djemtë e tij kur ishin të vegjël, ai nuk do të kishte pasur atë pikëllim kur ata u rritën.

Kjo është një e vërtetë mahnitëse. Në thupër, ne kemi një mjet të vërtetë hiri, një masë që është pjesë e asaj që Perëndia përdor për t’i shndërruar fëmijët tanë nga pasardhës rebelë të Adamit në bij të bindur të Perëndisë. Sigurisht që, në vetë thuprën nuk ka hir ungjillor. Instrumenti fizik i thuprës nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi shpirtin, dhe shumë njerëz që përmes ndëshkimit në fëmijëri janë formuar në të rritur të ndershëm e të moralshëm, prapësëprapë nuk ia kanë nënshtruar vullnetin e tyre Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar. Megjithatë, Perëndia e përdor shkaktimin e dhimbjes fizike nga prindi i krishterë si pjesë të procesit për hapjen e zemrës së fëmijës ndaj Zotit. Si mund të jetë i hapur ndaj ungjillit të hirit në Krishtin, një fëmijë që i reziston me kokëfortësi autoritetit të prindit të tij? Rebelët nuk përkulen para kryqit. Por ndërsa zemra çlirohet nga instinktet e saj kryengritëse përmes ndëshkimit, shpirti hapet ndaj ndikimeve të mëtejshme të hirshme të Frymës së Shenjtë që e çojnë fëmijën drejt shpëtimit.

KUR NUK DUHET PËRDORUR THUPRA

Është e qartë se babai i perëndishëm do të dëshirojë ta përdorë thuprën, për shkak se ai i do fëmijët e tij dhe dëshiron që t’i shohë ata t’i nënshtrohen Zotit gjatë gjithë jetës dhe t’i shmangen dhimbjeve të ferrit. Por kur duhet përdorur thupra? A duhet t’i rrahë fëmijët sa herë që ata bëjnë diçka gabim? Nga Shkrimet që kemi përmendur tashmë duhet të jetë e qartë se thupra përdoret për t’u marrë me rebelimin. “Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve [rebelëve]” (19:29). Le ta sqarojmë këtë çështje duke parë disa raste kur thupra nuk duhet përdorur.

Së pari, thupra nuk duhet përdorur për të korrigjuar thjesht papërvojën dhe fëmijërinë. Një dyvjeçar që rrëzon një vazo lulesh mbi tavolinën e një miku nuk është rebel; ai është kureshtar. Nuk do të ishte e përshtatshme ta ndëshkoje atë me shuplakë për diçka që vjen natyrshëm në këtë moshë eksplorimi. Por nëse vogëlushi vazhdon ta prekë bimën pasi i është thënë me vendosmëri “Jo, mos e prek”, atëherë një goditje e fortë në të ndenjura me thupër është me vend, për shkak se veprimi është shndërruar në rebelim për shkak të urdhrit të prindit.

Së dyti, thupra nuk duhet përdorur si përgjigje ndaj aksidenteve. Kur një nëntëvjeçar rrëzohet në shkallë duke sjellë ushqimet dhe thyen pothuajse të gjitha vezët, ai nuk po tregohet rebel. Ndoshta ai është i ngathët, dhe kjo ngathtësi mund të korrigjohet me stërvitje, por ngathtësia nuk është kryengritje. Ta rrahësh një fëmijë kur thyen diçka pa dashje mund ta bëjë prindin të ndihet më mirë (sidomos nëse ishte pjata e porcelanit të gjyshes), por ajo ka gjasa të hidhërojë zemrën e fëmijës, sepse ai e ndien padrejtësinë e sulmit kundër tij.

Së treti, thupra nuk duhet përdorur kur fëmija shfaq mungesë aftësie për të kryer një detyrë. Do të ishte një keqpërdorim i turpshëm i ndëshkimit trupor të rrahësh një fëmijë që po përpiqet të mësojë të ngasë biçikletën, ose që shkrimi i tij i dorës mbetet i çrregullt pavarësisht përpjekjeve reale të tij për të qenë i rregullt. Thupra është projektuar për të ndryshuar zemrën. Ajo nuk krijon ndjenjë ekuilibri apo dorë të qëndrueshme. Që prindi të përdorë shuplakën kur fëmija po arrin kufijtë e aftësive të tij është një formë abuzimi ndaj fëmijës (edhe pse jo çështje për shtetin).

Thupra është për kurrizin e budallenjve. Përdorimi i saj duhet rezervuar me kujdes për ato raste kur fëmija po rebelohet qartë kundër autoritetit. Kjo na sjell te pyetja: Si ta përkufizojmë rebelimin? Si duket ai? Ose, për ta thënë më pozitivisht, si duket bindja e vërtetë?

NATYRA E BINDJES SË VËRTETË

Fjalori im e përkufizon bindjen si “veprim i të bindurit” dhe si “gjendje e të qenit i bindur”. Ai që është i bindur është “i nënshtruar ndaj kufizimit ose urdhrit të autoritetit: i gatshëm për t’u bindur”. Ne e kuptojmë se bindja nuk është thjesht përputhje e jashtme me vullnetin e tjetrit; ajo përfshin qëndrimin që fshihet pas veprimit. Bindja nuk është vetëm të bësh atë që kërkon autoriteti, por ta bësh atë në një mënyrë të caktuar. Le të shqyrtojmë natyrën e bindjes së vërtetë.

Së pari, bindja e vërtetë është bindje e menjëhershme. Fëmijët janë urdhëruar të nderojnë prindërit e tyre (Eks. 20:12) si pjesë e detyrës së tyre për të nderuar çdo autoritet, dhe përfundimisht autoritetin e vetë Perëndisë. Ky qëndrim nderimi shfaqet kur fëmijët i përgjigjen urdhrit: “bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë” (Ef. 6:1). A kënaqet Perëndia nëse Ai më urdhëron diçka dhe unë e zvarris përgjigjen? Jo. Bindja e vërtetë, që buron nga nderimi ndaj Perëndisë dhe atyre që Ai ka vënë mbi mua, është e menjëhershme. Vonesa dhe ngurrimi tregojnë se fëmija nuk dëshiron të bindet dhe po e shtyn atë sepse ajo nuk i përshtatet në atë moment. Bindja e shtyrë duhet trajtuar si mosbindje. Ajo nuk është bindje “në Zotin“.

Së dyti, bindja e vërtetë është bindje e plotë. Ashtu si bindja e vonuar është një pohim i vullnetit vetjak mbi kohën e të bindurit, po kështu bindja e pjesshme është pohim i vullnetit vetjak mbi masën e përputhjes. Mbreti Saul nuk shkatërroi të gjithë njerëzit dhe të mirat e Amalekitëve sic Perëndia kishte urdhëruar. E prapësëprapë, ai iu mburr Samuelit: “Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit” (1 Sam. 15:13). Pasi Samueli u përball me Saulin me provat e dështimit të tij për t’u bindur plotësisht dhe hodhi poshtë justifikimet e tij, ai e pyeti mbretin: “Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit?” (v. 19) Sauli mendonte se 90% bindje ishte e mjaftueshme. Perëndia kishte një matës krejt tjetër: Perëndia kërkonte përputhje 100% me vullnetin e tij. Nëse vajzës sime gjashtëvjeçare i thuhet që të sjellë të gjitha enët në kuzhinë dhe ajo sjell gjithçka përveç gotave të ujit, kjo nuk është bindje, pavarësisht sesa shpejt ajo e kreu atë. 90% bindje është mosbindje.

Nevoja për bindje të plotë nga një fëmijë tregon se prindi duhet të jetë shumë i qartë në dhënien e udhëzimeve. Nëse urdhri është i paqartë, bindja nuk mund të jetë e saktë, dhe do të ishte e gabuar të rrihje një fëmijë që thjesht nuk kuptoi se çfarë pritej prej tij. Tani, sigurisht, të gjithë e dimë që fëmijët mund të përfitojnë nga situata dhe të pretendojnë se nuk kuptuan ose nuk dëgjuan, por kjo vetëm thekson më shumë nevojën për qartësi. Është më mirë të kesh kontakt sy më sy me fëmijën për t’u siguruar që urdhri yt është dëgjuar, dhe ndoshta edhe ta bësh fëmijën të përsërisë urdhrin nëse ka ndonjë tendencë që ai të “keqkuptojë” ose të “mos dëgjojë.” Të kërkosh një “Po, zotëri” ose “Po, zonjë” si shenjë që udhëzimi është dëgjuar dhe kuptuar është gjithashtu një ide e mirë.

Së treti, bindja e vërtetë është bindje e gëzueshme. Këtu hyjmë në çështjen e qëndrimit të zemrës. Perëndia shqetësohet më shumë për qëndrimin e zemrës sesa për veprimin e jashtëm, megjithëse të dyja janë të rëndësishme. Gabimi i madh i Farisenjve ishte mendimi se Perëndia kujdesej vetëm për përputhshmërinë e jashtme me vullnetin e Tij. Jezusi u tha atyre se ata dukeshin të bukur jashtë, si një varr i bukur, por brenda kishin erën e rëndë të kalbjes (Mat. 23:27). Zemrat e tyre ishin larg Perëndisë, megjithëse shqetësoheshin me përpikëri për të dukur të drejtë në dukje. Denoncimet më të ashpra të Jezusit u ruan për ata që mendonin se kënaqja e Perëndisë ishte thjesht çështje e jashtme dhe që i linin zemrat jashtë besimit të tyre.

Duke shpallur mallkimet që do të vinin mbi popullin e Tij kur ata nuk mbanin besëlidhjen e Tij, Zoti tha: “Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun e cdo gjëje, do t’u shërbesh armiqve të tu.” (Ligj. 28:47-48). Ndonjëherë njerëzit e Perëndisë binden me pahir së jatshmi, por zemra e tyre nuk është aty. Ata i shohin urdhërat e Perëndisë si të rëndë dhe nuk durojnë, edhe pse u përmbahen së jashtmi. Perëndia nuk e pranon një sjellje të tillë. Ai kërkon që ata që i shërbejnë Atij, të shërbejnë me gëzim.

Fëmijët tanë jo vetëm që duhet të përputhin veprimet e tyre me urdhrat që u japim, por gjithashtu duhet ta bëjnë këtë me një shpirt të gëzuar dhe pa ankesë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të kërkojnë sqarim për t’u siguruar që e kuptojnë atë që pritet, por qëndrimi i tyre duhet të jetë i drejtë. Ata nuk mund të lejohen që të ankohen, apo të marrin frymë të madhe me indinjatë, të rrotullojnë sytë, të rrudhin fytyrën, të tundin kokën ose të largohen nga ne me gjuhën e trupit që tregon përçmim. Sjellje të tilla tregojnë qartë një shpirt të pabindur, edhe nëse shoqërohen me veprime të jashtme që duket se ndjekin udhëzimet e dhëna. Thupra duhet përdorur në raste të tilla po aq sigurt sa sikur fëmija të kishte refuzuar fort të bindej tërësisht.

Të dështosh të disiplinosh për rebelim të brendshëm po ashtu si dhe për rebelim të jashtëm, është të sigurosh që zemra do të mbetet e panënshtruar. Rezultati do të jetë që do të krijojmë fëmijë që mësojnë të bëjnë atë që u thuhet, por zemrat e tyre mbeten në rebelim, si fëmija që, kur i thuhet të ulet, e bën këtë, por pëshpërit nën frymë: “Por unë ende jam në këmbë brenda vetes sime.” Nëse ky lloj qëndrimi, i shprehur në çfarëdo mënyre, lejohet të vazhdojë, një baba do të prodhojë Farisenj, të cilët, së jashtmi janë të bindur, por zemrat e tyre janë të mbushura me kalbësirë.

Pra, bindja nuk është të bëj atë që më thuhet kur e ndjej se më shkon. Nuk është të bëj pjesën më të madhe të asaj që më thuhet. Nuk është të bëj atë që më thuhet, me një shpirt ankues dhe të zymtë. Bindja është të bëj atë që autoriteti im më thotë të bëj, dhe ta bëj menjëherë, plotësisht dhe me gëzim. Çfarëdo më pak është rebelim dhe kërkon thuprën e korrigjimit.

Tani duhet të merremi me pyetjen se çfarë do të thotë saktësisht përdorimi i thuprës. Çfarë është thupra? Si duhet një prind t’i japë një dënim fizik fëmijës?

ÇFARË ËSHTË THUPRA?

Thupra e ndëshkimit te Fjalët e Urta nuk është ndonjë mjet torture i teknologjisë së lartë. Ai është thjesht një shkop, një copë druri. Gjyshja ime nga Karolina e Veriut e quante “degëz”. (Herën e parë që e dëgjova të më kërcënonte me përdorimin e saj, mendova se po planifikonte ndonjë lloj elektrokutimi, edhe pse më dukej paksa i tepruar për fajin tim.) Një baba hebre merrte një degë të vogël nga një pemë, mjaftueshëm të fortë për të shkaktuar dhimbje kur përdorej mbi pjesën e pasme, por mjaftueshëm elastike që të mos shkaktonte lëndim të vërtetë. Unë kam përdorur një shkop druri të hollë të blerë në dyqan veglash, rreth 8 mm trashësi dhe 45–60 cm gjatësi; i cili ka ekuilibrin e duhur mes fortësisë dhe përkulshmërisë.

Si në çdo gjë tjetër, ne jemi më të sigurt kur i përmbahemi urtësisë së dhënë në Shkrim. A mund të zëvendësojmë shkopin prej druri me diçka tjetër? Ndoshta, por pse ta bëjmë? Shumë prindër, përfshirë të mitë, kanë përdorur një rrip lëkure të trashë. Kjo zgjedhje mund të jetë mjaft efektive. I vetmi rrezik është nëse prindi rrëmbehet pak dhe e godet fëmijën me tokëzën e rripit (kjo i ndodhi një herë djalit të komshisë, pak dhimbje e madhe!). Disa përdorin lugë druri kuzhine, që janë mjaft të afërta me thuprën. Një shkop boje është tepër i dobët, përveç ndoshta për të ndenjurat e zhveshura të fëmijëve shumë të vegjël. Një herë pashë një lopatë druri të projektuar posaçërisht, rreth 30 cm e gjatë dhe gati 2 cm e trashë, me dorezë në njërin skaj. Kjo ishte tepër e fortë për t’u quajtur thupër: me atë mjet mund të vrisje dikë. Të tjerë kanë propozuar versione plastike të thuprës. Kundërshtimi im kryesor ndaj tyre është se nuk thyhen, siç mund të thyhet një shkop druri, nëse përdoren tepër fort.

Ka vlerë të vërtetë të kesh një mjet të veçantë që shërben si thupër disipline, në vend të ndonjë sendi të rastësishëm të shtëpisë. Thupra atëherë bëhet simbol i autoritetit disiplinor të prindërve dhe përdoret vetëm për ndëshkim trupor. Një rrip apo lugë kanë përdorime të tjera të përditshme dhe krijojnë simbole të paqarta.

Është mirë të shmanget përdorimi i dorës si mjet për rrahje. Në Psalmet dora simbolizon udhëheqjen e Perëndisë (139:10), sigurimin e Tij (104:28; 145:16), çlirimin dhe ndihmën e Tij (37:24; 119:173; 144:7). Ajo përfaqëson edhe disiplinën (32:4), por jo në kuptimin e goditjes me dorën e Perëndisë. Dora e mban shkopin dhe është prindi ai që zbaton disiplinën, por përdorimi i një mjeti neutral thekson se prindi nuk po vepron në emër të vetes dhe për qëllimet e tij, por po përfaqëson autoritetin e Perëndisë duke përdorur formën e ndëshkimit që Ai ka caktuar. Nuk është hakmarrje personale mbi fëmijën tim; është ndëshkimi që Perëndia më ka autorizuar të përdor ndërsa veproj në emrin e Tij.

 

SI TË NDËSHKOSH ME THUPER

Ne e dimë kur duhet zbatuar ndëshkimi trupor: kur ka rebelim kundër autoritetit; kur ka mosbindje. Ne e dimë edhe çfarë duhet përdorur: thupra. Tani le të flasim për anën praktike të zbatimit të tij. Cili është procesi që duhet ndjekur kur fëmijët tanë kanë nevojë për ndëshkim?

Së pari, një rrahje duhet dhënë menjëherë pas shkeljes. Predikuesi 8:11 thotë: “Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen.” Ashtu si bindja e fëmijës duhet të jetë e menjëhershme, po kështu edhe dënimi për mosbindjen duhet të jetë i shpejtë. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi e vërtetë. “Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë” (Fj. Urta 13:24). Është e rëndësishme të lidhet shkelja me ndëshkimin në mënyrë që fëmija të mësojë se veprimet kanë pasoja.

Është gjithashtu mungesë dashurie që ta bësh fëmijën të presë me frikë për dhimbjen që e di se e ka merituar. Stërgjyshi im u thoshte djemve të tij kur ata nuk bindeshin, se ata e kishin hak një rrahje. Pastaj, ai priste një ose dy javë dhe papritmas, ndërsa ai dhe i biri ecnin në rrugë, ai merrte shkopin dhe i thoshte atij se ishte koha për atë rrahjen që i takonte. Sa mund ta zemërojë një fëmijë kjo! (Efes. 6:4) Një mënyrë e tillë e disiplinimit padyshim mund ta shtyjë një fëmijë që të përbuzë babanë e tij. Jo, ndëshkimi duhet të jetë i menjëhershëm.

Rrahja duhet të bëhet nga babai nëse ai është i pranishëm (dhe nga nëna në mungesë të tij). Ai ushtron autoritetin e thuprës si kreu i familjes dhe ai duhet ta aplikojë disiplinën kur është me fëmijën e mosbindur. Kjo vlen edhe nëse ai është në bodrum duke riparuar tubacionin, ndërsa nëna është në kopsht me fëmijët. Kur njëri prej tyre nuk i bindet nënës, ajo duhet ta thërrasë babain për të zbatuar disiplinën. Kjo e nderon atë si udhëheqësin e familjes dhe i tregon pjesës tjetër të familjes se babai është në drejtim. Mosbindja ndaj nënës nuk ishte vetëm një shkelje ndaj saj, por ishte gjithashtu edhe një mëkat ndaj babait, autoriteti i të cilit në shtëpi (i deleguar tek bashkëshortja) ishte sfiduar. Për më tepër, siç e kemi vënë re më parë, forca e nevojshme për përdorimin e thuprës realizohet më lehtë nga një burrë sesa nga një grua.

Tani është e rëndësishme që nëna të mos bëhet personi që e qetëson fëmijën, ndërsa babai duket si ai “i keqi”. Ajo duhet të mbështesë rolin e tij si disiplinuesi kryesor dhe të mos lejojë asnjë përpjekje të fëmijës për t’i vënë prindërit kundër njëri-tjetrit. Sic do ta shohim më poshtë, kur babai disiplinon një fëmije, ai vetë duhet të përfundojë duke e qetësuar atë. Pastaj nëna e merr fëmijën përsëri, tashmë të disiplinuar siç duhet dhe përsëri në përbashkësi, por ajo nuk duhet të japë ngushëllim në një mënyrë që të tregojë se babai ishte i gabuar ose tepër i ashpër. Si ndihmëse e burrit, gruaja duhet të qëndrojë pranë tij ndërsa ai merret me shpirtin e fëmijëve të tij.

Kur babai nuk është në shtëpi, nëna duhet të kryejë detyrën e dhënies së thuprës. Ajo duhet të përdorë të njëjtën forcë dhe të kërkojë të njëjtin respekt si bashkëshorti i saj (edhe pse mund të shihet disavantazhi i të pasurit baballarë larg shtëpisë për shumë kohë). Ajo nuk duhet të thotë, “Prit deri të vijë babai yt në shtëpi”, sepse disiplinimi duhet të jetë i shpejtë dhe ajo ka të drejtë të ushtrojë autoritetin e bashkëshortit të saj në emrin e tij, sikur të ishte ai duke e bërë vetë. Duke thënë këtë, nuk është e papërshtatshme që një baba kur kthehet në shtëpi, të përdorë thuprën ndaj një fëmije që ka treguar një shpirt të përgjithshëm të mosbindjes gjatë ditës me nënën e tij. Përveç çdo thupre që i ka dhënë nëna për shkelje të veçanta, babai mund të merret me qëndrimin e përgjithshëm të mosbashkëpunimit, i cili përbën një shkelje të veçantë ndaj autoritetit të babait që ka lënë nënën në drejtim. “Nëna të dha thuprën sepse nuk pastrove dhomën kur ajo të tha, sepse godite vëllain tënd, dhe sepse hodhe kukullën e motrës tënde. Unë po të jap thuprën për mosrespektimin ndaj gruas dhe ndihmëses sime duke mos i bindur urdhrave të saj sikur ato të ishin urdhërat e mi.”

Babai nuk duhet ta japë thuprën në zemërim. Tani, zemërimi nuk është i papërshtatshëm për një person të cilit i është refuzuar ose injoruar autoriteti. Por ai duhet të presë derisa zemërimi të kalojë, në mënyrë që të mos tundohet që të bëhet i dhunshëm ndërsa përdor thuprën. Ai duhet të ketë kontroll të plotë mbi emocionet e tij kur ulet për të filluar ritualin e ndëshkimit trupor. Ai duhet të pasqyrojë karakterin e Perëndisë, Atit, i cili vepron gjithmonë për të mirën tonë. Thupra nuk është një mënyrë për prindin që të hakmerret ndaj fëmijës, dhe të japë thuprën nga zemërimi, nuk do të sjellë rezultate të perëndishme. Jakobi na paralajmëron se “zemërimi i njeriut nuk prodhon drejtësinë e Perëndisë” (Jak. 1:20). Përdorimi i thuprës duhet të afroje babanë dhe fëmijën më shumë, por një thupër e dhënë në zemërim do të ketë efektin e kundërt dhe mund të ngurtësojë zemrën e fëmijës duke e bërë më pak reagues ndaj thirrjeve të hirit.

Përsa i përket vetë goditjes me thupër. Ajo duhet të kryhet në privatësi për të përqendruar vëmendjen e fëmijës te prindi dhe për të eliminuar çdo ndikim tjetër (pa përmendur kërcënimin e telefonatave nëse disiplinimi bëhet në publik). Arsyeja e dhënies së thuprës duhet të sqarohet në mënyrë që fëmija ta kuptojë saktësisht se pse do të përjetojë dhimbje. Në këtë pikë është mirë të identifikohet jo vetëm shkelja specifike, por edhe rrënja e problemit dhe çdo parim biblik që lidhet me të: “Ti hodhe kukullën e motrës edhe pse të kemi thënë që të mos i trazosh gjërat e motrës. Kur ti e bën këtë, ti po shkel urdhërin e tetë të Zotit (mos vidh), i cili mëson nevojën për të respektuar pronën e të tjerëve. Për këtë arsye, unë duhet të të godas me thupër. Është detyra që Perëndia më ka dhënë si babai yt për të të ndihmuar që të mësosh ti bindesh Perëndisë.” Që fëmija të mund të pendohet vërtet, ai duhet të kuptojë se shkelja e tij është një mëkat, një mëkat kundër Perëndisë, sikur edhe kundër motrës së tij.

Për vetë goditjen me thupër, fëmija duhet të vendoset në një pozitë të mirë fizike për aktin. Fëmijët e vegjël mund të vendosen mbi gjunjët ose në prehër. Fëmijët më të rritur mund t’u thuhet të shtrihen mbi një karrige ose mbi skajin e shtratit. Pjesë e detyrës së fëmijës në pranimin e disiplinës është të bashkëpunojë me procesin dhe të marrë pozicionin e nevojshëm pa ankesë.

Në lidhje me ankesën, fëmija duhet të ketë një qëndrim nënshtrues gjatë procesit. Ai nuk duhet të lejohet të protestojë ose të rezistojë përpjekjes suaj për ta vendosur mbi prehërin tuaj. Ai duhet të ketë një qëndrim nënshtrues duke pranuar nevojën për disiplinë dhe ta marrë atë me dëshirë. Kundërshtimi dhe luftimi i tij do të bëhej një shkelje tjetër që kërkon një rrahje tjetër.

Shkrimi i Shenjtë na tregon pjesën e trupit ku duhet të japim thuprën: “Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.” (Fjalët e Urta 19:29). Perëndia ka përcaktuar një zonë të trupit për të marrë ndëshkimin trupor. Shpina, të ndënjurat dhe pjesa e sipërme e këmbëve janë vende të sigurta për goditje, pasi nuk ka pjesë jetësore të trupit që mund të dëmtohen aksidentalisht gjatë procesit, dhe dy pjesët e fundit janë të preferueshme sepse janë më larg kokës dhe kanë më shumë “mbushje” natyrale (dhe është më pak e mundur që të duken për të tjerët nëse “vijat” mbeten për pak kohë).

Sa fort dhe sa gjatë duhet dhënë thupra? Qëllimi i ndëshkimit trupor është të shkaktojë dhimbje të mjaftueshme për të thyer vullnetin pa shkaktuar dëmtime serioze. Te përkthimi i Mbretit Xhejms të Fjalëve të Urta 19:29 rekomandohen “vija për shpinat e budallenjve.” Kjo sugjeron se një rrahje e duhur do të jetë mjaft e fortë për të lënë shenja: vija të kuqe ose ndoshta shenja që zhduken shpejt. Një goditje duhet të dhembë! Prekje e lehtë me thupër, ose goditje mbi rroba ose pelena, nuk do të jetë efektive. Është dhimbja ajo që sjell thyerjen e vullnetit. Një babai mund ti duhet që të mësojë gruan e tij si të përdorë thuprën në mungesë të tij. Shumica e grave janë natyrshëm më të buta dhe e kanë të vështirë të japin dhimbjen e mjaftueshme për të arritur rezultatin e synuar. Por pa dhimbje, një thupër është humbje kohe dhe do të shërbejë vetëm për të irrituar si prindin, ashtu edhe fëmijën.

Qëllimi juaj duhet të jetë të godisni me thupër derisa të nxirrni një britmë pendimi nga fëmija. Disa fëmijë do të fillojnë të qajnë përpara se thupra të prekë shpinën e tyre, por ti nuk po kërkon thjesht lotë. Fëmijë të tjerë do të përgjigjen ndaj goditjeve me thupër duke bërtitur në protestë ose zemërim, por edhe kjo nuk është ajo që ti po kërkon. Kjo përgjigje duhet të dallojë nga një britmë që tregon se fëmija po nënshtron vullnetin e tij dhe po duron dhimbjen. Ndoshta kjo tingëllon mizore, por çfarë mendoni se është qëllimi i goditjes me thupër?! Nëse nuk është vetëm një gjest simbolik, atëherë duhet të vazhdojmë me dhënien e dhimbjes reale, pavarësisht ndjeshmërisë sonë. Dhimbja është ajo që Zoti përdor për të thyer vullnetin dhe për të prodhuar një shpirt të nënshtruar. Quajeni dashuri të fortë. Vetëm kujtoni që po luftoni për shpirtin e fëmijës tuaj, dhe Zoti pret që të jeni të qëndrueshëm deri sa të fitoni betejën për jetën e tij. Perëndia do t’ju mbajë përgjegjës nëse nuk frenoni sjelljen e fëmijës suaj dhe ta trajnoni që ti nënshtrohet autoritetit. Thupra është mjeti juaj për këtë qëllim.

Pasi disiplinimi është dhënë, nuk keni mbaruar ende. Është koha për një periudhë të gjithë-rëndësishme ndjekjeje. Ky është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhënien tuaj me fëmijën. Mos lejoni që ai të ikë duke qarë ose të largohet fare. Ka disa gjëra që duhet të synoni të bëni në këtë kohë, sapo e qara e tij të ketë kaluar.

1. Kërkoni një rrëfim të mëkatit nga fëmija (nëse nuk u bë përpara thuprës) dhe bëni që ai të kërkojë falje. Kjo e vendos gjithë ngjarjen në dritën e duhur dhe mban fokusin mbi motivin e perëndishëm për disiplinimin.

2. Shprehni falje dhe dashuri për fëmijën. Ngushëllojeni dhe mbajeni afër. Kujtoni që ju e disiplinuat sepse e doni atë, jo sepse e urreni (Heb. 12:6). Duhet ta siguroni me fjalë për dashurinë tuaj.

3. Lutuni për fëmijën. Kërkoni nga Zoti ta falë dhe të punojë bindjen në zemrën e tij. Do të ishte mirë nëse fëmija është në gjendje dhe i gatshëm të lutet, por kjo nuk është e nevojshme. Prindi mund të ndërhyjë në emër të tij në këtë kohë.

4. Planifikoni riparimin. Bibla tregon qartë se kur kryhet një padrejtësi ndaj një personi tjetër, shkelësi duhet ta kompensojë personin e dëmtuar (p.sh., Eksodi 22:5). Nëse dikush u lëndua nga veprimet e tij, fëmija duhet të kërkojë falje prej tij. Nëse pronë u dëmtua, ajo duhet të zëvendësohet, madje me diçka më tepër. Nëse dëmi ishte i pakuptueshëm, ndoshta një fjalë lënduese, fëmijës mund t’i kërkohet të kryejë disa veprime shërbimi për personin e dëmtuar. Prindërit duhet të jenë krijues dhe të konsiderojnë nëse ka ndonjë mënyrë për të bërë riparimin. Kjo mëson një mësim të vlefshëm mbi koston e mëkatit. Kur të gjitha këto janë bërë, është koha që ta lejoni fëmijën të largohet, ndoshta me një përqafim të fundit.

 

ASNJËHERË “SHUMË TË RINJ”, APO “SHUMË TË RRITUR”

Një pyetje përfundimtare që mund të lindë: Për cilën moshë të fëmijës, është e përshtatshme disiplinimi me thupër? Përgjigjja e thjeshtë është: në atë moshë që ai tregon sjellje budallallëku (rebeluese). Nuk ka moshë që të jetë shumë e re apo shumë e madhe. Praktikisht, kur fëmija është shumë i vogël, mund të jetë e vështirë të dallosh kur një sjellje e caktuar është mungesë nënshtrimi. As nuk duket e përshtatshme të marrësh një foshnjë nëntëmuajshe mbi gjunjët e tu dhe ta godasësh me thupër në këmbët e zhveshura. Nga ana tjetër, ka raste kur është e qartë se foshnja nuk merr atë që dëshiron, dhe kështu ajo klith në protestë. Kjo është një formë revoltimi që duhet të ndalohet që në fillim. Një goditje e moderuar ose dy në këmbë me një “Jo” të fortë duket proporcionale me shkeljen. Ata që presin deri kur fëmija është dy ose tre vjec për të filluar rrahjen, me patjetër që presin shumë gjatë. Vullneti i fëmijës shfaqet shumë më herët dhe duhet trajtuar që në shfaqjet e para. Fjala “me kohë” te Fjalët e Urta 13:24 mund të përkthehet më mirë si “herët”, duke dhënë këtë renditje: Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon herët.” Asnjëherë nuk është tepër herët për ndëshkim të dashur.

As nuk është kurrë tepër vonë. Nuk ka asgjë në Bibël që të sugjerojë se pasi fëmija arrin një moshë apo madhësi të caktuar, ai është imun ndaj këtij lloji ndëshkimi. Fjalët e Urta nuk bën dallime të tilla. Budallai i çdo moshe meriton vija në shpinë për mosbindje të qëllimshme (19:29). Kjo mund të jetë madje një formë e përshtatshme disipline edhe për qeverinë civile ndaj budallenjve që prishin paqen dhe rendin e komunitetit. Por patjetër që, ajo është gjithmonë e përshtatshme brenda familjes. Natyrisht, ka problem serioz nëse një 16-vjeçar bën diçka që e tregon si budalla, dhe kështu bën që të vijë thupra. Nëse ndëshkimi është përdorur me qëndrueshmëri gjatë viteve, është e vështirë të imagjinohet se do të nevojitej ende në këtë moshë. Nëse ai nuk është përdorur në mënyrë të qëndrueshme, mund të mos jetë efektiv pasi fëmija të ketë arritur atë moshë. Ne na kujtohen djemtë e Elit me të cilët filluam këtë studim. Ata kishin nevojë për frenim, por si e frenon dikë të rritur që ende ka budallallëk të ngulitur në zemër? Edhe një herë, ne vijmë në përfundimin që është absolutisht jetike që ta fillosh procesin herët dhe kështu të shmangësh perspektivën e të përpjekurit për të disiplinuar vullnetin e një fëmije pothuajse të rritur.

 

KOSTOJA E PRINDËRIMIT

Është e qartë se përdorimi i thuprës ka një kosto të konsiderueshme. Për ta bërë si duhet, prindi duhet të ndalojë çfarë po bën dhe të marrë disa minuta për të trajtuar mëkatin e fëmijës. Sinqerisht, ka raste kur çdo baba do të preferonte ta linte një shkelje të kalojë, sesa të kalojë gjithë këtë proces. Ose dëshiron të japë vetëm disa goditje të shpejta me thupër dhe ta mbyllë punën. Por çdo shkurtim në proces rrezikon humbjen e përfitimeve që Perëndia synon me thuprën.

Kam dëgjuar prindër të thonë se do duhej të kalonin tërë ditën duke rrahur fëmijën nëse do të reagonin ndaj çdo rasti që e kërkonte këtë. Ky është një tregues se fëmija tashmë e ka fituar betejën për kontrollin: ai nuk po i nënshtrohet autoritetit prindëror dhe prindërit kanë hequr dorë për ta kontrolluar atë. Ndoshta kjo tregon edhe se prindërit nuk e dinë si ta përdorin thuprën si duhet. Babai duhet të angazhohet menjëherë për të marrë kontrollin mbi birin ose bijën. Nëse ai e përdor thuprën siç e kemi përshkruar, ai do të marrë rezultate. Mund të jetë e vështirë për një kohë, derisa fëmija të provojë nëse babai është serioz për të qenë në drejtim, por në fund ai do të dorëzohet nëse disiplina zbatohet siç duhet.

Përdorimi i thuprës nuk ka të bëjë vetëm me formimin e karakterit të fëmijës. Ka të bëjë edhe me karakterin dhe besnikërinë e prindërve. Duhet besim, guxim, vendosmëri dhe urtësi për ta përdorur thuprën me efektivitet. Procesi që kemi përshkruar nuk vjen natyrshëm tek ndonjë prind. Ne duhet të bindemi se është një çështje bindjeje për të përdorur këtë metodë trajnimi të fëmijës. Por ndërsa veprojmë vetë me besim dhe bindje, do të zbulojmë se Perëndia është besnik për të përdorur mjetet që Ai ka caktuar për t’i formuar fëmijët tanë në të rritur që druajnë Perëndinë dhe që i nënshtrohen Zotit nga dashuria.

Në të gjitha përpjekjet tona për të trajnuar fëmijët, ne duhet të kujtojmë kotësinë e plotë të përpjekjeve tona pa bekimin e Perëndisë. Nuk ka lidhje mekanike mes rrahjes dhe ndryshimit të fëmijës. Të gjitha përpjekjet tona ne duhet t’i bashkojmë me lutje, duke kuptuar se pa ndryshimin e zemrës së fëmijës nga Zoti, puna jonë është kot. Por falë Perëndisë, Ai është besnik dhe përdor thuprën si një mjet hiri, kur e zbatojmë me besim dhe besnikëri ndaj aktivitetit të Atit tonë qiellor në zemrat e fëmijëve tanë.

Amen!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes