Nga Xhesika Roldan. Përkthyer nga theheavenlyearth.
Kur burri im dhe unë vendosëm t’i arsimonim fëmijët tanë në shtëpi, ne tashmë kishim përvojë të përbashkët me kolegjin, universitetin katërvjeçar, shkollën publike, shkollën private dhe shkollimin në shtëpi. Ne e dinim mirë se çfarë nuk donim, dhe kishim një ide mjaft të qartë për atë që donim. Pas tetë vitesh duke i edukuar fëmijët tanë në shtëpi (që nga vera e vitit 2013), a e ka përmbushur shkollimi në shtëpi pritshmërinë tonë pozitive?
Po, mund ta them me të vërtetë që po!
A është e lehtë? Jo.
A jam ndjerë gjithmonë e gëzuar që jam me fëmijët e mi gjatë gjithë kohës? Jo.
A nuk jam ndjerë kurrë që të dorëzohem? Ha! A t’i numëroj për ty sa herë ka ndodhur?
A e kanë treguar gjithmonë fëmijët mirënjohjen për përpjekjet e mia? Jo aq shpesh sa do të dëshiroja.
Të them të drejtën, shkollimi në shtëpi ka qenë ndonjëherë dekurajues, frustrues, mbingarkues dhe stresues. Tani që t’i thashë të gjitha anët e këqija, mund të mendosh: “Pse vazhdon, atëherë?”
Sepse kjo më jep këtë:
Liri
Çdo pikë në listën e mëposhtme është një dëshmi se si shkollimi në shtëpi, pavarësisht frustrimeve, në fund na ka dhënë lirinë për të bërë shumë më shumë sesa mund të bënim në çdo formë tjetër arsimi.
50 Arsye se Pse Ne Zgjedhim të Shkollojmë në Shtëpi
1) Ne jemi të përfshirë ngushtë në çdo hollësi të edukimit të fëmijëve tanë.
2) Mbrojtje nga ndikime të pashëndetshme.
3) Mbrojtje nga informacione të gabuara apo të rreme.
4) Një mënyrë e mirë për të zbatuar Psalmin 1:1-6.
Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi. Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan. Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve. Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
5) U jep fëmijëve tanë mundësinë të mësojnë me ritmin e tyre (ngadalë, mesatarisht, apo shpejt).
6) U jep fëmijëve mundësinë të mësojnë sipas mënyrës së tyre individuale (praktike, pamore, dëgjimore, etj).
7) Familja jonë rritet së bashku. Ne ndërtojmë marrëdhënie. Ne kalojmë shumë kohë bashkë.
8) Zoti është në qendër të çdo lënde.
9) Një mënyrë e shkëlqyer për të zbatuar Ligjin e Përtërirë 6:4-9.
Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.
10) Liri për të lutur me zë të lartë së bashku, në çdo rrethanë ku gjendemi.
11) Ne mund të përfitojmë nga momentet e Perëndisë, duke u shkëputur nga programi për të mësuar mësime të rëndësishme jete.
12) Mua nuk më duhet t’i çoj fëmijët vërdallë me makinë (shumë ndihmuese kjo kur je shtatzënë ose ndihesh keq).
13) Ne mund t’i formojmë karakteret e fëmijëve tanë në drejtimin që duam, pa ndërhyrje apo ndikime të tjera që mund të prishin përpjekjet tona me idetë e tyre se si t’i rrisim fëmijët, ose influenca negative që mund të shkatërrojnë punën tonë të madhe.
14) Një mënyrë e mençur për t’i mbrojtur nga ata që mund t’i bëjnë të pengohen, sipas Lukës 17:1-2.
“Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ”Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë! Për të do të ishte më mirë t’i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.”
15) Ne mund të zgjedhim vetë kurrikulën e tyre. Ajo është çfarëdo që ne duam të jetë.
16) Ne dimë gjithçka që ata mësojnë (s’ka më nevojë të kërkoj të shoh librat e tyre, t’i pyes për atë që po u mësohet në klasë, apo të diskutoj përmbajtjen me një mësues).
17) Zbaton këshillën e Fjalëve të Urta 1:7
“Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.”
18) Ne mund të bëjmë pushime për të bërë gjëra të tjera kur të duam.
19) Më pak detyra shkollore. Asnjë “detyra shtëpie” (ha, ha, të gjitha janë të tilla!)
20) Më shumë liri për t’u përqendruar në interesat e veçanta të secilit fëmijë.
21) U jep fëmijëve tanë “mësues” (nëpërmjet kurrikulës) që janë shembuj të mirë të asaj që ne duam që ata të bëhen. Çfarëdo që të jenë mësuesit e tu, ashtu do të bëhesh edhe ti vetë, siç mësoi Jezusi te Luka 6:39-40.
“Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: ”Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë? Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.”
22) Leximi me zë të lartë me të gjithë fëmijët janë mundësi për të patur biseda të thella mes nesh.
23) Fëmijët e vegjël mësojnë nga fëmijët e mëdhenj, dhe të mëdhenjtë mësojnë duke ndihmuar të vegjlit. Kjo ndërton dashuri vëllazërore dhe i ndihmon se si të menaxhojnë konfliktet dhe të kujdesen për njëri-tjetrin.
24) Përfshin shumë mësime praktike si: planifikim dhe gatim vaktesh, si të pastrosh dhe të organizosh një shtëpi, të organizosh një program dhe ta mbash atë (ose ta ndryshosh), etj.
25) Zbatim i shkëlqyer i Fjalëve të Urta 22:6:
“Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.”
26) Ne mund të kemi marrëdhënie të ngushtë me adoleshentët tanë. Ata nuk mungojnë gjithmonë.
27) Momente përqafimesh me të vegjlit kur lexojmë librat e tyre në divan.
28) Nuk ka ankth ndarjeje.
29) Ne mund ta mbajmë nën kontroll mësimin për në tualet (madje edhe pesëvjeçarët mund të kenë ende “aksidente” në shkollë).
30) Kohë për gjumë ditën.
31) Shumë lojë.
32) Kohë për lexim individual.
33) Më pak stres nga afatet e shkurtra.
34) Ka shumë burime të disponueshme.
35) Shumëllojshmëri – “shkolla” mund të jetë çdo gjë që sjell dije.
36) Merr seriozisht paralajmërimin e Fjalëve të Urta 13:1. Kjo mund t’i referohet mësimit në përgjithësi, por gjithashtu ka kuptim edhe si një referencë për Biblën, librin më të lartë të udhëzimit (Fjalën).
“Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.”
37) Ne mund të edukojmë sjelljen e tyre, besimin, karakterin, etikën e tyre të punës, inteligjencën e tyre emocionale, etj.
38) Këshillimi bëhet nga ne, nëse u duhet ndonjë këshillë (jo nga ndonjë person tjetër, bindjet e të cilit ne nuk i njohim plotësisht ose me të cilin mund të mos jemi dakord. Kjo përfshin edhe të krishterë të tjerë, pasi edhe të krishterët mund të kenë mendime të ndryshme për çështje të rëndësishme).
39) Ne kemi kohë të ndihmojmë njerëz të tjerë.
40) Ne jemi në gjendje të menaxhojmë çdo nevojë të veçantë që fëmijët mund të kenë.
41) Zbatim i mirë i Fjalëve të Urta 13:20
“Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.”
42) Vajzat tona marrin shumë praktikë duke mësuar të kujdesen për fëmijët dhe menaxhimin e shtëpisë. Eshtë e lehtë për to të jenë modeste (pa presion bashkëmoshatarësh).
43) Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për bullizëm nga të tjerë.
44) Ne e dimë që fëmijët tanë janë të sigurt.
45) Ne mund të kemi “kishë” në shtëpi; ne jemi “eklesia” jonë e vogël.
46) Ne nuk jemi të ekspozuar ndaj shumë sëmundjeve; dhe nëse fëmijëve u duhet mjeku apo dentisti, ne kemi orar të lirë.
47) Mundësi për kolegj të hershëm, nëse duam.
48) Djemtë fitojnë aftësi jete duke bërë projekte në shtëpi, duke mësuar si të riparojnë gjëra.
49) Ne mund t’i mësojmë lëndët në rendin dhe në kohën që është më e përshtatshme për fazën e zhvillimit të secilit fëmijë, kur ata janë gati për to, në vend që të ndjekim një formulë të ngurtë.
50) Përqendrohet në gjënë më të rëndësishme, sipas Mateut 6:33
Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.