Francis Bourdillon, 1881
“Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: Mendohuni mirë për udhët tuaja!” — Hagai 1:5
Ky ishte mesazhi i Perëndisë për popullin e Jeruzalemit. Por ajo është fjala e Tij edhe për ne, po aq sa edhe për ta. Ai dëshiron që të gjithë të mendojnë për udhët e tyre. Njerëzit janë tepër të prirur të jetojnë pa menduar. Ata bien në zakone pothuajse pa vetëdije. Një njeri bën atë që sheh tek tjetri; shumë ndjekin verbërisht zakonin, dhe shumë të tjerë nuk kanë tjetër rregull përveç dëshirës së tyre.
Por Perëndia nuk dëshiron që të jetojmë kështu. Ai dëshiron që të mendojmë, dhe të mendojmë seriozisht. Ai na thotë: “Mendohuni mirë për udhët tuaja”. Vini zemrën tuaj në udhët tuaja, mendoni për to, shqyrtojini mirë ato.
Kjo nuk është diçka që thjesht duhet dëgjuar ose lexuar, por duhet bërë. Çdo njeri duhet ta bëjë për veten; që të shqyrtojë udhët e veta; dhe kjo është një gjë tepër serioze dhe e rëndësishme. Sepse çdo udhë ka një fund. Nuk ka udhë që të mos çojë diku. Për të na ndihmuar të mendojmë për udhët tona, këto janë disa pyetje që mund t’i bëjmë vetes:
1. A ka ndërgjegjja jonë diçka për të thënë kundër udhës sonë? A e dimë, ose të paktën, a dyshojmë, se udha jonë nuk është e drejtë? Si e kalojmë kohën tonë? Çfarë bëjmë gjatë ditëve të javës? Si i kalojmë të dielat? Çfarë lloji janë veprimtaritë tona, kënaqësitë, shoqëritë tona? A ka ndërgjegjja jonë ndonjë fjalë kundër nesh në këto pika, dhe a flet ndonjëherë ajo?
2. A janë udhët tona sipas Biblës? Është shumë e rëndësishme të kemi një ndërgjegje të pastër, por edhe ndërgjegjja duhet të mësohet nga Fjala e Perëndisë. Nuk mjafton që të bëjmë atë që mendojmë se është e drejtë. Ne duhet të bëjmë atë që Perëndia thotë se është e drejtë. A janë pra udhët tona sipas Biblës? Edhe pse me shumë mangësi, a mund ta marrim librin e bekuar dhe të themi: “Kjo është ajo që dëshiroj të ndjek; ky është rregulli im, udhërrëfyesi im, shembulli im; kështu dua dhe përpiqem të jetoj”?
3. Një pyetje tjetër që duhet t’i bëjmë vetes është kjo: “Çfarë do të mendojmë për udhët tona më vonë?” Sido që të mendojmë për to tani, a do t’i shohim ato në mënyrë ngushëlluese në kohën që do të vijë? Sëmundja dhe afrimi i vdekjes na japin një pamje shumë të ndryshme nga ajo që kemi gjatë jetës dhe shëndetit. Si do të na duken udhët tona kur përjetësia të jetë pranë? Çfarë do të mendojmë kur të shohim pas në kohën e tanishme dhe mënyrën si po e kalojmë atë? Në mundësitë dhe mënyrat, dhuntitë dhe aftësitë që kemi dhe që padyshim po i përdorim në një mënyrë a në një tjetër? Çfarë do të mendojmë për udhët tona të tanishme, kur ato të bëhen udhë të së shkuarës?
4. Një pyetje tjetër solemne mund të merret drejtpërdrejt nga Bibla. Aty lexojmë për dy udhë, udhën e gjerë dhe udhën e ngushtë; udhën e vdekjes dhe udhën e jetës. Udha jonë është njëra ose tjetra. Cila është ajo? Kjo është një pyetje solemne; dhe aq më shumë kur shumë janë në udhën e gjerë dhe pak në udhën e ngushtë. Njerëzit nuk duan që ta mendojnë këtë, por është e vërtetë, po aq e vërtetë sa fjala e Perëndisë: “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mateu 7:13–14) Në cilën palë jemi ne? Ndër të shumtit, apo ndër të paktët? Cila është udha jonë? E gjera apo e ngushta? Cili do të jetë fundi ynë? Shkatërrimi apo jeta?
5. Jezusi tha: “Unë jam Udha.” A është Ai udha jonë? Nuk mjafton të jemi të sinqertë dhe të zellshëm; ne duhet të ecim në atë udhë që Perëndia ka përgatitur, përndryshe me siguri do të zbulojmë se udha jonë nuk është udha e jetës së përjetshme. Jezusi është udha, e vetmja udhë; askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet Tij; dhe “nuk ka asnjë emër tjetër me anë të të cilit mund të shpëtohemi.” Kur mendojmë për udhët tona, nuk duhet ta lëmë jashtë këtë pikë. Ne duhet të sigurohemi që shpresa jonë është ndërtuar mbi themelin e duhur, që po shikojmë vetëm te Krishti, që këmbët tona janë mbi shkëmb. Nëse Krishti nuk është për ne udha, e vërteta dhe jeta, atëherë, çfarëdo që të jenë udhët tona në pika të tjera, ato janë sigurisht të gabuara, thellësisht, fatalisht dhe përjetësisht të gabuara!
6. Edhe një herë. Ne lexojmë për Enokun se “eci me Perëndinë,” dhe e njëjta gjë thuhet edhe për Noeun, dhe edhe kjo në një brez të paudhë. Ja edhe një pyetje tjetër që duhet t’i bëjmë vetes për udhët tona: A ecim ne me Perëndinë? A jemi në zakonin e bashkësisë me Të në fshehtësi? Dhe në çdo kohë, në privat dhe publik, a përpiqemi të ruajmë ndjenjën e pranisë së Tij, të jetojmë afër Tij, dhe të ndjekim vullnetin e Tij të shenjtë? Apostulli Pal u shkruan korintasve: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju?” A është kjo e vërtetë për ne? A e kemi Frymën e Perëndisë? A po rritemi në hir? A po bëjmë përparim? Ndërsa vitet kalojnë, a përparojnë edhe shpirtrat tanë?
Këtu janë gjashtë pika për t’i shqyrtuar rreth udhëve tona:
A janë kundër ndërgjegjes?
A janë sipas Biblës?
Çfarë do të mendojmë për to më vonë?
A jemi në udhën e gjerë apo në atë të ngushtë?
A është Krishti udha jonë?
A ecim çdo ditë me Perëndinë?
Është vetë Perëndia që na urdhëron të mendojmë për udhët tona: “Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: Mendohuni mirë për udhët tuaja!” Ky është një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë nga Ai, sikur profeti të kishte thënë: “Nuk jam unë që ju flas, por vetë Zoti! Ai që di çdo gjë që bëni, Ai që sytë i ka gjithmonë mbi ju, Ai që e njeh çdo motiv të fshehtë që ju shtyn. Ai ju urdhëron të ndaloni dhe të mendoni. Ai vetë ju thërret të largoni mendimet tuaja nga gjërat e kota dhe tokësore dhe t’i përqendroni ato mbi veten dhe udhët tuaja. Ky është vullneti i Zotit, urdhëri i Zotit.”
Pse na urdhëron Perëndia kështu? Që nëse udhët tona janë të gabuara, t’i ndreqim ato; që të pendohemi dhe të kthehemi; që të kërkojmë dhe të gjejmë mëshirë; që të jemi të sigurt dhe të lumtur. “Perëndia është dashuri.” Edhe në paralajmërimet dhe thirrjet e Tij, Ai është dashuri. Populli i Jeruzalemit mendoi për udhët e veta. Ne lexojmë se “ata i’u bindën zërit të Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalëve të Hagait profetit, ashtu si Zoti, Perëndia i tyre, e kishte dërguar. Dhe populli pati frikë nga Zoti.” Dhe çfarë ndodhi më pas? “Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i foli popullit me mesazhin e Zotit: ‘Unë jam me ju,’ thotë Zoti.” Po kështu, Zoti do t’i presë, do t’i falë, do t’i shpëtojë dhe do t’i bekojë të gjithë ata që mendojnë për udhët e tyre dhe kthehen për ta kërkuar Atë nëpërmjet Krishtit Jezus.
“Unë jam me ju,” — tha Ai për njerëzit e penduar të Jeruzalemit. “Unë jam me ju,” — thotë Ai për të gjithë ata që dëgjojnë, besojnë dhe binden. Kur Perëndia është me ne, atëherë udhët tona janë me të vërtetë të lumtura, më të lumtura se kurrë më parë. Atëherë kemi një Atë në qiell; kemi një Shpëtimtar; kemi një Mik në çdo vështirësi dhe një ndihmës në çdo rrezik. Atëherë kemi falje dhe paqe, një ndërgjegje të pastër, një mendje të qetë, dhe një shpresë të mirë për përjetësinë. E gjithë kjo mund të jetë e jona, plotësisht dhe falas, nëse e kërkojmë në dhe përmes Krishtit Jezus; dhe hapi i parë për ta gjetur është të mendojmë mirë për udhët tona, përpara Perëndisë, duke kërkuar ndihmën e Frymës së Tij të Shenjtë!












