Mohimi i Krishtit Ndodh në Shumë Forma

Mohimi

Mohimi i Krishtit Ndodh në Shumë Forma

Nga Stuart DiNenno

Kur besimtarët që e rrëfejnë Krishtin duan të kuptojnë se çfarë do të thotë të qëndrosh besnikërisht për Krishtin, shumë prej tyre kthejnë sytë pas, te shembujt e dhënë nga martirët e krishterë në të kaluarën. Me plot të drejtë, ata frymëzohen nga veprimet e tyre. Ata lexojnë në librat e historisë për burra dhe gra që zgjodhën të sakrifikonin jetën e tyre në vend që të mohonin Krishtin, dhe i shohin këta njerëz si modelin e të krishterit që duhet ndjekur.

Sigurisht, është e vërtetë që shumë shenjtorë të lashtë vendosën një standard të lartë në këtë drejtim, dhe ne duhet të përpiqemi të ndjekim shembullin e tyre besnik, nëse ndonjëherë do të bëhet e nevojshme që ne ta bëjmë këtë. Megjithatë, shumë nga ata që nderojnë të krishterët e kohëve të hershme për qëndrimin e tyre të guximshëm deri në vdekje, nuk e kuptojnë se vetë ata po e mohojnë Krishtin në jetën e tyre të përditshme dhe janë tashmë në rrezik të dënimit, pavarësisht nëse nuk e mohojnë me gojë besimin e tyre.

Ajo që ata nuk arrijnë të kuptojnë është se ka shumë mënyra për të mohuar Krishtin që do të na sjellin dënim të përjetshëm, pavarësisht nga zelli ynë për praktikat fetare, nga ortodoksia e rrëfimeve tona, apo edhe nga qëndrueshmëria heroike përballë një vdekjeje torturuese.

Disa shembuj:

Nëse ne e quajmë veten të krishterë, por i shkelim urdhërimet e Perëndisë me dashje dhe vazhdimisht, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Nëse ne e quajmë veten të krishterë, por shtojmë ose heqim diçka nga urdhërimet e Perëndisë, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Nëse ne e quajmë veten të krishterë, por jetojmë për kënaqësinë, fitimin apo lavdinë tonë, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Nëse ne e quajmë veten të krishterë, por pjesa më e madhe e të menduarit tonë është në përputhje me frymën e kohës dhe jo me Frymën që na flet nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Nëse ne e quajmë veten të krishterë, por e ndajmë fenë tonë në ndarje të veçanta, në mënyrë që Bibla të jetë rregull për disa pjesë të jetës sonë, por të shpërfillet në të tjerat, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Nëse ne e quajmë veten të krishterë dhe rrëfejmë shumë të vërteta ortodokse, por botëkuptimi dhe vlerat që na udhëheqin realisht në jetën e përditshme burojnë nga shoqëria e paperëndishme që na rrethon, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Nëse ne e quajmë veten të krishterë, por i frikësohemi të ligut më shumë sesa Perëndisë, kështu që heshtim përpara së keqes dhe nuk marrim qëndrim për atë që është e drejtë, ne e mohojmë Krishtin dhe do të marrim ndëshkimin për këtë.

Është në rrjedhën e jetës sonë të përditshme që tregojmë se kush jemi me të vërtetë në zemrat tona dhe ku qëndron besnikëria jonë. Edhe nëse një ditë do t’a japim trupin tonë për t’u djegur në vend që të mohojmë Krishtin me fjalë, nëse mënyra e jetës sonë përpara këtij momenti ka qenë një praktikë e vazhdueshme dhe e papenduar e ndonjërës prej sjelljeve të mësipërme, atëherë ne tashmë e kemi mohuar Krishtin dhe qëndresa jonë e fundit nuk do të ketë asnjë vlerë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes