Murray: Qeveria Civile është e Detyruar të Kryejë Punët e Saj Sipas Vullnetit të Perëndisë

Qeveria

Murray: Qeveria Civile është e Detyruar të Kryejë Punët e Saj
Sipas Vullnetit të Perëndisë

“[Është gabim] të mendohet se zbulesa e krishterë, Bibla, nuk i drejtohet autoritetit civil me një kërkesë për bindje ndaj udhëzimeve dhe urdhërimeve të saj, po aq në mënyrë të rreptë dhe të pashmangshme sa ato që i drejton individit, familjes dhe kishës. Teza që duhet të shpallim përballë një konceptimi të tillë të marrëdhënies së Biblës me autoritetin civil është se Bibla është e vetmja rregull e pagabueshme e sjelljes për magjistratin civil në ushtrimin e detyrës së tij, ashtu siç është e vetmja rregull e pagabueshme edhe në fushat e tjera të veprimtarisë njerëzore.

Vetëm Perëndia është sovran. Autoriteti i Tij është i vetmi absolut dhe universal. Të gjithë njerëzit dhe të gjitha fushat janë nënshtruar ndaj Perëndisë. Magjistrati civil e merr autoritetin e tij nga Perëndia. Pa institucionin dhe sanksionin hyjnor, qeveria civile nuk ka të drejtë të ekzistojë.

“Sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.” (Romakëve 13:1)

Meqënëse qeveria civile e merr autoritetin e saj nga Perëndia, ajo është përgjegjëse përpara Perëndisë dhe, rrjedhimisht, e detyruar të drejtojë punët e saj në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Zbulesën e pagabueshme të vullnetit të Tij, Perëndia e ka dhënë në Bibël. Dhe është e sigurt se në Bibël ka shumë udhëzime që lidhen me sjelljen dhe qeverisjen civile. Kjo do të thotë se Fjala e Perëndisë i drejtohet autoritetit civil me të njëjtën peshë dhe detyrim që ka në çdo fushë tjetër të jetës.

Për më tepër, Fjala e Perëndisë zbulon se Krishti është Kreu mbi të gjitha gjërat, dhe se Atij i është dhënë i gjithë autoriteti në qiell dhe në tokë. Magjistrati civil është i detyruar ta njohë këtë kryesi dhe për këtë arsye të veprojë, jo vetëm në nënshtrim ndaj sovranitetit të Perëndisë, por gjthashtu edhe në nënshtrim ndaj sovranitetit ndërmjetësues të Krishtit, dhe për shkak të kësaj, ai duhet t’i bindet vullnetit të Tij ashtu siç është zbuluar për ushtrimin e atij autoriteti që magjistrati civil e ushtron në nënshtrim të Krishtit. Rendi botëror i krishterë përfshin edhe shtetin. Përndryshe, nuk do të kishte rend botëror të krishterë.

Të tërhiqesh nga ky qëndrim ose ta braktisësh, qoftë si koncept, qoftë si synim, do të thotë të mohosh në parim sovranitetin e Perëndisë dhe të Krishtit të Tij. Qëllimi që na ka caktuar zbulesa e krishterë nuk është asgjë më pak se një shtet i krishterë, ashtu siç janë individët e krishterë, familjet e krishtera dhe kisha e krishterë. Dhe kjo do të thotë që detyrimi dhe misioni që rrjedh nga mbretëria dhe kryesia e Krishtit është që qeveria civile, brenda fushës së saj të kufizuar dhe të përcaktuar qartë, duhet në kushtetutën e saj dhe në funksionet legjislative e ekzekutive të njohë dhe t’i bindet autoritetit të Perëndisë dhe të Krishtit të Tij, duke i sjellë kështu të gjitha funksionet dhe veprimet e saj në përputhje me vullnetin e zbuluar të Perëndisë, siç gjendet në Fjalën e Tij. Ne kështu shohim se sa rrënjësore dhe transformuese është filozofia e një rendi botëror të krishterë, nëse do ta pranojmë hapur këtë koncept dhe do t’i përgjigjemi përgjegjësisë që ai nënkupton.”

 

— John Murray, “A Christian World Order”

John Murray (1898–1975) ishte një teolog i reformuar i njohur, që pati një ndikim të madh në teologjinë kalviniste të shekullit të 20-të.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes