Kisha dhe Kontraceptivët: Liria për të Zgjedhur të Jesh i/e Marrë?
Nga Xhesika Roldan. Përkthyer nga TruthatHome.
Pastori dhe gruaja e tij ulen përballë çiftit që do të martohet së shpejti. Nuk është një temë e rehatshme, por ata ndiejnë se është e nevojshme që ta cekin atë dhe që ta hedhin pas. Pastori u thotë: “Pra, a keni vendosur çfarë do të bëni lidhur me kontrollin e lindjeve?” Çifti i ri lëviz pak në siklet në karrige duke shkëmbyer shikime. I riu gëlltitet dhe thotë me ton të qetë: “Epo, s’e kemi menduar shumë. Do ta lëmë në dorën e Zotit dhe të shohim çfarë ndodh.”
Pastori dhe gruaja e tij tundin kokën. “Kjo nuk është diçka që duhet ta lini në dorën e fatit,” thotë pastori me seriozitet. “Mendojeni pak. Ju do të keni një kredi shtëpie, fatura, kurse universiteti, një punë… si do t’i përballoni të gjitha KRAHAS një foshnje të sapolindur? A nuk mendoni se është më e arsyeshme që të hidhni një themel më parë, përpara se të keni fëmijë? Që marrëdhënia juaj të piqet? Prindërimi mund të jetë i vështirë, dhe ju duhet të jeni mjaftueshëm të fortë në marrëdhënien tuaj për të përballuar gjithë stresin që do të vijë.” Duket e arsyeshme…
Në fund, çifti i ri largohet nga këshillimi paramartesor me ndjenjën se, nëse ata do të zgjidhnin që të MOS përdornin kontroll të lindjeve, jeta e tyre do të kthehej në kaos, dhe vetëm ata do të ishin fajtorë për këtë. Nëse gjërat do të shkonin keq për çfarëdo arsye, të gjithë të tjerët do t’i tregonin me gisht e të thoshin: “Ta thashë unë.” Në të vërtetë, ata nuk bëhen të ndihen sikur kanë vërtet një zgjedhje, edhe pse këshilluesit mund t’ua thonë me gojë se kanë. Ata u thonë: “Sigurisht, kjo është diçka për të cilën duhet të luteni dhe ta merrni shumë seriozisht. Duhet të bëni atë që ndieni se Zoti po ju thërret të bëni.” Por nënkuptimi i gjithë bisedës është se Perëndia kurrë nuk do t’i “thërriste” të bënin diçka aq të marrë sa, të MOS përdorin kontroll të lindjeve (kontraceptivë/prezervativë).
“Ajo që Perëndia po të thërret të bësh.” Unë e urrej jashtë mase këtë shprehje kur përdoret në lidhje me diskutimin për kontrollin e lindjeve. Perëndia nuk na “thërret” që të shpërfillim Fjalën e Tij. Ka KAQ SHUME njerëz që thonë se Bibla nuk flet për kontrollin e lindjeve dhe se kjo është diçka që ne vetë duhet të vendosim se çfarë Perëndia na ka “thirrur” të bëjmë. Kjo është një gënjeshtër.
Është gënjeshtër sepse Bibla NA FLET shumë qartë për këtë temë! Ajo na tregon se Perëndia dëshiron që “të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni” (Zanafilla 1:28). Ajo na mëson se foshnjat vijnë nga Perëndia, se Ai vetë i vendos ato në bark. Ajo na tregon se Perëndia ka kontroll mbi barkun, që ta bëjë pjellor ose shterpë (shih, për shembull, historinë e Anës në dy kapitujt e parë të 1 Samuelit). Ajo na mëson se fëmijët janë një dhuratë nga Perëndia (Psalmi 127). Unë mund të vazhdoja pafund. Ne jemi një kulturë njerëzish të verbër. Ne zgjedhim në mënyrë të vullnetshme të jemi të verbër në disa fusha, sepse kështu na leverdis më shumë, dhe sepse kemi frikë se të tjerët do të na shohin si “ekstremë” nëse ecim në rrugën tjetër dhe e lëmë planifikimin familjar në duart e Perëndisë.
Kishat tona nuk u japin të rinjve mundësinë të zgjedhin çfarë ata besojnë se Perëndia dëshiron që ata të bëjnë. Kishat u diktojnë në një mënyrë të butë se çfarë ata duhet të bëjnë. Ato përdorin nxitje psikologjike për t’i bërë të rinjtë të përshtaten (megjithëse nuk besoj se ato e bëjnë me qëllim të keq). A e ke menduar ndonjëherë këtë: Sa njerëz në kishë përdorin kontroll të lindjeve (kontraceptivë dhe prezervativë)? Mjafton të numëroni familjet me dy ose tre fëmijë. Ka plot të tilla. Nëse ata nuk do të përdornin kontroll të lindjeve, do të ishte shumë e çuditshme që kaq shumë njerëz të kishin vetëm dy ose tre fëmijë dhe më pas të ndalonin papritur dhe të mos kishin më. Jo. Unë nuk jam naive, dhe as ju. Shumica e të krishterëve që shkojnë në kishë sot përdorin forma të ndryshme të kontrollit të lindjeve: pilulën, spiralen (IUD), injeksionin; prezervativë, spermicidë dhe “Planifikim Natyral Familjar.” Ata nuk ndihen “gati” për të pasur një fëmijë, kështu që ata bëjnë çfarë munden për të penguar ardhjen e fëmijëve në jetën e tyre. Për ta, në të vërtetë, nuk është çështje kërkimi në Shkrimet për të parë çfarë thonë ato. Ajo është çështje përshtatjeje me normën. Mosprishje e “qetësisë.” Të jesh “i përgjegjshëm.”
Pse kjo verbëri? Pse ky mohim i qenieve njerëzore? Pse besimtarët nuk shohin se po manipulohen nga Satani për të bërë vullnetin e tij? Është SATANI ai që urren njerëzit dhe kërkon t’i shkatërrojë, dhe do të përdorë çdo mjet që mundet. Në fakt, ai është shumë dinak. Qindra vite më parë, në mënyrë të dhunshme, foshnja do t’i shqyhej gruas nga barku i saj nga armiku i saj, ose ajo do ta linte foshnjën e padëshiruar jashtë në të ftohtë që të ngrinte ose të hahej nga kafshët e egra. Më pas, ne “modernizuam” metodat tona dhe futëm një thikë (ose një aparat thithës) në mitrën e gruas. Së fundmi, ne jemi bërë aq “të avancuar” sa mjafton të marrësh një pilulë. Ne kemi anashkaluar pjesën e shëmtuar. Tani ne mund t’i heqim qafe njerëzit duke mos i lejuar që të vijnë fare në ekzistencë. Teknikisht, mund të mos jetë “vrasje,” por as nuk është shprehje e dashurisë për jetën.
Jezusi tha: “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.” (Gjoni 10:10). Satani dëshiron të na vjedhë frytshmërinë tonë riprodhuese. Ai do që të vrasë embrionet tona të vogla. Dhe Ai do që të shkatërrojë foshnjat tona në zhvillim. Por Jezusi dëshiron JETË! Jetë shpirtërore, po; por edhe jetë fizike, domethënë, edhe qënie njerëzore! Fatkeqësisht, kultura në kishat tona është përgjithësisht kundër jetës, pavarësisht se thuhet e kundërta. Ato mbështesin kontrollin e lindjeve, ose të paktën nuk e kundërshtojnë. Kishat tona janë gabim. Le të zgjedhim të ndjekim Perëndinë. Ne kemi një zgjedhje; një zgjedhje që ndoshta mbart me vete tallje dhe vështirësi… por një zgjedhje, sidoqoftë.
Megjithatë, unë dua të shtoj se edhe pse nuk kam marrë shumë mbështetje apo inkurajim për vendimin tonë për ta lënë planifikimin familjar në duart e Perëndisë, nuk kam hasur as shumë kundërshtime. Të paktën, jo hapur. Dua të pranoj gjithashtu se kam privilegjin të njoh shumë njerëz në kishën tonë që janë zemërmirë ndaj familjes sonë. Ky artikull nuk synon t’i kritikojë ata. Qëllimi i tij është që të jetë një zgjim për gratë e krishtera kudo, që ato të shohin çfarë po bën armiku këtu, që ato të njohin arsyetimin e shtrembër që dominon kulturën e kishës sonë, dhe që të kuptojnë se ato kanë lirinë për të zgjedhur të ndjekin Perëndinë dhe burrin e tyre pa frikë dhe pa turp.