A Mund të Falë dhe Harrojë Perëndia Gjithçka?

Fale

James Smith, 1858

Rrugët e Perëndisë janë vërtet të mahnitshme, dhe veprat e Tij janë shumë të mëdha. Krijimi na mbush me admirim; providenca shpesh na mbush me habi; por hiri na trondit me mrekulli. Kur ne mendojmë për atë që Perëndia ka bërë, kur ndalemi te ato që Ai ka dhënë, dhe pastaj kthejmë mendjen te ato që Ai ka thënë, ne padashur shpërthejmë duke thënë: “Kush në qiej mund të krahasohet me Jehovain? Ose kush midis bijve të të fuqishmëve mund të krahasohet me Perëndinë tonë?”

Por në asgjë nuk shfaqet Perëndia më i lavdishëm, sesa në pritjen e mëkatarëve dhe faljen e mëkateve të tyre. Këtu gjerësia e zemrës së Tij, liria e hirit të Tij dhe pafundësia e dashurisë së Tij, shkëlqejnë në dritën e mesditës. Ai i pret mëkatarët me kaq gatishmëri, i fal me kaq liri, dhe e bekon kriminelin e falur me bekime kaq të mëdha dhe të shumta! Me të vërtetë, ne mund të ngremë sytë tanë drejt qiellit, të mbushur me mirënjohje dhe frikë të shenjtë, dhe të themi bashkë me psalmistin: “Ti, o Zot, je i mirë, gati për të falur, dhe plot mëshirë për të gjithë ata që të thërrasin.”

Këto mendime më lindën në mendje nga një ngjarje që sapo mësova. Një skeptik i varfër u zhyt në trishtim dhe mundim të thellë; mendja e tij u trazua, temperamenti i tij u bë i hidhur dhe zemra i’u mbush me mendime të ashpra kundër Perëndisë. Jeta i’u bë e padurueshme dhe mendimet e vdekjes ishin të tmerrshme. Ai ishte i mbushur me vrer, dhe asnjë rreze drite nuk ndriçonte shpirtin e tij të errët e të trishtuar.

Ai u takua me një mik të krishterë, që kishte përjetuar edhe vetë shumë sprova; dhe që si pasojë, mund të ndiente mëshirë për të. Për një kohë, ai e këshilloi me arsyetim dhe u përpoq të justifikonte rrugët e Perëndisë me të. Më pas ai i paraqiti karakterin atëror të Perëndisë në një dritë të dashur dhe e shpjegoi ungjillin me qartësi e ndjeshmëri. Mendja e tij e errët u prek, mendimet e ashpra për Perëndinë u zhdukën një nga një, dhe drita e ngushëllimit filloi të ndriçonte shpirtin e tij të trazuar. Më në fund, ai e kuptoi se Perëndia ishte në Krishtin, duke pajtuar botën me veten, dhe se të gjitha veprimet e Tij ndaj tij ishin jo vetëm të drejta, por edhe të mençura e plot mëshirë. Zemra i’u zbut dhe u përul; sytë i’u mbushën me lot. Ai ndjeu turp, një turp të thellë për veten, dhe ra përmbys përpara Perëndisë, duke i’u nënshtruar drejtësisë së Tij dhe duke u hedhur në mëshirën e Tij të lirë e sovrane. Ai ishte gati të shpëtohej me anë të hirit, të shpëtohej në mënyrë që Perëndia të kishte gjithë lavdinë e shpëtimit të tij. Por hiri i’u duk aq i madh, dhe mëshira aq e mrekullueshme, dhe shpëtimi aq i lavdishëm, saqë, për një kohë, shpirti i’u pushtua krejtësisht; derisa më në fund shpërtheu dhe, i mahnitur, thirri: A mendon se Perëndia mund të falë dhe të harrojë gjithçka?

A mund të çuditemi për këtë? Ose më mirë, a nuk është më shumë për t’u habitur që ne nuk mbetemi çdo ditë të tronditur nga dashuria e mrekullueshme e Perëndisë në faljen e mëkatarëve si ne? Në pranimin e shkelësve të tillë si ne? Në birësimin e rebelëve të tillë si ne për të qënë bijtë dhe bijat e Tij?

Por a fal Ai çdo mëkatar që kthehet? Po, cdo mëkatar! A mund t’i harrojë Ai të gjitha fjalët e ashpra, mendimet e këqija dhe veprimet e tyre të paudha? Po, dhe i trajton sikur asnjëherë nuk e kanë fyer Atë në mendim, në fjalë apo në vepër. Dëgjoni vetë fjalët e Tij të mrekullueshme: “Unë do të jem i mëshirshëm për paudhësitë e tyre dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe keqbërjet e tyre.” (Hebrenjve 8:12) Ai përsëri e përsërit këtë të vërtetë të këndshme: “Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t’i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t’i shkruaj në mendjet e tyre,” shton: “Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre.” (Hebrenjve 10:16–17) Përsëri: “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar.” (Isaia 44:22) Eshtë sikur Ai merr regjistrin e mëkateve dhe fshin çdo fjalë, çdo shkronjë, në mënyrë që as njeriu dhe as engjëlli të mos mund të gjejë as edhe një gjurmë! Oh, mrekullitë e hirit shpengues!

Jo vetëm që ne jemi të falur, por mëkatet tona janë mbuluar. Ato janë hedhur në thellësitë e detit; Zoti i ka flakur pas shpine. Kështu që, ashtu siç u tha dikur për Izraelin, do të jetë e vërtetë edhe për ne: “Në ato ditë, thotë Zoti, do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të gjendet; dhe mëkatet e Judës, por nuk do të gjenden, sepse unë do t’i fal.”

Oh, mendim i ëmbël Perëndia kurrë nuk do të mendojë më për mënyrën si kam mëkatuar kundër Tij! Ai kurrë nuk do të lejojë që asnjë nga krimet e mia të shumta të përmendet përballë meje kur të arrij në shtëpi! Gjithçka do të jetë e falur, dhe jo vetëm e falur, por edhe e harruar. Çfarë faljeje e përsosur! Çfarë drejtësimi i plotë! Në çfarë pozicioni të nderuar jemi ngritur!

Ne mund të hedhim sytë te krijimi, lart në qiell dhe poshtë në thellësitë e ferrit, dhe të pyesim me guxim: “Kush mund të ngrejë ndonjë akuzë kundër të zgjedhurve të Perëndisë? Perëndia është ai që i drejtëson. Kush është ai që dënon? Krishti është ai që vdiq, madje u ringjall, dhe ndodhet në të djathtën e Perëndisë dhe ndërmjetëson për ne.”

Mëkatar, a pyet për veten tënde, në lidhje me veprimet e tua: “A mendon se Zoti mund të falë dhe të harrojë gjithçka?” Unë përgjigjem: jo vetëm që e mendoj, por jam i sigurt për këtë. Nëse je gati të pranosh faljen sipas kushteve të Perëndisë, Ai është krejtësisht i gatshëm të të falë. Prandaj, sado i korruptuar që të jesh, sado e ligë të ketë qenë sjellja jote, Ai ende të thotë: “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.” (Isaia 1:18) Apostulli i Tij na siguron se “Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.” Dhe pastaj shton: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjonit 1:7,9)

Kur mëkatari e ndien peshën e fajit, ai dëshiron me gjithë zemër çlirimin prej tij, dhe e rrëfen me neveri përpara Perëndisë, është e qartë se Fryma e Shenjtë po punon në zemrën e tij; dhe kjo vepër e Frymës së Shenjtë dëshmon se të gjitha mëkatet e tij u transferuan te Jezusi, u ndëshkuan në vuajtjet e Jezusit dhe u shlyen plotësisht me vdekjen e Jezusit. Për këtë arsye është e sigurt që Perëndia do të falë dhe do të harrojë gjithçka.

Mos ki frikë, o mëkatar i varfër, tek Perëndia ka mëshirë, në gjakun e Jezusit ka meritë, dhe në Fjalën e Perëndisë kemi sigurinë se Ai është një Perëndi gati për të falur.

Nëse ndonjë i larguar dhe rebel, që ka përfituar nga drita më e madhe, që ka bërë rrëfim për Krishtin dhe që ka qenë pjesë e kishës së Zotit, lexon këto rreshta dhe pyet: “A mendon se në rastin tim Ai mund të falë dhe të harrojë gjithçka?” Ne përgjigjemi pa asnjë hezitim: Po! Dëgjo fjalët e Tij të bekuara: “Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke thënë: “Kthehu, o Izrael rebel””, thotë Zoti, “nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm”, thotë Zoti, “dhe nuk mbetem i zemëruar për gjithnjë. Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd.” (Jeremia 3:12–13)

A mund të ketë kushte më të lehta se këto? “Kthehu dhe do të falesh, rrëfe dhe do të mëshirohesh.” Sikur zemra e Zotit të ishte aq e vendosur për të të kthyer përsëri te Vetja, saqë Ai heq çdo pengesë që mundet. Po, vëlla apo motër e larguar dhe e varfër, ashtu si i ati fali dhe pranoi përsëri birin plangprishës, ashtu si Jezusi fali gruan mëkatare në tempull, po aq e sigurt është se Zoti do të të falë, do të të rikthejë dhe do të të bekojë me praninë dhe buzëqeshjen e Tij.

“Ai është plot dhembshuri!” — Sa fjalë të çmuara!
“Ai është i pasur në mëshirë!” — Sa siguri e lavdishme!
“Ai pret për të treguar hir!” — Sa premtim i paçmuar!

Prandaj eja, mëkatar; eja, o rebel. Cilado qoftë gjendja jote, frika apo dyshimet e tua, eja ashtu siç je, dhe merr falje, paqe dhe qiell, pa para dhe pa çmim! Eja dhe merr menjëherë faljen! Eja dhe prano faljen që është fituar për ty me gjakun e Jezusit, të garantuar për ty nga besnikëria e Perëndisë; falje për çdo mëkat; falje që qëndron përjetë! Eja, eja, eja dhe provo vetë, sado i ulët të kesh qenë! Po, Zoti mund të falë dhe të harrojë gjithçka!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes