Halloween – Argëtim i Padëmshëm apo Mashtrim i Rrezikshëm?
Përkthyer nga WabashBible
Halloween-i është një biznes i madh. Por si filloi ai? Nga e ka origjinën?
Origjinë Pagane
Origjina e tij vjen nga koha përpara Krishtit, midis Druidëve keltë të Galisë dhe Ishujve Britanikë. Data 31 tetor shënonte fundin e vitit pagan, vijën ndarëse midis verës dhe dimrit, dhe mbahej si festa e Samhain-it, “zotit të vdekjes”. Në atë periudhë të vitit besohej se perdja apo ndarja midis të natyrshmes dhe të mbinatyrshmes ishte në momentin e saj më të hollë dhe se shpirtrat e të vdekurve mund të hynin te kafshët, veçanërisht te macet e zeza. Në këtë festë, Samhain-it i ofroheshin flijime njerëzore, si edhe flijime kafshësh.
Zakone Pagane
Feneri prej rrepeje (panxhari) rrjedh nga fakti se Druidët mbanin të varur mbi shpatull, në një litar, një rrepë të zbrazur, me një llampë vaji të ndezur brenda, të cilën ata e shihnin si perëndia dhe udhërrëfyesi i tyre personal. Më vonë, në Amerikë, në vend të rrepës u përdor kungulli.
Ata mendonin se shpirtrat e të vdekurve mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre në 31 tetor dhe të bënin magji ose truke nëse nuk qetësoheshin me një shpërblim, që zakonisht ishte ushqim. Kjo është origjina e shprehjes “Trick or Treat” (“Mashtrim apo ëmbëlsirë”). Gjithashtu njerëzit visheshin me maska të shëmtuara për t’u maskuar mes shpirtrave të këqij.
Kapja e mollëve në ujë pa përdorur duart, si edhe aftësia për t’i qëruar ato në një copë të vetme, shiheshin si mënyra për të fituar favorin e shpirtrave. Zjarre të mëdha ndizeshin për të trembur shpirtrat e këqij dhe dikush shkonte shpesh rreth e rrotull skajit të fshatit me shkopinj të ndezur për këtë qëllim.
Paganizëm me një “Ndryshim të Pamjes”
Pas kohës së apostujve, një pjesë e madhe e kishës gradualisht u largua nga mësimi biblik. U futën doktrina dhe praktika të ndryshme jobiblike derisa ajo që u bë Katolicizëm Roman, u zhvillua plotësisht, ku Peshkopi i Romës mbante pushtetin suprem si Papa. Një pjesë përbërëse e këtij zhvillimi për t’u vajtuar ishte praktika e përthithjes së festave pagane, duke u vënë atyre një lustër të krishterë si festa kishtare ose ditë të shenjta.
Papa Bonifaci IV rikushtoi tempullin romak të Panteonit, i përdorur më parë për adhurimin e Cibelës, ndaj Virgjëreshës Mari në vitin 609 pas Krishtit, dhe ai u përdor për lutje për të vdekurit. Në vitin 834, Papa Gregori IV e shpalli 1 nëntorin “Ditën e të Gjithë Shenjtorëve”, dhe nëntori u bë muaji për lutjet për të vdekurit, shpirtrat e të cilëve pretendohej se ishin në purgator. Mbrëmja e 31 tetorit njihej si “mbrëmja e të gjithë shenjtorëve” (“all saints eve” ose “all hallows even”) dhe prej këtu ajo u shkurtua në halloweÿen. Në pjesë të mëdha të Evropës, praktikat e vjetra pagane vazhduan krahas atyre të rreme të krishtera.
Ende Pagane
Satanistët ende ofrojnë flijime për Djallin në Halloween. Mbajtja e Halloween-it është një çështje serioze për numrin e madh të magjistarëve dhe kuvendeve të shtrigave në vend sot. Halloween-i nuk është argëtim i padëmshëm dhe as nuk duhet trajtuar si i tillë.
Bibla dënon çdo lloj magjie (2 Kronikave 33:6 dhe Galatasve 5:20). “Të mos gjendet midis teje… as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymat, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti.” (Ligji i Ripërtërirë 18:10–12). Një “që ndjell të vdekurit” është dikush që përpiqet të komunikojë me të vdekurit.
“Rimodelimi” katolik roman nuk është më biblik sesa ajo që synonte të zëvendësonte. Dita e të Gjithë Shenjtorëve u fut pa asnjë bazë në Bibël, Fjalën e Perëndisë. Ideja e purgatorit është një shpikje. Bibla flet për një Qiell me gëzim të pafund për ata që janë shpenguar nga Krishti dhe për një Ferr me mjerim të pafund për ata që nuk janë të shpenguar prej Tij. “Dhe këta do të shkojnë në dënim të përjetshëm, por të drejtët në jetë të përjetshme.” (Mateu 25:46). Lutja për të vdekurit nuk është e krishterë. Halloween-i ishte pagan që nga fillimi dhe mbetet i tillë edhe sot, pavarësisht çdo lustre pseudo-të krishterë që i vihet. Të krishterët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në të dhe duhet të sigurohen që as fëmijët e tyre të mos kenë pjesë. “Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit.” (Jozueu 24:15).
Nëse ju nuk jeni i krishterë, atëherë larg nga pjesëmarrja në errësirën e Halloween-it, duhet të kërkoni dritën e Fjalës së Perëndisë. Kërkoni Biblën. Në to do të gjeni mesazhin e faljes së mëkateve përmes besimit në Jezu Krishtin. Ai mbarti fajin e mëkatit në vend të mëkatarëve kur vdiq në kryq. Kërkojeni Atë. “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.” (Isaia 55:6).