Luteri dhe Kalvini Kundër Kontraceptivëve
(Kontrollit të Lindjeve) dhe Mendësisë Kundër Fëmijëve
Martin Luteri mbi Zanafillën 38:9-10:
“Onani duhet të ketë qenë një njeri i lig dhe i pandreqshëm. Ky është një mëkat tepër i turpshëm. Ai është shumë më i rëndë se incestet dhe kurorëshkeljet. Ne e quajmë këtë papastërti, po, një mëkat Sodomik. Sepse Onani hyri tek ajo; domethënë, fjeti me të dhe u bashkua me të, por kur erdhi momenti i derdhjes, ai e derdhi farën në tokë, që gruaja të mos mbetej shtatzënë. Pa dyshim që, në një rast të tillë duhet ndjekur rregulli i natyrës që Perëndia ka vendosur për lindjen e fëmijëve… Ai u ndez nga mllefi dhe urrejtja më e ulët… Për pasojë, ai e meritonte që Perëndia ta vriste. Ai kreu një vepër të ligë. Prandaj Perëndia e ndëshkoi… Ai njeri i pavlerë… më mirë zgjodhi të ndotë veten e tij me një mëkat të turpshëm sesa të ngrejë pasardhës për vëllain e tij.”
Leksione mbi Zanafillën: Kapitujt 38-44; 1544; te “Veprat e Luterit”, Vëll. 7, fq. 20-21
Zhan Kalvini mbi Zanafillën 38:9-10:
“Do të mjaftohem ta përmend shkurt këtë çështje, aq sa ndjenja e turpit lejon që të flitet për të. Është gjë e tmerrshme të derdhësh farën jashtë bashkimit midis burrit dhe gruas. Të shmangësh bashkimin, në mënyrë që fara të bjerë në tokë, është dy herë më e tmerrshme. Sepse kjo do të thotë se njeriu shuan shpresën e familjes së tij dhe vret djalin e mundshëm përpara se të lindë. Kjo ligësi dënohet sa më ashpër që është e mundur nga Fryma, përmes Moisiut, sepse Onani, si me një lindje të dhunshme dhe të parakohshme, i’a rrëmbeu vëllait të vet farën nga mitra dhe me mizori e turp e hodhi në tokë. Për më tepër, ai në këtë mënyrë, aq sa kishte në dorë, u përpoq të shkatërronte një pjesë të racës njerëzore. Kur një grua, në një mënyrë apo tjetër, e nxjerr farën nga mitra, me ndihma të ndryshme, kjo me të drejtë shihet si një krim i pafalshëm. Onani ishte fajtor për një krim të ngjashëm, duke ndotur tokën me farën e tij, në mënyrë që Tamara të mos merrte një trashëgimtar të ardhshëm.”
Martin Luteri kundër mendësisë “kundër fëmijëve”:
“Sot gjen shumë njerëz që nuk duan të kenë fëmijë. Për më tepër, kjo ftohtësi dhe qëndrim çnjerëzor, që është më keq se barbare, haset kryesisht tek fisnikët dhe princat, të cilët shpesh përmbahen nga martesa vetëm për këtë arsye të vetme, që të mos kenë pasardhës… Me të vërtetë, njerëz të tillë meritojnë që kujtimi i tyre të fshihet nga faqja e tokës. Kush nuk do t’i përbuzte këto përbindësha derrash? Por edhe këto fakte shërbejnë për të theksuar mëkatin fillestar. Përndryshe, ne do të habiteshim me prokrijimin (lindjen e fëmijëve) si vepra më e madhe e Perëndisë, dhe si një dhuratë tepër e çmuar do ta nderonim me lavdërimet që meriton.”
Leksione mbi Zanafillën: Kapitujt 1-5, 1536; “Veprat e Luterit”, Vëll. 1, fq. 118; koment mbi Zanafillën 2:18
“Pjesa tjetër e popullsisë është më e ligë se vetë paganët. Sepse shumica e të martuarve nuk dëshirojnë fëmijë. Madje, e shmangin këtë dhe e konsiderojnë më mirë të jetojnë pa fëmijë, sepse janë të varfër dhe nuk kanë mundësi të mbajnë një familje… Por qëllimi i martesës nuk është të kesh kënaqësi dhe të rrish dembel, por të lindësh dhe të rritësh fëmijë, të mbash një shtëpi… Ata që nuk kanë dashuri për fëmijët janë derra, trungje dhe hunj të padenjë për t’u quajtur burra dhe gra…”
Leksione mbi Zanafillën: Kapitujt 26-30; “Veprat e Luterit”, Vëll. 5, fq. 325-328; Vëll. 28, fq. 279; koment mbi lindjen e Jozefit; krahaso me “Veprat e Luterit”, Vëll. 45, fq. 39-40
“Por e mira më e madhe në jetën martesore, ajo që i bën të vlefshme të gjitha vuajtjet dhe mundimet, është se Perëndia jep pasardhës dhe urdhëron që ata të rriten për ta adhuruar dhe për t’i shërbyer Atij. Në gjithë botën, kjo është vepra më fisnike dhe më e çmuar… Tani, meqë të gjithë jemi të detyruar të përballemi me vdekjen, nëse duhet, për të sjellë një shpirt të vetëm tek Perëndia, mund ta shihni sa e pasur është gjendja martesore në vepra të mira.”
Gjendja e Martesës, 1522; “Veprat e Luterit”, Vëll. 45, fq. 46
“Do të gjesh shumë njerëz për të cilët një numër i madh fëmijësh është i padëshirueshëm, sikur martesa të ishte themeluar vetëm për kënaqësi shtazore dhe jo edhe për atë vepër tepër të vlefshme me të cilën i shërbejmë Perëndisë dhe njerëzve, kur i trajnojmë dhe i edukojmë fëmijët që Perëndia na ka dhënë.”
Te Ewald M. Plass, “Çfarë thotë Luteri”, një antologji, dy vëllime, St. Louis: Concordia Publishing House, 1959, Vëll. II, #2834