Mashtrimi i Mëkatit!

Mashtrimi

James Smith, 1859

Shtrati i vdekjes është një zbulues i madh. Para pak kohësh, u thirra që të vizitoja një vajzë të re të dashur në shtratin e saj të vdekjes. Ajo kishte marrë pjesë rregullisht në mjetet e hirit dhe shpesh e ndjente ndikimin e Fjalës së Zotit, por që ajo kurrë nuk kishte ardhur në besimin shpëtues. Ajo papritur u sëmur rëndë dhe sëmundja i solli shpejt fundin. Në atë shtrat sëmundjeje, ajo i pa gjërat shumë ndryshe nga më parë, dhe i vinte thellësisht keq për rrugën që kishte ndjekur. Shpesh, mbi jastëkun e saj të vdekjes, ajo dëgjohej duke thënë me ankth: “Oh mashtrimi i mëkatit! Oh mashtrimi i mëkatit!”. Tani ajo e kuptonte se mëkati e kishte mashtruar, dhe me hidhërim të madh i vinte keq që kishte rënë pre e joshjes së tij.

Lexues! Mëkati është shumë mashtrues. Ai kurrë nuk shfaqet në fillim me ngjyrat e tij të vërteta. Por vjen i veshur me rroba hareje për të mashtruar. Ki kujdes prej tij, që të mos të të mashtrojë edhe ty. Shumë nuk u çliruan kurrë nga mashtrimi derisa ishte tepër vonë; dera e mëshirës u mbyll, dhe ata mbetën përtej arritjes së shpëtimit.

XHEIN XHONS ishte një vajzë e gjallë, e butë dhe e sjellshme. Sjellja e saj ishte e moralshme, dhe kishte reputacion të mirë tek punëdhënësit e saj. Ajo lexonte Biblën dhe ndonjëherë shkonte në kishë. Rasti i saj dukej plot shpresë. Por një ditë ajo u ftua në një kërcim publik. Ajo hezitoi të shkonte. Por e shtynë dhe e bindën duke i thënë se nuk kishte asnjë të keqe. Ajo shkoi. Ajo u mahnit. Ajo shpejt, la mënjanë leximin e Biblës. Pastaj filloi të shpërfillte shërbesat e kishës dhe të vizitonte miqtë në Ditën e Zotit. Ajo filloi të dashurohej me rrobat, me shoqërinë argëtuese, me muzikën, me ahengjet, me një fjalë, me gjithçka të pavlerë dhe të kënaqshme.

Por në fund, ajo u rrënua. Ajo humbi punën dhe karakterin, ndërgjegjja i’u ngurtësua, filloi të tallej me gjërat e shenjta, dhe u bë viktimë e mashtrimit të mëkatit. Një hap çoi në tjetrin, derisa ajo humbi në mashtrimin e vet, dhe u bë viktimë e marrëzisë së saj!

Sikur të mos kishte shkuar në kërcimin në publik, sikur t’i kishte qëndruar besnike Biblës dhe shtëpisë së lutjes, ajo mund të kishte jetuar e nderuar dhe të kishte vdekur e lumtur.

Vajzë e re! Ki kujdes nga salla e kërcimit të fshatit. Ishte shkatërrimi i Xhein Xhons, dhe ka qenë shkatërrimi i mijëra të tjerëve!

SAMUEL SMITH ishte një djalë i matur, i qëndrueshëm dhe punëtor. Ai dukej se kishte një të ardhme të mirë. Në shkollën e së dielës ai kishte mësuar shumë mësime të dobishme, dhe nën një predikues besnik ishte bërë “pothuajse i krishterë.” Por atë e nxitën të bashkohej me një klub që takohej në një tavernë, dhe nga përshkrimet e ekzagjeruara të përfitimeve që do kishte prej kësaj, më në fund ai pranoi. Fillimisht shkonte, paguante kuotën, pinte një gotë birrë dhe kthehej në shtëpi. Pastaj filloi të pinte duhan. Më vonë qëndronte për të dëgjuar një këngë. Shpejt, filloi t’i pëlqente shoqëria e djemve të rinj mendjelehtë, të pavlerë e të pandjeshëm, dhe herë pas here pinte aq shumë sa mezi ecte kur shkonte në shtëpi. Atij i’u krijua një dëshirë e fortë për pije të forta, shoqëri e pavlerë dhe shaka të pamenda, dhe hap pas hapi u rrëzua derisa shpenzoi pasurinë, shkatërroi shëndetin dhe humbi shpirtin!

Nga zakonet e tij të këqija, ai u sëmur rëndë; trupi iu dobësua, dhe vdiq para kohe. Ai ishte një tjetër viktimë e “mashtrimit të mëkatit”.

Djalë i ri! Shmang tavernën, sikur të ishte një shtëpi plot sëmundje! Mos u bashko me asnjë shoqëri ose klub që mblidhet atje. Shumë janë shkatërruar përmes tyre. Nëse bën një hap në mëkat, do të tundohesh të bësh një tjetër, dhe një tjetër, derisa të përfundosh i humbur! Dorëzimi ndaj tundimit është si të çash një digë të madhe. Ujërat shpejt do të bëhen të pakontrollueshme dhe do të përmbysin gjithçka përpara tyre. Nëse fillon, nuk do mund të ndalesh kur të duash; sepse zakonet formohen shpejt. Dhe kur ato formohen, janë shumë të vështira për t’u thyer! Prandaj kushtoi rendësi atij vargu të frikshëm të Biblës: “A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?”

HENRI MEJN ishte një djalosh i butë dhe i dashur, një bir i mirë dhe punëtor i ndershëm. Ndërgjegjja e tij ishte e ndjeshme, sjellja e tij e qëndrueshme. Nëna e tij krenohej me të, dhe i ati shpesh thoshte: “Nuk ka djalë më të mirë në qytet se Henri jonë!” Ai sapo kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, kur një ditë e tërhoqën në garat me kuaj. Atje ai u njoh me shoqëri jo të mirë, e cila u bë lak për të. Ai u bë egoist, dhe zemra i’u hidhërua. Ai nuk mund të duronte më kufizimet e shtëpisë. Tani ai ishte “mjaftueshëm burrë” për të mos qenë më nën urdhrat e nënës, as edhe të duronte më qortimet e të atit. Nëse fitonte para, ai kishte “të drejtë” të bënte ç’të donte me to, dhe ashtu bëri!

Ai u largua nga shtëpia, u vendos me një shok të shthurur, dhe shpejt u bë pjesë e atyre që shkatërrohen nga “mashtrimi i mëkatit”. I mjeri Henri! Ai mund të kishte qenë një i ri i respektuar, një anëtar i dobishëm i shoqërisë, dhe një i krishterë i lumtur, por mëkati e mashtroi, dhe ai vdiq siç jetoi — rob i pasioneve të tij, një nga të mashtruarit e Satanit, i kapur rob nën vullnetin e djallit.

Lexues! Ki kujdes që të mos i nënshtrohesh tundimit! Ki kujdes, nga bërja e hapit të parë drejt rrugës së rrënimit! Kërko hir nga Perëndia në lutje, për të të aftësuar që të jetosh me perëndishmëri, drejtësi dhe maturi në këtë botë. Oh mbaj përjetësinë në mendje, sepse ti do të jetosh përjetë, ose në lumturi, ose në mjerim! Fati yt i përjetshëm përcaktohet nga rruga që ndjek në këtë jetë. Ka një derë të ngushtë dhe një rrugë të ngushtë që të çon në lavdi, dhe pak janë ata që hyjnë në të; por ka edhe një derë të gjerë dhe një rrugë të gjerë që të çon në shkatërrim, dhe turma, turma, hyjnë në të!

Prandaj përpiqu të hysh në derën e ngushtë, dhe sigurohu se hyn nëpërmjet një besimi të gjallë. Ajo të çon në rrugën e shenjtërisë, dhe përfundon në praninë e Perëndisë.

Mos u mashtro nga mëkati! Mos ec në rrugën e mëkatarëve.
Vajzë e re! Shmang sallat e kërcimit, ato janë hapat e parë drejt shkatërrimit!
Djalë i ri! Shmang tavernat dhe pistat e garave, sepse atje djalli pret për të të shkatërruar. Rruga më e mirë për të shpëtuar nga të gjitha kurthet dhe laqet që Satani ka ngritur për ty, është të vish tek Jezusi, dhe të shpëtosh nga mëkati dhe zemërimi që po vjen përmes Tij!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes