Mos u Frikëso!

Frikeso


Alexander Smellie, “Vendi i Fshehtë”, 1907.

Predikues dhe Pastor Skocez Presbiterian

Unë kam shumë shqetësime dhe dyshime. Por kur zemra dhe mishi ligështohen dhe dështojnë, Zoti im ka tre pëshpërima për mua që e përzënë frikën dhe ankthin.

“Mos ki frikë, sepse Unë të kam shpenguar!” — Isaia 43:1
E KALUARA ime më sjell trishtim…
mëkatet që kam kryer,
detyrat që kam lënë pas dore,
fajin për të cilin jam përgjegjës,
ndëshkimin që meritoj —
të gjitha këto e bëjnë kujtimin e ditëve dhe viteve të mia tepër të hidhur.
Kam rrënuar jetën time.
Kam lënduar të tjerët.
Kam mëkatuar kundër Perëndisë.
Ndonjëherë ndjej neveri ndaj vetes.

Por ka shpengim, ka falje! Perëndia merret me të djeshmen time “të ngrënë nga karkalecat”. Ai e fal nëpërmjet fuqisë së Kryqit të Krishtit. Ai mund t’i kthejë madje vetë mëkatet, gabimet dhe rëniet e mia në mjete të hirit, ashtu sic natyra, mund ta shndërrojë një fushëbetejë të mbushur me të vdekur, në kullotën më të gjelbër. Ai më shpengon nga e kaluara ime!

“Mos ki frikë, sepse Unë jam me ty!” — Isaia 41:10
E TASHMJA ime ngjall tek unë ankth të madh.
Veçmas Shpëtimtarit tim, unë jam ende…
i dobët si uji përballë tundimit,
pre e lehtë për armikun,
shërbëtor i gatshëm i mëkatit.
Por Perëndia qëndron me mua për të ruajtur…
shpirtin tim nga vdekja,
këmbët e mia nga rënia, dhe
sytë e mi nga lotët.
Nëpërmjet providencës së Tij, ungjillit të Tij dhe Frymës së Tij, Ai më shenjtëron dhe më bën të shenjtë.

Nuk di se për cilën duhet të habitem më shumë: Për durimin e Tij që vuajti për mua në Kryqin e egër, apo për durimin e Tij të gjatë ndaj meje çdo ditë?

“Mos u frikëso, Unë do të ndihmoj!” — Isaia 41:13
E ARDHMJA ka ankthin e vet.
Kur shikoj përpara, çfarë shoh?
Shumë paqartësi,
shumë sprova e vuajtje,
shumë lodhje dhe luftë.
Por Zoti im do të ecë përpara meje.
Sado i dobët të jem në vetvete, unë do të jem më shumë se fitimtar mbi çdo rrethanë të së ardhmes, kur Zoti të më ndihmojë dhe të më forcojë.

Përballë tri “Mos u frikëso!” të Zotit,
unë përgjigjem:
“Unë nuk do të kem frikë, sepse…
Ti më ke shpenguar,
Ti je me mua, dhe
Ti do të më ndihmosh!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes