William Plumer (1802–1880)
Predikues dhe Autor Presbiterian Amerikan. Pjesëz e shkëputur nga Vepra e Tij “Perëndishmëri Jetësore (Vital Godliness)”
“Por fryti i Frymës është… durimi.” (Galatasve 5:22)
“Me gjithë përulësinë e zemërbutësinë, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri.” (Efesianëve 4:2)
“Vishni pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur: përdëllim dhembshurie, mirësi, përulësi, zemërbutësi, dhe durim.” (Kolosianëve 3:12)
“Durimi ka OBJEKTE të ndryshme. Kundrejt Perëndisë, ai është i nënshtruar dhe thotë: ‘Do të duroj indinjatën e Perëndisë.’ Kundrejt të krishterëve që me të drejtë na qortojnë, ai është i butë dhe thotë: ‘Le të më godasë i drejti!’ Kundrejt njerëzve të ligj dhe të paarsyeshëm, që gëzohen kur të tjerët vuajnë, ai thotë: ‘Mos u gëzo ndaj meje, o armiku im.’ Kundrejt sprovave në të cilat thirremi që të vuajmë, ai nuk është i paduruar dhe rebel, por i pret me mirësi. Kundrejt provokimit, është i butë dhe jo hakmarrës.” — Plumer
“Durimi i krishterë bekon dhe nuk mallkon. Ai duron fyerjet dhe lëndimet, pa mllef. AI është ‘i duruar ndaj të gjithë njerëzve’. Nën mundim, është i qetë dhe i nënshtruar. Ai nuk do të përdorë mjete të liga për t’u çliruar, edhe në fatkeqësitë më të mëdha. Ai është ‘i duruar në mundim’, edhe në vuajtjet më të rënda. Nën vonesë, mbetet i qetë dhe pa u ankuar. Atij i pëlqen t’i lërë të gjitha në duart e Atit!” — Plumer
“Durimi është ajo gjendje e qetë dhe e pa trazuar e shpirtit, me të cilën njeriu i perëndishëm i përballon të këqijat e jetës.” — Buck
“Durimi është ai virtyt që na aftëson të durojmë çdo gjendje dhe çdo ngjarje, me bindje të mendjes, me qëndrime dhe ndjenja të zemrës, me sjellje dhe veprime të jashtme, ashtu siç kërkon Perëndia dhe siç udhëzon arsyeja e drejtë.” — Barrow
“Durimi i krishterë është një prirje që na mban të qetë dhe të qëndrueshëm në kryerjen e detyrës sonë, nën ndjenjën e vuajtjeve, ose gjatë vonesës së shpresave tona.” — Evans
“Në lidhje me Perëndinë, durimi është nënshtrim ndaj sovranitetit të Tij. Të durosh një sprovë, vetëm sepse nuk mund ta shmangim ose t’i rezistojmë, nuk është durim i krishterë. Por të nënshtrohesh me përulësi sepse është vullneti i Perëndisë ta sjellë sprovën, të heshtësh sepse sovraniteti i Perëndisë e urdhëron. Ky është durimi i vërtetë i perëndishëm.” — Charnock












