Shenjtërimi i Ditës së Zotit dhe Biseda e Shenjtë – Nga Puritani Thomas Watson (1620–1686)

Dites se Zotit

Shenjtërimi i Ditës së Zotit dhe Biseda e Shenjtë

Nga Puritani Thomas Watson (1620–1686)

Nga libri: Qielli i Rrëmbyer me Dhunë (Heaven Taken by Storm)

 

Detyra e gjashtë në të cilën duhet t’i bëjmë një lloj “dhune” vetes sonë, është shenjtërimi fetar i ditës së Zotit. Që duhet të ketë një ditë pushimi të shenjtë, të kushtuar Perëndisë, kjo duket nga vetë themelimi i saj: “Mbaje mend ditën e Shabatit për ta shenjtëruar.” Shabati ynë i krishterë ka zënë vendin e Shabatit hebraik; ai quhet dita e Zotit (Zbulesa 1:10), nga Krishti, Autori i tij. Shabati ynë është ndryshuar me urdhërimin e vetë Krishtit. Ai u ringjall në këtë ditë nga varri dhe iu shfaq shpesh dishepujve të Tij (1 Kor. 16:1), për t’u dhënë të kuptonin (thotë Athanasi) se Ai e transferoi Shabatin në ditën e Zotit. Dhe Shën Agustini thotë se me ringjalljen e Krishtit në ditën e parë të javës, ajo u shenjtërua që të ishte Shabati i krishterë, në përkujtim të ringjalljes së Tij.

Kjo ditë quhej në lashtësi dies lucis, dita e dritës, siç vëren Juniusi. Ditët e tjera të javës do të ishin të errëta, po të mos ishte për shkëlqimin e Diellit të drejtësisë në këtë ditë. Kjo ditë është quajtur nga të lashtët regina dierum, mbretëresha e ditëve. Jeronimi e vendos këtë ditë mbi të gjitha festat solemne. Kisha e hershme e kishte këtë ditë në nderim të madh; ajo ishte një shenjë dalluese e fesë së tyre. Kur pyetja shtrohej: “servasti dominicum? — “A e mban ditën e Zotit?” — përgjigjja ishte: “Christianus sum — “Unë jam i krishterë; unë nuk guxoj ta lë pas dore kremtimin e ditës së Zotit!”

Sa arsye të madhe kemi që ta kujtojmë me mirënjohje këtë ditë! Ashtu si çlirimi i Izraelit nga robëria babilonase ishte aq i madh sa e zbehu kujtimin e çlirimit nga Egjipti (Jer. 16:14), po kështu çlirimi ynë nga robëria e Satanit dhe ringjallja e Krishtit, pasi përfundoi veprën e lavdishme të shpengimit, janë aq madhështore, sa në krahasim me to, bekimet e tjera duken më të vogla. E madhe ishte vepra e krijimit; por më e madhe është vepra e shpengimit. Kushtoi më shumë që të shpengoheshim sesa të krijoheshim. Në njërën, ishte vetëm e folura e fjalës (Ps. 148:5); në tjetrën, u desh derdhja e gjakut (Heb. 9:22). Krijimi ishte vepra e gishtërinjve të Perëndisë (Ps. 8:3); shpengimi, vepra e krahut të Tij (Luka 1:51). Në krijim, Perëndia na dha veten tonë; në shpengim, Ai na dha Veten e Tij. Prandaj Shabati, që na kujton shpengimin tonë, duhet të mbahet me përkushtimin më të lartë. — Këtu ne duhet t’i bëjmë një dhunë të shenjtë vetes sonë.

Kur kjo ditë e bekuar afrohet, ne duhet të punojmë që, ashtu si dita shenjtërohet, edhe zemrat tona të shenjtërohen.

Në këtë ditë ne duhet të pushojmë nga të gjitha punët e thirrjes sonë. Ashtu si Abrahami, kur shkoi të flijonte, la shërbëtorin dhe gomarin poshtë kodrës (Zan. 22:5), ashtu edhe ne, kur ne vijmë të adhurojmë Perëndinë në këtë ditë, duhet të lëmë pas çdo punë shekullare. Ashtu si Jozefi, kur ai donte të fliste me vëllezërit e tij, nxori jashtë egjiptianët, ashtu edhe ne, kur duam të kemi bashkësi me Perëndinë këtë ditë, duhet të nxjerrim jashtë çdo angazhim tokësor. Veprat e domosdoshmërisë dhe të mëshirës lejohen (sepse Perëndia do mëshirë dhe jo flijim), por në raste të tjera ne duhet të pushojmë nga çdo punë tokësore. Vërehet për Marinë Magdalenë se ajo nuk e vajosi trupin e Krishtit në ditën e Shabatit (Luka 23:56). Ajo e kishte përgatitur vajin, por nuk shkoi te varri derisa Shabati mbaroi. Ajo pushoi atë ditë nga çdo punë, edhe pse ishte një punë e lavdërueshme dhe e lavdishme; vajosja e trupit të vdekur të Krishtit.

Kur afrohet kjo ditë e bekuar, ne duhet të ngremë zemrën në falënderim ndaj Perëndisë, sepse Ai na ka dhënë një mundësi tjetër për të fituar urtësi qiellore. Këto janë ditët tona të korrjes shpirtërore; tani era e Frymës së Perëndisë fryn mbi velat e dëshirave tona, dhe ne mund të përparojmë shumë më larg në udhëtimin tonë drejt qiellit. I krishterë, ngri zemrën tënde ndaj Perëndisë me falënderim, sepse Ai të ka dhënë një tjetër sezon të artë, dhe sigurohu ta përdorësh mirë; mund të jetë i fundit. Stinët e hirit nuk janë si baticat e detit; nëse një njeri humbet një baticë, ai mund të ketë një tjetër mundësi.

Kur afrohet kjo ditë, në mëngjes ne duhet të përgatisim dhe të përshtatim shpirtin tonë për të marrë Fjalën. Populli i Izraelit duhej të pastronte rrobat e tij përpara se t’u jepej Ligji; po ashtu edhe zemrat tona duhet të lahen me anë të lutjes dhe pendesës, në mënyrë që orakujt e Perëndisë të na jepen.

Dhe duke u takuar së bashku, ne duhet të vendosim veten, sikur të ishim në praninë e Perëndisë, me seriozitet dhe kënaqësi për të dëgjuar Fjalën e shenjtë të Perëndisë. Kini kujdes nga shpërqendrimet që e prishin detyrën tonë.

Ne duhet të përpiqemi të përmirësohemi çdo Shabat: ku Zoti shfaq çmimin, ai kërkon fryt. Ne duhet të kemi etje për derdhjet e reja të Perëndisë; dhe të shtojmë kubitë të rinj në madhësinë tonë shpirtërore. Ne nuk duhet të jemi si Salamandra, që jeton në zjarr por kurrë nuk nxehet më shumë. Besimtarët në këto ditë duhet të synojnë për bashkësi me Perëndinë, dhe të përpiqen të kenë rrjedhjet e Frymës së Tij dhe zbulime më të qarta të dashurisë së Tij në Krishtin. Në pak fjalë, ne duhet të veprojmë në Shabat si Moisiu: ai ngjiti Malin që të kishte një pamje të Perëndisë.

Ne duhet t’ja kushtojmë gjithë ditën Perëndisë. Nën ligj, një flijim i vetëm ishte caktuar për ditët e tjera të javës; por dy qengja duhej të ofroheshin në Shabat. E gjithë kjo ditë duhet të shpenzohet me Perëndinë: ai duhet të adhurohet në publik; dhe kur ne të kthehemi në shtëpi, ne duhet të kemi adhurim familjar. Shumë e lënë gjithë fenë e tyre në kishë, ashtu siç kam parë disa të lënë Biblën e tyre; duke mos shenjtëruar emrin e Perëndisë në shtëpitë e tyre, Mal. 3:8. “A do të vjedhë njeriu Perëndinë?” Kur njerëzit pretendojnë të adhurojnë Perëndinë në tempull, por e heqin Atë nga detyrat familjare dhe ato private në Shabat; kjo është të vjedhësh Perëndinë dhe të rrëmbesh një pjesë të ditës së Tij.

Arsye e mirë se pse duhet që ta shenjtërojmë gjithë Shabatin për Perëndinë dhe t’i japim atij devocion të dyfishtë, është sepse Perëndia dyfishon bekimet e Tij mbi ne këtë ditë. Ashtu si Manna ra dy herë më shumë në ditën e gjashtë se në çdo ditë tjetër, po ashtu Manna e bekimeve shpirtërore bie dy herë më shumë në Shabat se në çdo ditë tjetër.

Ne duhet të gëzohemi në këtë ditë, si një ditë në të cilën ne shijojmë shumë nga pranina e Perëndisë, Gjoni  8:56: “Abrahami pa ditën time dhe u gëzua.” Kështu, kur ne shohim se po vjen një Shabat, ne duhet të gëzohemi. Protestanët në Francë e quajtën kishën e tyre Parajsë, sepse aty ata takoheshin me Perëndinë. Hebrenjtë e quanin Shabatin “desiderium dierum”, dëshira e ditëve, Isaia 58:13: “Do ta quash Shabatin një kënaqësi.” Këtë ne duhet ta shohim si ditën më të mirë, si mbretëreshën e ditëve, të kurorëzuar me një bekim, Psalmi 118:24: “Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllejmë në të.” — Ai ka krijuar të gjitha ditët, por ka shenjtëruar këtë. Ne duhet ta shohim këtë ditë si një treg shpirtëror për shpirtin tonë, ku kemi tregti të shenjtë dhe komunikim me Perëndinë. Kjo ditë pushimi është fillimi i një pushimi të përjetshëm. Në këtë ditë Perëndia hap pishinën e Bethesdas, në të cilën rrjedhin ato ujëra që freskojnë zemërthyerit. Dhe a nuk duhet ta quajmë këtë ditë një kënaqësi? Hebrenjtë në Shabat linin mënjanë grathoren dhe vajtimin e tyre.

Kjo është mënyra e drejtë për të shenjtëruar një detyrë; dhe është një detyrë në të cilën të krishterët duhet të nxisin dhe t’i bëjnë dhunë vetvetes.

Mbi të gjithë të tjerët, sa mirë u shkon atyre në duart e të cilëve Perëndia ka vënë pushtetin e magjistratit që të tregojnë një dhunë të shenjtë duke bërë që dita e Zotit të mbahet rreptësisht! Çfarë shembulli të rrallë ka vendosur Nehemia për të gjithë magjistratët e mirë, Nehemia 13:15: “Në ato ditë vura re në Judë disa që shtrydhnin rrushin ditën e shabatit dhe mbartnin thasë gruri, duke i ngarkuar mbi gomarë, bashkë me verën, rrushin, fiqtë dhe gjithfarë ngarkesash të tjera që sillnin në Jerusalem ditën e shabatit; dhe unë i qortova për shkak të ditës në të cilën shisnin sendet ushqimore.”, vargu 17: “Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: «Ç’është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shabatit?” Si guxoni ta shkelni urdhërimin dhe të bëni një hyrje të rreme në pronën e lirë të Perëndisë? Zotëri, shpallja juaj për mbajtjen e devotshme të Shabatit dhe veprimet tuaja ndëshkuese ndaj disa shkelësve kanë dhënë një dëshmi publike të zellit tuaj për këtë ditë. Ruajtja e nderit të Shabatit do të ruajë edhe nderin tuaj magjistierial.

Detyra e shtatë, në të cilën duhet t’i bëjmë dhunë vetvetes, është bashkëbisedimi i shenjtë; dhe në të vërtetë ne jemi mjaft të prapambetur për të, prandaj kemi nevojë ta nxisim veten, Malakia 3:16: “Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri-tjetrit.” Një person i hirshëm nuk e ka fenë vetëm në zemër, por edhe në gjuhë, Psa. 37:30: “Ligji i Perëndisë është në zemrën e tij, dhe gjuha e tij flet për drejtësi.”(KJV); ai lëshon fjalë të shenjta si margaritarë. Është faji i të krishterëve që në shoqëri nuk e nxisin veten për të vënë në lëvizje bisedë të mirë; është një modesti mëkatare; ka shumë vizita, por ata nuk u bëjnë një vizitë shpirtrave të njëri-tjetrit. Në gjërat e botës gjuha e tyre është si pena e një shkruesi të gatshëm, por në çështjet e fesë është sikur gjuha t’u ngjitet në qiellzë. Ashtu siç duhet t’i japim llogari Perëndisë për fjalët e kota, po ashtu do t’i japim edhe për heshtjen mëkatare.

Oh, le t’i bëjmë dhunë vetes në këtë gjë, duke nxjerrë në pah bisedë të mirë! — Për çfarë duhet të zgjaten dhe të shpenzohen fjalët tona veçse për Qiellin? Bota është një han i madh; ne jemi mysafirë në këtë han. Udhëtarët, kur takohen në hanin e tyre, nuk e kalojnë gjithë kohën duke folur për hanin; ata do të qëndrojnë aty vetëm pak orë dhe pastaj ikin; por ata flasin për shtëpinë e tyre dhe për vendin drejt të cilit po udhëtojnë. Kështu, kur ne takohemi së bashku, ne nuk duhet të flasim vetëm për botën; ne do ta lëmë atë së shpejti; por duhet të flasim për atdheun tonë qiellor, Heb. 11:16.

Që të mund ta nxisim veten për bisedë të mirë (sepse ajo nuk do të bëhet pa njëfarë dhune ndaj vetes), le të peshohen siç duhet këto konsiderata.

Biseda tregon se çfarë është zemra. Ashtu si pasqyra tregon si është fytyra, nëse është e bukur apo e shëmtuar, po kështu fjalët tregojnë si është zemra. Fjalët e kota zbulojnë një zemër të lehtë e sipërfaqësore; fjalët e hirshme janë lindja e një zemre të hirshme. Uji i kanalit tregon se si është burimi.

Biseda e shenjtë është shumë ndërtuese. Apostulli na urdhëron të “ndërtojmë njëri-tjetrin”, Efes. 4:20. Dhe si më shumë se në këtë mënyrë? — Biseda e mirë ndriçon mendjen kur ajo është e paditur; e forcon atë kur ajo është e lëkundur. Një jetë e mirë e zbukuron fenë; një bisedë e mirë e përhap atë.

Biseda e hirshme na bën të ngjajmë me Krishtin. Fjalët e tij ishin të parfumosura me shenjtëri: “hiri u derdh mbi buzët e tij”, Psa. 45:2. Ai foli për habinë e të gjithëve: duart e tij bënë mrekulli dhe gjuha e tij shpalli orakuj, Luka 4:22: “Të gjithë jepnin dëshmi për të dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit, që dilnin nga goja e tij.” Krishti nuk hyri kurrë në ndonjë shoqëri pa vënë në lëvizje bisedë të mirë. Levi i bëri një gosti, Luka 5:29, dhe Krishti e gostiti me bisedë të shenjtë. Kur erdhi te pusi i Jakobit, ai menjëherë foli për “ujin e jetës”, Jude 4. Sa më të shenjta të jenë fjalët tona, aq më shumë ne i ngjajmë Krishtit. A nuk duhet që gjymtyrët t’i ngjajnë kokës?

Perëndia mban shënim të veçantë për çdo fjalë të mirë që themi kur takohemi, Mal. 3:16: “Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri-tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.” Tamerlani, ai kapiten skithian, mbante gjithmonë me vete një libër me emrat dhe meritat e mira të shërbëtorëve të tij, të cilët i shpërblente bujarisht. Ashtu si Perëndia ka një shishe për lotët e popullit të tij, po kështu ai ka një libër në të cilin shkruan të gjitha fjalët e tyre të mira dhe do t’i përmendë me nder në ditën e fundit.

Biseda e shenjtë do të jetë një mjet për ta sjellë Krishtin në shoqërinë tonë. Dy dishepujt po bisedonin për vdekjen dhe vuajtjet e Krishtit; dhe ndërsa po flisnin, Jezu Krishti iu afrua, Luka 24:15: “Ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, edhe vetë Jezusi u afrua dhe ecte bashkë me ta.” — Kur njerëzit merren me biseda të këqija, Satani afrohet dhe bëhet pjesë e shoqërisë; por kur ata kanë bashkëbisedim të shenjtë e të hirshëm, Jezu Krishti afrohet, dhe kudo që ai vjen, sjell me vete një bekim. Kaq për të parën: ofrimi i dhunës ndaj vetvetes.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes