RREZIKU I NJË KRISHTERIMI TË ZHBURRËRUAR

Krishterimi

RREZIKU I NJË KRISHTERIMI TË ZHBURRËRUAR

Nga Horatius Bonar (1808–1889). Teolog dhe Pastor i shquar Presbiterian Skocez.

Sepse ekziston njëfarë rreziku për të rënë në një Krishterim të zhburrëruar, nën arsyetimin e një teologjie që duket e lartë dhe tepër shpirtërore. Krishterimi lindi për qëndresë… Ai ecën me hap të sigurt dhe trupdrejt; ai është i dashur, por i vendosur; i butë, por i sinqertë; i qetë, por jo i cekët; i gatshëm për të ndihmuar, por jo i pafuqishëm; i vendosur, por jo i vrazhdë. Ai nuk druhet të shpallë një fjalë të fortë dënimi kundër gabimit, dhe as të ngrejë zërin kundër të këqijave përreth, me justifikimin se “nuk është nga kjo botë”.

Ai nuk tërhiqet nga dhënia e qortimit të drejtë nga frika se mos akuzohet se po tregon një frymë jo të krishterë. Ai e quan mëkatin ’mëkat,’ kudo që të gjendet, dhe do të pranonte më mirë rrezikun që të akuzohej për një frymë të keqe sesa të linte pa përmbushur një detyrë të qartë. Le të mos i gjykojmë gabim fjalët e forta që përdoren në një polemikë të ndershme. Nga nxehtësia mund të dalë një nepërkë; por ne e shkundim atë dhe kështu nuk pësojmë asnjë dëm.

Feja e të dyja Dhjatave, të Vjetrës dhe të Resë, shquhet nga dëshmi të zjarrta dhe të hapura kundër së keqes. Të flasësh fjalë të buta dhe të lëmuara në një rast të tillë mund të jetë sentimentalizëm, por nuk është Krishterim. Kjo do të ishte një tradhti ndaj kauzës së të vërtetës dhe drejtësisë. Nëse dikush duhet të jetë i hapur, burrëror, i ndershëm, i gëzuar (nuk them i vrazhdë apo i pasjellshëm, sepse një i krishterë duhet të jetë i sjellshëm dhe i edukuar), ai është ai që ka shijuar se Zoti është i mirë, dhe po pret me padurim ardhjen e ditës së Perëndisë.

Unë e di se dashuria mbulon një shumicë mëkatesh; por ajo nuk e quan të keqen të mirë, vetëm sepse një njeri i mirë e ka bërë atë; ajo nuk i justifikon mospërputhjet vetëm sepse vëllai i paqëndrueshëm ka një emër të madh dhe një frymë të zjarrtë. Shtrëmbërimi dhe të qënit si bota mbeten ende shtrëmbërim dhe të qënit si bota, edhe kur ato shfaqen tek dikush që duket se ka arritur një nivel jo të zakonshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes