Prania e Vërtetë Shpirtërore e Krishtit në Darkën e Zotit

Darken e Zotit

Nga Zhan Kalvini, Traktatet, vëll. II, përkth. nga Henry Beveridge
(Edinburg: Shoqëria e Përkthimeve të Kalvinit, 1849), fq. 170–171.
Kjo pjesë vjen nga Traktati i Shkurtër mbi Darkën e Zotit nga Zhan Kalvini.

Rëndësia e pranisë së vërtetë shpirtërore të Krishtit në Darkën e Zotit:

12. SI BUKA QUHET TRUPI DHE VERA GJAKU I KRISHTIT

Tani fillojmë të hyjmë në çështjen që është debatuar kaq shumë, si në kohët e lashta ashtu edhe sot. Si duhet t’i kuptojmë fjalët me të cilat buka quhet trupi i Krishtit, dhe vera gjaku i Tij. Kjo mund të sqarohet pa shumë vështirësi, nëse vëmë re me kujdes parimin që përmenda pak më parë, domethënë që çdo përfitim që duhet të kërkojmë në Darkën e Zotit, zhduket plotësisht, nëse Jezu Krishti nuk jepet aty si substanca dhe themeli i gjithçkaje. Duke pasur këtë si bazë, ne do të rrëfejmë, pa asnjë dyshim, se të mohosh që po na paraqitet një transmetim i vërtetë i Jezu Krishtit në Darkën e Zotit, është ta bësh këtë sakrament të shenjtë të kotë dhe të pavlefshëm, një blasfemi të neveritshme që nuk duhet as të dëgjohet.

13. ÇFARË KËRKOHET QË TË JETOJMË NË JEZU KRISHTIN

Për më tepër, nëse arsyeja e bashkimit tonë me Jezu Krishtin është që të marrim pjesë në të gjitha hiret që Ai i bleu për ne me vdekjen e Tij, atëherë gjëja e domosdoshme është jo vetëm të bëhemi pjesëmarrës në Frymën e Tij, por gjithashtu të kemi pjesë edhe në natyrën njerëzore të Tij, në të cilën Ai i dha Perëndisë Atë gjithë bindjen, për të shlyer borxhet tona; në kuptimin e duhur, njëra nuk mund të jetë pa tjetrën. Sepse kur Ai na jep Veten e Vet, është që ne ta zotërojmë Atë tërësisht. Prandaj, ashtu si thuhet se Fryma e Tij është jeta jonë, po ashtu Ai vetë, me gojën e Tij, shpall se “mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.” (Gjoni 6:55). Nëse këto fjalë nuk duhen marrë si të kota, atëherë rrjedh se, për të pasur jetën tonë në Krishtin, shpirtrat tanë duhet të ushqehen me trupin dhe gjakun e Tij, si ushqimin e tyre të vërtetë. Kjo dëshmohet qartë në Darkën e Zotit, kur për bukën na thuhet që ta marrim dhe ta hamë, dhe se ajo është trupi i Tij; dhe për kupën që ta pimë, dhe se ajo është gjaku i Tij. Kjo thuhet shprehimisht për trupin dhe gjakun, që ne të mësojmë të kërkojmë aty substancën e jetës sonë shpirtërore.

14. SI JANË BUKA DHE VERA TRUPI I JEZU KRISHTIT

Tani, nëse pyesim nëse buka është trupi i Krishtit dhe vera gjaku i Tij, ne përgjigjemi: buka dhe vera janë shenja të dukshme, që na përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Tij, dhe ky emër dhe titull “trupi dhe gjaku” u jepet atyre sepse ato janë si instrumentet përmes të cilave Zoti na i shpërndan. Kjo mënyrë të foluri është shumë e përshtatshme, sepse bashkimi që kemi me trupin e Krishtit është diçka e pakapshme, jo vetëm për syrin, por edhe për shqisat tonë natyrore, dhe për këtë arsye, ato na demonstrohen në mënyrë të dukshme. Për këtë kemi një shembull domethënës në një rast të ngjashëm. Zoti ynë, duke dashur t’i japë një pamje të dukshme Frymës së Tij në pagëzimin e Krishtit, e paraqiti Atë në formën e një pëllumbi. Gjoni Pagëzori, duke rrëfyer ngjarjen, thotë se ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur. Nëse e vështrojmë më afër, do të vërejmë se ai nuk pa asgjë tjetër veçse pëllumbin, meqë Fryma e Shenjtë, në thelbin e Tij, është e padukshme. Megjithatë, duke ditur se kjo pamje nuk ishte një fantazmë boshe, por një shenjë e sigurt e pranisë së Frymës së Shenjtë, ai nuk ngurroi të thoshte se e pa Atë (Gjoni 1:32), sepse Ai i’u paraqit atij në përputhje me kapacitetin e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes