Mendimet e Forta të Burrave të Perëndishëm për Onanizmin!

Onanizmi

“Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Zotit dhe Zoti e bëri të vdesë. Atëherë Juda i tha Onanit: “Shko te gruaja e vëllait tënd, martohu me të dhe krijoi trashëgimtarë vëllait tënd”. Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qënë të vetët, kur bashkohej me gruan e të vëllait, e hidhte farën e tij përtokë për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij. Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë.

Zanafilla 38:6

 

Henry Ainsworth (1571-1622) [Duke folur për Onanin:]
“Një veprim i pamëshirshëm dhe tepër i panatyrshëm; të derdhësh farën, e cila, me bekimin e Perëndisë, duhej të shërbente për shtimin e njerëzimit.”

Shënimet e Westminsterit (1657) nga John Ley, anëtar i Asamblesë së Westminsterit:
“…tani veprime të tilla [si derdhja e farës nga Onani] përmenden në Shkrim si krime të tmerrshme, që ndryshe shumë mund t’i kryenin pa e ditur të keqen e tyre. Besohet se vëllai i tij Eri më parë, ishte i njëjtë në ligësi, deri në atë pikë sa të dy kënaqën epshin e tyre kundër rregullit të natyrës; prandaj Zoti i shkatërroi të dy njësoj me një hakmarrje të menjëhershme, që të shërbejë për tmerrim…”

Abraham Calovius (1612-1686)
“[Onani] duhet të ketë qenë një njeri kokëfortë e i pashpresë, sepse ky është gjithmonë një mëkat i turpshëm, shumë më i rëndë se një rast incesti apo kurvërie; ne e quajmë atë mëkat të femërorëve, në të vërtet, edhe mëkat të Sodomisë”

Zhan Kalvini (John Calvin), Koment mbi Zanafillën:
“Do të mjaftohem duke e përmendur shkurtimisht [veprimin e Onanit], aq sa ndjenja e turpit e lejon që ta diskutojmë. Është një gjë e tmerrshme të derdhësh farën jashtë marrëdhënies midis burrit dhe gruas.”

Klementi i Aleksandrisë, Udhëzuesi (Paedagogus):
“Për shkak të themelimit të saj hyjnor për shumimin e njerëzimit, fara nuk duhet të derdhet kot, as të dëmtohet, as të shpërdorohet.”

Wolfgang Musculus (1497-1563)
“Le të tmerrohen krejtësisht nga shembulli i Onanit të gjithë ata që në këtë mënyrë çlirojnë epshin e tyre…”

Konrad Dannhauer (1603-1666)
“Megjithëse, ky mëkat [shkatërrimi i farës] shihet si diçka e parëndësishme, një grimcë pluhuri, në sytë e botës dhe të gjithë Babilonisë, në sytë e shenjtë dhe të pastër të Perëndisë është një neveri dhe turpërim i skajshëm, më i neveritshëm se kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore, sepse është më i shëmtuar dhe në kundërshtim me natyrën dhe me rendin e Perëndisë.”

Christian Gerber (1660-1731), Mbi Paturpësinë e Fshehtë:
“A nuk i kemi mësuar njerëzit tanë tepër pak, saqë njeriu i thjeshtë nuk di çfarë është mëkat?… A nuk është e nevojshme të paralajmërojmë popullin kundër mëkateve onanistike dhe të tjera të heshtura, sidomos kur Fryma e Shenjtë vetë nuk i anashkalon, por i zbulon tek shembulli i të paudhit Onan, te Zanafilla 38:9? Çfarë më kanë rrëfyer disa gra të krishtera se si burrat e tyre vepronin me to, nuk guxoj ta përmend këtu nga turpi.”

George Hughes (1603-1667)
“Shkatërrimi i farës së ardhshme ishte një nga krimet e tmerrshme të Onanit.”

J. Heinrich Richter (1799-1847)
“Në vargun 9 përmenden ndyrësi të turpshme që nuk duhen as përmendur! – Kushdo që praktikon këtë apo diçka të ngjashme, gjëra që nga Onani kanë marrë emrin Onanizëm, nuk mund të trashëgojë mbretërinë e Perëndisë (1 Korintasve 6:9; 10:8).”

Laktanci, Institucionet Hyjnore
“Perëndia na dha sytë jo për të parë dhe dëshiruar kënaqësi, por për të parë veprime që duhen kryer për nevojat e jetës; po kështu, pjesët gjenitale të trupit, siç tregon vetë emri i tyre, na janë dhënë për asnjë qëllim tjetër veçse për lindjen e pasardhësve.”

Johann Peter Lange (1802-1884)
“Mëkati i Onanit, një ligësi vdekjeprurëse, është një shembull që duhet urryer, si një dënim jo vetëm për mëkatet e fshehta të ndotjes së vetvetes, por edhe për të gjitha shkeljet e ngjashme në marrëdhëniet seksuale, madje edhe brenda martesës. Paturpësia në përgjithësi është një shpërdorim vrasës i fuqive riprodhuese, një shtazëri demonike, një fyerje ndaj paraardhësve, ndaj pasardhësve dhe ndaj vetë jetës së njeriut. Është një krim kundër shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe një poshtërim nën nivelin e kafshës. Për më tepër, fajësia e Onanit, pasi u krye brenda martesës, ishte një ligësi krejtësisht e panatyrshme dhe një padrejtësi e rëndë. Mëkati që mban emrin e tij është shkatërrimtar si një murtajë që ecën në errësirë, duke shkatërruar drejtpërdrejt trupin dhe shpirtin e të rinjve. Por edhe kurvëria e zakonshme është po aq një shkelje e panatyrshme ndaj vetvetes, një vrasje e dy shpirtrave dhe një fyerje ndaj trupit si tempull i Perëndisë. Ka nga ata në bashkësitë tona të krishtera që janë tepër të ndyrë në këtë drejtim; një dëshmi e zhvillimit më të mangët të asaj që mund të quhet vetëdija e personalitetit dhe e dinjitetit personal.”

Martin Luteri, Vepra të Zgjedhura, Vëllimi i Shtatë:
“Veprimi jashtëzakonisht i ndyrë i Onanit, më i poshtëri i të mjerëve… [Zan. 38:9-10]. Onani duhet të ketë qenë një njeri i lig dhe i pandreqshëm. Ky është një mëkat jashtëzakonisht turpërues. Është shumë më i rëndë se incesti dhe kurvëria. Ne e quajmë paturpësi, po, një mëkat Sodomit.”

David Paraeus (1548-1586)
“…ne mësojmë sa shumë e urren Perëndia çdo abuzim të farës gjenitale, çdo derdhje të paligjshme dhe shpërdorim të saj; dhe mësojmë se duhet të jetojmë jetë të pastra dhe të shenjta përpara Perëndisë, si në martesë, ashtu edhe në beqari. Sepse Perëndia sheh dhe ndëshkon çdo papastërti, madje edhe ato që kryhen fshehurazi.”

Matthew Poole (1624-1679)
“Mëkati i Onanit vetë…përshkruhet posaçërisht nga Fryma e Shenjtë, që njerëzit të mësojnë për natyrën dhe të keqen e madhe të këtij mëkati të ndotjes së vetvetes, i cili ishte aq i rëndë sa solli mbi vepruesin hakmarrjen e jashtëzakonshme të Perëndisë – dhe i cili është i dënuar jo vetëm nga Shkrimi, por edhe nga drita e natyrës dhe gjykimi i paganëve, të cilët e kanë quajtur shprehimisht këtë një mëkat të madh dhe një lloj vrasjeje… Kështu mund të kuptojmë mjaftueshëm sa e ligë dhe e neveritshme është kjo praktikë mes të krishterëve, në dritën e ungjillit, që na vendos detyrime më të mëdha dhe më të rrepta për pastërti dhe ndalon me ashpërsi çdo ndotje të mishit e të shpirtit.”

Andrew Willet (1562-1621)
“Mëkati i Onanit ishte kundër rendit të natyrës, duke e përdorur aktin e riprodhimit vetëm për kënaqësi.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes