25 Protestime Kundër Krishtlindjeve

Krishtlindjeve

25 Protestime kundër Krishtlindjeve

Nga Daniel Kok

1. Shkrimet e Shenjta nuk na tregojnë datën apo stinën e lindjes së Zotit tonë.

2. Prandaj, çdo përpjekje për të përcaktuar datën e lindjes së Krishtit është hamendje dhe nuk mund të mbështetet në Shkrim.

3. Edhe pse shumë të krishterë e kremtojnë lindjen e Jezusit më 25 dhjetor, shumë të krishterë lindorë e përkujtojnë më 7 janar. Megjithatë, asnjëra datë nuk ka mbështetje biblike. Ndryshimi mes këtyre dy datave është i tillë që, apostulli Pal do të thoshte për to se “shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim.” (1 Timoteut 1:4).

4. Prandaj, të thuash, siç bëjnë disa, “Krishti lindi sot” ose “sot është ditëlindja e Jezusit”, është dëshmi e rreme.

5. Nuk ka asnjë të dhënë në Dhiatën e Re për ndonjë festim apo përkujtim të mëvonshëm të lindjes së Tij.

6. Shkrimet nuk na urdhërojnë dhe as nuk na rekomandojnë të kremtojmë lindjen e Krishtit.

7. Më e rëndësishmja, Shkrimet nuk i japin Kishës autoritet për të vendosur ditë të shenjta, ditë zakonesh apo përkujtimore për ngjarje të ndryshme biblike. Sepse Kisha e Krishtit është e thirrur të bëjë vetëm atë që Ai e ka urdhëruar (Mateu 28:18).

8. Në fakt, Shkrimet flasin kundër vendosjes dhe mbajtjes të ditëve të shenjta: 1 Mbretërve 12:33 dhe Galatasve 4:9-10.

9. Fakti që Pali dënon mbajtjen supersticioze të festave të Dhiatës së Vjetër nga disa të krishterë të hershëm (Galatasve 4:9-10) tregon rrezikun e mbajtjes së tyre edhe në kohën tonë. Nëse kjo vlen për ato që Perëndia i kishte caktuar në Dhiatën e Vjetër, por që u përmbushën në Krishtin, aq më tepër vlen për ceremoni që Ai nuk i ka urdhëruar! (Jeremia 7:31)

10. E vërteta e mishërimit nuk kufizohet në një ditë apo stinë. Dhe as nuk mohoet nga ata që nuk festojnë Krishtlindjet. Lambertus Danaeus ka thënë: “Krishti lind, rrethpritet, vdes dhe ringjallet për ne çdo ditë në predikimin e Ungjillit.” Për më tepër, sakramentet janë kujtesë e vazhdueshme për Kishën për mishërimin e Krishtit, teksa ajo merr ujin e pagëzimit si shenjë dhe vulë të gjakut pastrues të Krishtit dhe merr pjesë në mishin e Tij përmes simboleve të autorizuara nga Zoti i saj.

11. Prandaj dikush mund të pranojë rëndësinë e mishërimit dhe lindjes së Jezusit pa pasur nevojë ta festojë apo përkujtojë në ndonjë kohë të caktuar të vitit.

12. Për më tepër, koha që shpenzohet për ngjarjen e mishërimit (pothuajse gjithë dhjetori për disa) është në disproporcion me ngjarjen në jetën e Jezusit mbi të cilën fokusohet Shkrimi: vdekjen dhe ringjalljen e Tij, të cilat kremtohen çdo Ditë të Zotit (të dielë).

13. Sezoni i Krishtlindjeve shpesh bëhet shkak për shkeljen e urdhërimit të dytë, duke bërë që njerëzit të krijojnë imazhe të Birit të Perëndisë përmes skenave të grazhdit, shfaqjeve dhe kartolinave të Krishtlindjeve.

14. Sezoni i Krishtlindjeve shpesh bëhet shkak për shkeljen e urdhërimit të katërt, që ka të bëjë me mbajtjen e Ditës së Zotit (e diela). Në të kaluarën, kur Krishtlindjet binin të dielën, disa kisha vendosnin të mos mbanin fare shërbesë. Për më tepër, shumë kisha i tolerojnë anëtarët e tyre që vijnë vetëm në ditë të tilla adhurimi, ndërkohë që në mënyrë të rregullt, ata shpërfillin dhe shkelin Ditën e Zotit.

15. Është veçanërisht mëkat që të krishterët të dëshirojnë predikime “të Adventit” që çojnë drejt një dite që nuk është caktuar në Shkrim kur ata nuk respektojnë atë ditë që është vendosur dhe caktuar për Kishën në Dhiatën e Re: Ditën e Zotit (e diela).

16. Vendosja e ditëve të shenjta gjithashtu shkel lirinë e të krishterëve individualë. Ose dikush është i detyruar (me ligj biblik) që të marrë pjesë në këto shërbesa, ose nuk është i detyruar. Nëse është e para, atëherë Shkrimi duhet të flasë për këto ditë. Nëse është e dyta, atëherë ndërgjegjja e askujt nuk duhet të lidhet dhe dita nuk ka rëndësi për Kishën.

17. Përdorimi i Romakëve 14:5-6 për të vendosur liri në kremtimin e Krishtlindjeve dështon për tre arsye: 1) nuk është Kisha, por individi që mund të mbajë ose jo ditët e përmendura (v. 6 “ai që nuk e cmon”). Ne nuk na jepet asnjë e drejtë për të vendosur, në emër të Kishës, një ditë që nuk ka precedent në Shkrim; 2) Pali i referohet ditëve të shenjta judaike, pasi: i) nuk ka asnjë dëshmi për Krishtlindjet apo ndonjë ditë të ngjashme nga koha e hershme e Kishës dhe ii) kjo përputhet me situatat e tjera në Dhiatën e Re (Kolosianëve 2:16-20; Galatasve 4:9-10); Nuk mund të vërtetohet që Pali kishte në mendje ndonjë festë apo ceremoni të Dhiatës së Re.

18. Edhe pse Shkrimi flet për antitezën midis besimtarit dhe jobesimtarit, Krishtlindjet shpesh krijojnë dhe nxisin një antitezë të rreme midis tyre, pasi nuk ka dëshmi që Krishtlindjet janë me origjinë hyjnore. Kjo na nxit të mos jetojmë në paqe me njerëzit (në kundërshtim me Romakëve 12:18 dhe 1 Thesalonikasve 4:11), ndërsa disa luftojnë për çështje që Perëndia nuk i ka urdhëruar (si skenat publike të grazhdit, pemët e Krishtlindjeve, emërtimi “i duhur” i festës, përmendja e saj në shkolla publike, etj.).

19. Kisha e rreme e Romës e do kremtimin e Krishtlindjeve dhe vazhdon të përfitojë nga përhapja e autoritetit të saj të supozuar dhe mësimeve të saj përmes pranimit të “Meshës së Krishtit” në festime fetare dhe laike. Dhe, siç vëren George Gillespie, idhujtaria e së kaluarës dhe e së tashmes nuk duhet të pranohet nga Kisha (shih English Popish Ceremonies, Pjesa 5).

20. Kishat e Reformuara, në përgjithësi, historikisht e kanë dënuar kremtimin e Krishtlindjeve për shkak të lidhjes së saj me Romën dhe paganizmin.

21. Kishat e Reformuara, në përgjithësi, kanë njohur autoritetin suprem të Shkrimit në çështje të adhurimit dhe rendit kishtar, dhe për këtë arsye shumë prej tyre kanë refuzuar të kenë lidhje me një ditë që nuk ka origjinë hyjnore.

22. Fakti që Krishtlindjet u rikthyen nga qeveria për popullin në Hollandën e shekullit 17-të (pas përpjekjeve për ta hequr ose kufizuar në Sinodin e vitit 1574) tregon shpirtin e kësaj dite: sentimentalizëm, por jo fe e vërtetë.

23. Me të vërtetë, ka shumë sentimentalizëm që pagëzohet në emër të Krishtlindjeve përmes këngëve sezonale që shpesh thonë gjëra që nuk janë aspak të vërtetueshme (e disa madje janë qartësisht të rreme).

24. Për më tepër, mbrojtësit e Krishtlindjeve duhet të heqin dorë nga çdo përpjekje për të prekur ose për të qetësuar zemrën dhe mendjen mëkatare të njeriut (Jeremia 17:9 dhe Romakëve 8:7).

25. Prandaj, nëse Krishtlindjet kanë ndonjë vlerë, i krishteri duhet ta tregojë këtë nga Shkrimi dhe vetëm nga Shkrimi. Në veçanti, ai duhet të vërtetojë se Krishtlindjet kanë origjinë hyjnore. Unë pohoj se kjo nuk është bërë dhe, në të vërtetë, nuk mund të bëhet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes