Fajësi Prej Shoqërimit! (A Duhet të Bëjmë Aleanca dhe të Bashkëpunojmë me Lëvizje, Organizata, Kisha dhe Individë Jobiblikë?)

Shoqerimi

Fajësi Prej Shoqërimit

Nga Robin Compston. Përkthyer nga newcalvinist

Një Argument i Gabuar?

Çdo argument që përpiqet të provojë “fajësi prej shoqërimit” konsiderohet nga disa si një arsyetim i gabuar, dhe se ata që përdorin këtë mënyrë mendimi, e bëjnë sepse nuk kanë një çështje thelbësore për të paraqitur dhe kështu mbështeten thjesht në sulme personale. Nëse mund të tregohet se çdo kritikë është vetëm një akuzë për “fajësi prej shoqërimit”, atëherë kritiku me siguri do të detyrohet të vihet në mbrojtje dhe të pranojë me turp dobësinë e çështjes së tij. Pse atëherë disa këmbëngulin ta përdorin këtë argument në kontekstin e shoqërimeve fetare?

Për të krishterin, çështja lind në lidhje me ndarjen biblike, detyrën e të gjithë të krishterëve për t’u ndarë nga gabimi, në bindje ndaj urdhërimit të Perëndisë. Zoti na paralajmëron se shoqërimi me gabimin sjell dëm, dhe kjo është e vërtetë pavarësisht nëse ne vetë e praktikojmë të njëjtin gabim apo jo.

Ndarja nga Bota

Së pari, detyra jonë është të ndahemi nga bota e rënë nga e cila jemi thirrur. Pali i nxit besimtarët të mos kenë asnjë bashkësi me veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi t’i qortojnë ato. Sepse është turp edhe të flitet për gjërat që bëhen prej tyre në fshehtësi (Efesianëve 5:11-12). Është burim turpi dhe, për rrjedhojë faji, nëse flasim me miratim ose edhe me indiferencë për gjërat që ndodhin në botë sikur ato të mos ishin serioze. Qasja e vetme e sigurt është t’i qortojmë ato si veprat e errësirës që janë. Duke vepruar kështu, vështirë se mund të distancohemi prej tyre më qartë.

Apostulli gjithashtu i nxit Korintasve: Mos hyni nën një zgjedhë bashkë me jobesimtarët; sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? dhe çfarë bashkësie ka drita me errësirën? (2 Korintasve 6:14). Edhe pse këto fjalë shpesh përdoren për martesën, zbatimi i tyre parësor është ndarja e besimtarit nga bota. Të jesh i lidhur, të kesh bashkësi ose komunikim me jobesimtarët në çështje të besimit është e ndaluar. Të gjitha këto terma nënkuptojnë shoqërim, dhe vetë shoqërimi mbart faj edhe nëse ne nuk marrim pjesë në të njëjtat gjëra. Mëkati konsiston në përpjekjen për të krijuar një terren të përbashkët fetar me ata me të cilët nuk duhet të kemi terren të përbashkët. Përkundrazi, ne duhet ta ndërpresim shoqërimin: Prandaj dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të papastër; dhe unë do t’ju pranoj (2 Korintasve 6:17). Ne “prekim” kur shoqërohemi me atë që është e papastër, kur ne bashkojmë dy gjëra për të cilat Perëndia ka thënë se duhet të jenë të ndara.

Ndarja nga Besimtarët e Komprometuar

Së dyti, Perëndia i urdhëron njerëzit e Tij të ndahen edhe nga të krishterë që nuk ecin në bindje ndaj fjalës së Tij. Kisha e Korintit u urdhërua të nxirrte nga mesi i saj një person që kishte kryer kurvëri (megjithatë pas pendimit, pas një kohe, ky individ duhej të rikthehej dhe të rivendosej në kishë). E njëjta gjë vlen për ata që fillojnë të largohen nga doktrina e shëndoshë dhe të mësojnë një ungjill tjetër. Apostulli Gjon e bëri këtë shumë të qartë kur shkroi:

“Kushdo që shkel dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ai ka edhe Atin, edhe Birin. Në qoftë se dikush vjen te ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni, sepse ai që e përshëndet, bëhet pjesëtar i veprave të tij të liga.” (2 Gjonit 1:9-11).

E tillë është rëndësia e doktrinës së vërtetë dhe e tillë është shkatërrueshmëria e gabimit, saqë duhen ndërmarrë hapa të fortë. Ata që ndihmojnë mësuesit e rremë dhe mbështesin punën e tyre bëhen pjesëmarrës me ta në veprat e tyre të liga dhe kështu edhe në fajin e tyre. Këtu kemi “fajësi prej shoqërimit”, sepse Gjoni këmbëngul se ne mund të bëhemi pjesëmarrës me mësuesin e rremë jo duke mësuar realisht të njëjtat gjëra që ai mëson, por thjesht duke e përshëndetur ose duke i uruar mbarësi. Diçka përfshihet sepse ka miratim ndaj atij që mëson gënjeshtrën dhe sepse, ndryshe nga Apostulli Gjon, ai që nuk ndahet nuk e vë në dukje problemin. Gabimi duhet të ekspozohet, jo të injorohet ose të zbutet; dashuria për të vërtetën kërkon urrejtje për gabimin. Natyrisht, ai që ndahet duhet të ruajë veten nga vetë-drejtësia dhe hipokrizia, por nëse ai është i zellshëm për të vërtetën nuk mund të qëndrojë i heshtur; gjithashtu ai duhet të ushtrojë dallim që të mos i nxjerrë gjërat jashtë përmasave dhe të trajtojë një çështje të vogël si të madhe, por ai gjithashtu duhet të tregojë edhe guxim kur sheh një çështje me rëndësi të vërtetë.

Duke u shkruar Thesalonikasve, Pali e urdhëron kishën të tërhiqet nga të gjithë ata që ecin në mënyrë të çrregullt, çrregullsia për të cilën ai e ka fjalën lidhet me dështimin për të punuar për të jetuar.

“Dhe ju porosisim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të tërhiqeni nga çdo vëlla që ecën i parregullt dhe jo sipas traditës që keni marrë prej nesh…Dhe në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet.” (2 Thesalonikasve 3:6-7, 14).

Nëse kjo mosbindje “më e vogël” kërkon një përgjigje kaq të fortë, atëherë me siguri kompromisi në fushën e së vërtetës së ungjillit ose të adhurimit hyjnor kërkon jo më pak. Qëllimi i këtij distancimi është që i çrregullti të turpërohet; por nëse kisha në Thesalonik do të kishte refuzuar të dëgjonte Palin, ajo do të kishte penguar veprën korrigjuese të Zotit në zemrën e tij.

Duke përmbledhur efektin e shoqërimeve të këqija, Pali thotë: “Mos u mashtroni: shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira” (1 Korintasve 15:33).

Të Jetuarit në një Botë të Rënë

Megjithatë, jo çdo shoqërim me ata që bëjnë keq sjell faj. Pali e sqaron këtë në mënyrë shumë ndihmuese në udhëzimet e tij për Korintasit:

“Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë, dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me rrëmbyesit, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilnit nga bota. Por tani ju shkrova të mos përziheni nëse dikush kërkon të quhet vëlla, duke qenë kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose rrëmbyes; me një të tillë madje as të mos hani bashkë.” (1 Korintasve 5:9-11).

Të krishterët mund të punojnë përkrah jo të krishterëve, të studiojnë me ta, madje të jetojnë me ta në të njëjtën familje pa dëm; Perëndia nuk i thërret të krishterët të dalin krejtësisht nga bota. Shoqërime të tilla natyrore dhe shekullare nuk përcjellin faj. E një rëndësie të madhe në vlerësimin e pasojave të një shoqërimi është pyetja se si është hyrë në të. Mund të ketë “fajësi prej shoqërimit” vetëm kur në shoqërimin në fjalë është hyrë me dijeni, vullnetarisht dhe qëllimisht.

[Shkrimi e hedh poshtë idenë se ka “fajësim prej shoqërimit” mbi bazën e lidhjeve krejtësisht natyrore:

“…biri nuk do të mbartë paudhësinë e të atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e të birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të jetë mbi të.”  (Ezekieli 18:20).

Faji është një çështje shumë personale dhe individuale dhe zakonisht nuk mund të transferohet nga një person te tjetri. Askush nuk po sugjeron se “fajësia prej shoqërimit” do të thotë që faji i njërit bëhet faji i tjetrit; mëkati real duhet të kryhet nga të dyja palët. Shoqërimi i keq sjell faj pikërisht sepse përfshin mosbindje.]

Bota bëhet burim faji për të krishterin vetëm kur ai ose ajo fillon të mbështetet tepër shumë te jo të krishterët për ngushëllim dhe lehtësim, ose i drejtohet botës si burim kënaqësie mëkatare, ose bashkohet me jobesimtarët në ndonjë veprimtari fetare. Shoqërimet me botën bëhen problematike kur ata na bëjnë që të përpiqemi të mbajmë të përbashkët atë që nuk duhet ta kemi të përbashkët. Sigurisht që, shoqërimi mund të çojë në pjesëmarrje, e cila mbart fajësinë e vet, por shoqërimi me atë që është e ndaluar është në vetvete i dënueshëm.

Shoqërimi me Besimtarë të Rremë

Megjithatë, kur bëhet fjalë për shoqërimin me mësues të rremë ose me besimtarë të komprometuar që ecin në një gjendje mosbindjeje ndaj Zotit, situata është krejtësisht ndryshe. Ekzistojnë standarte krejtësisht të tjera që duhen zbatuar brenda mbretërisë së qiejve, të cilat, vec të tjerash, nënkuptojnë që çështjet morale duhen marrë shumë më seriozisht. Unë nuk e kam lirinë që të kem ndonjë shoqëri me një person që deklarohet i krishterë, por që është fajtor për tradhëti bashkëshortore, edhe pse mund të kem kontakte të përditshme me jo-të-krishterë që janë fajtorë për të njëjtin mëkat. Se çfarë bëjnë njerëzit e botës që nuk besojnë, në një farë kuptimi, nuk është çështja jonë.”

“Sepse ç’më duhet të gjykoj edhe të jashtmit? A nuk i gjykoni ju të brendshmit? Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.” (1 Korintasve 5:12-13).

Sigurisht që ne dëshirojmë që të gjithë njerëzit t’i binden Perëndisë, por gjatë kësaj jete gjykimi i botës është ende në pritje. Megjithatë, gjykimi i besimtarëve dhe i atyre që shpallin besimin në Krishtin nuk është në pritje. Perëndia kërkon prej nesh që t’i zbatojmë tani standardet e ligjit të Tij brenda mbretërisë së Tij, për të ruajtur integritetin e saj sa më shumë që të mundemi.

Jo vetëm që çështjet morale duhet të merren shumë më seriozisht, por kështu edhe çështjet e doktrinës dhe të praktikës brenda kishës. Ne këtu po flasim për marrëdhënie të natyrës fetare dhe, që këto të miratohen nga Perëndia, ne duhet të sigurohemi që njerëzit me të cilët shoqërohemi qëndrojnë mbi të njëjtin themel, predikojnë të njëjtin ungjill, besojnë në të njëjtin Krisht dhe kërkojnë të jetojnë në bindje ndaj fjalës së Tij sipas dritës që kanë. Shkrimi urdhëron që nëse gabimi është serioz, atëherë çdo marrëdhënie duhet të përfundojë. Kjo është pjesërisht një çështje e thjeshtë bindjeje ndaj Perëndisë. Ne mund të mos bëjmë realisht të njëjtën gjë si ata me të cilët shoqërohemi — të mos qëndrojmë në doktrinën e Krishtit ose të dorëzohemi ndaj përtacisë — por fakti që ne shoqërohemi me ata që bëjnë gjëra të tilla sjell faj mbi ne, sepse Perëndia na ka thënë që të tërhiqemi prej tyre. Nëse pyesim se pse Perëndia e urdhëron këtë, përgjigjja duhet të jetë e qartë: duke u ndarë, ne shmangim mbjelljen e konfuzionit duke lavdëruar ata për të cilët duhet të paralajmërojmë, ne mbrojmë dëshminë tonë, ne mbrojmë veten nga ndikimi i dëmshëm i gabimit, dhe shpresojmë të kemi një ndikim korrigjues që i çon ata që janë në gabim drejt pendesës.

Shembuj nga Dhiata e Vjetër

Si mund të kemi ndonjë dyshim se shoqërimet e gabuara sjellin fajësi, kur Perëndia i’a ndaloi kaq prerazi Izraelit që t’i krijonte ato? Ata nuk duhej të bënin asnjë besëlidhje me adhuruesit e idhujve në tokat që po merrnin në zotërim:

“Ruhu se bën ndonjë aleancë me banorët e vendit në të cilin ke për të vajtur, me qëllim që të mos jetë një grackë për ty.” (Eksodi 34:12).

Ata as nuk duhej të mbështeteshin te kombet përreth për mbrojtje duke bërë traktate me ta në vend që të besonin te Zoti:

“Mjerë bijtë rebelë, thotë Zoti, që bëjnë projekte që nuk vijnë nga unë, që lidhin aleanca, por pa Frymën time, për të grumbulluar mëkate mbi mëkate; që shkojnë poshtë në Egjipt pa u këshilluar më parë me gojën time, për t’u përforcuar në forcën e Faraonit dhe për të kërkuar strehë në hijen e Egjiptit! Por forca e Faraonit do të jetë turpi juaj dhe streha në hije të Egjiptit fatkeqësia juaj. (Isaia 30:1-3).

“Mjerë ata që zbresin në Egjipt për ndihmë dhe u besojnë kuajve, kanë besim te qerret, sepse janë të shumta, dhe te kalorësit, sepse janë shumë të fuqishëm, por nuk shikojnë të Shenjtin e Izraelit dhe nuk kërkojnë Zotin.” (Isaia 31:1).

Të veproje kështu do të thoshte të braktisje besimin, dhe fajësia e këtyre shoqërimeve është i dukshëm nga ndëshkimi i Zotit që erdhi pas krijimit të tyre.

Shoqërimi më i ngushtë nga të gjithë është martesa, dhe ndikimi që burri dhe gruaja kanë mbi njëri-tjetrin është kolosal. Prandaj, nuk është për t’u habitur që izraelitëve u ndalohej martesa e bijve dhe bijave të tyre me njerëzit e kombeve paganë rreth tyrie.

“Kur Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin ku ti po hyn për ta zotëruar atë dhe kur të ketë dëbuar para teje shumë kombe: hitenjtë, girgasenjtë, amorenjtë, kanaanenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë, shtatë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, dhe kur Zoti, Perëndia yt, t’i ketë lënë në pushtetin tënd, ti do t’i mundësh dhe do të vendosësh shfarosjen e tyre, nuk do të bësh asnjë aleancë me ta dhe nuk do të tregosh asnjë mëshirë ndaj tyre. Mos lidh martesë me ta. Mos u jep bijat e tua bijve të tyre dhe mos merr bijat e tyre për bijtë e tu.” (Ligji i Përtërirë 7:1-3).

Shoqërimet Naive

Ndonjëherë naiviteti ose mungesa e kujdesit na shtyn drejt një aleance që nuk duhej ta kishim bërë, dhe janë vetëm telashet e mëpasshme ato që na mësojnë marrëzinë e asaj që kemi bërë. Shoqërimet e këqija sjellin rrezik, por ky rrezik mund të mos perceptohet në fillim. Jozafati bashkoi forcat me Ashabin për të luftuar një betejë me të cilën nuk kishte asnjë punë.

“Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: «A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?». Jozafati iu përgjigj: «Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty».” (2 Kronikave 18:3).

Si rezultat, ai e shpëtoi jetën për një fije dhe mori në mënyrë të merituar një qortim të ashpër nga Zoti:

“Por shikuesi Jehu, bir i Hananit, i doli përpara dhe i tha mbretit Jozafat: «A duhet të ndihmoje ti një të pafe dhe të doje ata që urrenin Zotin? Prandaj mëria e Zotit është mbi ty.” (2 Kronikave 19:2).

Ne duhet t’i përputhim pëlqimet tona me ato të Zotit dhe të themi bashkë me Davidin: “A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o ZOT, dhe a nuk i urrej ata që që ngrihen kundër Teje?” (Psalmi 139:21).

Jo thjesht një Gabim Logjik

Por çfarë do të thotë saktësisht termi “fajësi prej shoqërimit”? Ekziston një gabim logjik që mban të njëjtin emër, një gabim logjik që rezulton në një argumentim të mangët, i cili ka pak të bëjë me atë që po shqyrtojmë këtu. Gabimi për “fajësinë prej shoqërimit” merr forma të ndryshme, të cilat të gjitha përfshijnë faktin që një atribut që i përket një entiteti i atribuohet në mënyrë të rreme një tjetri.

Në një formë të këtij gabimi, një entitet që nuk ka asgjë të bëjë me një grup, identifikohet me atë grup vetëm sepse ndan një atribut të vetëm me anëtarët e atij grupi, por pa zotëruar shumë nga karakteristikat e tjera përcaktuese të grupit. Për shembull, dikush mund të argumentojë kështu: “Sigurimet shoqërore janë pensione pleqërie të financuara nga shteti; Nazistët mbështetnin pensionet e pleqërisë të financuara nga shteti; prandaj sigurimet shoqërore janë diçka e keqe.”

Po ashtu, një tipar i një anëtari të vetëm mund t’u atrubohet gabimisht të gjithë anëtarëve thjesht sepse ata i përkasin të njëjtit grup. Për shembull: “Harold Shipman ishte mjek; ai përdori pozicionin e tij të besuar për të vrarë pacientët e tij; prandaj asnjë mjeku nuk mund t’i zihet besë.”

Forma të tjera të këtij gabimi përpiqen të lidhin individë në një mënyrë që e paraqet keq njërin prej tyre, vetëm sepse ata ndajnë një karakteristikë të përbashkët. Shpesh, ata që argumentojnë në këtë mënyrë të gabuar bëjnë një thirrje emocionale që përpiqet të nxisë paragjykim kundër njërës palë mbi bazën e një lidhjeje të imagjinuar me një palë tjetër të diskredituar.

Këto forma të rreme të shoqërimit kanë pak të përbashkëta me shoqërimin real që haset kur shpërfillet urdhërimi biblik për t’u ndarë. Fajësia që përfshihet në dështimin për t’u ndarë nga gabimi nuk vjen nga një shoqërim idesh apo nga një atribuim i  rremë vetish, por nga një shoqërim real personal me të gjitha dinamikat që përfshijnë marrëdhëniet njerëzore.

Rëndësia e Shoqërimeve

Shoqërimet formohen me një qëllim në mendje. Ato nuk mund të formohen pa vendosjen paraprake të një baze të përbashkët. A mund të kemi ne bazë të përbashkët me ata që dëmtojnë çështjen e Krishtit? Nëse unë me vetëdije hyj në një shoqërim me dikë që ka predikuar një ungjill që tërheq ndjekës mbi bazën e ndonjë mjeti pragmatik që i pëlqen mendjes mishore, atëherë unë kam rënë dakord të hesht për këtë çështje; përndryshe aleanca midis nesh nuk do të ishte e qëndrueshme, sepse sapo ta ngre këtë çështje, do të ketë një çarje dhe prishje midis nesh. Prandaj shoqërimet me gabimin e mbytin qortimin.

Shoqërimet hapin derën për ndikim, sepse duhet të ekzistojë një shkallë e caktuar besimi që çdo shoqërim të mund të ekzistojë. Ai besim do të lejojë që idetë dhe praktikat të rrjedhin më lehtë midis palëve të lidhura. Fatkeqësisht, përvoja tregon se kjo lëvizje zakonisht është vetëm në një drejtim.

«Kështu thotë Zoti i ushtrive: Pyeti priftërinjtë për ligjin, duke thënë: “Në qoftë se dikush mban në cepin e rrobës së tij mish të shenjtëruar dhe me cepin prek bukë ose ushqim të gatuar, verë ose vaj, ose çfarëdo ushqim tjetër, a do të bëhet i shenjtëruar ky?”». Priftërinjtë u përgjigjën dhe thanë: «Jo!». Atëherë Hagai u tha atyre: «Në qoftë se dikush, që është i papastër për shkak të kontaktit me një kufomë, prek ndonjë nga këto gjëra, a do të bëhet kjo e papastër?». Priftërinjë u përgjigjën dhe thanë: «Po, ajo do të bëhet e papastër». (Hagai 2:11-13).

Ajo që ishte e vërtetë për Izraelin në sferën simbolike fizike përmes prekjes është e vërtetë për ne në sferën më të rëndësishme shpirtërore përmes shoqërimit: nga një kontakt i tillë, i pastri bëhet i papastër, por i papastri nuk bëhet i pastër. Kur një kishë, adhurimi i së cilës rregullohet nga fjala e Perëndisë, hyn në aleancë me një kishë tjetër, adhurimi i së cilës huazon nga stilet dhe modat e botës, ndikimi ka shumë gjasa të jetë vetëm në një drejtim. Prandaj paralajmërimi për fajësi prej shoqërimit nuk është stereotip i thjeshtë, por njohje e efekteve reale që ata në kontakt të ngushtë kanë mbi njëri-tjetrin.

Faktorë për t’u Marrë Parasysh

A duhet atëherë të shqetësohemi për të gjitha bindjet dhe opinionet e atyre me të cilët shoqërohemi? Jo. Kur ne hyjmë në një aleancë me një të krishterë tjetër, nuk pritet të marrim parasysh shijen e tyre për ngjyrat, pikëpamjet për mbajtjen e kafshëve shtëpiake, qëndrimin ndaj ushtrimeve fizike, nëse praktikojnë apo jo shkollimin në shtëpi, apo edhe opinionet e tyre politike. Gjëra të tilla janë të parëndësishme. Por ne me siguri duhet të marrim parasysh qëndrimin e tyre ndaj ungjillit, natyrën e adhurimit të tyre dhe metodat e ungjillëzimit që mbrojnë, sepse këto janë në zemër të shoqërimit që po formojmë. Këto duhet të jenë gjërat që vendosin bazën e përbashkët mbi të cilën mund të punojmë së bashku. Nëse nuk ka bazë të përbashkët, atëhere duhet të mendojmë përsëri.

Ka bindje kaq të rëndësishme për të krishterin sa që ai nuk duhet asnjëherë të rrezikojë t’i komprometojë ato. Do të ishte gabim të rrezikonim çdo dukje të së keqes duke u shoqëruar me ide të tilla. Do të ishte marrëzi që një i krishterë të bënte biznes me një institucion bixhozi, ashtu siç do të ishte mëkat që besimtarët të pranonin ata që predikojnë ndonjë ungjill tjetër nga ai që predikoi Pali. Në shoqërimet tona me botën janë çështjet morale ato që janë veçanërisht në lojë; në shoqërimet midis të krishterëve, duhet të merren parasysh edhe doktrina, adhurimi dhe ungjillëzimi. Këto janë themelore sepse kisha përcaktohet nga ajo që beson — krishterimi është një fe që përfshin besnikëri ndaj disa të vërtetave. Këto të vërteta janë të panegociueshme për besimtarin. Prandaj, në punën tonë për Zotin, ne nuk mund të shoqërohemi me askënd që i mohon këto besime.

Ndjeshmëria ndaj Prirjeve Bashkëkohore

Për më tepër, nëse ekziston një prirje e rrezikshme që është aktualisht në modë midis njerëzve të Perëndisë, atëherë çështjet që lidhen me këtë prirje bëhen përkatësisht më të rëndësishme, dhe qasja jonë ndaj tyre me të drejtë bëhet më e ndjeshme. Kërkohet vigjilencë e vazhdueshme dhe ushtrim dallimi kur një armik rri pritë jashtë mureve të qytetit. Ne duhet t’i trajtojmë çështjet në kontekstin e asaj që tashmë ka ndodhur dhe të mos jemi naivë. Ne duhet t’i trajtojmë çështjet në kontekstin e asaj që ka ndodhur tashmë dhe të mos jemi naivë. Kur Shimei shkoi nga Jerusalemi në Gath, u duk si një çështje e vogël, por në ato rrethana atij i kushtoi jetën, sepse pas këtij akti fshihej një histori e tërë (1 Mbretërit 2:36-46). Kur Krishti u përgjigj me një kritikë aq shkatërruese ndaj farisenjve te Mateu 23, duke thënë disa nga gjërat më të ashpra që ka thënë ndonjëherë, kjo erdhi si përgjigje ndaj armiqësisë dhe kundërshtimit të tyre të pandërprerë gjatë tre viteve të shërbesës së Tij. Për shkak të brezave të tërë mosbesimi, si dhe mosbesimit të tyre personal, Krishti i paralajmëroi judenjtë e kohës së Tij se mbi ta do të binte ndëshkimi për gjithë gjakun e njerëzve të drejtë të derdhur mbi tokë që nga fillimi. Ka raste kur në fillim një reagim duket i shpërpjesëtuar, por jo kur ne marrim parasysh të gjithë kontekstin e veprimit; kështu ndodh edhe në fushën e ndarjes.

Kur kishat sulmohen nga ndonjë dredhi e re e djallit – sepse ai kurrë nuk rresht në përpjekjet e tij për t’i rrëzuar ato – dhe kur disa kisha bien viktimë e këtyre sulmeve, atëherë ata që e dallojnë rrezikun janë natyrshëm vigjilentë, që kishat e tyre të mos bien në të njëjtin problem. Në këto rrethana, ekziston një dyshim i shëndetshëm ndaj asaj që mund të duket si propozime dhe oferta miqësore nga kishat e prekura. Për këtë arsye, udhëheqësit e judenjve i hodhën poshtë ofertat për ndihmë që morën nga kundërshtarët e tyre.

“Kur armiqtë e Judës dhe të Beniaminit dëgjuan që ata që kishin qenë në robëri po rindërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, iu afruan Zorobabelit dhe krerëve të shtëpive atërore dhe u thanë atyre: «Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne kërkojmë Perëndinë tuaj, ashtu si ju; i kemi ofruar flijime atij nga koha e Esar-Hadonit, mbretit të Asirisë, që na solli këtu». Por Zorobabeli, Jeshuai dhe krerët e tjerë të shtëpive atërore të Izraelit iu përgjigjën atyre: «Nuk keni asnjë të drejtë t’i ndërtoni me ne një shtëpi, Perëndisë tonë, por ne vetë do t’i ndërtojmë Zotit, Perëndisë së Izraelit, ashtu si na ka urdhëruar mbreti Kir, mbret i Persisë».” (Ezdra 4:1-3)

Në të njëjtën mënyrë, Nehemia ishte vigjilent kur Sanballati i dërgoi fjalë duke thënë: “Eja dhe takohemi bashku në një nga fshatrat e luginës së Onos.” Ai u përgjigj me përbuzje të ftohtë: “Jam duke bërë një punë të madhe dhe nuk mund të zbres. Pse duhet ta ndërpresim punën, kur unë po e lë për të zbritur tek ju?” (Nehemia 6:2–3). Ai kuptoi në ftesën e tyre me tingull të pafajshëm një përpjekje tjetër për ta penguar veprën. Sot, duket se ka një vërshim të botës mbi kishat dhe disa janë mashtruar duke ia hapur dyert, madje duke përgatitur një dhomë në oborret e shtëpisë së Perëndisë për një “Tobiahu” modern (Nehemia 13:4–8). Ka një prirje që disa kisha sot të përthithin kulturën e botës në mesin e tyre dhe të mjegullojnë dallimin midis kishës dhe botës; natyrisht, pastorët bëhen më vigjilentë kundër gabimeve të tilla. Në këto rrethana, të formosh një shoqërim me një kishë që është thellësisht e përfshirë në këto gjëra është të hedhësh një hap shumë domethënës.

Sigurisht që, karakteri ka rëndësi. Ne nuk i trajtojmë veprimet e veçanta të një personi në izolim, sikur ato të ishin një seri ngjarjesh të shkëputura. Me të drejtë ne shohim modele në sjelljen e një personi dhe formojmë gjykime për karakterin e tij. Prandaj nuk është paragjykim kur kemi pritshmërinë që dikush që e ka komprometuar ungjillin në të kaluarën do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Zoti Jezu Krisht tha për dikë që dishepujt e Tij e kritikuan: “S’ka njeri që mund të bëjë një vepër të fuqishme në emrin tim dhe, fill pas kësaj, të flasë keq për mua” (Marku 9:39). Por për farisenjtë Ai tha: “O Gjarpërinj, o pjellë nepërkash, si do t’i shpëtoni gjykimit të ferrit?” (Mateu 23:33).

Sferat e Shoqërimit

A do të thotë e gjithë kjo se unë mund të shoqërohem vetëm me ata që mbajnë saktësisht të njëjtat besime si unë dhe që ndjekin saktësisht të njëjtën praktikë kishtare si kisha së cilës unë i përkas? Sigurisht që jo! Ne nuk duhet të praktikojmë ndonjë formë të gabuar ndarjeje, siç kanë bërë disa grupe ekskluzive në të kaluarën. Ndarja nuk duhet të ndajë familjet tokësore, sikur besimtarët dhe jobesimtarët nuk mund të ulen të hanë së bashku në të njëjtën shtëpi, as ne nuk përpiqemi t’i përjashtojmë nga kisha ata që qartësisht i përkasin Zotit. Ekzistojnë sfera të ndryshme brenda të cilave janë të përshtatshme shkallë të ndryshme shoqërimi. Unë mund të kem bashkësi në punë me një besimtar të kthyer vërtet në besim, kisha e të cilit ka një qëndrim doktrinor të ndryshëm nga imi. Kjo do të thotë thjesht të marrësh parasysh zhvillimin historik të krishtërimit përgjatë shekujve. Por, nëse ai besimtar do të ishte një mësues Biblie, do të ishte e papërshtatshme që ta ftoja atë të predikonte në kishën time. Ndryshimet mes nesh janë të tilla që ne ndajmë një ungjill të përbashkët, por kemi edhe shumë ndryshime. Bashkësia personale do të ishte e drejtë, por jo një ftesë — duke supozuar se e kam autoritetin për ta bërë këtë — në foltoren e kishës sime.

Nga ana tjetër, mund të ketë një tjetër të krishterë me të cilin mund të kem shumë më tepër gjëra të përbashkëta dhe për të cilin do të ishte plotësisht në rregull që ta ftoja të jepte mësim herë pas here në kishën ku bëj pjesë. Megjithatë, për shkak se ai nuk i përmbahet rrëfimit të besimit mbi të cilin është themeluar ajo kishë, nuk do të ishte e drejtë të lejohej që të bëhej anëtar i kishës. Ata brenda të njëjtës kishë duhet të kenë shkallën më të lartë të unitetit dhe duhet të jenë të aftë t’i binden urdhrit të Biblës për të qenë të një mendjeje. Pra po, ne mund të shoqërohemi me shumë njerëz që nuk mbajnë saktësisht atë që mbajmë ne, por brenda kufijve të duhur.

Praktikat e Shkëputjes

Por ç’mund të themi për aspektet praktike të shkëputjes nga gabimi? Pozicioni i separatistëve tallet nga disa që e paraqesin atë si karikaturë në një mënyrë ekstreme dhe joreale. Separatisti portretizohet si dikush që është i detyruar të veçohet nga dikush që i ka dhënë dorën dikujt tjetër, i cili i ka dhënë dorën një mësuesi të rremë të njohur. Kjo parodi fillon t’i ngjajë programit të higjienës që pason shpërthimin e një virusi të ri vdekjeprurës. Sigurisht, kushdo që do të mbante këtë pozicion ekstrem do të duhej të konsiderohej si i pabalancuar në gjykimin e tij. Por, a është kjo karikaturë plotësisht e ndershme? A po flasim për një thjesht shtrëngim duarsh? Jo, në shumë raste ne po flasim për marrëdhënie pune midis kishave ose institucioneve të krishtera — gjoja për të çuar përpara ungjillin — në të cilat ka mundësi të zgjatura për ndikimin e njërës te tjetra, dhe ku janë ndërmarrë hapa për ta çimentuar atë marrëdhënie. A nuk kanë frikë ata që flasin kështu të tallen me atë që është një kërkesë e qartë e fjalës së Perëndisë? A u mungon atyre aftësia e dallimit për të parë se nga po vjen sulmi satanik i radhës?

Sigurisht, duhet të ketë hapësirë për maturi kur bëhet fjalë për ndarje nga besimtarët e tjerë që janë në gabim. Ne duhet të pyesim: sa dinë ata? A është personi në fjalë një i kthyer i ri në besim, i cili nuk i ka studiuar kurrë këto çështje, por që ka instinkte të mjaftueshme shpirtërore për ta marrë seriozisht gabimin kur i vihet në dukje? Apo është ky dikush që e di saktësisht se çfarë po bën dhe ka vendosur në zemrën e tij të vazhdojë në këtë rrugë kompromisi, edhe pse ajo bie ndesh me parime të qarta biblike? Personi mund t’i përkasë një grupi që është përfshirë shumë në një gabim të caktuar, por ai mund të ndihet i shqetësuar me qëndrimin e grupit dhe të jetë në proces të ndryshimit të pozicionit të tij. Njerëz të tillë duhen inkurajuar, jo të ndahemi prej tyre. Trajtimi që Krishti i bëri Nikodemit ndryshonte nga gjuha e Tij shumë më e ashpër ndaj farisenjve në përgjithësi. Ai qartësisht bëri dallimin midis grupit në tërësi dhe dikujt brenda atij grupi që kishte filluar të vërë në pyetje ortodoksinë judaike.

Përfundim

Shoqërimet që formojmë zbulojnë shumë për ne. Kur Izraeli filloi të mos besonte më te Zoti dhe të varej nga kombet përreth për mbrojtje, ai tregoi mungesë besimi dhe gatishmëri për t’u mbështetur më shumë te krahu i mishit sesa te krahu i Perëndisë. Ajo që ai bëri në sferën politike është një paralajmërim për ne në lidhjet tona personale dhe kishtare. Perëndia e konsideroi këtë mungesë besimi si mëkat dhe e ndëshkoi Izraelin ashtu siç i takonte; ato shoqërime sollën fajësi thjesht sepse ato ekzistonin. Në mënyrë të ngjashme, kur kishat ungjillore bëjnë marrëveshje bashkëpunimi me liberalët, ose kur bashkohen me kisha të tjera të ashtuquajtura ungjillore që kanë zëvendësuar ungjillin e vërtetë me një ungjill të rremë të përqendruar te njeriu, ato bëhen në mënyrë të pashmangshme fajtore para Perëndisë. Nuk është e mundur që ta sjellim botën në kishat tona duke braktisur një stil jetese të dallueshëm të krishterë, ose të vëllazërohemi me kisha të tjera që i lënë pas dore këto standarde, pa zemëruar Zotin. As nuk mund t’i dorëzohemi adhurimit bashkëkohor, me gjithë importimin e muzikës që imiton qëllimisht muzikën e botës — e aq më pak mund të ngremë kurse për të dhënë mësim se si të bëhet kjo — pa e çuar durimin e Zotit në kufi. Kur ne përsërisim të njëjtat mëkate që Perëndia i ka ndëshkuar tashmë në të kaluarën, a imagjinojmë vallë se kjo nuk ka asnjë pasojë për Të dhe se Ai, në njëfarë mënyre, ka ndryshuar mendje për këto gjëra? Zgjedhjet që ne bëjmë për shoqërimet tona tregojnë se ku qëndrojnë simpatitë tona. Le të kujdesemi të nderojmë Zotin duke ndërtuar lidhje me ata që kujdesen thellë për standardet e Tij dhe që mbeten vigjilentë ndaj çështjeve të kohës.

“Kush shkon me të urtët, bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.” (Fjalët e Urta 13:20).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes