Rrjedha e Sigurt e Ujit të Gjallë për një Tokë të Thatë dhe të Etur

Ujit te Gjalle

Rrjedha e Sigurt e Ujit të Gjallë për një Tokë të Thatë dhe të Etur

Marrë dhe përshtatur nga “PËRVOJA E KRISHTERË, sic është shfaqur në jetën dhe Shkrimet e Palit (CHRISTIAN EXPERIENCE, as Displayed in the Life and Writings of Paul)”

Shkruar nga Thomas Reade, 1841

Kur Ishmaeli po vdiste nga etja në shkretëtirën e Beer-Shebës…

Perëndia i hapi sytë Agarit dhe ajo pa një pus me ujë që i dha forcë fëmijës së saj.

Ne gjithashtu po shuhemi në një tokë të etur, ku nuk ka ujë. Perëndia, me anë të hirit të Tij na hap sytë për të vështruar atë pus të shpëtimit që Ai ka siguruar për mëkatarët që po humbasin. Me gëzim Ai na mundëson të nxjerrim ujin e tij ripërtëritës; dhe, duke e marrë me besim këtë dhuratë hiri, shpirtrat tanë gjallërohen, përtërihen në shenjtëri dhe forcohen për t’i shërbyer Perëndisë në Ungjillin e Birit të Tij. Oh, si mund ta lavdërojmë mjaftueshëm Shpëtimtarin tonë të dashur për bekimet që Ai na zbulon dhe na jep në Fjalën e Tij të Shenjtë!

Çfarëdo gjëje që njeriu prek, ai e ndot; sepse natyra e tij është e korruptuar përmes rënies. Gjithçka që vjen nga Perëndia është e shenjtë. “Çdo fjalë e Perëndisë është e pastër.” Kështu e gjeti Davidi. “Fjala jote është e pastër nga cdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.” Ajo ishte një llambë për këmbët e tij dhe një dritë për shtegun e tij. Ai gëzohej në Fjalën e Perëndisë si ai që gjen një plaçkë të madhe. Sipas vlerësimit të tij, ajo ishte më e dëshirueshme se ari, po, më shumë se ari i kulluar; për shijen e tij shpirtërore, ajo ishte më e ëmbël se mjalti dhe hojet e mjaltit. Ai e ruante Fjalën Hyjnore në mendjen e tij dhe e kishte gati në çdo rast. “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.”

Nuk ka asnjë situatë në të cilën mund të vendoset një besimtar, sado e errët apo e ndërlikuar, sado e rrëshqitshme apo e rrezikshme, që në Bibël ai të mos gjejë udhëzim të përshtatshëm dhe mbështetje të mjaftueshme. Sepse “i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, qortim, ndreqje, edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përsosur, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.”

Fjala e Perëndisë është e mrekullueshme në veprimin e saj mbi zemrën dhe ndërgjegjen, përmes fuqisë shoqëruese të Frymës së Shenjtë, duke qenë e gjallë dhe e fuqishme, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe. “A nuk është fjala ime si zjarri,” thotë Zoti, “dhe si çekani që copëton shkëmbin?” Ashtu sic zjarri forcon baltën dhe shkrin dyllin; ashtu siç konsumon skorien dhe pastron arin; po kështu vepron Fjala e Zotit. Faraoni u ngurtësua përmes gjykimit; Davidi u zbut me anë të hirit. I pari, i lënë në gjykimin e drejtë ndaj veprimit natyror të zemrës së tij, i rezistoi Fjalës Hyjnore dhe u shkatërrua; i dyti, i përulur thellë përmes hirit nën qortimet e drejtpërdrejta të Profetit, e rrëfeu mëkatin e tij me pendesë të sinqertë, dhe mori falje.

Disa gabojnë, duke mos njohur Shkrimet dhe as fuqinë e Perëndisë, dhe humbasin për mungesë njohurie. Të tjerë, të pamësuar dhe të paqëndrueshëm, i shtrembërojnë Shkrimet për shkatërrimin e tyre; ndërsa të tjerë e mbajnë të Vërtetën në padrejtësi dhe humbasin në prishjen e tyre. Por në mes të gjithë kësaj padijeje dhe shtrembërimi, “rrugët e Zotit janë të drejta, të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen.” Të gjithë ata që nuk do t’i nënshtrohen autoritetit të Fjalës së Perëndisë do të thyhen nga fuqia e zemërimit të Tij; por “te ky njeri,” thotë Zoti, “do ta kthej shikimin tim: mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.”

Fjala e Perëndisë dhe lutja janë instrumentet e caktuara në mënyrë hyjnore, në dorën e Frymës, për të mposhtur intrigat e Satanit dhe për të vendosur mbretërinë e drejtësisë në tokë; që madhështia e fuqisë të jetë nga Perëndia dhe jo nga njeriu. Kjo u vërtetua fuqishëm në suksesin e Apostujve, të cilët, pasi shpallën: “Ne do t’i përkushtohemi vazhdimisht lutjes dhe shërbesës së fjalës”, panë frytin e menjëhershëm të këtij përkushtimi; sepse Luka na tregon se Fjala e Perëndisë përhapej, numri i dishepujve shumëfishohej në Jerusalem dhe një numër i madh priftërinjsh i bindeshin besimit.

Zemrat tona janë të liga; ne jemi të rrethuar nga tundime për të keqen; dhe i Ligu është gjithmonë në pritë për të na shkatërruar. Ku duhet të ikim, dhe kujt duhet t’i drejtohemi për siguri? Jezusi është streha jonë; dashuria dhe fuqia e Tij mund të na mbrojnë dhe të na shpëtojnë. Ai është Kapiteni i shpëtimit tonë, Fitimtari i fuqishëm mbi mëkatin dhe vdekjen. Kur u tundua nga Satani në shkretëtirë, Jezusi i zmbrapsi sulmet e tij duke përdorur shpatën e Frymës, Fjalën e Perëndisë. Çdo tundimi që iu drejtua mendjes së Tij, Ai iu përgjigj: “është shkruar”, dhe Shkrimi i zbatuar kështu me fuqi e zmbrapsi armikun, derisa ai u largua i thyer dhe i mposhtur.

Sa forcuese, sa ngushëlluese është Fjala e së Vërtetës! Me këtë armatim shpirtëror, këtë thesar hyjnor, ne do të forcohemi për betejën, do të pajisemi për shtegtimin tonë, dhe do të mbahemi në këmbë mes rreziqeve të kësaj bote të ligë. Ashtu si udhëtari, në një tokë të panjohur, ka nevojë për një udhërrëfyes besnik; ashtu si marinari, duke lundruar në dete të rrezikshme, kërkon një hartë dhe një busull: po kështu edhe ne kemi nevojë për një udhëheqës dhe një udhëzues ndërsa kalojmë nëpër këtë botë plot rreziqe. Perëndia, me mëshirë, na e ka dhënë këtë ndihmë.

Në Fjalën e Tij të Shenjtë, Ati ynë i dashur ka bërë sigurime të bollshme për nevojat e shtegtarëve të Sionit; ndërkohë që Fryma, duke ndriçuar në zemrat tona, na mundëson të dallojmë qartë, përmes së vërtetës së Tij të zbuluar, rrugën e shenjtëruar për në qiell; Jezu Krishtin, të Drejtin. Me çfarë zelli atëhere ne duhet ta bekojmë Perëndinë dhe Shpëtimtarin tonë për të gjitha këto shenja të mirësisë së Tij ndaj nesh.

A jemi të kërrusur nën ndjenjën e fajit të mëkatit? Është shkruar: ‘Kjo është një fjalë e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. Gjaku i Jezu Krishtit na pastron nga çdo mëkat. Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtosh’.”

A i frikësohemi një mospranimi nga froni i mëshirës? Është shkruar: “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh. Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë. Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon, le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë dhe të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.”

A po na dridhet zemra nën vetëdijen e pafuqisë së plotë përballë pushtetit të Satanit? Është shkruar: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; mos u tremb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime. Hiri im të mjafton. Perëndia i paqes do ta dërrmojë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja’.”

A po rënkojmë nën veprat e mëkatit që banon brenda nesh? Është shkruar: ‘Mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir. Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? I falem nderit Perëndisë, me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë.’

A po lëngojmë për besim, dashuri dhe çdo hir tjetër? Është shkruar: ‘Ai do të të japë dëshirat e zemrës sate. Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet. Gjithcka të kërkoni në lutje, duke besuar, do ta merrni.’

A jemi të etur për praninë e Shpëtimtarit? Është shkruar: ‘Për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë Dielli i Drejtësisë me shërimin në krahët e tij. Nëse ndokush më do, do ta mbajë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai’.”

A e ndiejmë nevojën tonë për mençuri shpirtërore dhe drejtim hyjnor? Është shkruar: ‘Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtësia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, edhe atij do ti jepet. Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe Ai do të drejtojë shtigjet e tua.’

A kemi frikë nga fatkeqësitë e kohës? Është shkruar: ‘Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit. Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. Kërkomë ditën e fatkeqësisë; unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh’.”

A na sheh bota në mënyrë të vrenjtur dhe na përsekuton për hir të Jezusit? Është shkruar: ‘Dëgjomëni, o ju që e njihni drejtësinë, o popull, që ka në zemër ligjin tim. Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit, as mos u trembni nga fyerjet e tyre të rënda. Unë, unë vetë, jam Ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari? Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Por unë do t’ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë. Druani nga Ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në ferr; po, po ju them, nga ai të kini frikë. Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim; gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej.”

A dridhemi nga mendimi i vdekjes dhe i gjykimit që po afrohet? Është shkruar: ‘Duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun, po ashtu edhe Ai u bë pjestar në ato gjëra; që të shkatërronte, me anë të vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin; dhe të çlironte të gjithë ata, që nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. Por gjëmba e vdekjes është mëkati… por ta falenderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht. Jini të zellshëm aq më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë. Sepse kështu do t’ju jepet të hyni begatisht në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.’ ‘Këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të Tij’.”

Sa libër i çmuar duhet të jetë ai që mund të sigurojë kështu ndihmë për çdo sprovë dhe nevojë të të krishterit. Nuk ka asnjë gjendje të mendjes në të cilën mund të jemi, asnjë rrethanë në të cilën mund të ndodhemi, asnjë ushtrim të besimit dhe durimit që mund të thirremi të durojmë, që të mos gjejmë në Fjalën e Perëndisë drejtim, ngushëllim dhe mbështetje të mjaftueshme për ditën tonë. Atëhere, sigurisht, ne duhet që ta çmojmë përditë këtë Fjalë të Shpëtimit, e cila zbulon Jezusin në gjithë plotësinë e Tij, botën në gjithë zbrazëtinë e saj dhe qiellin në gjithë lavdinë e tij. Aty, si në një pasqyrë, ne mësohemi të njohim veten; dhe me këtë llambë, ne jemi të aftë të ecim në siguri, mes rreziqeve që rrethojnë shtegun tonë. Oh, paçim hirin ta pranojmë të Vërtetën në zemrat tona dhe ta rrokim atë me thjeshtësinë e besimit. Doktrinat dhe urdhërimet, historitë dhe personazhet, premtimet dhe paralajmërimet që përmban Bibla, janë të gjitha të dizajnuara për të ndriçuar dhe pastruar shpirtin.

E bekuar do të jetë ajo periudhë, kur çdo qenie njerëzore do të zotërojë Fjalën e Jetës dhe kur çdo zemër do të ndiejë fuqinë e saj ripërtëritëse. Zot, nxitoje këtë ditë të shumëpritur; një ditë paqeje dhe gëzimi, kur gjithë njerëzimi do të dojë si vëllezër dhe do të bashkohet për të përlëvduar emrin Tënd. O, dërgo Dritën Tënde dhe të Vërtetën Tënde, lejo që Fjala Jote të ketë udhë të lirë dhe të përlëvdohet përmes kthimit të botës tek Ti.

Jezusi, që është Drita e Botës, na ndriçon përmes faqeve të së Vërtetës së Përjetshme. Bibla është plot me Krishtin. Ajo i drejton shpirtrat tanë tek Ai si burimi i premtimeve të saj, subjekti i profecive të saj dhe thelbi i lavdive të saj të zbuluara; sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë gjithë plotësia: plotësi drite, plotësi dashurie, plotësi fuqie, plotësi lavdie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes