A Po Të Gënjen Pastori Yt?

Pastori

A Po Të Gënjen Pastori Yt?

Përkthyer nga Fortheloveofhistruth

2 Gjoni 1:10
Në qoftë se dikush vjen te ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi  dhe mos e përshëndetni.

Nga Don Fortner

A po të gënjen pastori yt? Shumica e predikuesve janë gënjeshtarë. Ata po bëjnë tregti me shpirtrat e njerëzve. Ata nuk kanë asnjë konsiderim për ju, asnjë konsiderm për nderin e Perëndisë, lavdinë e Krishtit, Fjalën e Perëndisë, apo për shpirtrat e njerëzve. Ata predikojnë për përfitim — për të fituar para, për të fituar pushtet ose për të fituar prestigj. Ata janë në biznesin më të mirë në botë: fenë si biznes i madh. Ata e dinë çfarë njerëzit pëlqejnë të dëgjojnë dhe u japin atyre pikërisht atë. Çfarëdo që duhet për t’i mbajtur njerëzit duke ardhur dhe paratë duke hyrë, ata e bëjnë. Shumica e predikuesve janë gënjeshtarë. A po të gënjen pastori yt?

Ka ndodhur në ditët tona ashtu siç e paratha apostulli Pal: ka ardhur koha kur njerëzit “nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë; por sipas ëndjeve të veta do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët, dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta dhe do t’i kthejnë drejt përrallave” (2 Tim. 4:3-4). Ja pesë përralla që sot shpallen shpesh nga shumë foltore në të gjithë Amerikën. Ato janë gënjeshtra dhe shtrembërime; por janë fjalë të buta që njerëzve u pëlqen t’i dëgjojnë. Ato mbajnë paratë duke hyrë; prandaj predikuesit vazhdojnë t’i përsërisin këto përralla.

1. Ne na thuhet se “Perëndia i do të gjithë”. Fakti është se Perëndia nuk i do të gjithë. Ai tha se e urrente Esaun. Ai i do të gjithë ata që besojnë në Krishtin. Por derisa një njeri të besojë në Krishtin, ai nuk ka arsye të hamendësojë se Perëndia e do. Perëndia urren çdo gjë të keqe. Ai zemërohet me të pabesin çdo ditë.

2. Ne na thuhet se “Jezusi vdiq në kryq për të shpëtuar të gjithë njerëzit në botë”. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Nëse Krishti do të kishte vuajtur dënimin e ligjit të shenjtë të Perëndisë për të gjithë, atëherë të gjithë do të shpëtoheshin. Zoti ynë tha se e dha jetën e tij për delet e tij dhe pastaj iu drejtua farisenjve duke thënë: “Ju nuk jeni nga delet e mia” (Gjoni 10:26). Krishti nuk vdiq për të shpëtuar të gjithë njerëzit e botës. Ai vdiq për të shpenguar dhe në të vërtetë shpengoi të gjithë të zgjedhurit e Perëndisë, ata që besojnë në të.

3. Mëkatarëve u thuhet se “Shpëtimi arrihet me një vendim”. Përsëri, kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Sa veta njihni që kanë ecur në korridorin e kishës, kanë dalë përpara dhe kanë marrë një vendim, por pas pak kohe u ngatërruan përsëri në dëshirat e botës? Zoti ynë deklaron për të gjithë ata që janë rilindur se ata “nuk lindën nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i njeriut, por nga Perëndia” (Gjoni 1:13). Pali tha: “Kështu pra nuk varet nga ai që do, as nga ai që vrapon, por nga Perëndia që tregon mëshirë” (Rom. 9:16).

4. Predikues kudo na thonë se “Perëndia po përpiqet ti shpëtojë të gjithë”. Miqtë e mi, Perëndia i plotfuqishëm nuk përpiqet kurrë të bëjë asgjë. Nëse Perëndia e vë krahun e tij në veprim, askush dhe asgjë nuk mund t’i rezistojë. Nuk është tani, dhe nuk ka qenë kurrë, qëllimi i Perëndisë të shpëtojë të gjithë racën e Adamit. Qëllimi i Perëndisë është të shpëtojë të zgjedhurit e tij, popullin që ai e zgjodhi dhe e shpengoi në dashuri dhe hir. Dhe ai do t’i shpëtojë. Asnjë nga ata që janë zgjedhur në zgjedhjen e përjetshme, të shpenguar me gjakun e Krishtit, të rilindur nga Fryma e Shenjtë dhe të sjellë në besim në Krishtin, nuk do të humbasë kurrë.

5. Dhe këta profetë modernë të mashtrimit na thonë se “Njeriu me vullnetin e tij të lirë ka fuqinë ose ta lejojë Krishtin ta shpëtojë ose t’i rezistojë hirit shpëtues të Zotit”.
Çfarë absurditeti! A mund balta t’i rezistojë vullnetit të poçarit? A mund njeriu t’i rezistojë fuqisë së Perëndisë? Vullneti i njeriut nuk është i lirë. Ai është i lidhur nga zemra dhe natyra e tij e keqe. I lënë në vetvete, ai nuk do dhe nuk mund të vijë te Krishti. Vullneti i njeriut, si çdo gjë tjetër, është nën pushtetin dhe sundimin e Birit të Perëndisë.

A po të gënjen pastori yt? Kërko Shkrimet dhe shiko. Gjej dikë që predikon me guxim ungjillin e pastër të hirit të Perëndisë dhe dëgjoje se çfarë thotë. Refuzo të dëgjosh ata që refuzojnë të flasin të vërtetën e Perëndisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes